top of page

"Kojrillat "...



"Kojrillat "¨një prurje e re në jetën artistike Refleksione mbi një roman postmodernist dhe një vështrim i shkurtër në prozën e Fatmir Terziut.

Pak kohë më parë ndërsa po lexoja disa fragmente të romanit “Kojrillat“, të Fatmir Terziu, që ishin të hedhura ato ditë tek “Fjala e Lirë“, i kam shkruajtur me emocion në postën e tij private, se “po më le vërtetë pa gojë“. I konceptuar në mënyrë krejt moderniste në strukturë e hapsirë, po më dukej se vepra dallohej dukshëm në një tjetër formë, në ngjeshje, në leksik, por edhe me një lloj dinamizmi të ngjarjeve që merrte përsipër të trajtonte, miku im i vjetër, në romanin e tij të ri. Dhe këtu më duket se nuk gabova. Këtë e verifikova menjëherë më pas, sapo libri më ra në dorë këtu në Bordo të Francës, ku banoj dhe jetoj prej disa vitesh në emigracion. Por pse u ndjeva mirë për Fatmirin ? Ndryshe nga dy romanet e tij të mëparshëm "Grykës" dhe "Bunari", "Kojrillat", është dukshëm në një shtrat post-modernist, ekzistencialist. Është e natyrshme që një krijues me formim si Fatmiri, i njohur, me shumë kontribute edhe në disa fusha, si ato të studimeve, kritikës dhe analizës së fenomenëve letrare e në publicistikë, por edhe kineast dhe historian, të themi, të ksperimentojë edhe më gjërë, me qëllimin që ky lloj eksperimentimi të mos jetë vetëm si një lloj ekperience e tij personale në këtë fushë. Nga kjo pikpamje i jap plotësisht të drejtë, ndonëse modernizmi si një lloj rryme dhe filozofie ka kohë që ka trokitur në Europë, që në fund të viteve 30 të të shekullit të kaluar, me Natali Sarrot (Nathalie Sarraute 1900-1999), që për ne shqiptarët ka qenë në fakt një "mollë e ndaluar", jo vetëm për shkak të izolimit gati gjysëm shekullor, por edhe se partia shtet, në piketat e saj kishte vendosur realizmin socialist si një surogato në art e letërsi. Por Fatmir Terziu nuk është aspak i vetëm që në periudhën postmoderniste, me romanin në fjalë, hedh një hap të rëndësishëm në krijimtarinë e tij, dhe tenton njëkohësisht që të "eksperimentojë" në spektrin e gjatë të rrymave të modernizmit. Natyrisht që gjatë kësaj kohe plot krijues të tjerë shqiptarë, kush më shumë e kush më pak, i janë larguar formës ideologjike që i mbante të mbyllur dhe të lidhur me fije të padukshme, ose edhe krejtësisht hapur me real.soc., duke futur në veprat e tyre kësisoj një frymë krejt të re, me raporte e masë, që me këtë rast vendosen në krijimtari nga zgjedhjet personale të gjithësecilit. Këtë e dëshmon më së miri e gjithë vepra artistike e krijuar në këtë periudhë të fundit, jo vetëm nga autorë seriozë e të formuar shqiptarë brenda vendit, por edhe në emigracion ku gjendet shumica e tyre. "Romani "Kojrillat" në fakt është një ngjarje dhe risi në jetën artistike të një krijuesi si Fatmir Terziu, Këtë konstatim me të drejtë e bën edhe kritiku e studjuesi Fatmir Minguli, në një shkrim të botuar para ca kohësh në median shqiptare brenda dhe jashtë vendit, duke e quajtur "një roman mbi triumfin psikologjik të arsyes mbi absurdin"

Unë do të shtoja në këtë mes se, subjekti tek "Kojrillat" tejshkohet fund e krye nëpërmjet një aureole dhe një fryme të qëndrueshme ekzistecialiste. Autori ka ditur mjeshtërisht, sipas mendimit tim, që të luaj me hapsirat dhe kohët ku i vendos personazhet, por dhe ngjarjet pothuajse fikcion, në këtë roman, me një kombinim midis reales dhe ireales artistike plot simbole. Terziu kërkon që të duket tepër realist kur përshkon dhe vizaton me detaje e imtësi njerëzore, me një ngarkesë tepër të dukshme emocionale, ambjente dhe njerëz që lëvizin në faqet e romanit të tij, ku nuk mungojnë në rastin konkret, as përjetimet nga jeta e tij personale. Nuk e di pse, por personazhe, si Zejnepi, Lenini, Lutfiu e të tjerë, më duket se janë gdhendur mjeshtërisht me një dozë reale nga dora e autorit. Janë krejtësisht të besueshëm dhe të vërtetë. Të krijohet menjëherë përshtypja se, ata dikur i ke njohur dhe takuar në mjedise që pothuajse janë të përafërta me ato që na sjell autori, si në këtë vepër artistike. Pa pretenduar që të analizoj "me laps në dorën" ngjarjet dhe subjektin në tërësi, për të mos përsëritur atë çka kanë bërë në analizat e tyre përpara meje edhe mjaft krijues dhe artikullshkrues të tjerë, për romanin "Kojrillat", desha që të nënvizoj veçansinë e krijimit më të fundit të Fatmir Terziut, në prozën e tij që përfshihet në tre romanet që ka nxjerë për botim në harkun e këtyre tre viteve, dhe që unë, jo vetëm si një miku i tij i vjetër, por edhe si lexues e koleg, i kam përcjellë me emocion. Kam ndjekur njëkohësisht edhe rrugën e tij në prozën e gjatë në këto vitet e fundit, e cila për mua, ashtu siç theksova edhe në fillim të këtij shkrimi, shënon një ngjitje dhe rritje të admirueshme dhe krejtësisht të besueshme, gjë që flet se autori në këtë fushë, po tregon tashmë se po shkon drejt një pjekje dhe formimi të plotë. Këtë konstatim vetjak i a kam shkruar edhe privatisht Fatmirit, si një bindjen time personale, në mesazhin që i nisa kur zuri që të prezantojë mediatikisht romanin e tij të ri. Ajo që më ra në sy në këtë vepër të fundit të Terziut, ka të bëjë me një përqasje dhe përdorim të efektshëm të "alternativave" që ofron autori si një stil i ri, midis publicistit, shkrimtarit, historianit dhe studjuesit. Unë mendoj se shijohen në një roman të tillë post-modern, madje e bëjnë më interesant veprën në fjalë. Ndryshe nga disa autorë të tjerë modernistë, ku mungon tërësisht subjekti, Fatmiri bën një përqasje tjetër, nivelon e rrafshon hapsirat, pa kaluar në deheroizimin e persoanezheve të tij. Dhe këtë e bën me guxim të palëkundur. Gjithësesi ky është një hap i mirë dhe serioz. Kjo e tërra merr vlerë e krahasuar gjithmonë me dy romanet e tij të mëparshëm. Ndërsa në romanin i tij të parë "Grykës", ndjehet një lloj pasigurie dhe një ngutje për ti mbyllur gjërat në vepër shumë shpejtë, gjë që vjen sipas meje, nga mungesa e përvojës së autorit, në këtë fushë të prozës së gjatë, tek "Bunari", romani më i pastajmë i Fatmirit, ka fund e krye një lloj vizioni skenaristik, mbase kjo edhe për faktin se autori është marrë gjatë dhe vazhdon që të merret edhe me gjininë e filmit. Unë kam shkruar herët për këto dukuri të asaj kohe kur u përcollën për lexuesin e gjërë, jo vetëm internetik, këto vepra artistike. Por si gjithçkah në këtë botë është dhe mbetet në një evolucion të papamë dialektik, Fatmir Terziu, këtë rradhë ka sjellë një vepër krejt ndryshe, e cila në thelb nuk është një ngjarje jo vetëm për autorin, por edhe për ne miqtë e lexuesit e tij të shumtë. Kjo jep shpresë, se shumë shpejt do të kemi midis nesh, në fushën e letrave shqipe një autor të ri më të pjekur e më të formuar, që mund të të lejë në rrugën e mundimshe edhe gjurmë. Pse jo?

6 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page