top of page

KUKAFSHEHTI


KUKAFSHEHTI


Nga NADA DOSTI


Shumë thonë se jeta është një lojë, se nuk është asgje tjetër veçse një lojë mashtruese.

E pra, dhe unë e kam nisur jetën duke luajtur kukafshehtas. Po po! Kukafshehtas! “Por si?” do thoni ju! Po ja: i kisha sytë mbyllë? Kur i hapa, im atë nuk ishte aty. Nisa ta kërkoja me sy, edhe pse thonë se foshnjet nuk shohin. Unë shihja, madje shumë mirë, edhe pse do kishte qenë mirë mos të kisha parë gjë. Të paktën tre ditët e para.

Thonë se ashtu si e nis jetën ashtu edhe e bitis. Unë e nisa duke kërkuar im atë, dhe gjithë jeta ashtu më shkoi: duke e kërkuar atë vazhdimisht. Im atë nuk është ulur ndonjë herë të luaj me mua, as kemi shëtitur nëpër parqe për dore, as më ka çuar tek lodrat nodnjëherë. Por ç’rëndësi ka! Vertetë nuk kemi luajtur si babë e bijë, ama një jetë të tërë kemi luajtuar kukafshehti. Ai ikte, unë e kërkoja. Ai zhdukej, unë kontrolloja kudo për ta gjetur. Në fund humbisnim të dy, nuk kishte fitimtarë në lojën tonë.

Kur linda unë, im atë as nuk erdhi në spital të më shohë. Jemi njohur me njëri tjetrin 3 ditë më pas, kur lehona u kthye në shtëpi me nje vajzë tjetër.

“Prapë vajzë”! Për pak mendova se ky ishte emri im. Aq shumë më përsëritej kjo shprehje sa mendova mos kishin vendosur të më quanin “prap vajzë”.

Imagjino të vish në jetë duke mos qenë e dashur dhe e pranuar. Të vish si për incident, apo "një mallkim" do e quante im atë. Po pra, sipas teorisë së tij, Zoti e paskësh mallkuar duke i dhënë dy goca (madje pas meje edhe një të tretë e cila qe dëshmia e gjallë për teorinë e tij të mallkimit).

Për dikë mallkim, për dikë tjetër bekim. Thonin të moçmit në atë botë, se tekembramja, kush ka tre vajza, do i marrin për dore nanë e babë dhe do i shpien drejt e në parajsë!

Kur vjen në këtë jetë “si një mallkim” gjatë gjithë jetës do endesh në përpjekje për t'u dashur dhe pranuar nga të tjerët, për ta bindur veten se dhe ti vlen, se dhe ti meriton të duhesh.

Vitet kalojnë, dhe ti përpëlitesh në përpjekje për t’ia mbushur mendjen vetes dhe atij që të solli në jetë, se në fund të fundit nuk qe aq tragjike me pasë vajzë, një “prapë vajzë”!

Por pavarësisht të gjitha përpjekjeve, ti do mbetesh ajo foshnja e braktisur në spital, e cila e nisi jetën duke luajtur kukafshehti.

13 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page