top of page

KOLEGJI UNIVERSITAR I BIZNESIT PREZANTON


Personalitete akademike dhe specialistë kompetentë të fushave të ndryshme vlerësojnë veprën shumëdimensionale të doktorit të shkencave pyjore


KOLEGJI UNIVERSITAR I BIZENESIT PREZANTON

TRE LIBRA VOLUMINOZË TË DR.SELMAN MËZIUT

Halil RAMA – Mjeshtër i Madh

Risitë në këtë vepër shmëdimensonale konsistojnë në faktin se Dr. Selman Mëziu, nga toponimi shkon tek ngjarja historike, jo me folklorizëm, por me burim arkivor dhe historik


Prezantimi i tre librave të botuara pas një veprimtarie studimore - shkencore e krijuese shumëvjeçare (dje, 24 tetor 2023 në Kinema “Maks Velo”, Laprakë), para qindra personaliteve akademike, të letrave e publicistikës, por dhe specialistë kompetentë të fushës në të cilën është doktoruar para 28 vitesh (13.01.1995 mbron doktoratën “Doktor i shkencave të silvikulturës”), përbën një arritje madhore të Dr.Selman Mëziut. Dhe kur prezantimi dhe diskutimi rreth vlerave të tyre organizohet nga një institucion akademik prestigjioz si Kolegji Universitar i Biznesit, në bashkëpunim me Njësinë Administrative Nr.11 të bashkisë Tiranë dhe Qendrën “Franklin”, Tiranë, gjithkush do të konkludonte se kemi të bëjmë me një vepër shumëdimensionale të këtij autori tashmë të njohur, që në harkun kohor të një dekade ka botuar disa libra me tematika të ndryshme.

Ndaj dhe sfida e Prof. dr. Shpëtim Camit, dekan i një prej fakulteteve kryesore të Kolegjit Universitar të Biznesit, njëherësh kryetar i Lidhjes së Intelektualëve Dibranë, por që dje bëri mjeshtërisht edhe moderatorin e prezantimit të tri veprave të dr.Selman Mëziut, këtij kolosi të mendimit dhe veprimit krijues shkencor, qe ofrimi publikisht i bashkëpunimit për të qenë bashkautorë të një vepre me fokus ndërtimin organizativ dhe efektivitetin e strukturave të pushtetit vendor në komunën e Firences, ku dr.Mëziu jeton dhe punon prej 22 vitesh.

Në prezantimin e tri librave të tij: “Brenga e qelbëzuar e kohës”; “Bekime shtatores së dijes” dhe “Belbëzimet e pyllit”, mendimi krijues kualitativ shkencor i dr.Selman Mëziut, u vlerësua jo vetëm nga redaktorët, recenzentët e korrekorët gjuhësore të tyre, por edhe nga Dr. Kliti Starja i Agjencisë Kombëtare të Pyjeve, inxhinierët me përvojë të pyjeve Munir Hoxha (Ish drejtor i Shërbimit Pyjor Dibër për disa vite), Gjon Fierza e Gjergji Tane, shkrimtari dhe publicisti Shaqir Çerpja, mësuesja e autorit në klasën e 6-të Natasha Basha, studjuesit e mirëfilltë të historisë prof.Azis Keta, Faik Xhani e Ymer Keta, studjuesi dhe botuesi i disa librave letrarë por edhe të fushës së studimeve historike Ramazan Kica, poetet Barie Boba Çupi, Ymer Hysa, Miranda Troci Derti etj. Dhe jo në mënyrë fakultative, por se vlerësuan produktin shkencor të Dr.S.Mëziut, i cili për të arritur tek e vërteta ka bërë mijëra km duke eksploruar vendburime historike, madje edhe në arkiva të Romës e Parisit, duke i ballafaquar ato në po mijëra referenca të autorëve të mirënjohur vendas e botërorë.

E vërteta, vërtetë pohohet e është relative, por ky titan i punës kërkimore shkencore pohon se nuk mund të shkruajë për të pa qenë vërtetë i bindur. Dhe këtë vërtetësi që sjell vepra e tij e argumentuan më së miri disa folës në prezantimin e djeshëm. Madje edhe Dr. Kliti Starja, ndonëse përfaqësues i strukturave të larta shtetërore, vlerëson shqetësimin intelektual, njerëzor e shkencor të dr.Selman Mëziut për pylltarinë shqiptare që aktualisht është në lëngatë.

Le të ndalemi më konkretisht sipas analizës së secilit prej librave.



KRIJIME NË KOHË E HAPËSIRA TË NDRYSHME


Tre librat e prezantuar dje nga dr.Selman Mëziu, botime të Shtëpisë Botuese “ADA”, janë krijime që i përkasin një harku kohor disavjeçar dhe po ashtu krijime në hapësira të ndryshme. Parë nga këndvështrimi, jo vetëm sasior por edhe cilësor, do të konkludonim se kësisoj kemi të bëjmë me veprën shkencore të një poligloti, që s’rresht së studjuari e së shkruari, gjithnjë për të vërtetën.

Vetë autori pohon se në librin "BRENGA E QELBËZUAR E KOHËS” trajton probleme të ndryshme shoqërore, ekonomike, mjedisore në Shqipëri, në gjedhin e artikujve problemorë, reportazheve, skicave, meditimeve, tregimeve, etj.

Ndërsa libri "Bekim shtatores së dijes,,” trajton probleme historike mbi historinë Kastriotiane, gjuhësi, portrete, historianesh etj.

Libri i tretë "Belbëzimi i pyllit,,” ka në përmbajtjen e pasur e të larmishme lëndore e shkrimore artikuj problemorë mbi hidrocentralet e vegjël, që siç i konsideron me argumente tejet bindës autori, janë arkivole të mjediseve bioekologjike, ndërkohë që në këtë vepër lexuesi gjen studime mbi teknikat në lulishtari, portrete pylltarësh etj. Pikërisht për këtë të fundit, ing. Gjon Fierza, mik dhe bashkpunëtor i ngushë disavjeçar i autorit referoi vlerësimin e Akad. prof. dr. Jani Angjelit se: “Të lexosh librin ‘Belbëzimet e pyllit’ të dr. Selman Mëziut është kënaqësi e veçantë, sepse aty shquhet pasioni, njohuritë dhe dashuria që ka ai për natyrën e bukur dhe veçanërisht për pyjet e Shqipërisë”. Nga ana tjetër, ai vlerëson se kur lexon këtë libër të shkaktohet një keqardhje dhe trishtim, kur vë re dëmtimet e mëdha që janë shkaktuar në natyrë, veçanërisht në pyje, nga njeriu e jo nga ndonjë katastrofë natyrore, të përshkruara me aq hollësi nga autori.



Akademiku i mirënjohur Jani Vangjeli, që në hyrje të këtij libri i bashkohet revoltës së sinqertë e të drejtpërdrejtë të dr. Selman Mëziut, ku rasti më tikpik ku shprehet kjo revoltë është në parqet kombëtare, në artikullin mbi Lurën, i cili fillon me shprehjen “O sot, o kurrë!. Kjo për faktin se Lura, rasti tipik i dëmtimeve që janë shkaktuar nga njeriu përfaqësonte një nga parqet me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtre, për vlerat e rralla shkencore dhe peisazhiste, dhe si e tillë ka qenë kandidate për nominimin në “World Natural Heritage”, të mbrojtur nga Organizata Botërore e UNESCO-s, por që nuk u propozua asnjëherë për shkak të dëmtimeve që janë bërë me prerjen e drurëve, veçanërisht në vitin 1997.

Për prof. Jani Vangjelin, (tha Ing.Gjon Fierza): “Për t’u adimiruar janë përshkrimet e terrenit, gjeomorfologjitë, majat e maleve, pyjet dhe peisazhi në përgjithësi, me një stil prej shkrimtari me përvojë, pa lënë mënjanë dhe dëmtimet që janë bërë në këto zona, si në Parkun e Karavastasë etj, ndërkohë që vazhdon me pasion përshkrimin e zonave të tjera, të bukurive dhe të masave për rigjenerimin e tyre, si: bredhi i Sotirës, Parku Kombëtar Korab-Koritnik, i Bulqizës, Martaneshit etj. Dhe jo vetëm kaq. Akad. Prof. dr. Jani Vangjeli vlerson fisnikërinë e Dr.Selman Mëziu të cilën ai e shpreh edhe nëpërmjet përshkrimit human që ju bën kolegëve të tij të paharruar, si agronom Tomson Nishani, prof. Dalip Habili, mrsc. Haki Kola si edhe atyre që janë gjallë, të tillë si prof. Vezir Muharremi, dr. Parim Çarçani, inxh.Vehbi Dermani, inxh. Daut Kroi, inxh. Kleanthi Mandi, mrsc. Gjon Fierza etj.


Shaqir Çerpja: Selman Mëziu nuk shkruan për t'u dukur….


Poeti dhe publicisti i mirënjohur Shaqir Çerpja e vlerësoi shumë të bukur këtë takim promovues, sepse sipas tij: “ … në sofrën muhurrake, në këtë sofër e në këtë vatër të mençurisë dibrane, ka folur dhe flet mendja e hollë e Dine Hoxhës, pena e mprehtë e Kamber Farrukut, shkëlqimi i penës dhe suksesi i shumë të suksesshmit Halil Rama, "Mjeshtër i Madh", autor i dhjetra librave, midis të cilëve spikat kryevepra-kryelibri i tij "Muhurri-histori dhe personalitete"…, ka folë e flet romani, poezia dhe kënga e Naim Berishës, por dhe pena e studiuesit Besnik Këbej e të tjerë”. Ndërkohë ai vlerësoi se në këtë sofër dhe vatër të mençurisë dibrane është ulur, është ushqyer, ka shkruar dhe është afirmuar edhe shkrimtari me vullnet e talent të spikatur, Selman Mëziu.

Me fokus analizën e librit “Brenga e qelbëzuar e kohës”, Shahqir Çerpja shprehet se: “Shumë nga ne në këtë sallë, më përpara se të takonim e të njihnim fizikisht Selmanin, kemi njohur penën, punën, shkrimet dhe krijimtarinë e tij. Sepse Selmani ka shkruar dhe ka botuar në disa organe shtypi shumë kohë e vite më parë, që në rininë e tij”.

Po. Selman Mëziu nuk shkruan për t'u dukur. Nuk shkruan për të kërkuar, për të gjetur dhe për të bërë miq fallco dhe as për të marrë vlerësime e çmime. Sh.Çerpja thotë se Ai nuk shkruan për të tërheq e marrë vëmendje dhe për të bërë emër, por ai shkruan me shpirt e zemër për atë që sheh, për atë që ndjen dhe mendon.

“Përveçse njeri fisnik, ai është njeri i dlirë dhe me shpirt të lirë, pa komplekse dhe i pavarur nga askush e asgjë, as nga politika dhe as nga interesa të tjera meskine. Ai është besnik i të vërtetës dhe i të drejtës, të cilat as nuk i shet dhe as nuk i shkëmben me asgjë. Të drejtën dhe të vërtetën i beson dhe i mbron. Ai është vëzhgues i vëmendshëm i realitetit, i jetës dhe kohës.

Prej shumë vitesh ai jeton dhe punon larg, jashtë atdheut, por shpirti, zemra, mendja, malli dhe meraku i tij janë këtu në Shqipëri, në atdhe, sepse atdheu është motivi dhe motivimi i tij”, shkruan Shaqir Çerpja në parathënien e këtij libri.

Poeti e publicisti Sh.Çerpja vlerëson penën e Selman Mëziut që ka kënduar për atdheun dhe dëshmorët e atdheut, për punën dhe njerëzit e punës, nërkohë që ka qarë dhe qan për dhimbjet dhe plagët e atdheut, për fshatrat e braktisur e të boshatisur, për udhët pa udhëtarë, për arat djerrë dhe për livadhet pa kostarë, për shkollat pa fëmijë dhe për prindërit në vetmi, për rininë e larguar dhe për pleqtë e harruar e të trishtuar, për bjeshkët pa stane, pa dele e kumonë dhe për dasmat pa dasmorë.

“Jo të gjithë e dinë, pak kush e din se sa shumë ka punuar, eshtë lodhur, është munduar e stërmunduar duke kërkuar për të gjetur dhe evidentuar çdo detaj, deri edhe çdo sipërfaqe e toponim për hapësirën e luginës së Drinit, që nga Luznia e deri në skajin fundor të Dibrës, tek ura e Dodës në Reç, sipërfaqe kjo që rrezikohet të përmbytet e mbytet nga hidrocentrali i Skavicës”, - tha ndër të tjera Shaqir Çerpja.

Në këtë këndvështrim autori Mëziu mori vlerësime edhe nga Munir Hoxha, mishërues dhe përçes i urtësisë e mençurisë dibrane, i vlerave më të spikatura njerëzore dhe intelektuale, që në unison me shoqatat përkatëse dhe me kurajo qytetare ngre zërin kundër përmbytjes së Dibrës nga i ashtuquajturi HEC i Skavicës.



Azis KETA: 37 faqe referenca dhe refleksione

nga libri “BEKIME SHTATORES SË DIJES”


Studjuesi i zellshëm i historisë Azis Keta, e përqëndroi diskutimin e tij në faktin se gjatë leximit të librit të dr. Selman Mëziut “Bekime shtatores së dijes” ka gjetur burime të reja që e ndihmojnë në studimet e tija modeste. Ai tha se nga ky libër me 405 faqe që ka në epiqendër historinë skëndebegiane ka nxjerrë 37 faqe referenca dhe refleksione.

“Dr.Selman Mëziu ka burime referencash pafund nga autorë të shumtë, prej të cilëve nuk mund të ikësh pa shënime. Ai, me bibliografinë e burimeve të bën të mendohesh rreth të vërtetave, që ‘mund të mos jenë të vërteta absolute’. S.Mëziu, edhe kur polemizon se cili është autor i vërtetë i historisë së Skëndebeut, Barleti apo Beçikemi, ruan ekuilibrat. Ndonëse duket se anon nga Beçikemi, Barletin e quan ‘penë e artë”, - shprehet Azis Keta.

Nisur nga fakti se S.Mëziu njeh dhe aplikon metodën e kërkimit shkencor, studjuesi Keta thotë se Ai e arrin këtë pasi shkon tek toponimi, tek ngjarja historike dhe ofron zbulime (që të paktën ai pohon se i mëson për herë të parë). Madje kjo sipas tij është arsyeja që dr.Selman Mëziun nuk mund ta lexosh pa shënime, sepse në 18 fletë të librit (Troja pellazgjike, fq.9-27) ofron 13 tituj që ka studjuar, veç referencave të cituara.

Për studjuesin Keta, risitë në këtë vepër shmëdimensonale konsistojnë në faktin se Dr. Selman Mëziu, nga toponimi shkon tek ngjarja historike, jo me folklorizëm, por me burim arkivor dhe historik.

Këtë të vërtetë e pohoi edhe shkrimtari Ramazan Kica, autor i studimeve të thelluara për historinë skënderbegiane, të botuara në dy vepra shkencore.

Poetja Barie Çupi, dhe jo vetëm, përveçuan një karakteristikë tjetër të Dr. Selman Mëziut: jo vetëm bujarinë por edhe kompetencën profesionale me të cilën i komenton poezitë e saj, jo vetëm ato të botuara në katër libra, por edhe poezitë që ajo preanton në rrjetet sociale.

Ja pse admirohet kudo në qarqet akademike e krijuese ky personalitet i shkencës, letrave e publicistikës.

67 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page