top of page

KËNGA E FUNDIT E MJELLMËS


Resmi Osmani Tregim


1

Dielli i gushtit kishte vënë saçin e zjarrtë mbi luginën e Karpenisit. Qielli i kaltër pa një re. Asnjë grimë flladi, ajri dridhej si në ethe nga përvëlimi i diellit. Mustafa pasha Bushatlliu, i quajtur edhe Shkodrani, nuk po e duronte dot vapën mbytëse, po i buiste djersa. Doli nga tenda madhështore, por edhe jashtë, nën hijen e ullirit, të nxehtit ishte përvëlues dhe në hapësirë, drita e diellit verbuese. Në çast ju gjendën përskaj Llesh Ziu dhe truproja e heshtur mirditore, në pritje të urdhërave.

Pas marrjes me luftë në ecje e sipër të Agrafës dhe pushtimit të qytezës së Karpenisit, pashai e vendosi fushimin në rrafshultën e luginës së rrethuar me ullishta dhe vreshta, dy sahat ecje më këmbë nga Mesollongji. Pashai hodhi sytë nga fusha që ishte e mbushur me qindrat e çadrave që dukeshin si kërpudhat e mbira pas shiut vjeshtor. Më tej, në perëndim, shquheshin kambanaret e bardha me kryqin dhe muret rrethuese të qytetit kryengritës të Mesolongjit që, ai kishte urdhër me ferman nga Porta e Lartë, ta merrte dhe t’i hapte udhën ushtrisë të hidhej në More. Ca më tej, në të djathtë, ishte fushimi i Omer pasha Vrionit të Beratit. Pritej që të mbrrinin edhe taborret e komanduara nga Hurshid pasha Çekrezi që, s’dihej ku kishin mbetur e firasur udhës.Thoshin se i kishin parë në Lepant. Nga deti qytetin e kishte rrethuar flota me gjemitë e luftës që i komandonte Isuf pasha që, i daroviste bujarisht të rrethuarit me gjylet e topave dhe u bënte thirrje “dashamirëse” që të dorzoheshin në mëshirën e tij. Gjith ‘e gjithë, bëheshin dymbëdhjetë mijë, dhe me ato që priteshin të vinin do të bëheshin njëzet mijë asqerë, këmbësorë e kalorës, me xhepane dhe topa. Qytetit i ishte shtrënguar laku,mezi merrte frymë i sfilitur, ishin prerë furnizimet dhe kishte nisur të vuante nga uria. Ose dorëzoheshin, ose vdisnin nga uria! Luftën për këtë fortesë, ai e quante si luftë për jetën dhe nderin e tij.

Mustafa pasha, nuk e kishte dashur këtë luftë, por thikës nuk i bihet me grusht, e kishte pranuar nga zorbelaja dhe ishte detyruar të hynte në atë valle, nga frika e sulltan Mahmutit II të cilin, sa herë e kujtonte, i fanepsej koka e prerë e Ali Pashait të Janinës në kamaren e turpit të kryeqytetit dhe e zinin dridhmat. Ruajna Zot!

Nisi lajmëtarët për të thirrur pashallarët dhe komandantët e taborreve në këshillin e luftës. Në pritje të tyre, hyri në çadër dhe u ul në divanin e shtruar me lëkurë leopardi. Llesh Ziu i shërbeu shurup të ftohtë trëndafili.Nuk mënoi dhe përjashta u dëgjuan tringëllimat e patkonjve dhe shkrofëtimat e kuajve. I pari hyri Omer Vrioni shtatlartë që zuri tërë hyrjen e çadrës, e përshëndeti me temena të thellë, me dorë në zemër dhe urimin shqip: ”Allahu të shtoftë ymrin pasha i ndritur.” I bëri vend pranë vetes. Ai nuk e donte dhe s’ia kish besën këtij pashait ambicioz, paburrëri e të pabesë, tinzar e hileqar që, kish tradhëtuar Ali Pashën dhe që s’kishte mundur t’a merrte Mesollongjin në rrethimin e një viti më parë, e që kishte marrë rrugët si qen i rrahur i ndjekur nga Marko Boçari dhe suljotët e tij. Krah tyre u ulën edhe Isuf e Çollak pasha. Yzbashët e bimbashët, zunë vend në divanët anësorë. Një nga dylberët dhe Llesh Ziu u kujdesën që të shërbehej shurup trëndafili.

Heshtje.Sytë i kishin mbi pashanë. Në lule të moshës, shtatmesëm, hedhur mbi supe një pelerinë me tujet e pashait, mbi krye turbanin që e zbukuronte një gur smeraldi sa një lajthi e që lëshonte reflakse të gjelbërta dhe një pendë e bardhë. Fytyrëhequr,si presa e thikës, i zeshkët, mjekra e plotë,e zezë me ca fije thinjash të argjendta, me hundë si skifteri grabitqar,nën vetullat kaleshe sytë të zez si nata, depërtues enigmatik e inatçor. Goja e vogël dhe buzët e holla e të shtrënguara. Në silahun me pafka argjendi, kishte ngjeshur kamën me dorezën stolisur me rubin dhe pisqollën.

Nën peshën e ankthit të heshtjes, ata prisnin fjalën e pashait.Më në fund ai foli:

-Padishahu, Drita e Botës, që Allahu i shtoftë ymrin e mos na lëntë pa mëshirën e tij, ka urdhëruar që nga qyteti i mallkuar e i nëmur i Mesollongjit, ku janë kryengritur e trimëruar të pabesët, t’i dërgojmë vetëm një grusht hi.Vetëm atëhere do të gjejë prehje zemra e tij. Për këtë jemi këtu. Para dy javësh, u dërgova haber dy kleftëve që, sillen rreth nesh si çakenj, Strugarës dhe Karaiskaqit, që të bashkoheshin me ne, se do t’u falja mëkatet dhe do t’u jepja gjithë të mirat.Nuk pranuan. Dergova një tabor për ndjekje. Sturnara nuk u bë burrë, u tërhoq duke dredhuar në grykat e maleve pa dhënë betejë. Edhe Karaiskaqi, kemi habere se është I sëmurë, i bishtnoi betejës. Ka mbetur vetëm Marko Boçari, i farës shqiptare, çami suljot me të tijët, një grusht burra, të mbyllur në kasaba. Sido që thonë se është trim i tërbuar e zëmërasllan, me atë grusht njerëz, nuk mund të na bëjë ballë. E dua ta zini të gjallë. Do ta dërgoj në Stamboll, të mbyllur në kafaz, si një egërsirë, si plaçkën më të vyer të kësaj lufte.

Do të ndahemi në tri pjesë: Isuf pasha dhe Çollak pasha, në ndjekje të kryengritësve në grykat e maleve. Shtatë mijë asqerë, pa zënë shirat e vjeshtës, këmbësorë e suvarinj dhe artilieria, nën hyqmën time, do të rrethojmë kasabanë, që të mos hyjë e dalë as miza, do ta rrahim me topa sa të vidhisim muret e ta rrënojmë gur mbi gur. Trupat e Omer pashait mbeteshin në rezervë……. Dha edhe porosi të tjera.

Filluan gatitjet që pas dy ditësh, ushtria të soste përballë mureve të qytetit.

2

Kapedan Marko Boçari, me njëmijë e dyqind luftëtarë ,ndodhej në Katoçi midis Mesolongjit dhe Vonicës. Sulmoi, vrau dhe zuri rob, një pjesë të forcave armike të Çollak pashës. Pa që nga rruga tërë dredha ngrihej një vazhdë pluhuri, po vraponte një kalorës.Kur mbrriti, i dha kapedanit një letër që ia dërgonte prefekti. Metaksai, i shqetësuar, kërkonte që Marko Boçari të kthehej në qytet.

Nga frika e rrethimit, bombardimet nga deti, pakësimi i ushqimeve , kërcënimi i urisë dhe sëmundjeve, banorët i kishte kapur paniku. Një dërgatë e parisë së qytetit, i kishte kërkuar Prefektit që ta dorëzonte qytetin, se njëzet mijë asqerët e turkut edhe me pështymë e mbysnin qytetin e rrethuar! Edhe te disa nga kapedanët suljotë, pas gradimit të Markos gjeneral, dhe komandant i përgjithshëm i ushtrisë së Greqisë Veriperndimore, dukej një qejfmbetje. Ata, po aq trima si Marko,që nuk kishin kursyer as jetën, që kishin derdhur djersën e gjakun po si ai, u dukej vetja si të lënë pasdore nga qeveria.

Nuk kishte tjetër burrë veç Markos, arsyetonte prefekti që, t’i qetësonte dhe tu ngjallte besimin në fitore.

Ishte ditë e ethshme, kur duhet të merreshin vendime për jetë a vdekje. Marko, i tendosur e si në ethe, u kujtua se kishte marrë një letër nga një lord i fisëm anglez që quhej Bajron dhe që gjëndej në Qefaloni. Kishte letër rekomandimi nga Imzot Ignati, në Ankona, që të vinte në Mesollongj.Vetë lordi i shkruante se kishte formuar një gardë me dyzet suliotë trima nën komandën e Xhavellës dhe se donte të ishte njëri nga ushtarët e tij dhe po të duhej, të luftonte e jepte jetën për liri.

I duhej kthyer përgjigje.

Thirri sekretarin, Vasil Gudën dhe i diktoi këtë letër: “Shkëlqesia e juaj,lord Bajron, është pikërisht njeriu i shpresës, për të cilin kemi nevojë këto dit të rënda. Asgjë nuk duhet të bëhet pengesë për ardhjen tuaj në këtë vend të greqisë. Një ushtri e panumërt po na kërcënon…sonte kam në plan të bëj diçka kundër një trupe prej shtatë mijë vetash që janë rreshtuar afër këtij vendi.Pasnesër do të vij të takoj shkëlqesinë tuaj. Mos u vononi shumë. Ju falnderoj për përshtypjen e mirë që keni për atdhetarët e mi dhe shpresoj se ata do të justifikojnë besimin tuaj. Ju falnderoj për kujdesin që tregoni për ta”

Juaji me besë,

Marko Boçari.

E firmosi dhe dha porosi ta nisnin menjëherë.

Në sallonin e madh të njerës nga shtëpitë e arhondëve,që llapste nga e bardha e gëlqeres rrezet e dritës që, hynin nga dritaret e larta, bënin të dukeshin hallakatjet e thërmijëzave të ndritura të pluhurit, Marko thirri në kuvend treqind luftëtraët dhe kapedanët suljotë. Qëndronin më këmbë, të heshtur, në pritje. Marko, bashkë me prefektin Metaksa, u doli përballë. Kishte kaq gjëra për t’u thënë! Koha s’priste. Duhet t’i prekte në sedër, tu ngjallte trimërinë, t’i bashkonte si gishtat e dorës në një grusht të fortë, dërrmues.

U foli shqip, në gjuhën e mëmës.Sekretari, vangjel Doga i përktheu Metaksait.

-Vëllezërit e mi, kapedanë trima suljotë.Unë jam vëllai juaj, një nga ju, që kemi ndarë bashkë mundimet e luftës gëzimet e fitoreve dhe hidhërimin e humbjeve, i kemi lidhur plagët njerjatërit. Nuk jemi ndarë as në të mirë e as në të keq. Më kanë ardhur fjalë se dikush është qejfprishur qe mua qeveria më gradoi gjeneral e komandant. Unë, ma di Zoti që është një, s’kam punuar e luftuar për grada e nderime. Gradën ma ka dhënë populli im, që më quan Kapedan Marko Boçari. Ja se ç’i bëj unë gradës së gjeneralit- mori nga duart e Vangjelit diplomën e gjeneralit, e grisi në katër copa dhe e flaku përdhe. U dëgjua një “Ah” dhe mërmërimë habije- tani jemi të barabartë. Vëllezër: kapedanë Xhavella, Fotomara, Zerva, Dangëlliu dhe ju trima të tjerë, që jeni bij dhe nipër etërish e stërgjyshër të lavdishëm, armikun e kemi te pragu i derës. Ne mund të fitojmë po të jemi të bashkuar, treqind si një i vëtëm, me një zemër me një mendje.

Një nga ju më pyeti:”Ç’kërkojmë ne në këtë luftë?” Është e ditur,me grekët kemi një besë, i falemi Zotit në të njëjtat kasha, por ne jemi suljotë, arbërorë, farë shqiptare, s’kemi lidhje gjaku e nuk flasim gjuhën e grekëve, por gjendemi këtu për t’i ndihur, sepse luftojmë kundër të njëjtit armik, që ka pushtuar edhe vendin tone, ndaj edhe jemi shpërndarë si zogjtë e korbit! Çlirim i greqisë do të sjellë edhe fillimin e çlirimit të vendit tonë, prandaj kjo është edhe lufta jonë. Mos harroni që Kollokotroni, kapedan Odhise Andruco, Karaiskaqi, Bubulina, Mijauli, Mavrokordato, hidriotët e speciotët, e të tjerë që janë vënë në krye të revolucionit, janë të gjakut arbëror. Si thoni?

Përgjigja qe një “Po” e fortë dhe”Prina kapedan Marko.”

Në një odë tjetër,Marko mblodhi këshillin e luftës. Kapedanët suljotë dhe të vullnetarëve të Etolo-Akarnanisë, Thesalisë dhe të nisive të Jonit. U kërkoi mendim sesi duhej të vepronin, përball këtij armiku prej njëzet mijë trupash.

U dhanë dy mendime:

I pari; të dilej nga qyteti, të ziheshin grykat dhe qafat e maleve dhe prej andej të sulmohej armiku, pjesë-pjesë.

I dyti.Të qëndronin të ndryrë në qytet e që aty t’i bëhej ballë furisë së armikut që do të sulmonte.

Marko nuk miratoi asnjërin.”Në rastin e parë- tha ai- hordhitë e armikut do ta gjenin rrugën të hapur dhe, do të hidheshin në Peleponez për të shtypur kryengritjen. Gjithë ç’ishte arritur dhe gjaku I derdhur do të shkonte dëm. Për mendimin tjetër: po të rrinin të ndryrë në qytet, nuk kishin as forcat, as armët e mjaftueshme dhe as ushqimet për të përballuar rrethimin dhe do të vdisnin të gjithë! Qyteti do të binte, do t’i vihej flaka dhe njerëzit, pa dallim do të masakroheshin pa mëshirë. E si mund t’a lejonin këtë?

Ç’farë propozonte ai? Një veprim të jashtzakonshëm, për një situatë të jashtzakonshme. Si shumë herë të tjera, armiku do të sulmohej natën, në befasi, do të vriste Mustafa Pashën dhe pashallarët e tjerë. Ushtria osmane do të mbetej si trup pa kokë dhe do të shpërbëhej e merrte arratinë. Kjo taktikë u kishte dhënë fitoren edhe në luftërat e tjera.Për këtë ata ishin dëshmitarë.

Pati që e kundërshtuan, e panë si të pamundur dhe vdekjeprurës këtë aksion. Por ai i kundërshtoi.

-E vërtetë që ata janë mizëri, po mos harroni që çdo një nga ju vlen sa dhjetra armiq.Ne nuk do te sulmojmë ballazi, ditën më drake, por natën në befasi, në çadrën e pashait. Tekefundit,Ju nuk jeni të detyruar, mund të bëni si ta shihni më mirë, por unë do të bëj këtë që thashë dhe jo më vonë, por sonte.Pritja është vdekje.Kjo është luftë e shenjtë, për liri, por që mund të paguhet edhe me jetë. Kush është gati të luftojë e vdesë tok me mua të dalë mënjanë.

Thirrjes iu përgjegjën të treqind suljotët, por edhe shumë vullnetarë. ”Edhe ne do të luftojmë e vdesim me Marko Boçarin”,”Jo,-tha ai- nuk do të vdesim, se Perëndia është me ne.

Sulmi do të bëhej duke u gdhirë 21 gushti 1823,në mesnatë, në errësirë. Markua me pesëqind luftëtarë do të sulmonte në befasi krahun e majtë të kundërshtarëve të shumtë, atje ku ishte ndënjia e pashallarëve, do hynte në çadër dhe do të vriste apo zinte të gjallë Mustafa pash Bushatin, kurse Kiço Xhavella me katerqind vetë do të sulmonte krahun e djathtë, për tu bashkuar në qendër. Njëmijë e dyqind të tjerë, do të qëndronin më larg, në pritje të zhvillimit të luftimëve. Po të kishte sukses sulmi, ata do të hynin në luftë dhe të peërfundonin atë që kishte nisur Marko, në mos sukses, kishin kohë të tërhiqeshin pa u dëmtuar.

Parrulla do të ishte shqip”Kush je ti?”, ”Jam hekuri”

Kur Vangjel Guda i paraqiti planin e luftës prefektit Metaksa, ai tha i habitur.”Ky njeri i ka hedhur të gjithë zaret” dhe nuk shtoi më asnjë fjalë.

3

Errësirë, mjegull si e tymtë që teptis nga deti në luginë e grykat e maleve.Nata që fsheh në shkrumbin e saj të zi mistere, të fshehta, pusi dhe ngjall makthe në ëndërrat e atyre që flenë në çadrat e fushimit të asqerëve dhe, besim shpresë e guxim te sulmuesit që dalin nga portat e qytetit dhe i thith sfungjeri i natës së errët.

Duhen dy orë ecje deri në fushimin e armikut.Deri atëhere, nga majëmalet do të pikojë drita e zbehtë e vëngjillës e në atë gjysmëerrësirë, kur armiku bën gjumin e thellë, do të shpërthejë mbi ta shtërgata e zjarrtë e vdekjes.

Nën dritën e zbehtë të yjeve, në qiellin mbi qytet, u pa të fluturonte një luzmë zogjsh, që u ngrit nga deti, në formën e shkronjës “V”, në krye u printe një mjellmë e bardhë. Drejtimi i tyre ishte veriperëndimi.

Marko i vërejti dhe i mori si fatsjellëse. Kishte dëgjuar të thoshin se Mjellma para vdekjes këndonte këngën e saj të fundit. I rrahu përkëdhelshëm vithet doriut, i rregulloi mëgojzën, shtrëngoi qenglën , forcoi shalën dhe yzengjitë. Thundrat e kuajve i veshën me rrecka që të mos dëgjohet zhurma e potkonjve. Me një të hovur gjëndet mbi shalë. Doriu shkrofëtin dhe rreh truallin me këmbën e parë.Marko i fërkon jelet që ta qetsojë.Erdhi koha.Liri a vdekje!

-Kush je ti?

-Jam hekuri!

Parrulla pëshpëritet ngadalë.Markua ia liron mëgojzën doriut dhe ai niset.Pas tij pesëqind trima.Të heshtur, që lëvizin si hije, tërë sy e veshë.Secili e di detyrën e tij. Bëjnë kujdes që edhe armët të mos tringëllijnë. Qetësi, fshehtësi e befasi.Kur të sulen mbi fushimin armik, kur ata të zgjohen nga gjumi e të përmenden, le t’i pandehin fantazma, si ca shpirtëra që i ka pjellë errësira dhe të tmerrohen.

Marko me dyzet luftëtarë që ua ka provuar trimërinë, arrin fushimin. Të tjerët të shpërndarë në grupe të vegjël, depërtojnë në anën e majtë të fushimit atje ku janë çadrat e pashallarëve. Rojet e kapur në befasi vriten me shpata e bajoneta, por thirrjet e tyre të lebetitura: “Allah,Allah”, i zgjojnë të tjerët që dalin të hutuar nga çadrat pa ditur se çfarë po ndodhte. Atëhere Markua, qëllon me pisqollë dhe jep shenjën e fillimit të sulmit.Mbi armikun në panik e të zënë në befasi bëhet plojë e madhe. Markua që vringëllin shpatën dhe prêt koka, në vrullin e luftës, ka një synim: çadrën e pashajt, ta vrasë apo zerë të gjallë. Asqerët grumbullohen dhe i dalin ballas. Dëgjohet thirrja”Zot o zot”.Janë shqiptarë. Markua me zë bubullues u drejton shqip pyetjen: “Ku është Pashai?”Para çadrave të pashallarëve gardhohet garda e tyre personale. Luftohet fyta-fyt, egërsisht, trualli mbulohet me të vrarë e të plagosur.Garda si bën dot ballë furisë së suljotëve, atëhere asaj i vijnë në ndihmë dhjetra e dhjetra asqerë.

Po agon.Fushimi turk i zgjuar nga gjumi dhe i lemerisur nga shtrëgata e sulmuesve, ishte në rrëmujë të plotë, ngado dëgjoheshin të thirrura, të bërtitura, vringëllima të shpatave dhe shkrehje të pushkëve dhe kobureve. Në mugëtirën e agimit nisin të dallohen trupat e sulmuesve. Markua, me vringëllimin e shpatës hap udhën drejt çadrës së pashait.Pas i vijnë trimat që imbrojnë krahët. Edhe pak, edhe pak, mbahu Marko, pashai është yti. Sytë i lëshojnë flakë, zemra rreh furishëm.”Më prit pasha”sokëllin ai shqip, që pashai ta dëgjojë dhe tmerrohet. Porn ë atë vrull, atë e merr plumbi në supin e djathtë.Trimat e tërheqin, ai I kundërshton, plaga akoma është e nxehtë dhe ai se ndjen dhembjen. Ja lidhin shpejt e shpejt. Ai mbi kalë sulet sërish përpara,shpata e tij si vetëtimë vret e prêt majtas e djathtas.

Llesh Ziu, roje personale e pashait, me pushkë në dorë, kishte zënë pusi para derës së çadrës, pa u përzier në luftim dhe ia kishte qepur sytë pa ja ndarë kalorësit që sulmonte e bënte kërdinë. Mori shenjë në kokë dhe kur u sigurua, shkrehu armën. Kalorësi u anua dhe u gremis mbi kalë. Markon e kishte marrë plumbi në ballë. Atje ku vriten trimat. Shokët e zbritën nga kali. Ai arriti vetëm të thotë ”Vëllezër, mermani hakën” dhe dha shpirt. Mbi të u derdhën mizëri armiqtë që ta merrnin trupin e trimit si trofe lufte. U luftua egërsisht, dhemb për dhemb. Rreth trupit të Markos u bë një pirg me të vrarë. Midis qindra armiqve për kapedanin e tyre dhanë jetën njëzet e dy luftëtarë suliotë, por trupin e kapedanit nuk ja lanë armikut. Në ndihmë u erdhën edhe luftëtarët e Xhavellës dhe trupat e të vrarëve dhe të plagosurve, që të gjithë, u tërhoqën dhe u nxorën jashtë fushës së luftimit.

Zbardhi dita.Edhe drita dukej e përgjakur.

Luftëtarët, të dërrmuar e shpirtvraë,të heshtur e të përlotur u kthyen në qytet. Printe tabuti i kapedanit, mbuluar me pelerinën e kuqe, që e mbanin mbi supe gjashtë kapedanë suliotë.

Lajmi i kobshëm hyri në çdo shtëpi.

Kambanat e tërë kishave ranë me tinguj të përzishëm.Napa e përzishme e pikëllimit ra mbi qytet.

Marko Boçari sulioti nga Çamëria, vdiq ashtu siç kishte jetuar: si hero, luftëtar i lirisë për të ndritur si pishtar e për të mbetur i pavdekshëm , për t’u kujtuar brez pas brezi.

Kjo luftë ishte kënga e fundit e mjellmës.Ishte kënga e lirisë, klithma e jetës heroike, kënga e përjetësisë, kënga e të vdekurit që mbetet i pavdekshëm. A mos vdekja është vetëm dëshpërim?

Ishte tridhjet e tre vjeç. Vdekja e Markos qe e ndritur, si një britmë lamtumire, që ua drejtonte atyre që mbeteshin: duajeni jetën, duajeni lirinë…..

Epilog.

Në këtë luftë, suliotët patën gjashtedhjet të vdekur, dyzet e dy të plagosur. Armiku tetëqind të vrarë.U kap plaçkë lufte: 4 flamurë,1600 pushkë,1800 kobure,1200 kuaj…Por kjo fitore, sado e shkelqyer, u pagua shumë shtrenjtë, me jetën e kapedan Marko Boçarit.

Pas kësaj beteje, që ishte si goditje vdekjeprurëse në zemrën e ushtrisë së pashallarëve turq, Mustafa pash Bushatlliu, nuk e mori dot veten.Ai e rrethoi Mesollongjin, por nuk mundi ta thyejë qëndresën e Suliotëve që tashmë u printe Kosta Boçari, vëllai I heroit. Kur zunë shirat e vjeshtës, në fushim ra murtaja që po bënte kërdinë. Pashai, e gjeti si shkak, ngriti fushimin dhe u nis në rrugën e gjatë për në Shkodër. Gjysma e taborrëve, nga uria dhe sëmundjet i mbeti udhës. Ishte i bindur se Sulltan Mahmuti II ,nuk do t’ia falte disfatën.

Me heroizmin e tij të pashoq, Marko Boçari e shpëtoi edhe një herë Mesollongjin dhe nuk lejoi kalimin e forcave perandorake në Peleponez.

Tre vjet më pas, më 1826, qyteti u pushtua nga forcat e Ibrahim pashës së Egjyptit.Këtë humbje e vajtoi gjithë Greqia.

Mesollongj 2004-Tiranë, tetor 2020.

78 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page