Dossjer:
KORESPODENCA E PA NJOHUR
E SOCIALISTIT VASIL GËRMENJI ME KOMUNISTIN SADIK PREMTEN
Nga Enver MEMISHAJ
Idriz Lamaj ka botuar në gazetën “Telegraf”, datë 12 shkurt 2024 artikullin: “Vasil Gërmenji, nipi i Themistokli Gërmenjit, diplomat i shquar në kryqëzatën e Luftës së Dytë Botërore”, artikulli përshkruan jetën dhe veprimtarinë e patriotit Vasil Gërmenji (1908 – 1988), nipi Themistokli Gërmenjit.
Në mërgim Vasil Gërmenji ka qenë në mirëkuptim dhe ka pasur korespodencë me komunistin e njohur Sadik Premtaj (1912 – 1991), nga Gjormi i Vlorës.
Po botojmë më poshtë pjesë nga korespodenca e tyre, aq sa kemi mundur të gjejmë në arkivat e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
*
Letra e Vasil Gërmenjit: përgjigje letrës së Sadik Premtes më 24 Janar 1948
I dashur Sadik!
Mora të dy letrat e tua dhe jam në një mendje me ty. Mjerisht nuk më është e mundur të vij vetë gjer atje, dhe kjo për arsye të situatës time financiare katastrofike. Më duhet të punoj rëndë edhe pak kohë që të mund të laj borxhet. Sot vajta në konsullatë dhe besoj se për së shpejti do të na thonë se ç’mendojnë. Në rast se duan të takohen me ty në ambasadë të telegrafoj.
Po shkoj për dy dite gjer në Salins. Me t’u kthyer do të të shkruaj më gjatë.
Perqafime Vasil
V. Gërmenji, Nr.7 Rue de Suez, Marselle. Marselle më 24 Janar 1948
Monsieur Sadik Premtaj 15 Rue Popincourt 15 Paris
*
Letra e Sadik Premtes dërguar Vasil Gërmenjit ditën e që shpërtheu publikisht dënimi i Titos nga Kominterni.
Nuk mundëm të kemi tekstin origjinal të letrës.
Sadiku duke informuar Vasilin për aktivitetin dhe lëvizjet që janë duke treguar elementet e së djathtës me Zogun në krye i propozon Vasilit që të bashkohen dhe t’i përvishen punës bashkë me shumë demokratë përparimtarë (qofshin dhe borgjezë) por të mos jenë të helmuar me antikomunizëm të tërbuar dhe të jenë republikanë të pa pajtueshmë me Zogun ashtu si kanë qenë dhe janë vlonjatët.
Pastaj ky grup ose Parti të bëjë të gjitha tentativat që që të merret vesh me jugosllavët për të rrëzuar qeverin e sotme dhe duke rekrutuar të gjithë elementët e Partisë që janë të pakënaqur.Ky grup ose kjo parti duhet natyrisht të ketë njerëz në krye që të kenë qenë komunistë të vërtetë dhe jo
paristalinizmë.
Më në fund Sadik Premtja propozon se po ta pranojë Titoja një gjë të tillë ai është gati të shkojë në
Beligrad bashkë me Vasilin. Sadiku në letër i lutet Vasilit të shkojë ne Konsullatën Jugosllave në Marsejë dhe t’u parashtrojë këto qëllime, duke ju shpjeguar të gjithë biografinë e Sadikut dhe nga ana tjetër i lutet që përfundimin t’ja njoftojë telegrafisht.
*
Letra e Vasil Gërmenjit drejtuar Sadik Premtes më datën 29/6/48
Pak kohë përpara se të shpallet Rezolucioni i Zyrës së Informacionit mbi gjëndjen e Partisë Komuniste Jugosllave. Pika më me rëndësi e kësaj letre është se Vasil Gërmenjë ka qenë i informuar para kohe nga konsullata jugosllave e Marsejës. Ja kopja origjinale e letrës:
V. Gërmenji, 47 Rue de Sues, Marseille. Më 29/6/48
I dashur Sadik!
Po të përgjigjem me pak fjalë se jam i zënë shumë me punë.
Sa për kushërinjtë e tu po të vijnë këtu do të bëj ç’të mund për ta si dhe për çdo shqiptar megjithëse jam djegur. Natyrisht që njëri me tjetrin kanë ndryshim mjafton që të kujdesem. Do t’i fryj edhe kosit se u dogja prej qullit.
Gazetën e Nuçit nuk e kam marrë. Kjo nuk më çudit se atij dhe shokve nuk u vjen mirë të kritikohen. Më vjen çudi se si e ke gjetur ti. Po të mundesh dërgoma.
Më duket se për së shpejti do te ketë ndryshime në Shqipëri dhe besoj se pa luftë, do të na vijë koha neve që kemi qëndruar drejt. Mjafton të mos nakatosemi me cilindo megjithëse duhet bërë diçka.
Kam bindje se është e nevojshme tani të formojmë një grup ose një parti sado e vogel që të jetë me parime socialiste të drejta por të ketë dhe demokraci.
Programi:
1. Ruajtja e reformave shoqërore të bëra prej Hoxhës.
2. Mbajtja e shtetëzimeve dhe reformës agrare.
3. Një lehtësi duhet dhënë inisiativës private nën kontroll të shtetit.
4. Heqja e terrorit dhe e regjimit policor.
A mund të më përgjigjesh sa më shpejt për këto pika?
Nuk e di mirë çështjen e Titos, por më duket se stalinianët po e teprojnë me politikën jashtme, gjithë
manevrat që bëjnë sot, nuk janë komuniste-socialiste por imperialiste ruse.
Nga ana ime nuk do të pranoj kurrë që sado e vogël të jetë Shqipërija, të bëhet shërbëtore e një shteti tjatër edhe kur ky shtet e quan veten sovjetik dhe komunist.
Si do të vejë puna e Enverit do ta shohim në ditët që vijnë.
Shumë të fala shokëvet. Ty të përqafoj me mall
Vasil
*
Letrër e Vasil Gërmenjit drejtuar Sadik Premtes më dt. 29.7.1948
Marsejë më 29.7.1948
I dashur Sadik!
Nuk e di se si mbaroj puna e demarshit që bëra pranë Konsullatës Jugosllave për punën tënde. Këtu
ata më thanë se nuk e dinë, në qoftë se të kanë ftuar të piqesh me ta apo jo. Më shkruaj në këtë pikë. Kërkush nuk është në korent të demarshit që kamë bërë.
Këto ditë vjen në Paris prej Londre një shok i imi, Gjenço Naçi, i kamë thënë të të takojë. Është shok i mirë dhe i besimit. Ka idera të mira dhe është i sinqertë.
Shumë të fala Vasil Gërmenji.
*
Letër e Vasil Gërmenjit për Sadik Premten 12.5.1949
Shënim i Ministrisë Punëve të Brendshme: Ministrija e punës i ka refuzuar kartën e punës, kontratën që ka paraqitur nuk ja ka
marrë në konsideracion. Ftesa e së IV Internacionale që kish Ahmet Nivica, nuk ishte dërguar atij por Sadikut. Ky tue qenë se prej orës 1 pas dreke e deri në ora 11 të mbrëmjes punon, nuk shkoi vetë por ja dha Ahmetit.
Në mbarim të javës së kaluar Sadiku ka marë një letër nga Vasil Gërmenji, ku i thotë:
“Nuk të kamë shkrojtur më parë sepse nuk kisha ç’të shkruaja, tani po të thom se ata miqtë m’i prenë gazetat, më kanë prishur shumë punë, si duket do të kenë marë vesh që unë kur ndodhesha atje, jam takuar me ty me Nuçi Koten e me të tjerët. Sa të vegjël që janë?
Unë do të përpiqem të gjej ndonjë mënyrë e do t’ju shkruaj që të mi dërgojnë”.
I shkruan për dy shqiptarë kosovarë që kanë bërë përshtypje të keqe në Marsejë”.
*
Letër e Vasil Gërmenjit për Sadik Premten datë ?
I dashur Sadik
Pasi mora letrën tande të fundit (5 Janar) ku më shkruanje mbi ndodhjen në burgun e Nicës, të një shokut tënd Sabaudin Dino i shkrojta menjëherë, bile vura në zarf edhe pulla për përgjigjen. Në letër i shkruanja të mundohet të vijë gjer këtu. Mirëpo s’kam marrë as përgjigje, as atë nuk e kam parë.
Nuk njoh njeri tjetër veç [Aleko] Progerit në Nice. Progrin mbasi e njeh më mirë (?) dhe mbasi ky i ka shkrojtur nuk e gjeta të arësyeshme t’i shkruaj dhe unë. Kam shpresë se do të kesh gjetur punë. Këtu në Marsejë situata ekonomike është e keqe shumë. Edhe unë që kisha më parë shumë punëtorë kam ngelur vetëm në atelie. Golemi, të cilit jepi të falat e mija, do të të ketë shpjeguar se ç’punë bënj këtu. Këtu veç punë me kazmë për të huajt s’ka tjetër. Po bënj ç’është e mundur të gjenj mundësinë të vij për pak ditë atje, por hë për hë nuk kam mundësi. Po pres të shes pak mall që të mund të vij. Sa për ata shqiptarët e atjeshëm mëgjithëse janë reaksionarë mos i lërë mënjanë. Bën shumë mirë të rrish në kontakt me të majtët e sinqertë, por mos harro se në politikë duhet gjithnjë të mos lihet mënjanë asnjë posibilitet.
Trimi i mirë me shokë shumë. Gjëndja po vështirësohet shumë dhe situata e Shqipërisë për të ardhmen është e vështirë. Me politikën e tyre pa eksperiencë dhe budallë fare (në pikëpamje të jashtme se sa për brenda vetëm disa kritika të vogla mund të bëhen) po pregatiten në Tiranë ditë të zeza. Prej reformave dhe fitimeve të klasës punëtore duhen shpëtuar ç’mund të shpëtohet.
Dhe gjëja më me rëndësi është të evitojmë rikthimin e bejlerëve. Po vjen koha pra të formohet një grup me tendenca të majta por jo intrasigjent dhe gati të punojë me çdo grup që ka tendenca demokratike.
Bashkëpunimi duhet bërë në bazë të një program minimum.
Ky program minimum është:
Reforma agrare ashtu si është sot, kombëtarizimi i pasurisë nëntokësore dhe i industrive sot të shtetëzuara. Mbajtja e reformave shoqërore sot në fuqi. Mundësia e krijimit të një industrie dhe tregëtie private paralele me atë të shtetit. Liri e profesione liberale. Liri fetare.
Populli të zgjidhte lirisht regjimin (Për ne republikë). Duhet ne, të bashkëpunojmë me ata që pranojnë këtë program minimum, por si grup independent brenda një lidhjeje të përgjitshme të shqiptarëve, që nuk pranojnë t’u binden verbërisht atyre që tradhëtojnë socializmin për interesa të pansllavizmit.
Pra, në qoftë se e sheh të mundur formimin në Paris, të një grupi të tillë, duhet formuar sa më shpejt
edhe sikur të ketë fare pak anëtarë. Një gjë e tillë do të ketë të mirën të na japë të drejtën të flasim në emër të një grupi.
Më anë tjetër një grup i tillë punëtor dhe bujk (nuk duhet folur as për socializëm, as për komunizëm, mbasi këto dy emra janë kurvëruar prej atyre që i përdorin pa ditur dhe që fshehin krimet e tyre nënë këto emra). Ka mundësi të mbledhë nesër rreth tij një shumicë të madhe të rinjsh dhe të rejash që do të jenë të lodhur prej premtimeve të kota të atyre që sot i gabojnë, por që kanë fituar guston e lirisë dhe të mirave shoqërore.
Sot për sot unë jam i vetmuar këtu në Marsejë dhe nuk mund të bëj kurrëgjë veç se të jem me ju. Më anë tjetër mund të kemi dhe të tjerë shqiptarë me ne si në Ingliterë ashtu edhe në Amerikë.
Kam marrë vesh se grupi i Parisit Koto – Begeja kanë bërë një prokllamatë, duke lënë çdo gjë dhe duke ardhur këtu te aventura. Po të kisha ambicje do të kthehesha sot në atdhe, ku asgjë nuk më ndalon të vete, po përkundrazi kur më thërresin ata që dje ishin shokët ose nxënësit e mij politikë, dhe ku fundi i fundit ka një përmirësim qind për qind me të shkuarën.
Preferoj të rri këtu në mërgim të vuaj (megjithëse shqiptarëve të Parisit dhe Legatës u është mbushur mendja se jam bërë zengjin edhe pse punoj si një singëll punëtor këpucëtar. Këtë mund të ta tregojë Golemi që e pa me sy. Sa për ata të tjerët pak më zë qederi se ç’mendojnë. Në këtë mërgim vetëm një të mirë kam mbi ju dhe kjo është e madhe. Jam ustai i (?). Kjo nuk do të thotë se punoj më pak.
Me vjetët dhe me moshën, po bëhem 40 vjeç, kam arritur në një fillozofi ku më duket se çdo gjë e mirë te njeriu nuk vlen sa kohë që nuk u shërben dhe shokëve. Lumturija e vërtetë është puna dhe mospërzierja në punët personale të të tjerëve. Në anë tjetër qëndroj gjithmonë shqiptar dhe socialist.
U detyruash të të them gjithë këto që të mos pandesh se sa të thashë më sipër për formim grupi nuk kanë asnjë arësye ambicje personale, më anë tjetër vetëm dhe vetëm çështja shqipëtare më bën të qëndroj këtu.
Në qoftë se shoh se nuk bëhet dot kurrgjë për Shqipërinë, kam menduar bashkë me zonjën (që edhe
ajo punon si punëtore në atelierin tonë) të shkojmë në Australi ku unë kam mundësi të punoj si inxhinier dhe zonja si profesore.
Me kaq po mbaroj për sot dhe të lutem m’u përgjigj menjëherë dhe haptas mbi sa më sipër.
Të përqafoj Firma
Shënim:
Korespodenca botuar për herë të parë nga Enver Memishaj “Përpjekjet e Sigurimit të Shtetit për eleminimin e Sadik Premtes”, Tiranë 2021, f. 284 – 290
Comments