top of page

Komoditet dhe … Komotitet


Prof Dr Fatmir Terziu


Qeverisja e vetvetes me kulturë nuk është komoditet. Nuk është thjesht prirje për edukatë. Nuk është as dhe detyrim nëpër libra, filma, teatër e angazhime të tjera. Nuk mbetet të jetë as dhe ndonjë traditë e tjetërsuar ,apo e mëvetësuar. Qeverisja si nocion shkon më larg saj, por në vetvete mbart një mal që e ndan nga vetë koncepti i kuptimit të parë. Është art! Komodideti është një kod më vete dhe ndaj ai është i aftë vetëm për tregun. Tregu e kërkon të dallojë mes këtij termi komoditetin e produktit, dhe jo vetë komoditetin e kulturës së produktit. Ndaj sikurse e kemi mësuar nga Brecht, komoditetet kulturore të vetvetes qeverisen, sikurse ato komoditete që i përfshihen termit të kulturës si motivim.

Pesëdhjetë vjet më parë, nga parimi i realizimit të komoditetit kulturor si vlerë, dhe jo nga përmbajtja e tij specifike dhe formimi harmonik me qeverisjen e vetvetes, praktika diktoi, por kurë nuk aprovoi transferimin e motivimit. Transferimi i motivimit, në kuadrin e qeverisjes së vetvetes me kulturë mbeti i zhveshur në format kulturore të tij, së pari nga vetë kushtet ku ai u diktua si i tillë pas vitit 1946, menjëherë pas shpalljes së Shqipërisë Republikë. Që kur 11 janari i këtij viti i pozoi mesazhet e tij si struktura edhe këto forma kulturore filluan së pari të fitonin (mbi)jetesën për krijuesit si komoditet mbiekzistent në tregun që ata kishin poseduar tashmë, ta shihnin këtë si diçka me këtë cilësi, por që nuk mbeti më treg, as i Republikës që u formua me votat e “Asamblesë Kushtetuese” të përbërë nga 82 deputetë të dalë nga zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945. Por atëherë ata kërkuan fitim vetëm në mënyrë indirekte, mbi dhe mbi thelbin e tyre autonom, i cili mbeti në fakt akronom i një kulti të kontrollit.

E reja e këtij kulti politik të kontrollit nga ana e kulturës ishte tek përparësia e drejtpërdrejtë dhe e padisiplinuar e një efikasiteti të llogaritur saktësisht dhe tërësisht në produktet më tipike të krijimit. Produktet e lidhura tashmë u zinxhirosën me hallka të padukshme tek kjo strukturë e re të veprave të artit, që natyrisht rrallëherë mbizotëronte në një formë krejtësisht të pastër, dhe gjithnjë përshkohej nga një cep pesë-yjor i efekteve, ku padashje synohej të eliminohet tendencërisht nga qeverisja e kulturës, me ose pa vullnetin e vetëdijshëm të atyre që kontrollonin. Në këtë qeverisje të vetvetes ishin dhe mbetën këta të fundit. Këto të fundit përfshijnë si ata që kryejnë direktiva, ashtu edhe ata që kanë pushtetin.

Kultura e tillë, në kuptimin e vërtetë, kurë nuk u bë e vërtetë, nuk u përshtat as me vetë qeniet njerëzore, as me vetë ata direktivë-vënës dhe direktiva-kërkues, por gjithnjë ngriti një protestë kundër marrëdhënieve të petrifikuara nën të cilat ata jetuan, duke i kufizuar kështu të gjitha ndërlidhjet kulturore. U duk qartë se në fund të fundit, ky mejhanizim i kulturës nuk kishte më nevojë të ndiqte drejtpërsëdrejti kudo interesat e fitimit nga e cila kishte origjinën, por ta gllabëronte tashmë atë nga origjina e fituesit, jo më të fitimit të asaj që fillonte nga qeverisja e vetvetes. Dhe kur ndodh që të gllabërohet dhe qeverisja e vetvetes, normativi të shpie në një pavion tjetër, në një pavion ku rolin e kanë bluzat e bardha, të të vënë në gjumë, të të shkundin nga gjumi dhe të të mbyllin gojën nga “dhimbja” mentale. Aty sigurisht që nuk ka më mundësi të mundshme, por dhimbje, dhimbje që vjen në sytë e tu si si një fenomen i gjithëpranishëm “dhimbësisht” që shkon më afër fjalës që i ngjitet në Fjalor, por me një ndryshim në kuptim dhe kontekst.

Kështu me sa duket u ngatërrua fjala “komoditet” me fjalën “komotitet”, ku kjo e fundit është një qasje e plotë e asaj që ka kuptimin e rritjes së pakufishme të mpirjes. Mpirja, si një produkt i tillë natyrshëm mbetet jo vetëm largë qeverisjes së vetvetes me kulturë, por ashtu sikurse u tha në Bibël tek 1: 1-3) “Prandaj ligji rritet, dhe drejtësia nuk shkon kurrë,” bërtiti Habakkuk, duke shtuar: “Meqenëse i pabesi rrethon të drejtin, për këtë arsye drejtësia shkon e shtrembër”. Plutarku, gjithashtu në shekullin e parë, shkruan: “… edhe unë pohoj, që fëmijët duhet të udhëhiqen në praktika të nderuara me anë të inkurajimit dhe arsyetimit, dhe sigurisht që jo nga goditjet ose keqtrajtimi, sepse me siguri është dakorduar që këto janë përshtatje më shumë për skllevërit sesa për të lindurit e lirë, sepse kështu rriten të mpirë dhe dridhen në detyrat e tyre, pjesërisht nga dhimbja e goditjeve, pjesërisht nga degradimi.”

Prandaj mos lejoni që shpirti juaj të mbahet i mpirë, por synoni për qëllimin e një dashurie të bukur, e cila gjithashtu kërkon sakrificë. Thuaji një “jo” të fortë trillit të kurdoshfaqur për lëndën e suksesit me çdo kusht të ndërvarur, pa lirinë tënde të edukatës vetvetëse, pa qeverisjen tënde të lirë të vetvetes me kulturë, dhe mos e prano qetësuesin e shqetësimit vetëm për veten dhe rehatinë tënde që vjen nga një firmosje, apo dhe një zhgënjim. Se kështu nuk humb vetëm ti, nuk mpihesh vetëm ti, por të gjithë pas teje … Të Gjithë në një dilemë fjalësh dhe praktikash me komoditet dhe komotitet!

80 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page