Kur tjerrte nata si tezgjah
- Oct 5, 2021
- 1 min read

Kur tjerrte nata si tezgjah
(Në kujtim të Drita Çomos, poetes brilante që vdiq e dashuruar me poezinë.)
Ti u dashurove natën e dashur. Erësira
zgjatej mbi qytet si tezgjah,
duar të errëta si nata
askush nuk tjerrte veç ata;
asnjëri nuk të pa,
veç një yll me pesë cepa në mes të Cërrikut
krekosej si një gjel në majë të furrikut.
Po ja që ky yll i këputur,
i ngulur me beton në asfalt
ra papritur në mes sheshit i drobitur
dhe tregoi çdo gjë për atë natë.
Dhe vetë mallkimi mbiu mes njerëzve
udhëtoi nën dhëmbë një kohë të gjatë
mallkoi atë udhë të pështirë të tjerrësve
që edhe dashurinë ta vranë.
Po cilën dashuri e dashur Dritë?
Vërtet cilën dashuri?
Ti u dashurove vetëm me poezitë
e përqafuar mbete vetëm në poezi
se me poezi doje t’ja bëje natën ditë
atij që e doje aq shumë, të pavdekshmit Njeri!
Shënim: Drita Çomo lindi në Tiranë, më 1958. Në nëntor të vitit 1960, në moshën dy-vjeçare, internohet për shkak të dënimit politik të nënës së saj, Liri Belishovës. Babai i saj, Maqo Çomo, u dënua dhe ridënua nga regjimi komunist. Një pjesë të fëmijërisë dhe të adoleshencës Drita e kaloi e internuar në Kuç të Vlorës, më pas në Progonat të Kurveleshit. Së fundi e internojnë në Cërrik, ku edhe mbaroi shkollën e mesme, por për arsye të sëmundjes së pashërueshme si dhe të një keqdashjeje politike, u pengua në mbrojtjen e maturës. Sëmundja avancoi dhe, më 19.02.1981, në moshë fare të re, vdes në spitalin onkologjik të Tiranës. Në momentet tragjike të ditëve të fundit të jetës nuk iu lejua të kishte pranë as nënën, dhe deri në grahmat e vdekjes ajo mbeti e vetme.









Historitë e dhimbshme si këto që kaloi Shqipëria e vogël, pikërisht kur Evropa e bota dilnin nga dhimbja, duhet të jenë dëshmi e ekzistencës së gjithë atyre që iu mohua deri edhe ekzistenca. Kjo poezi është e vyer dy-fish: për artin elitar dhe për një pjesë të trishtë e të rëndë të historisë, që mbartë si kumtesë! Respekt Profesor Terziu!
Roland Isai
Bravo te madhe Fatmir per keto vargje dhe per memorialin ne kujtim te saje .I thane fjales,fluturo,por s mundi ,I thane fjales je e lire,por kure nisi rruge vec gjak pikoj.Qofte e paharruar.Po ata qe kryen keto krime valle nje dite a do te kerkojne ndjese.???!!!!Besoj qe ka ardhur koha qe EMERIN e Drites tia vendosin ne mes te Tiranes nje institucioni arti ose dipllomacie.Pershendetje dhe respekte
Faruk Taqe
E DHIMSHME POR ISHTE VETEM
Benereta Caku Kallajxhiu
Dhimbje..shume te goditur vargjet ..ndjen vetem trishtim !!!!
Teuta Osmani
Sa e dhimbshme!E sa e sa raste te tille ka qe ne ate kohe te jesh e denuar tre here ,nje nga regjimi ,nje nga shendeti dhe nje nga dashuria qe e la ne prag te lulezimit ,kjo eshte vertet nje fatkeqesi e trefishte per shpirtin e saj ,qe nuk gjente liri ,por vetem ne Poezi...Urime z Fatmir!