Komunizmi orgazmik...
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Sep 5, 2022
- 5 min read

Komunizmi orgazmik në romanin e Ismete S. Leba
Prof Dr fatmir Terziu
Komunizmi Orgazmik është një temë e diskutuar mjaft. E trajtuar si temë dhe si një problematikë plagëmbjellëse që ka shkuar në mjaft debate intelektuale, forma me të cilën komunizmi orgazmik ka hyrë në shkrime, krijimtari, poezi dhe mjaft forma të tjera letrare, tregon se është një gojë e madhe e së shkuarës, që kërkon ende të përtypë me zellin e vetë, kohën me të cilën sekretari i partisë, ishte masha dhe leva e këtij misioni të turpshëm dhe të pështirë. Në këtë hapësirë të ngjeshur faktesh, por të parë nga një eksperiencë që ndjek një këndvështrim unik është dhe romani „Gjëmbi dhe trëndafilat“ (2013) i shkrimtares Ismete Selmanaj Leba.
Sekretari i partisë është ai që „shtrëngonte gjoksin e brishtë të një pesëmbëdhjetëvjeçareje“. Ai ishte i gjithëpushtetshmi. Ai ishte profesionalisti, që jepte direktiva dhe për muzikën. Ai ishte dhe pronari i seksit të kundërt, pa marë parasysh moshën, pra ai ishte mëkëmbësi i vetë komunizmit orgazmik, kësaj plage që ende vazhdon të mbajë të traumatizuar rrjedhat e jetës dhe vetë lirisë saj në tranzicionin e gjatë shqiptar. E nëse ai kishte një emër, ashtu sikurse romani e quan, Estref, pjesa tjetër ka një emërtesë të njëjtë, sepse vetëkuptohet, se në atë kohë, dhe në atë moshë të një pesëmbëdhjetëvjeçareje, ishte „e vështirë të kuptosh „fajtorin dhe, mbi të gjitha, s'e ke fuqinë, si fizike, ashtu dhe mendore, të ruhesh nga „i rrituri“, për më tepër, kur i „rrituri“ është sekretari i Partisë së shkollës…“
Imagjinoni dhe kushtet e jetesës. Mira protagonistja e kësaj skene, dhe njëkohëisht edhe „viktima“ që shkon tej nocionit të cituar, flinte në një krevat me motrën e saj, Fluturën, „njëra nga koka dhe tjtra nga këmbët“, që ashtu sikurse thotë shkrimtarja „të paktën kështu ngrohnin njëra-tjetrën“. Drutë ishin me racion, sikurse ishte e gjithë jeta e racionuar, dhe mbetej në duart e tjetrit, pikërisht, sekretarit të partisë, të të gjitha institucioneve, për të trashëguar hibridin që disa sot e metojnë si komunizmi orgazmik, dhe që ndjell neveri për një vit si të ishte ndonjë nga vitet e mesjetës, edhe pse ishte vetëm 1979-ta. E kudo ky racion bëhej palë me bindjen se Partia dhe mësimet e saj ishin dritë ndriçuese. Kështu ishte dhe me babain e Mirës, që lexonte dhe besonte verbërisht.
Kjo tregon dhe një arsye tjetër, me të cilën vetë sistemi krijoi mjaft bujë mes të vetëve që të largohej mendja nga vuajtjet dhe mungesat, si dhe midis audiencës që lexonte direktivat e ndikuara. Kjo nuk ndodhte rreth botës, ishte aty në një familje shqiptare, që si ajo ishin gati shumica, me shumë fëmijë, e që mbeteshin tek „bëni sa më shumë fëmijë, se ata janë e ardhmja e vendit, se atyre do t'u lemë stafetën e revolucionit socijalist“. E ndërsa deri më tani shkrimet, analizat, diskutimet që shkaktoi teksti i asaj kohe me direktiva të tilla janë përqendruar pothuajse tërësisht në retorikën ideologjike të tij, ajo që është më e dukshmja, më e duhura për t'u treguar e rrëfyer, mbetet ende një luftëtare tipike e ftohtë që beson se gjysma e dytë e shekullit të kaluar duhet interpretuar si një përplasje midis dy sistemeve, komunizmit dhe kapitalizmit. , dhe pa falje kampionon njërin prej tyre (të parën) dhe denigron tjetrin (të dytën). Shumë më pak vëmendje i është kushtuar aspekteve shkencore të fakteve të nxjerra qoftë dhe në shkrime, qoftë dhe në një novelë, ku autorësia gjithnjë i referohet provave, krahasimeve të të dhënave sasiore dhe interpretimeve analitike të fenomeneve historikisht të rëndësishme. Si duhet të vlerësohen prurjet e tilla? Si duhet të vlerësohet një roman me një titull që nënkupton mjaft metaforikisht në këtë pikë?
Eshtë e panevojshme të thuhet se op-ed nuk është një zhanër shkencor - dhe zakonisht i nënshtrohet një kufiri të rreptë fjalësh. Por akademikët që bëjnë depërtime në gazetarinë e zakonshme nuk mund t'i përdorin këto vëzhgime të parëndësishme si një justifikim për të shpërfillur standardet profesionale: duhet të përdoren kritere rigoroze shkencore për të vlerësuar besueshmërinë dhe bindshmërinë e çdo mesazhi që shkrimtarët të tregohet sepërpiqen t'i përcjellin publikut të gjerë një narrativ me vlera dhe me një domethënie të qartë, jo thjesht të mbetet si një nyje që nënkuptohet nga forma kontradiktore.

Në rastin e Ismete Selmanaj Leba, mesazhi është „vajzat nën moshë, në kohën e diktaturës ishin pre e duarve të gjata shfrytëzuese dhe abuzive të sekretarëve të partisë“.
Ky pohim lind sqarimet e domosdoshme, që vijnë nga narrativi se prindërit nuk kishin kohë të merreshin me edukimin dhe mbajtjen e shumë fëmijëve, në rastin e Mirës, i vëllai i vogël, Sokoli e dinte atë për mama, se „mamaja e tij nuk e merrte fare në dorë“. Pra kur nuk ndjen përkëdheljen e dorës së nënës që në fëmijëri, jepet rasti të të përkëdhelë një dorë tjetër, ajo që quhet se është dora e Partisë?!.
Mbi bazën e dëshmisë narrative vjen familja e Xhinës, shoqes së klasës së Mirës, ku në familjen e saj ka vetëm një vëlla 20 vjeçar dhe atje të katër këndojnë këngë dashurie. Kjo bazë sjell në përfundimin e asaj që vinte nga kultura e trashëguar intelektuale qytetare, duke dhënë dhe të kundërtën se në shtëpinë e Mirës „shumë diskutime janë tabù“. Por sidoqoftë Mira duhet të punonte me nxënësit që kishin boshllëqe në mësime, sikurse ishte rasti me Kastriotin (që në rastin kur prekën duart padashje asaj i kaluan me mijëra gjilpëra në trup) dhe Anilën, e ndërsa Xhina ishte ajo që duke parë të shtunave në darkë „RAI 1“ mëson dhe i tregon Mirës se ajo po binte në dashuri, pikërisht ashtu sikurse e kishte parë në ekranin italian, që shihej fshehurazi.
Dhe kështu në këtë oaz të tërheqshëm narrativ ne lexojmë dhe nënkuptojmë të thirremi ende në “komunizëm” dhe “kapitalizëm”, në krahasim me faktorë të tjerë të mundshëm shpjegues, për të interpretuar të dhënat, që koha, hapësira dhe vendi i kanë veshur e ngjeshur me qindra herë në forma e struktura të debatueshme. Ngjeshja në këtë narrativ dhe në rastin e Ilirit, që prezantohet si djali i sekretar Estrefit, nënkupton se „morali“ ishte një tentakulë e kohës që strukej tek syri i Tjetrit „dhe kjo na duhet, të më shikojnë prindërit që shkoj e vij me një djalë dhe të më heqin nga shkolla“. Ka shumë gjëra që mbesin tek pyetjet. Dhe pyetjet janë natyrisht të shumta. Pyetje të tilla ende duhet të trajtohen në mënyrë elegante dhe qëllimi i këtij teksti narrativ është t'i trajtojë ato, ashtu sikurse vetë autorja i ka vënë një synim vetes me një gjuhë origjinale, në rrjedhë e të lëvizshme të shkojë në rreth dyqind e pesëdhjetë faqet e romanit të shkopsisë tërë misterin e enigmat e një jete që kalon edhe në bangat e shkollës, edhe në zyrën e Sekretarit të Parë të Komitetit të Partisë së Rrethit, edhe në abort, edhe në spital, edhe në Degën e Punëve të Brendshme, edhe në shtëpinë e fëmijës, edhe në rrugë të madhe....
E shteti është ai që ndërton këto rrugë të turbullta pasi ka një sy tek Tjetri dhe një dorë të dedikuar „Estrefi i kishte „përdhunuar“ të gjithë“. Opinioni i Tjetrit ishte më çmuar se vetë jeta. Pastaj janë tranzicionet, emigrimi, dhe pluralizmi. E në këtë pikë është përsëri sekretari i Partisë së Bashkimit Kombëtar, ai pra Estrefi i demokracisë së re. Në këtë përballje tashmë është vetë Mira Shala. Është dhe studioja ku Agim Murra prezanton librin e tij „Viktima të pafajshme të diktaturës“, e koha kur Mira reflekton ndryshe, janë nënë Zara dhe Dritani ata njerëz që e ndihmuan, është Bledari, fundja është Mira Shala që ka gjetur djalin dhe që bëhet akoma më e fortë…Sidoqoftë Estrefi hypën në aeroplanin që të shpie në Romë, duke dhënë mesazhin në narrativ se komunizmi orgazmik nuk ka mbaruar ende, pasi „…do të kthehem një ditë dhe do ta shikojë Mira Shala kush është Estref Shehu“.
Comments