Kur fjala nuk gjen fjalën për Prof. Dr. Eshref Ymerin dhe udhën e tij vlerëmadhe
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Dec 11, 2025
- 7 min read

Kur fjala nuk gjen fjalën për Prof. Dr. Eshref Ymerin dhe udhën e tij vlerëmadhe
Hyrje: Një jetë e tërë në shërbim të dijes dhe kombit
Në historinë e kulturës shqiptare, rrallëherë shfaqen personalitete që përfshijnë një gamë kaq të gjerë veprimtarish akademike, letrare, shkencore e shoqërore, sa ç’e përfshin figura e Prof. Dr. Eshref Ymerit. Ai është një ndër autorët më produktivë të hapësirës shqiptare, një enciklopedist i mirëfilltë, një dijetar me horizonte të gjera dhe një njeri i formuar në traditat më të mira të humanizmit europian. Krijimtaria e tij përfshin: 7 tekste universitare, 4 kurse të plota leksionesh, 10 fjalorë të mëdhenj, disa prej tyre unikalë në llojin e tyre, mbi 2 200 artikuj publicistikë, mbi 3 200 faqe përkthime politike, qindra faqe përkthime artistike, dhjetëra redaktime veprash akademike dhe një mori studimesh metagjuhësore, gjuhësore, letrare e kulturore. Vepra e tij është një pasuri e gjërë kombëtare dhe ndërkombëtare. Ajo përfaqëson një jetë të tërë të vënë në funksion të gjuhës shqipe, identitetit, kulturës dhe interesit kombëtar. Prof. Dr. Eshref Ymeri mund të cilësohet me plotë gojën si një institucion më vete.
I. Dimensioni enciklopedik i Prof. Dr. Eshref Ymerit
Figura e tij është shumëplanëshe. Ajo nuk mund të reduktohet vetëm në një fushë të veçantë. Në të vërtetë, ai ka dhënë kontribute me peshë në: gjuhësi, leksikografi, frazeologji, pedagogji, kritikë letrare, teori të përkthimit, përkthim të letërsisë artistike e politike, publicistikë atdhetare, histori të marrëdhënieve kulturore shqiptaro-ruse, studime kulturologjike dhe të ndërkulturës. Në kohën moderne, ku specializimi akademik shpesh e kufizon horizontin, një studiues me këtë shumëllojshmëri kontributesh është dukuri e rrallë.
II. Leksikografi dhe frazeologjia – shtylla qendrore e veprës së tij shkencore
II.1. Fjalorët e tij si monumente të standardeve gjuhësore
Asnjë analizë e veprës së Prof. Dr. Eshref Ymerit nuk mund të nisë pa fjalorët e tij, vepra të cilat i kanë dhënë një kontribut të pakrahasueshëm gjuhës shqipe. Tri prej tyre janë botuar në Gjermani nga shtëpia botuese „GlobeEdit“, një vlerësim tepër prestigjioz ndërkombëtar: Fjalor frazeologjik i gjuhës shqipe – 1202 faqe, 19 300 shprehje; Fjalor frazeologjik anglisht–shqip – 1253 faqe, 25 440 njësi; Fjalor frazeologjik frëngjisht–shqip – 1508 faqe, 40 200 njësi. Për nga përmasat, këta fjalorë janë ndër më të mëdhenjtë e hartuar ndonjëherë në historinë e leksikografisë shqipe. Veç tyre, ai ka hartuar: Fjalorin frazeologjik rusisht–shqip, me 25 160 njësi frazeologjike, fjalorë sinonimikë, fjalorë krahasimorë, fjalorë terminologjikë (p. sh. i mbrojtjes kundërajrore). Këto botime nuk janë vetëm inventarizime njësish; ato janë punë kërkimore me vlerë shkencore të lartë, bazuar në analiza të thelluara të korpuseve tekstuale, studime krahasimore dhe metodologji moderne.
II.2. Rëndësia e fjalorëve për albanologjinë
Pse veprat e tij janë kaq të rëndësishme? Sepse: Frazeologjia shqipe ka qenë e nënvlerësuar për dekada të tëra. Prof. Dr. Eshref Ymeri e ka ngritur atë në nivelin e disiplinave të pavarura akademike. Fjalorët e tij pasurojnë letrat standarde, duke dokumentuar dhe normuar një pasuri gjuhësore që rrezikon të humbte.
Ai e vendos gjuhën shqipe përballë gjuhëve të tjera të mëdha, rusishtes, anglishtes, italishtes, frëngjishtes, duke e vendosur shqipen në dialog ndërkulturor. Përmasat janë të tilla, sa veprat e tij do të mbeten referenca të patjetërsueshme për studiuesit e frazeologjisë për dekada, ndoshta shekuj.
III. Përkthyes i përmasave të rralla
III.1. Letërsia – ndërmjet gjuhëve dhe kulturave
Përkthimet e Prof. Dr. Eshref Ymerit janë një kapitull më vete brenda kulturës shqiptare. Ai ka përkthyer autorë të nivelit botëror: Fjodor M. Dostojevski, Italo Calvino, Leonid Grossman, Nikollaj Kolada, Ludmilla Razumovskaja, Kobo Abe, Zhorzh Amadu, Aleksej Prijma, Zheni Kostandinova, Vath Koreshi (në rusisht).
Në rrafshin artistik, përkthimi është një akt krijues. Prof. Dr. Eshref Ymeri e ka ngritur këtë disiplinë në nivel arti, duke ruajtur: finesën stilistike të autorëve origjinalë, përsosmërinë sintaksore të shqipes, ritmin e brendshëm të tekstit, koloritin kulturor dhe emocionale të veprës. Përkthyesit e dinë se sa e vështirë është përkthimi nga gjuha amtare në gjuhë të huaj, Prof. Dr Eshref Ymeri e ka realizuar këtë në mënyrë të shkëlqyer.
III.2. Dy veprat themelore për teorinë e përkthimit
Librat e tij madhorë: „Përkthimi – histori pasioni“ dhe „Arti i përkthimit gojor“ janë ndër veprat e para sistematike shqiptare mbi teorinë e përkthimit, të cilat shqyrtojnë: historinë e përkthimit, parimet gjuhësore, vështirësitë strukturore, sfidat kulturore, etikat e përkthyesit, përkthimin simultan. Këto vepra kanë krijuar bazën teorike për brezat e rinj të studiuesve të përkthimit.
IV. Prof. Dr Eshref Ymeri si publicist: një zë i ndërgjegjes kombëtare
Publicistika e tij është më shumë sesa një veprimtari shkrimore: ajo është mision, angazhim qytetar dhe akt i përgjegjësisë morale. Me rreth 2 200 artikuj, ai është ndoshta publicisti më produktiv dhe më i angazhuar i botës shqiptare të pas ’90-s. Temat kryesore të shkrimeve të tij: Çështja kombëtare shqiptare, ku qasja e tij është e qartë dhe e prerë: trojet shqiptare janë të copëtuara dhe ribashkimi është detyrë shekullore. Analiza gjeopolitike, veçanërisht raportet shqiptaro-serbe dhe shqiptaro-ruse. Kritika politike, argumentet e tij janë të thelluara, të guximshme dhe pa kompromis. Problematika shoqërore ku ai trajton fenomenet e tranzicionit, migracionit, dekulturimit. Ese kulturore dhe historike me plot refleksion dhe erudicion.
V. Prof. Dr Eshref Ymeri si pedagog: formues brezash
V.1. Punë e palodhur në auditor
Në Universitetin e Tiranës, ai dha mësim për dekada të tëra duke trajtuar lëndë që kërkojnë kompetencë të lartë profesionale: Gjuha e folur ruse, Gramatika praktike, Analiza e tekstit, Stilistika, Letërsia ruse, Përkthimi teorik dhe praktik. Ka hartuar një sërë tekstesh universitare që kanë formuar mijëra studentë. Shumë prej tyre janë sot pedagogë, përkthyes, diplomatë, gazetarë dhe intelektualë që e konsiderojnë Prof. Dr. Eshref Ymerin si një nga figurat që u ka ndikuar në formimin profesional dhe moral.
V.2. Pedagogu që frymëzon
Që një pedagog të jetë i suksesshëm, nuk mjafton të jetë i ditur; duhet të dijë të transmetojë, të formojë dhe të frymëzojë. Prof. Dr. Eshref Ymeri ka përmbushur pikërisht këtë rol: ai ka qenë shembull për studentët, jo vetëm për dijen, por për karakterin, etikën, seriozitetin dhe përkushtimin.
VI. Dimensioni i tij atdhetar
VI.1. Shqipëria – gjithmonë në qendër
Edhe pse prej vitesh jeton në Kaliforni, Shqipëria ka qenë gjithnjë në thelbin e veprës së tij. Ai është një ndër ata figura që nuk i harron asnjëherë: flamurin, gjuhën, historinë, etninë, prejardhjen, misionin kombëtar. Sikurse shkruan dhe e vendos në dukje Prof. Dr. Hajri Shehu "pothuajse në çdo botim të tij, pranë fotos personale qëndron flamuri shqiptar", simbolikë që flet shumë për identitetin dhe qëndrimin e tij.
VI.2. Librat e historisë dhe të çështjes kombëtare
Vepra si: „Shqipëria në dokumentet e arkivave ruse“; „Antologjia e kryqëzimit: Rusia dhe çështja shqiptare (1878–2012)“ apo „Shqiptarët përballë politikës rusomadhe“ janë analiza të thelluara historike dhe politike, që plotësojnë një boshllëk të madh në historiografinë shqiptare.
VII. Vlerësimet institucionale
VII.1. “Personalitet i shquar i Labërisë”
Shoqata “Labëria” e ka vlerësuar për: kontribut të çmuar në zhvillimin e gjuhës shqipe, përfaqësimin dinjitoz në diasporë, ndikimin në kulturën e kombit, integritetin e figurës së tij.
VII.2. Anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve Shqiptaro-Amerikane
Ky titull nuk është pranim dhe miratim formal. Ai është njohje e drejtpërdrejtë e nivelit të tij shkencor dhe të ndikimit të veprës së tij në botën akademike shqiptare dhe shqiptaro-amerikane, edhe pse Prof. Dr. Eshref Ymeri mjaft herë largohet si shkas thjeshtësie nga termologjitë me teprica. Tek e fundit ai është vlera e pakontestueshme akademike shqiptare e më gjerë.
VIII. Dimensioni njerëzor dhe etik
Përveç dijes, Prof. Dr. Eshref Ymeri është edhe një figurë me integritet moral të lartë. E vërteton çdo bisedë me të. Të gjithë ata që kanë punuar me të, studentë, kolegë, bashkëpunëtorë flasin për mirësjelljen e tij të veçantë, moralin qytetar, korrektësinë akademike, ndershmërinë shkencore, punëtorinë e jashtëzakonshme, nivelin e lartë të dijes dhe komunikimit. Ai është shembull i njeriut që e vë mendjen në shërbim të fjalës dhe fjalën në shërbim të së vërtetës. Po ashtu dhe një familjar model, me një zonjë të madhe në krah të tij, sikurse është dhe mbetet zonja Hava, me të cilën ridimensionuan vlerat prindërore dhe familjare.
IX. Trashëgimia e Prof. Dr. Eshref Ymerit
Kontributi i tij tashmë ka arritur një përmasë të tillë, saqë mund të thuhet pa hezitim se: Ai ka ndërtuar një monument kulturor që nuk do të zhduket me kalimin e kohës. Në një kohë që shumë vepra shkencore dhe letrare humbasin në vorbullën e kalimshmërisë, vepra e tij është e qëndrueshme, e mirëstrukturuar, me mjete shkencore të rigoroze dhe me një stil të qartë akademik.
Trashëgimia e tij përfshin: vepra të pandashme në historinë e albanologjisë, studime që pasurojnë traditën e gjuhës shqipe, përkthime që e hapin letërsinë botërore për lexuesit shqiptarë, fjalorë themelorë që do të përdoren nga brezat e ardhshëm, publicistikë që dokumenton ndjenjat, dilemën dhe mendimin shqiptar të epokës sonë.
X. Përfundim: Një figurë e pakrahasueshme e kulturës shqiptare
Nëse do të vendosim të gjitha kriteret me të cilat mund të vlerësohet krijimtaria e një personaliteti kulturor, produktiviteti, cilësia, ndikimi ndërkombëtar, gjerësia e kontributeve, angazhimi kombëtar, roli pedagogjik, vlera shkencore, do të arrijmë në përfundimin e qartë: Prof. Dr. Eshref Ymeri është një nga figurat më të shquara që ka nxjerrë kultura shqiptare në shekullin XX dhe XXI.
Ai është lis i lartë dhe për të parë lartësinë e lisit, duhet të shkosh më larg, të shohësh panoramën e plotë të veprës së tij. Atëherë kupton madhështinë. Në fund të kësaj analize, pyetja që shtron artikulli është e drejtë dhe provokuese: Kush mund të barabitet sot me Prof. Dr. Eshref Ymerin? Në cilin dimension krijimtarie? Në cilin univers dijesh? Në cilin nivel përkushtimi? Vepra e tij është një mal, një univers më vete, një trashëgimi që i përket kulturës sonë dhe brezave të nesërm.









Comments