top of page

KUR TË DO BIJA E ZEUSIT...




Vullnet Mato


Teksa isha duke lexuar tragjedinë e Eskilit “Prometeu i mbërthyer”që më kishte pëlqyer aq shumë, pashë nga dera e hapur e dhomës, babanë vigan të Marjanës, dy metra e çerek i gjatë, me numrin e këmbës 55 që me supe të përkulur përpara, hyri në dhomën e tij, sepse më shëmbëlleu tamam me Zeusin.

Më trokoi zemra menjëherë. Në çast e gradova trurin vendosmërisht dhe u nisa drejt dhomës së tij. Nuk e kuptova as vetë, se si i bëra ato pak metra që ndanin banesat tona. Një grimë herë e kundrova derën e tij hijerëndë me një frikë mistike, sikur ajo të ishte vetë porta e Zeusit. Dhe nuk mund të rri pa bërë edhe përngjasimin paksa hiperbolizues. Se m’u duk vetja si i biri i Prometeut të dënuar mizorisht. Përfytyrim ky që më vinte jo vetëm nga përjetimi i subjektit në tragjedinë e sapolexuar. Por edhe sepse gjiganti, kishte kuptuar qe e bija më donte dhe nuk me fliste prej ditësh me goje, ndonëse kisha psur muhabet me të.

Këmbët e kishin bërë punën e tyre pa pyetur fare ç’pësonte koka... Por pasi u ndërmenda një çast, u mbusha me frymë dhe e konsiderova veten një copë frikacak ordiner, që, prapëseprapë, shkon për të kërkuar nuse. Në mënyrë të pavetëdijshme pyeta veten: A do të pranoja të vritesha, sikur Marjana të ishte vërtetë bija hyjnore e Zeusit?... Po, po, pa asnjë hezitim. Vdekja nuk më tremb, kur ashtu si në tragjeditë greke fati e detyron heroin të zgjedhë vdekjen dhe asgjë s’e ndalon dot... Dhe i thashë vetes: Hyre në këtë valle me aq dëshirë, o Veno, hajde bëhu burrë e hiqe tani deri në fund!

Atëherë me njërën dorë shtrëngova dorezën dhe me tjetrën trokita dy herë. S’prita përgjigje. Hyra brenda trimërisht, por pa frymë.

Zeusi gjigant ishte aty fare vetëm. Ndonëse aq të afërt dikur, gjendeshim tani ballë për ballë, në një situatë dramatikisht të ndryshme. Ai u ngrit përgjysmë nga kanapeja. Shajnitja e tij ishte aq e madhe, sa e bardha e syve iu zmadhua deri në masën e një zgurdullimi. Dhe vështrimi i tij i egër më goditi në zemër, si të ishte shigjetë indianësh me tri pupla në bisht, që kisha parë nëpër filma. Kaluan kështu disa sekonda memece. Fytyra e tij, si e farkëtuar prej metali, ishte ftohur krejtësisht. Kishim mbetur të dy pa gojë.

Megjithatë, vështrimi i egër i tij nuk më sprapsi. Për një çast e përmblodha të gjithë guximin tim dhe iu drejtova, duke i ngrënë fjalët padashur: - M... fal, erdha të bisedoj pak me ty... - Për çfarë? - pyeti ai me ton të rëndë e po me atë pamje të egër. - Po qe se ke pak durim të më dëgjosh... - i thashë duke m’u dridhur zëri. - Hë, fol! - thirri me zërin si jehonë dhe drejtoi trupin e stërmadh. Ndjeva se m’u zu fryma dhe ndërrova pozicion. Nuk di pse e bëra këtë, por padashur u kollita lehtë dhe njoma buzët. - Nuk mund të flas, kur ti më qëndron kaq ashpër...- Pse, si do të të rrinë ty? – ma ktheu me armiqësi të dukshme. - Siç rri shqiptari kur i vijnë njerëz në shtëpi... - pëshpërita. - Hë, ulu! - pranoi me një zë grykor të trashë, duke i lëshuar fjalët si ato ashklat gjatë prerjes së trungut. Unë drejtova vështrimin e thyer. - Dikur bisedonim bashkë si miq të mirë... Nuk ka pse të krijojmë armiqësi mes nesh... – vijova, duke e ditur mirë reagimin e tij. - Do, pa i krijon. - u përgjigj me qepallat gjysmë të mbyllura, që i dukeshin si dy plasa të vogla dhe ngjeshi nofullën fort. Kishte dëgjuar fjalët e përhapura se i vardisesha së bijës dhe ishte bërë si i tërbuar.

-Dua të bëhemi miq më të mirë nga ç’ishim, - shtova për t’i dhënë zemër vetes. - Më prano të fejohem me Marjanën... Zeusi gjigant u drodh një grimë, si për ta kapërdirë mirë frazën time të fundit. Vetullat e kreshpëruara me ca qime të bardha të pabindura që i zgjateshin tej të tjerave, i ranë si gardh i rrëzuar. Sytë iu shkopsitën, sa u duk se i mbetën dy të çara kopsash mbi ballë. Pastaj kërceu vrikthi në këmbë:- Si the, more? – shkrofëtiu në kupë të qiellit me shpërthim të papritur nervash. Nga Nofulla e gjerë e rrasur fort, nga grushti i madh i shtrënguar dhe nga vështrimi zhbirues i syve, arrita të dalloja dëshirën e tij për të më shtypur, si të isha një harabel i mardhur nga acari. - Të lutem, prit pak ta marrim shtruar, - pëshpërita nëpër dhëmbë, i mbuluar i tëri nga djersë të ftohta dhe u ula i pari. - Mos fol broçkulla që s’janë për të folur! – gjëmoi ai me ton të lartë. Lexova zemëratën e egër dhe prapë guxova t’i buzëqeshja, duke u përpjekur t’i flisja sa më i shkujdesur: - Ke qenë vetë i ri, më ke treguar se ke vuajtur shumë atëherë, pse i bën të tjerët të vuajnë sot? - Kë bëra? - pyeti ashpër duke turfulluar. - Mua dhe Marjanën. - kuturisa e thashë gjithë siklet e me një zë gati të shuar... Zeusi u përndez sërish dhe sytë e përskuqur nga zemërimi i shkreptinë.

- Vajzën time mos guxo ta zësh me gojë, se të zura e ta përdrodha zverkun si të pulës! Ajo s’ka punë me ty, dëgjove! - shfryu ashpër, duke i lëshuar fjalët me gulçe të rënda sikur të çante dërrasa. Heshta pakëz sa u mbusha me frymë dhe i mblodha gjithë forcat për t’u dukur i qetë. - Dikush do ketë punë ta kërkojë, si të gjitha vajzat… - Ty nuk të duhet gjë prej gjëje. Ne ia kemi gjetur të sajin... - Çfarë, Çfarë? - belbëzova me zë të trishtë, duke m’u dridhur zemra. - Ajo s’ka fare punë me ty, po mbylle të thashë! - ulëriu si i ndërkryer.

Vura re i shqetësuar, se tashmë Zeusi mezi po më duronte. Nofulla e poshtme kishte zënë t’i përpëlitej nga nervozizmi dhe dukej se po tërbohej fare. Isha ende i tronditur e i mbërthyer nga emocione të forta, kur u dëgjua pas derës e qeshura me dredhule e Marjanës. Ajo hapi derën dhe hyri brenda krejt e shkujdesur. Njësoj si një rreze e fuqishme dielli, që bie befas mbi dy stalaktite të mëdha akulli në një shpellë. Pas saj hyri e ëma, e cila për rastësi të habitshme, kishte emrin e Perëndeshës së Luftës, Athina. Por ato mbetën të dyja te pragu një grimë, të stepura nga befasia. Pastaj u shtynë ngadalë brenda dhomës. Për pak sekonda zotëroi heshtja. E prishi Zeusi gjëmimtar: - E more vesh?... – përsëriti, duke këqyrur i çakërritur nga e shoqja. - Vajza jonë s’ka punë me ty... Shko gjej ndonjë nga sëra jote !... Sakaq Klea me të ëmën kishin qëndruar, të dyja fytyrëzbehta e të nemitura. - O Shënmëri, ç’më dëgjuan veshët!... - kërceu rrëmbimthi përmendorja e thinjur e Perëndeshës së Luftës Athina, kur dëgjoi përse kisha shkuar. - More ti, në ke ardhur për të kërkuar vajzën, shko andej nga turqit dhe gjej ndonjë! Mos e dhëntë perëndia, turk nuk i japim Kleas ne, sikur kaq ta bësh dhëmbin! - ajo zgjati gishtin tregues. Ndjeva menjëherë një ngashërim në zemër dhe një spazmë e zjarrtë më shtrëngoi fytin. Por atë çast pikasa një kundrim të ëmbël në fytyrën e së bijës që ma mbushi shpirtin me ngazëllim. Atëherë mendova, nëse e gjithë kjo që kishte ndodhur aty, ishte veç përpjekja ime e njëanshme dhe Marjana do të shfaqej kundra meje, atëherë duhej të rishqyrtoja të gjitha vlerat e saj, tek të cilat kisha besuar deri në ato çaste. - Mirë, - thashë qetësisht, me frymëmarrje të thellë. - Megjithëse turq e kaurë s’ka sot, se zoti na ka bërë të gjithëve nga i njëjti brumë, po nëse Marjana thotë këtu, se më pranon, atëherë ju bini dakord?... U duk sikur atë çast u paralizua çdo gjë papritur. Për një periudhë që u duk sa përjetësia, pasoi një heshtje e plotë dhe e mistershme. Të gjithë sytë tanë kureshtarë u drejtuan vetvetiu te buzët e saj të kyçura, te zëri i saj i ngrirë, në një pritje të ankthshme.

Ajo u dërrmua përnjëherësh dhe zuri të dridhej sikur të ishte mbi një mjet lëvizës që troshitej nga rruga. Fytyra iu zvogëlua, sytë iu errësuan dhe buza iu zbardh. E dija thellësisht, se kjo ishte për të prova më e rëndë, gati e tmerrshme, po s’kisha si veproja ndryshe. Mora parasysh, se ajo nga frika edhe mund ta mohonte dashurinë tonë. Ose i ati do ta rrihte keq dhe mua do të më qante shpirti për shumë kohë. Por duhej ta kryeja patjetër urdhrin që më diktonte zemra. Ia mbërtheva e s’ia hiqja sytë, asaj fytyrës së saj magjike, që kishte marrë një shprehje aq të zbehtë vuajtjeje. Teksa kishte pllakosur qetësia e plotë, shigjetat e mprehta të syve të Perëndeshës së Luftës, të tërhequra vrazhdët në harqet e vetullave të thinjura, ishin gatitur të lëshoheshin me flakërimë. Me nerva të tendosura nga pritja dhe ankthi, Zeusi e kishte zgjatur aq shumë qafën muskulore drejt së bijës, sa dukej se do t’i shqyhej nga trupi.

- Ti e ke kuptuar, baba, që ne duhemi... - tha Klea befas me një zë paksa të nemitur. Por që e grisi tejpërtej atë heshtje të shtangur, sikur të ishte shkreptima tronditëse e një rrufeje të fuqishme, nga ato që tundin edhe muret. E vështrova si të ishte një fytyrë shenjtoreje dhe shfryva nga gjoksi ajrin e tejngjeshur gjer në dhimbje. Kjo shprehje kulminante, ky pohim i fortë i ndjenjave të palëkundura të Kleas, i hapi tejpërtej dyert e shpirtit tim. Duke e përjetuar shpirtërisht pohimin e saj të madh, më rrahu zemra aq fort, sa desh bëra budallallëkun, t’i shtrëngoja dorën me atë lehtësi, sikur të ishte ndonjë nga shokët e zakonshëm. Por e përmblodha veten shpejt. Ka gëzim, magjepsje dhe mrekullim, unë u mrekullova. Nga ana tjetër, nuk mund ta përshkruaj kurrë me saktësi efektin e llahtarshëm, që shkaktoi ai pohim aq i madh e i papritur tek të dy prindërit. Mamaja e tmerruar dhe e xhindosur përpoqi duart me llahtarë dhe nxitoi ta pyeste të bijën mos ishte çmendur. Kurse i ati, sapo dëgjoi fjalën e fundit, brofi në këmbë i tërbuar nga zemërimi i shfrenuar. Tiparet e tij u dukën tmerrësisht të shfytyruara, si prej bishe. Dy damarë të trashë i kishin kërcyer te balli e te tëmthat, aq sa iu dukën rrembat, që iu frynë e i rrihnin, si të ishin ndezur dy fitila dinamiti. Dukej sikur hyjnia i tmerrshëm kishte zbritur befas nga tempulli i lashtë, të shpërthente bubullimat në Olimpin e kohëve të reja. - Do të ngordh, moj e zezë, do të marr shpirtin me duart e mia, do të lë pa frymë! – shpërtheu Zeusi rrufenë e përflakur, me sy të zgurdulluar e me një shprehje agresive të paparë ndonjëherë.

- Mos! - klithi perëndesha Athina një fjalë të vetme. E kapi shpejt për krahu dhe me pushtetin e saj absolut, e uli, sikur të ishte një fëmijë që shkon për të thyer lodrat. - Po e the edhe një herë atë fjalë, unë të bëra gjëmën, e do shkoj t’i them burgut, hapu!... - turfulloi hyjnia i tërbuar me gjakun në kokë e me vështrim të flakëruar. Duke ndjekur Marjanën me bisht të syrit, vura re se fytyra e saj ishte bërë tani krejt bojë hiri. Kuptohej se në kraharorin e saj të njomë, ziente tani një shakullinë tejet e rëndë. Nuk mund të duroja më gjatë t’i shihja ata sy të bukur të rrëzuar në një pamje aq të trishtë. Për një çast e harrova veten, faktin që qëndroja aty i ulur për të kërkuar me durim dorën e saj. Duhej patjetër që në një farë mënyre t’ia lehtësoja gjendjen e tejrënduar. - Të kam në vend të babait, po s’ke pse nxehesh nga e vërteta!... - ia ktheva me guxim Zeusit zemërgur, duke u munduar ta zbut paksa tonin e zërit. - Shko, ik, kërko ndonjë... Zenepe ! - gjëmoi ai me një ton të ftohtë përbuzës e zemërthyes dhe ngjeshi nofullën me potere. Më pushtoi një ndjenjë pakënaqësie aq e hidhur, sa u hodha të dyve një vështrim keqardhës të shpejtë. Pastaj menjëherë e kapa situatën.

- S’kam ardhur nga Turqia, - u shpreha me pezëm. - Po të mos kishte ardhur Turqia këtu, sot mund ta kisha emrin Thanas... - More djalë, more djalë, hiqu, mor aman, gjej sërën që të takon! Hiqu pa u bërë hataja, në ke besuar perëndinë! - rënkoi plaka Athina me një zë të hollë kumbues, duke u dridhur e tëra. Po mua tani s’më shkonte ndërmend të besoja as djallin, sepse ashtu si pikënisjen, kisha marrë parasysh edhe pikërrëzimit tim. Kur pashë, që ashtu të tronditur siç ishin nga pohimi i bijës së tyre, ata nuk dinin si të më hiqnin qafe, sikur më lindi më tepër besim në vetvete. -Feja juaj, që po e ngrini aq lart, nuk duhet t’ju bëjë njerëz pa shpirt!...- thashë me gjakftohtësi. - Jo, or, jo, ne ia bëjmë mishtë copë kësaj çupëline, e ty s’ta japim, - shpërtheu Zeusi me zërin e trashë gati të ngjirur e duke u dridhur i tëri. - S’të ndrit te ne, po shko gjetkë, dëgjove?… Dhe shiko këtu, se po të pashë t’i afrohesh edhe një herë çupës, të zura të çapëlova e të bëra katërqind copa për egërsirat e pyllit, more vesh, mora thuaj!…

Në çast e përfytyrova veten, duke u tretur i shpërndarë në stomakun e egër të ujqërve, derrave e arinjve. Dhe u tmerrova, pa mundur të shpreh rënkimin tim të brendshëm. Pikasa me bishtin e syrit, se pas këtyre fjalëve të prera ashpër për ne të dy, Marjana e kishte humbur krejt ekuilibrin shpirtëror. Ajo tani ishte tulatur kokulur në një cep të tryezës, mjaft e pikëlluar dhe e brengosur. Zemra m’u tkurr e mezi po e përballoja idenë, se ç’gjëmë torturuese e priste atë pas melodramës së kësaj ngjarjeje të hidhur. Përpjekja ime me këtë aventurë tragjikomike kishte dështuar plotësisht. Orteku i mendimeve, dëshirave dhe ëndrrave të mia, ishte përplasur në murin e trashë të kundërshtisë së tyre dhe ishte shkërmoqur tërësisht. Atëherë i udhëhequr nga një zë shpëtimtar i brendshëm rizgjodha fjalët me të cilat mund t’i qetësoja.

- Ju lutem, mos u egërsoni kaq shumë, sikur po bëhet kiameti! Unë shfaqa një dëshirë për vajzën tuaj. Pas meje mund të vijnë edhe njëqind të tjerë ta kërkojnë. S’keni pse u hidheni për fyti, as atyre, as vajzës. Se fundja, fajin s’e ka ajo, po vetë ju që e keni bërë aq të mirë... - u orvata për ta mbyllur sa më fisnikërisht.

Pashë befas, se nga këto fjalë, në fytyrat prindërve u ravijëzua një vezullim i çuditshëm, një lloj shkëlqimi, që shprehte lehtësim dhe deri-diku shtendosje të situatës. Por në të vërtetë, fjalët që kisha thënë, shprehnin veçse tërheqjen time taktike për të përgatitur ndonjë sulm grabitqar të mëvonshëm. Pastaj u ngrita dhe dola si i goditur në tru, pa e kthyer kokën prapa. Dhe qysh në hapat e parë kuptova se atë natë nuk do t’i shqisja lehtë nga mendja sytë e përlotur e të trishtë të Marajanës. Shpirtvrerosur dhe me sy të errur nga gjaku i tensionuar, ika marrakëmbësh përmes barishteve të kërleshura, pa mundur të ecja asnjë hap së mbari në rrugën e shkelur. I verbuar nga zemërimi, hyra në banesë. Por asnjëherë nuk e kisha ndjerë aq të fuqishme idenë, se dhoma ime ishte kthyer në një varr të ftohtë. Rashë në shtratin tim me rrjetë kërcitëse telash, duke pasur gjithë natën edhe një rrjetë metalike mendimesh kërcitëse në trurin e pagjumë. Afër mëngjesit arrita në përfundimin, se do të kisha dhënë disa vjet nga jeta ime, për të marrë vesh përse ai demon i tmerrshëm, guxonte shpërfilljen e ligjeve, për të më kërcënuar në atë farë feje, me zhdukjen tragjike të shndërrimit në ushqim për egërsirat e pyllit...

E brengosur për “tërheqjen” time, Klea më dërgoi të nesërmen letër me një arixheshkë të vogël. Më shkruante se edhe ajo u kishte premtuar, se nuk po ua prishte qejfin. Por të vërtetën e thoshte në mbyllje të letrës: “ Unë o me ty, o vdes ! “

Tri fjalët e fundit i rilexova tridhjetë herë, sikur po u merrja erë me ëndje tre trëndafilave të kuq në tufëzën e fjalëve të parfumuara të saj.

31 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page