Kur Fitore Pacolli botonte tek ne…
- 1 day ago
- 6 min read
Arkiva "Fjala e Lirë" Londër

Kosova – tre vjet pas!
Më 17 shkurt 2008, Prishtinën e patën mbuluar fishekzjarret, këngët, buzëqeshjet dhe lotët e gëzimit. Ishte një ditë e ftohtë, por e ngrohtë për qytetarët e Kosovës.
Ishte dita kur e ardhmja jonë si shtet, për herë të parë, do të shkëlqente mbi ne. Dita kur ne besuam se, duke u bërë edhe ne pjesë e një shteti, do të kemi përkrahje, mbrojtje, zhvillim ekonomik dhe punësim. Tash, pas tre vjetësh, prapë në sheshin e Prishtinës u dëgjuan këngë, fishekzjarre dhe gëzime, por më të ftohta sesa tre vjet më parë. Gjendja në veri, zgjedhje të manipuluara, imazhi i dëmtuar në botë, varfëria, papunësia dhe frika se çfarë do të sjellin bisedimet e ardhshme, sikur e kanë zbehur gëzimin dhe buzëqeshjet e njerëzve në fytyrat e tyre.
“Tri vjet qeverisje... Kosova ka shënuar një progres në të gjitha fushat, përfshirë këtu edhe zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien sociale”, ishin këto fjalët që erdhën një ditë para këtij përvjetori nga kryeministri i Kosovës në largim, Hashim Thaçi. Fjalë këto që nuk paraqesin aspak gjendjen e vërtetë në Kosovë. Është e vërtetë se, që nga shpallja e Pavarësisë, Kosova e ka miratuar Kushtetutën në përputhje me standardet evropiane, i ka kontribuar paqes dhe stabilitetit në rajon dhe sigurimit të të drejtave të të gjitha komuniteteve në Kosovë. Po ashtu, Kosova arriti të bëhet anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar, e Bankës Botërore dhe anëtare e CEFTA-s, ku këtë vit është edhe kryesuese. Por këto të arritura kanë ndihmuar shumë pak në ndërtimin e një të ardhmeje të sigurt, në zhvillim dhe prosperitet ekonomik për qytetarët e saj.
Kosova edhe sot vazhdon të sfidohet nga probleme të shumta politike, ekonomike dhe sociale. Kosova vazhdon të jetë shtet në “limbo”, i panjohur nga 117 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara. Vazhdon të jetë e burgosur nën ombrellën e pavarësisë së mbikëqyrur dhe vazhdon të jetë e paaftë për ta shtrirë pushtetin e saj në tërë territorin e Kosovës. Injorimi dhe inferioriteti i qeverisë për ta marrë nën kontroll dhe për të vendosur ligjshmërinë në tërë territorin e Kosovës ka bërë që veriu i Kosovës të mbetet në duart e strukturave paralele serbe, duke lënë mundësinë e shndërrimit të kësaj pjese në vatër krimi, korrupsioni dhe kontrabandimi. Dhe duke bërë të pamundur për qytetarët e asaj ane të kthehen dhe të punojnë në qytetin e tyre.
Për më tepër, Kosova edhe sot vazhdon të jetë e varur nga donatorë të huaj për mbështetje financiare, si vendi më i varfër në Evropë. Deklaratat e kryeministrit në largim se Kosova ka bërë progres edhe në fushën e zhvillimit ekonomik janë thjesht joreale, sepse vetë niveli i papunësisë dhe niveli i varfërisë e tregojnë të kundërtën. Nëse i analizojmë raportet e organizatave të njohura ndërkombëtare, si për shembull Bankës Botërore, shihet qartë se Kosova ka ngecur aty ku kishte filluar. Sipas World Bank, edhe pse ekonomia në Kosovë ka shënuar rritje, niveli i varfërisë (45% varfëri relative dhe 17% varfëri absolute) dhe i papunësisë (47% papunësi), që nga viti 2007 deri në 2010, ka mbetur i njëjtë.
Po ashtu, duke iu referuar fjalëve të kryeministrit në largim, del se Kosova ka bërë një hap shumë të madh në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Por pasqyra e raporteve nga organizatat e njohura botërore na e tregojnë të kundërtën. Sipas organizatës botërore Transparency International, Kosova renditet e 112-ta ndër vendet më të korruptuara në botë. Pra, në realitet, korrupsioni dhe krimi i organizuar vazhdojnë edhe më tutje të jenë pjesë e përditshmërisë në Kosovë. Aq më shumë kur korrupsioni është prezent brenda institucioneve të vendit. Fenomene këto që e kanë dëmtuar dhe vazhdojnë ta dëmtojnë rëndë zhvillimin e këtij vendi dhe për të cilat, çuditërisht, nuk ndërmerret asgjë për t’i luftuar.
Me një fjalë, ky është realiteti që na shoqëron në çdo përvjetor dhe i cili na shtyn ta pyesim veten se a jemi duke ecur përpara, kthyer mbrapa apo kemi mbetur aty ku ishim. Unë, me pak fjalë, do të kisha thënë se ne ishim, mbetëm dhe kam frikë se do të vazhdojmë të mbesim në gjendjen e njëjtë, siç ishim para tre vjetëve: me pavarësi jo të plotë, nivel të lartë të korrupsionit dhe të krimit të organizuar, nivel të lartë të papunësisë dhe të varfërisë dhe reputacion të dëmtuar ndërkombëtar.
Ndoshta po tingëllon pak si pesimizëm i thellë, por është gjendja në të cilën ndodhet Kosova dhe mënyra sesi politikanët, për interesa partiake, e sollën Kosovën në këtë gjendje. Ata, me egoizmin e tyre, na treguan se janë në gjendje të dëmtojnë imazhin e Kosovës edhe t’i vënë në pikëpyetje të arriturat, sado të vogla, të Kosovës. Ishin në gjendje ta dërgojnë vendin në zgjedhje të parakohshme vetëm e vetëm për ta shfrytëzuar situatën e krijuar për manipulime dhe vjedhje të votave. Bënë çmos për të arritur në majë të shtetit, duke dëmtuar edhe reputacionin e Kosovës në botë. Me këto zgjedhje u pa dhe u dëshmua se është e vështirë të bëhet ndryshim rrënjësor derisa nuk do të ketë vetëdijesim të plotë tek politikanët tanë se në demokraci, nëse mund ta quajmë Kosovën si të tillë, nevojat dhe interesat e qytetarit merren, sado pak, parasysh.
Andaj, problemet dhe zhgënjimet e popullit e kanë arritur deri në atë pikë, saqë në çdo kohë mund të shpërthejnë. Prandaj, qeveria e ardhshme duhet të jetë shumë e kujdesshme, të jetë transparente dhe e hapur ndaj qytetarit. Qeveria duhet të bëjë atë që asnjë qeveri s’e ka bërë deri më tani. Ajo duhet t’i tregojë botës se është në gjendje të krijojë një shtet demokratik, në të cilin sundon ligji dhe drejtësia. Të jetë këmbëngulëse në arritjen e qëllimeve të saja, në këtë rast shtrirjen e pushtetit në tërë territorin e Kosovës. Me një fjalë, t’i tregojë bashkësisë ndërkombëtare se ka ardhur momenti që termi Mitrovicë veriore të ndryshohet përgjithmonë në Mitrovicë. Dhe të bëjë çmos që t’i kthejë të gjithë qytetarët e larguar në shtëpitë e tyre në veri, që ata t’i kthehen jetës normale.
Qeveria e ardhshme duhet ta ndryshojë mënyrën sa i përket lobimit në botë. Qeveria duhet të ketë një platformë të unifikuar, duke përfshirë kuadro nga partitë politike, elita intelektuale, shoqëria civile dhe individë të suksesshëm brenda dhe jashtë vendit. Këtë nuk e kemi parë në qeverinë e kaluar. Ne e kemi parë se liderët tanë kanë dështuar në promovimin e Kosovës në botë. Nuk arritën që të jenë unikë kur ka qenë fjala për njohjen e Kosovës, në mënyrë që të dërgojnë një mesazh të përbashkët në botë. Përderisa Serbia ka gjithmonë platformë unike sa i përket Kosovës, ndryshe, në Kosovë kemi parë konkurrencë mes politikanëve se kush po arrin njohje më shumë e kush më pak. E të gjitha këto kanë rezultuar që Kosova të njihet vetëm nga 75 vende.
Po ashtu, qeveria pa tjetër duhet që të ndërmarrë hapa konkretë në reformimin e gjyqësorit në Kosovë, duke e transformuar atë në një gjyqësor të pavarur, demokratik, të drejtë dhe transparent. Të mos i mbyllë sytë para korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke i luftuar këto dukuri negative që çdo ditë e më tepër po e ngulfatin jetën dhe zhvillimin e Kosovës. Të marrë nën kontroll pikat kufitare, atë në Zubin Potok dhe në Leposaviq, ku dyshohet se, në moskontrollimin e këtyre dy pikave, Kosova humb rreth 100 milionë euro në vit. Para këto që do të mund të investohen në krijimin e programeve zhvillimore.
Të përkushtohet në zhvillimin e një shoqërie të drejtë, duke u munduar që, sado pak, të ngushtojë zbrazëtirën që po zgjerohet dita-ditës në shtresa shumë të varfra dhe shtresa shumë të pasura. Dhe kjo shoqëri mund të zhvillohet duke hapur vende të reja të punës, që do të ndikonin në uljen e papunësisë. Po ashtu, duke ofruar programe zhvillimore dhe edukative për të rinjtë në lëmi të ndryshme, për të krijuar një shoqëri të aftë për punë brenda ose jashtë vendit. Kjo do të kishte kontribuar në uljen e varfërisë në vend.
E, për më tepër, të jetë vigjilente e syhapur për të mbrojtur interesat shtetërore, duke lënë anash ato partiake dhe personale në dialogun e ardhshëm me Serbinë, i cili mund të jetë një dialog sfidues për Kosovën. Së paku, të mundohen që përvjetorin tjetër ta presim në një Kosovë plotësisht të pavarur, me zhvillim ekonomik, me më pak varfëri dhe papunësi.
Gëzuar Pavarësinë, Kosovë!
Fitore Pacolli – Studente në London School of Economics – MSc Politika dhe Qeveria e Unionit Evropian.








Comments