top of page

Kur magnetizon tregimi i shkurtër


Myslim Maska, shkrimtar, poet, kritik

Kur magnetizon tregimi i shkurtër

Fatmir Terziu


Në vend të hyrjes


Kjo analizë synon të analizojë tregimin e shkurtër „Basti“ të shkrimtarit Myslim Maska. Konkretisht konsiderata për këtë tregim mbetet parësore, por gjithashtu kjo analizë do të përpiqet të përgjithësojë disa cilësi karakteristike të tregimeve të këtij shkrimtari. Si fillim ndalesa mbetet me fiksimin e diskursit jetik me kujtimet, qasjen diskursive, se si i rrëfen aftësia e narrativit për të bërë artin e kujtimeve të vetë asaj që lidhet në mënyrë diskursive me jetën dhe me jetiken e vetë memorjes së autorit. Në mënyrë të ngjashme në këtë tregim, shkrimtari ka skicuar një përshkrim të hollësishëm të të gjithë këtij grimi filozofik të tërë kompleksit në korsinë e tij të kujtesës dhe mesazhit. Një tjetër tipar domethënës i këtij rrëfimi të kujtesës është pozitiviteti i Myslim Maskas. Ai nuk përbuz asnjë nga kujtesat e tij, madje as dhe faktet kur lidhen me pronën, shkatërrimin e saj, përdhosjen e njeriut në lidhje me atë që i ka takuar, por përkundrazi e bën më kuptimplote historinë e tij të narrativit me ndihmën e kujtimeve, dhe ndërsa kujton të kaluarën e vet (ndoshta) shpërfill kufizimet e hapësirës, si në rastin kur forma më institucionale e edukimit të njeriut ndodhet në një pozitë të tillë: „Shkolla ku jepja letërsi u bë karakatinë për shkak të ish pronarëve të truallit“. Ai e ngjesh tërë jetën e tij brenda fushës së kufizuar të tregimit të shkurtër dhe kjo është një nga cilësitë më të shquara të Maskas. Duke vepruar kështu, Maska ka treguar një virtyt të madh të eksperimentimit dhe për shkak të këtij virtyti, ai me penën e tij, është në gjendje të ekspozojë karakteristikat e përziera të shkrimtarit bashkëkohor dhe atij modernist: „Sigurisht e sotmja nuk ngjan aspak me të djeshmen, ku idetë ishin skllave të së vjetrës, skllave te vegimeve dhe të hijeve. Gjë e bukur kjo apo jo? Mirë. Po ku është drita?...Sepse unë isha dhe jam një flutur që dua të vërtitem e të vdes brënda dritës“. Kjo i jep asaj që shkruan një aromë shkrimi me shije të ndryshme. Një ndjenjë më e dukshme e kësaj historie të veçantë është ajo e misterit, ku lexuesit lihen në diskrecionin e tyre për të marrë përgjigje për shumë pyetje të mbetura pa përgjigje, dhe për mbështetjen e temave dhe shqetësimeve të veçanta, ku shkrimtari Myslim Maska në mënyrë inteligjente përdor imazhe, të cilat më tej zbukurojnë talentin e tij artistik. Bashkë me imazhet është përdorimi intuitiv i parodi-narrativit, kolazhit të humorit, ndjenjës së mirëfilltë të përdorimit të gjuhës, narrativit që zhbirron dhe shtjellon, dhe mjaft insinuatave të tjera letrare dhe artistike. Përveç mjeteve të caktuara artistike dhe tematike, Maska gjithashtu bën didakte të caktuara shoqërore në lidhje me çështje të ndryshme shoqërore. Më shqetësuese mes tyre ka të bëjë me fenomenet e urtisë dhe kushtet e jetikes ku mbarten këto urti të dala nga thesari i popullit dhe nga njohuria e përpunimi letrar i tij. Jeta e tërësisë logjike nuk është kështu vetëm triumf artistik, por gjithashtu tregon shkrimtarin në konsideratë, se është si një shkrimtar inteligjent i vetëdijshëm për shoqërinë. Përveç analizës së këtij tregimi, që është më vete një fomrë diskursive e një historie të shkurtër, kjo analizë gjithashtu përmban një fund të personalizuar për vetë strukturën e tregimit „Basti“.


Jo thjesht për rrëfimin


Myslim Maska është një shkrimtar dhe poet i veçantë, që e ka bërë të njohur emrin e tij, jo vetëm mes poezive tipologjike, por edhe përmes tregimeve të shkurtra. Ai jo vetëm që u bë një shembull për t'u ndjekur nga shkrimtarët e tregimeve të shkurtra në mjedisin e shqiptarëve krijues në tokën helene, ku jeton dhe punon prej disa vitesh, por gjithashtu aty fitoi edhe një arsye më shumë mbështetëse, kryesisht për ato që kanë të bëjnë për vlerat ndryshe që përcjellin tregimet e tij të shkurtra. Është arti i tij i shkrimit të tregimeve, ai që e bën atë një figurë të vlerësuar letrare në mjedisin shqiptar ku ai aderon si i tilë. Ky tregim, është vetëm një nga dhjetra e dhjetra të tjerë, që ka paraqitur autori tek „Fjala e Lirë“, është një lidhje dhe një maturi rrëfyese filozofike dhe një realiteti jetik, që shkon përtej filozofisë së vendit, hapësirës dhe kohës.

Ashtu si shumica e tregimeve të tij, sfondi është ai i mjedisit të lidhur dhe ndërlidhur me shqiptarin në kohë të ndryshme, me njeriun në tërësinë e jetës, me aspektet që lidhen dhe reflektohen në këtë nyjë. Vendosja bëhet më tej dalluese për jetën në kushtet e një hapësire „demokratike“ të brishtë, ku ende eksperimenti i formave dhe reformave bëhet një arsye më tepër të plotësojë dhe ushqejë ide të herëpashershme dhe të dhimbshme në jo pak raste. Vitet e hershme të rrëfimtarit kanë kaluar në një hapësirë kohore ndryshe, plot ndryshesa dhe kundërshti, kujtimet e asaj moshe vazhdonin të jehonin dhe jehojnë ende në mendjen e tij, sikurse rrëfejnë mesazhet që përcjellin tregimet dhe krijimet e tij.


Ndalesa në detaje


Historia fillon me përshkrimin e një basti, që rrëfyesi e kishte ndjerë të lidhur me vetveten. „Ndodhkan gjëra në këtë botë, që ta ndryshokan krejtësisht jetën. I tillë qe p. sh. Basti. Basti u bë për mua. Pikërisht atë ditë jeta ime mori një rrjedhë tjetër.Të mos keqkuptohemi. S’përmbyset bota nga shuarja e jetës së një njeriu, por edhe njeriu i ndershëm e ka ose duhet ta ketë patjetër një vend në këtë botë. Iu lutem shumë mos ia hiqni të drejtën.“ Është këtu jeta, dhe jeta është njësoj si rrugëtimi, rrëgëtimi jetik, pra vetë rruga e jetës, shkurt rruga. Rruga në fillim të historisë nënkupton udhëtimin që një person ndërmerr për një tranzicion. Këtu në histori, tranzicioni nga jeta në vend qëndron në thelbin e historisë. Në shumë ngjarje, ne gjejmë që rrëfyesi rikujton kujtimet e tij në lidhje me jetën dhe jetiken. Ai kujton detajet e brendshme të ndodhisë sikurse vetë jetën e detajon të tillë: „Unë mendoj se jeta është, as më shumë as më pak, thjesht një integral ndjenjash dhe mendimesh që kur e zgjidh, zbulon dhe sheh qartë si në dritën e diellit fatkeqësinë dhe lumturinë të shkrira me njëra- tjetrën.“

Në fakt është sikur ashkrimtari po feston gjurmët, që koha i ka lënë në kujtimet e tij të lidhura me këtë tregim. Ai i trajton kujtimet e tij si një rezervuar të çmuar të gjërave dhe njerëzve që janë ngarkuar mendërisht dhe fizikisht, por janë aty në kujtime, ndërsa përshkruan „Shikoja fqinjët e vija re që edhe jeta e tyre, nuk qe e përsosur, e marrin ashtu siç u vjen, dinë të kapen pas të mirave që u afron, (vënë akull mbi tëmtha), ashtu si vë edhe unë, kur jeta u shtie me shkelma e i pshurros.“ Kjo është diskursive. Është logjike. Është një gjuhë tipologjike, e ndjeshme dhe jo poshtëruese, jo banale, por me banalitetin e saj shkund atë që pikërisht kërkon mesazhi, për ta përcjellë tek realiteti, gjithnjë nëse ekziston ky, më saktë tek ekzistenca.

Sidoqoftë këtu është jo thjesht ekzistenca. Ekzistenca fizike është shumë e cekët, por kujtimet e atyre gjërave fizike vazhdojnë të ekzistojnë dhe vazhdojnë të kalojnë nga një brez në tjetrin, të ndërrojnë kahje dhe kohë. Si në rastin e narratorit që u prezantua me arsyet e krahasimit letrar „Sigurisht e sotmja nuk ngjan aspak me të djeshmen, ku idetë ishin skllave të së vjetrës, skllave te vegimeve dhe të hijeve“.

Së bashku me llogaritë e jetës së jetës së dikujt, pra Tjetrit, Maska ka përdorur në mënyrë inteligjente gjuhën tipologjike, narativin edhe për të diktuar kujtime, edhe për të fshehur insinuata, që presin të zhvillohen, si dhe për të shfaqur emocionet dhe ndjenjat e forta njerëzore që lidhen me përditësinë. Një shembull i tillë është „Në fund të fundit, çdo gjë fillon nga stomaku. Dhe unë dhe gruaja ime, edhe fëmijët, donim të hanim. Me ato pak para që kishim mënjanë ndërtova një serrë të vogël për prodhime domatesh, piperkash etj. , gjë që na ndihmoi shumë në atë periudhë kalimtare. Tokën tjetër e mbollëm jonxhë për lopën.“ Këtu ndjehen rrahjet e jetës, rrahjet e zemrës. Nuk bëhet fjalë për dhunë, por dhuna psikologjike është transparente dhe jeta nënkupton më tej se shkrimtari nuk i përbuz të gjitha këto, por i ka përmendur gjithnjë në rrëfim si modele të shtrirjes së mesazhit në vetë diskursin e jetës, asaj që rrok enigmën dhe kërkon të sqarojë vetë atë që e plotëson diskursin: „Atë ditë siç bëja vazhdimisht dy herë në javë, ngarkova kalin me dy bidona qumësht dhe u nisa për t’i shitur në qytet. S’kisha bërë më shumë se një kilometër rrugë, kur befas ndjej krisma. U trëmba shumë se qe vit i tmerrshëm, tragjik dhe absurd.* Pashë rreth e qark, prapë krisma. Vura duart në kokë duke thënë: ç’dreqin duan me mua!?...Kali ndaloi. Ndoshta u trëmb, ndoshta i tha Zoti mos hidh asnjë hap. Krismat vazhdonin pambarim, aq sa ndjeja rrotull vetes fishkëllimat e kamzhikëve të plumbave.“

Ndërsa shkrimtari thotë se faza e heshtjes ka kaluar, por do të kishte qenë aq e dhimbshme për të sa që la gjurmë të përhershme në kujtimet e tij, siç u përpunua më vonë se vendi ku ndodhi kjo anarki ka ndryshuar, por ishte e vështirë për të të imagjinonte një gjë të tillë. Prandaj kujtimet për rrëfyesin nuk janë vetëm një mënyrë për të kujtuar rrëfimet e ngjarjeve, por edhe një ilaç që i bën rrëfimet e hidhura më pak të dhimbshme. Kujtimet kanë përbërës magjik në to, gjë që e bën jetën një jetë të dashur. Për më tepër, toni i përgjithshëm i narratorit është i përbërë, i cili sugjeron që kujtimet kanë vepruar si një agjent qetësues, nuk gjen pak përbuzje, ose ndjenja të sëmura ndaj ndonjë ngjarjeje të kaluar, por përkundrazi narratori përmes kujtimeve përpiqet të gjejë pozitiv nga rrethanat e vështira, siç rrëfen ai, „Kisha rënë pa ndjenja. Atë cast nuk e dija në isha plagosur apo jo. Fluturoja në një botë hipotetike, ku s’kishte as gravitet as kohë. Në fillim pashë një dritë verbuese, që Brënda të dhjetës së sekondës ose brënda sekondës( sepse unë e kisha humbur nocionin e kohës), u shndërrua para meje në një lëmsh të zjarrtë dhe pas pak, kur mendja ime kush e di ku ishte, një bukuroshe e jashtëzakonshme hapi krahët, duke tundur flokët e bukur e të mrekullueshëm majtas e djathtas, si një mikroujvarë me fije të florinjta. Sa hap e mbyll sytë më treti me veten duke më puthur. Mos, mos,- i thoshja unë. “ Mos, mos, mos”, bënte shaka ajo dhe më perkëdhelte dhe më puthte, e shtrirë për tokë pas meje…“ Në një vend tjetër, ne gjejmë frymën e tij të pozitivitetit, „Kisha mbërritur në avllinë e shtëpisë sime. S’mundem ta gjykoj veten se në ç’gjendje ndodhesha. Mbaj mend që sime shoqeje i paskam thënë: I vure ushqim dhe ujë Gardalinës që këput fshehurazi karafilat dhe ia çon Gogolit në çmendinë? Ime shoqe për herë të parë në jetën bashkëshortore më paska parë e habitur, jashtëzakonisht e tronditur dhe më paska thënë duke më përqafuar:

-Gogolit? Ç’do Gogoli në shtëpinë tonë? Gogoli është atje me të shumtët në botën tjetër. Dritë e pastë atje ku është, se i hapi sytë botës. Ç’janë këto që më thua! Veç kësaj, ne vërtetë kemi shumë lule në shtëpinë tonë, si të jetë brenda një lulishteje, por fatkeqësisht as karafila, as Gardalinë s’kemi. Dhe ti e di shumë mirë. Ç’janë këto që thua!“

Kujtimet në histori kanë specifikën e vendit dhe të njerëzve, por përkundër kësaj ne gjejmë relativizëm intensiv dhe universalitet në të. Maska ka treguar ngjarjet e jetës duke i dhënë asaj një njohje inteligjente, të aftë për të transmetuar artistikisht. Duke dhënë llogari për ndodhitë e tij, ai u jep lexuesve një shans që të kthehen në korsitë e tyre të kujtesës dhe të kujtojnë llogaritë e tyre me marrëzitë ose „njerëzit në rrugë të gabuar...“ ku „Çiçikovët mbledhin shpitra të vdekur nëpër botë, dua të them dhe të gjallët e pavarrosur? O Zot i madh ç’bëhet kështu! Kur do vijë drejtësia në këtë botë!“


Duke përfunduar


Jo vetëm që Maska e njeh artin e të luajturit me kujtimet, por ai di edhe se si t’i paraqesë ato në formën më të kompresuar dhe më të plotë. Në këtë histori të shkurtër Maska ka qenë në gjendje të regjistrojë, jo vetëm ndonjë ngjarje, apo dukuri domethënëse, por përkundrazi ai ka arritur të paraqesë një botë të tërë në vijën e tij të kujtesës. Ai ka kujtuar me sukses mizorinë e njeriut në rrugë, brenda jonormës së jetës, brenda vetë mizorisë së saj, moshën e trazuar, ngritjet dhe ndikimet në familjen e madhe të njerëzimit të shthurrur, ndërsa kapërcen kufizimin e hapësirës. Në këtë aspekt shkrimtari Myslim Maska e ka provuar veten të jetë një artist i llojit të vetë, ku ka tejkaluar të gjitha rregullat në lidhje me shkrimet tipike të tregimeve të shkurtra, ku shumica e shkrimtarëve të tregimeve të shkurtra përpiqen të përqendrohen në një episod, ose incident të vetëm, por Maska ka eksperimentuar në portretizimin e një bote e tërë kompakte, dhe brenda saj, brenda historive të saj ka lënë lexuesi të zhbirrojë nga kënde të ndryshme. Dhe duke vepruar kështu, ai nuk llogaritet vetëm në mesin e shkrimtarëve bashkëkohorë, por edhe midis shkrimtarëve modernistë, pasi kjo ndodh vetëm kur magnetizon tregimi i shkurtër.

149 views4 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page