top of page

Kur ndjen ritmin e poezi-këngës së Agim Doçit


Agim Doçi

Kur ndjen ritmin e poezi-këngës së Agim Doçit


Dr Fatmir Terziu


Rrugët e jetës dhe dritëhijet e saj, janë ‘epitafi’ që ‘ngjiz’ tërë vargun e poetit shqiptar, Agim Doçi. Janë dimensionet që fuqizojnë vargun me muzikalitet të këtij autori, përpos ekonomisë së gjuhës. I cilësuar diku në median e shkruar si ‘gjenerali’ i këngës, duket qartë se ai meriton më shumë vëmendje në poezi. Një autor i tingëlluar në veshin e dëgjuesve radiotelevizivë, por edhe i fiksuar në syrin e tyre, ndoshta do të dukej se është lehtë të perceptohej në kuadratin linguistik dhe të leximit. Por, jo. Jo sepse vetë autori dhe vargu janë pjesë delikate e udhës nëpër të cilën ka kaluar pikëpamja mbi poezinë.

Ekonomia e gjuhës në poezi

Ajo pikëpamje tek e cila u ndal hershëm studiuesi Latif Berisha (Gjurmime Albanologjike; Prishtinë, 1976) duke analizuar pikërisht ato pikëpamje të Luigj Gurakuqit mbi poezinë shqiptare, normalisht brenda sistemit të metrikës dhe atij linguistik. Në këtë teori të shtruar herët, por edhe të fuqizuar nga mendimi estetik i De Radës, apo i mendimit kritik të A. Stratikoit dhe A. Markianoit, shohim qartë se ashtu si aspekti linguistik edhe ai estetik në poezinë e Doçit, janë binomë të shtruar paralelisht në jetëudhëtimin poetik dhe atë jetik, që karakterizohen nga ekuivalenca e fabulës dhe syuzhet. Si ekuivalentë të jetës dhe shqetësimit, vargu dhe poeti, janë ekuivalenca e vetë normave që sfidojnë mjaft aspekte të ngurta, që vetë poezia e Doçit i sjell në majë të shigjetës, ose i transferon në udhën e kanalin e debatit adekuat.

Është një udhëtim në një udhë që stimulohet mes idesë dhe mjeshtërisë, mes rimës dhe filozofisë, për të ardhur tek lexuesi si një mesazh i gjallë si tek “Zhgënjimi i Poetit”, “Unë dhe prometheu…”, “Kisha vdekur…nuk e dija!?” e mjaft poezi të tjera. Është në fakt ajo që poeti i madh Wordsworth, e ka përcaktuar poezinë: “instrumentim spontan i ndjenjave të fuqishme”. Apo më tej se si britanikja e mirënjohur, Emily Dickinson, është shprehur: “Nëse unë lexoj një libër dhe leximi i tij e bën trupin tim të ftohtë, aq të ngrohtë sa s’përshkruhet, pikërisht kur nuk ka zjarr, unë e di që është poezi”. Në një përcaktim tjetër më afër asaj që i ngjizet poezisë së Agim Doçit, natyrshëm do të shkonte përshtat postulati i Dylan Thomas: “Poezia është ajo që më bën të qesh, apo të qaj, apo si një gjë e mërzitshme, është ajo që e bën ballëkrenarinë time të ndrisë, ajo që më bën të dua ose të bëj këtë apo atë, ose më detyron të bëj dhe të dua fare, asgjë.” Është pikërisht poezia e Doçit, “Burrel…”,që flet me dilemën e kufët historike, me fatin e lirisë së fjalës nën diktaturë, por është edhe poezia “Nga dritarja ime” me të cilën poeti Agim Doçi sheh ndjesinë dhe ballëkrenarinë e tij duke shtruar retorikën e një dilemë-debati natyral mes logjikës së pyetjes “Nga na erdhi ky prift grek?.

Sipas leximit të poezisë së Doçit, “Nga dritarja ime”, shohim se të tre kuotimet e poetëve britanikë, po aq edhe pikëpamjet e studiuesit shqiptar, Latif Berisha, kanë një arsyetim tipik që e sjellin poezinë e këtij autori në brazdën e duhur, ku kuptohhet se poezia është një ekuacion me shumë të njohura e të panjohura, për shumë njerëz, e për shumë arsye. Për shumë arsye me të cilat Emily Dickinson dhe TS Eliot sollën e transmetuan postmodernizmi, eksperimentalizmin e tërë dimensionin që vjen mes vargut, udhëjetës dhe dritëhijeve (kiaroskurove poetike, disi të ngjashme apo analoge me dritëhijet e pikturave).

Apoteza e gjerë poetike dhe shumëkuptimëshe

Karakteristika qendrore e poezisë së Doçit, karakteristika kryesore në fakt në përcaktimin e poezisë së tij, është apoteza e gjerë dhe shumëkuptimëshe me të cilën ajo përkufizon fatet, jetën, historinë dhe historiken, jetën dhe përcaktimin e saj, jashtë etiketimeve, apo gozhdimeve mediokre të artit të bukur të fjalës, disa herë në letra të bardha ku vetë autori thumbon me poezi të tilla si “Letrës së bardhë…”:“Ajo që mbeti gjithë jetën e virgjër/Më ra në dorë krejt rastësisht./Dhe unë rrugaçi i poezive/E zhvirgjërova përfundimisht” apo edhe me poezi të tilla si “U privatizua vargu!”: “Hej milet!/Dallkaukë, letrarë, bejtexhinj dhe poet/Mblidhuni tek Sheshi i Poezisë!/Erdhi momenti i shumëpritur/Privatizohen vargjet, vjerrshat, poezitë/poemat, balladat e vlerat e Letërsisë,/merrini Antologjitë Letrare ku janë e ku nuk janë/fillojmë nga ato të shkruarat në pergamenë/nga autorë me emra të lashtë Taukrik, Taulant/Vraufrik, Hespant, Iprisht, Ibrisht/Ecni ndër shekuj tek poetët me mbiemra/justinianë dhe bizantinë/Zarisht, Bogdan,/Ylenec, Jeronim,/ndaluni tek arbëreshët e Moresë/Gavril, Derad, Pal, Muzak, apo Golem/Blini Fishtën, shisni Koliqin, një Mjéd ndrrohet me dy Migjen!”

Pra, çfarë është poezia mes vargut të Doçit?

Poezia e Agim Doçit, është mermer i fortë e i lëmuar i gjuhës. Por, është edhe një kanavacë pikturëbukur, ku poeti përdor fjalët e tij të zgjedhura në vend të bojës. Kjo lloj këngë-poezi e latuar mermershëm është edhe lajtmotiv poetik. Më qartë lajtmotive poetike që mes këtij lloji të poezisë ngjajnë si spirale në thumbimin më intelekt. Let's get mortajë. Le të bëjmë një përcaktim më të arritshëm mes vetë poezisë së këtij autori, thjesht duke kërkuar në formën e saj dhe mes qëllimit të saj.

Një nga karakteristikat më të dallueshme e formës poetike të Doçit, është ekonomia e gjuhës. Poeti nuk është vërtet dorështrënguar me gjuhëpërdorimin e tij, por është kritik në mënyrën se si ua ndan të tjerëve, lexuesve të tij, fjalën kyçe dhe mesazhen në një kënd-ide. Kujdesi për zgjedhjen e fjalëve dhe për ngjeshjen e tyre në vargje është bërë me qartësi dhe është brenda normës standarde, madje edhe për poezi të shkurtra, me të cilat operon shpesh Doçi. Ai shkon në disa poezi përtej kësaj norme të vetë poezisë së tij, duke pasur parasysh cilësitë emocionale të fjalës, vlerat e saj muzikore, ndarjen e saj, dhe po aq, edhe marrëdhëniet e saj spaciale në varg. Doçi, nëpërmjet inovacionit në të dy mënyrat, tregon kujdes edhe për fjalëzgjedhjet edhe për të formuar mesazhin, ku për të me sa duket rëndësi ka ushqimi i fjalës nga ajri i freskët e jo ai spontan.

Ajri që e bën poezinë e tij evokative

Ky ajër e bën poezinë e tij evokative. Kjo cilësi zakonisht ngjall tek lexuesit një emocion të fortë: gëzim, pikëllim, zemërim, katarsis, dashuri etj. dhe nga ana tjetër, kjo poezi ka aftësinë për të depërtuar papritur lexuesit jashtë një “Ha Ah!”, siç ndodh sot me disa lëvrues në ‘pemën’ e madhe të ashtuquajtur poetike,shpeshherë fare pa kokra. Përvoja, shpallja, njohuria, kuptimi i mëtejshëm i së vërtetës thelbësore dhe bukuria, janë elementë që sjellin pranë lexuesin tek poezi të tilla si: “Qyteti pa Dashuri….”. Agim Doçi udhëton gjetkë për të parë jetën e një qyteti pa Romeo. Udhërrëfimin e tij metaforik e gjen mes shpalljes, njohurisë, kuptimit të së vërtetës thelbësore por edhe bukurisë: “Qyteti mbeti pa një Romeo/Askund nuk gjëndet qoftë një Zhulietë/Ku ikën çiftet e dashuruar/Gjithshka beton…pemët pa fletë!?.../Një stol i hedhur në mbeturina/Më tej dëgjoj një ulërimë…/Zgjebosur qentë…macet stërvina/Një vajzë e fishkur merr…petidinë/Deti i pshurrun…traget i ndryshkur/Policë që qelben veç era gjizë/Ikin…veç ikin, kush mbet pa ikur/Nuk ka gomone…nuk ka as vizë/Shoh djem e vajza, që shkojnë tek Blloku/Vend i mallkuar për krim të fshehtë…(!)/Mesnata çmëndet nën ritëm rroku/Nuk ka Romeo…nuk ka Zhulietë”.

Pra këtu shihet qartë se si poezia e Doçit nuk është thjesht një imagjinatë, por një metaforë që thyen pranga, heshtje, jetëvdekje, amorfitete dhe ato zinxhirë të kalbët jete, më shpejt se sa ju mund të thoni “Harlem Rilindjes jetike”. “Qyteti mbeti pa një Romeo/Askund nuk gjëndet qoftë një Zhulietë/Ku ikën çiftet e dashuruar?”, ripyet pastaj zhurmshëm poeti. Mes kësaj retorike kjo poezi shndërrohet në gjëzë të mbështjellë fatesh: “E dija botën shumë të sinqertë/Dhe vehten time – një pjesëz të saj!/Por kur zhgënjehesh, s’qenka e lehtë/Të ulërij apo të qaj?!...”

Dhe përsëri diku lexojmë atë që më pas del nga vetë goja e poetit: “Ndonëse të gjithë e dinë se është i lindur dhe i rritur si personazh që ka përshkruar të gjithë Shqipërinë, ai datën e lindjes 9 majin e përmend me krenari “Kjo do të thotë se unë erdha në këtë jetë si një ogur i mirë në triumfin ndaj çdo diktature, si ajo që mori fund në 9 majin e 45 ashtu edhe të tjerat që do të vijonin pas saj”, thotë Agimi që ka dëshirë ta përmend gati në çdo bisedë ditën e lindjes.” Mbase edhe mes vargjeve të tij si një kurreshtje që nuk shuhet vjen tërë misioni i tij simbolik: “U fola njerzëve gjithmonë ndër sy/ Kaq hidhur vallë u erdhi vërtetë?…./Zhgënjimi im, i madh për Ty/Ndaj thashë: - Ti botë je e padrejtë!

Kush është Agim Doçi

Diplomuar në korrik të vitit 1971 me notën 10 duke patur temë diplome antenat lartësimatëse të stacioneve radiollokativë të PRV 10 ndien kënaqësi që në kursin 6 mujor për oficer të instruksionit për oficer – komandant baterie të artilierisë kundërajrore 37 m/m me zjarr të përqëndruar me ADZAKA. Filloi punën si përgjegjës montimesh në objekte industriale si: Fabrika e çimentos, fabrika e pasurimit të Bakrit, Uzina Metalurgjike dhe objekte të tjera industriale, ku për 11 vjet si krye energjitik, drejtoi punën në kombinatin kimiko-metalurgjik të Laçit . Po ndërkaq njeriu i këngës që do t’ja bënte folenë thellë në shpirtin e tij, ka përjetuar edhe një metamorfozë disi të veçantë në jetën e tij. Ndërkohë që ka qënë djali i një ish fuksionari të lartë dhe njërës prej figurave të shquara të lëvizjes antifashiste në jug të vendit, do të mbetej disi në periferinë e vëmendjes së emërtesave të kohës për faktin se katër prej xhaxhallarëve të tij, ish akademikë të shkolluar jashtë shtetit do të arrestoheshin nga diktatura në burgjet politike. Për zbehjen e “besnikërisë” ndaj sistemit dhe partisë do të ndikonte më vonë edhe përjashtimi nga partia i të vjehrrit dhe degdisja e tij në malësitë e Burrelit

Ndërkohë që pak kush e di se Doçi zotëron disa gjuhë të huaja, të gjithë e dinë që është “kampioni i poezisë së këngës” në kujtesën e të gjithëve vjen si autori i hiteve shqiptare. Kujtojmë Parashqevi Simakun me fëmijët “E duam lumturinë”, sjellim ndërmend këngët e muzikës së lehtë dhe çmimet në Festivalet Kombëtare, “Marshin e UÇK-së”, këngën që 3.000.000 fëmijë shqiptarë nga të gjitha trevat tona “A vritet pafajsia” interpretuar mrekullisht nga Leonora Jakupi, çmimet e panumërta me Manjola Nallbanin, Morena Rekën, Aurela Gaçen, Bashkim Alibalin, Lejdina Çelon, Era Rusin dhe majën kulmore si fitues i vendit të 6-të në festivalin Europian 2004 me të magjishmen Anjeza Shahini. Agim Doçi shprehet: “Jam poeti personal i mjeshtrit dhe minierës të këngës magjike Shqiptare Edmon Zhulali. Ai është magjistar në kompozimin e tingujve që shprehin mrekullisht fjalët poetike. Por përpara poetëve të vërtetë si Xhevahir Spahiu, Gjok Beci, Hysni Milloshi, Arben Duka, Betim Muço dhe punëtorit të palodhur e të suksesshëm pse jo rekordmen çmimesh Jorgo Papingji – Unë jam shumë i vogël”.

Dikujt mund ti ngjaj si modesti e tepruar, por prej 35 viteve pjesëmarrës dhe konkurues në festivalet e këngës në Radio Television, Festivalet Folklorike, apo ato Lokale që nga Gjirokastra, Tepelena, Vlora, Durrësi, Dibra, Kukësi, Tropoja, Shkodra dhe sidomos në ato të Fëmijëve, emri i tij figuron si autor i 2012 këngëve të arkivuara në fonotekat që nga Radio Shkodra, Radio Kukësi e Radio Korça, si autor tejet i veçantë që i këndoi vetëm jetës, njerëzve, ndjenjave njerëzore duke adhuruar moton e princit të muzikës së lehtë shqiptare të paharruarit Agim Prodani, i cili u thoshte të gjithëve: “Mos të kompozojmë për çmim more djema, por të bëjmë këngë që t’ua vëmë njerëzve në buzë” . Ai ka bashkëpunuar gjatë me artistin e popullit Avni Mula, dhe me dhëndrrin e tij Pirro Çakon, i cili falë poezisë së Agim Doçit, nga 8 këngë që ka bërë, për të teta ka marrë çmime. Ka bashkëpunuar me të gjithë penat e arta të Muzikës Shqiptare, me: Tish Dainë, Agim Krajkën, Spartak Tilin, Ferdinand Dedën, Shpëtim Saraçin, Alfred Kaçinarin, dhe i është mirënjohës siç e quan ai princeshën e poezisë së këngës Zhuljana Jorganxhi. “Nuk isha më shumë se 23 vjeç, kur Zhuljana më hapi dyert e autorësisë në festivalet kombëtare. Poetët janë më të pasurit në shpirt, më të varfërit në xhep”.

Punoi rreth 10 vite si K/Energjitik në Kombinatin e Drurit Misto Mame. Pas viteve 90-të ka punuar si këpucar, peshkatar, dhe në fund të vitit 1996 Drejtor i Menaxhimit dhe Marketingut Publik në TVSH. Emigroi rreth vitit 1998 në Zvicër ku punoi 7 vjet si Drejtor i ATV Media Company. “U ktheva në Shqipëri sepse nuk kam Atdhe rezervë”, përmend shpesh ai. Ai ka drejtuar Informacionin dhe Shtypin në MM, duke adhuruar ushtarakët me shprehjen e sinqertë: “Ushtarakët janë pjesa më e hijshme e kombit shqiptar!” Gëzon respektin e njerëzve.


57 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page