top of page

“KLOROFORM”; NJË NORMË MODEL E PSIKANALIZËS NË PROZË


Klara Buda

“KLOROFORM”; NJË NORMË MODEL E PSIKANALIZËS NË PROZË


Dr Fatmir Terziu


Romani “Kloroform” i autores, Klara Buda, është ndoshta romani i parë i kësaj autoreje me formim të gjerë intelektual dhe krijues, por dëshmon hapin e saktë dhe domethënës në fushën e prozës shqiptare. Romani paraqet një psikoanalizë të fortë të një ndërthurjeje midis prseptimit dhe njohjes, midis hapësirës dhe kognicionit duke krijuar kështu një vëmendje të ndjeshme ndaj tij. Kjo prozë zbulon dritëhijet e diktaturës komuniste, në një mënyrë krejt tjetër, në një rrugë të pashkelur më parë, dikton këto dritëhije që në mënyrë tinzare ndëshkuan jetën e pafajshme femërore në emër të moralit komunist dhe rrënduan mbi fatin e femrës. Ky roman nuk është një rrëfim i thjeshtë historik, as edhe një dëshmi jetike, por një metamorfozë e qetë psikologjike e jetës, më qartë, është një protestë shpirtërore që tejzgjatet në mënyrë filozofike mes tolerancës dhe faljes, vyrtytit dhe moralit, fatit dhe jetës. Është një prozë që udhëton vite pas për të ndërtuar fatin e privuar dhe të ndëshkuar të femrës në diktaturë, jo thjesht si një fabulë, por si një dëshmi e padiskutueshme për kohërat. Romani është edhe një vështrim femëror mbi botën shqiptare, atëkohë maçiste, falë syve modernë por jo feministë.

Është një promemorie e shkruar aq ndjeshëm dhe rrjedhshëm sa fjalët e dhimbshme e vendosin në vështirësi vetë tolerancën, faljen, vyrtytin dhe moralin. “Kloroform” përzgjedh të pathënën deri më sot në një mënyrë të tillë prozaike për atë gjysëmshekull mizor nga goja e një femre krijuese për vetë fatin e femrës së asaj kohe, për vërsniket e saj. Dhe natyrshëm këto vërsnike me fat të ngrirë në morgun e komunizmit edhe pse kanë një emër me identitet të dyzuar në roman, kanë një fat të trishtë, një jetë të ngushtëzuar, një fat të privuar. Na vijnë ngadalë risqe jetike që kapërcehen nën emrin e Alma Fishtës dhe na shkulen pjesë trupore nga dhimbja në identitetin e remë që vjen si një asfiksi e jetës nën kloroform, diku me emrin Luiza Kodra për Alma Fishta. Një paralele kjo që gjendet në mjeshtrinë e Remarkut të papërsëritshëm, kur vuri numrat e nazizmit në kujtesë të ngjashme me prozën e “Kloroform”. Identetete të reme! Identitete që fshiheshin nën emra Marenglen Qani Qeni, nën trupa-bust mashkullorë që kryenin të njëjtin veprim paralel historik ndaj fatit të njeriut femër si në kohën e nazizmit. I vetmi ndryshim vrasës mes dy këtyre fateve historike ndihet nën zhurma të ndryshme vrasëse. Për të parin ishin krematoriumet dhe për të dytin ato bodrume të gjata e të lagështa, të errëta ku kryhej qepja femërore për të mbajtur lart moralin e komunizmit. Atë moral që ndrydhej e ndryshkej nën morseta e pinca, gjilpëra e klorofom për të ndikuar mbi fate femrash e jetë njerëzish me identitet “involuntary euthanasia” (eutanazi jodëshiruese, ose vrasje të padëshiruar). “Morgu ishte një sallë e gjatë ku muret, tavani dhe gjithçka që ndodhej brenda saj, ashtu si paradhoma, qenë lyer me bojë vaji gri të çelur”, shkruan Buda.

Në këtë pikë “Kloroform”, dikton më shumë kujdes. Një kujdes që bëhet thirrje e brendshme e ndërgjegjes, që bëhet strukturë e dhimbjes. Ngjyra gri boshatiset gradualisht dhe shfaqet ngjyra rozë e qelqtë, si një simbolikë me trekëndëshin, formë e cila vinte si shenjë e baxhes, por edhe si një paralele me dekoratat dhe ‘punën’ e morg-mbajtësit, përgjegjësit, Marenglen Qani Qeni. Në këtë përgjegjësi, po aq edhe nën simbolikën e një emri të krijuar bukur, vdekja dhe morgu marrin një kuptim tjetër në roman. Raporti i vdekjes vjen në një raport të ndjeshëm me ngjyrat. E kuqja e sfiduar me pak të bardhë, që formon rozën e preferuar të përgjegjësit, nuanca bezhë e mishit të pajetë të kadavrave dhe ftohtësia e hirtë e mureve janë një mishërim i asaj diplome që varej në murin e morgut, një diplomë që liçensonte vdekjen e asaj salle me emrin morg. Edhe pse një punë e helmuar mbetej kësisoj e dhuruar për tipin e Marenglen Qani Qenit, pasi ai dhe drejtori kishin të drejtën e hapjes dhe mbylljes së morgut. Një punë socialiste, që dukej ndryshe nga të tjerat, që dallonte nga dekoratat e mara pas vdekjes, një morg që ndodhet fizikisht disi larg nga ministritë, por që gatuan çorbën e tyre me jetën, një bulevard “Stalin” që shihet qartë nga klinika, një jetë rinore që gatuhet në një Universitet ku gjallojnë mendimet rinore, një mori karakteresh që sjellin progresiven si kundërvënie të regresives, një dimension disi kushtëzues nga morali komunist, diktatura që kërkon në tërë këtë amorfitet jetik armikun e jashtëm nga sinjalet ajrore, njeriu i ri që gatuhet me urdhër nga lart, arti që prodhon humor, dashuria e sfumuar nga morali dhe transplantimi i himenit, mbesin disa nga shtysat për të lexuar ngeshëm romanin, e që në rrëfimin e Budës vjen me distancën epike të rrëfimit.

Distanca epike e rrëfimit

Duke udhëtuar me frymëdihatje të shtrënguar mes emocioneve që të përkthehen herë në lotë e herë në inat njerëzor, mes faqeve të romanit natyrshëm e ndjen edhe distancën epike të rrëfimit. Buda e shoqëron këtë distancë me një kërshëri të bollshme njohurish që vijnë në formën jolineare të ndodhisë, për të ngushtuar ndjeshëm hapësirën dhe vitet që i përkasin më së shumti periudhës 1960-të. Këtu autorja shfaqet në funksion të dyfishtë. Ajo shfaqet e qetë si një personazh që tregon ngjarjet e romanit, por rishfaqet rishtaz e dukshëm si pjesëmarrëse e drejtpërdrejtë në ngjarjet që ajo i rrëfen mjeshtërisht. Dhe këtu ridimensionohet rrëfenja e saj pasi gjendet në rolin e tregimtarit, ku pozicioni i saj është paksa më i tërhequr, sepse nga koha kur kanë ndodhur ngjarjet e deri në çastin që ajo i detajon artistikisht thuajse ka kaluar një periudhë e barabartë gati me moshën e saj. Ajo me këtë ndërhyrje tipike e të arritur synon dhe realizon bukur të rrëfejë në mënyrë objektive, por pa shfaqur emocionet e veta, pa u ndikuar nga toleranca, falja, vyrtyti, vesi, fati dhe jeta, si aspekte të filozofisë së aplikuar në tërësinë e ngjarjeve. Në disa episode, pikërisht kur autorja kërkon të ngushtojë distancën epike të rrëfimit ajo shpesh bie në një pozicion subjektiv, por që anashkalohet nga ndërhyrjet e saj të zbuluara në folk-traditën vargore shqiptare në lidhje me këtë temë. Duke përdorur këtë linjë dhe duke dhënë më shumë të dhëna edhe për ndodhi jashtë ngjarjes, Buda realizon me art-vlerën e mesazhit të kombinuar dhe tejkalon hapësirën lodhëse në prozë. Kësisoj romani mbetet tërheqës edhe përpos distancës epike të rrëfimit. Vënia e epilogut në disa raste e karakterizon këtë distancë dhe e fuqizon arsyen për ta lexuar dhe parathënë arritjen e autores. Këtu ajo shfaqet si një person në veprim, e detajuar në mënyrë të tërthortë dhe realizuar me cilësi psikologjike. Ajo ndërthur cilësitë e veçanta me cilësitë e përgjthshme. Kështu me plot gojën mund të themi se Klara Buda, përbën karakter letrar të qëndrueshëm, prekës, domethënës, që pa as më të voglën arsye mund të jetë ushqim i një filmi artistik me metrazh të gjatë, ku rolin jetik e merr jo vetëm koha dhe fati jetik i femrës në Shqipërinë komuniste, por më gjerë, pra mbetet dhe është vepër globale. Ajo me një stil të ndjeshëm ka gjetur heroin e veprës dhe me të ka gatuar fabulën, pa e lodhur lexuesin dhe kritikun e saj. Heroi kryesor i romanit, edhe pse një femër, të cilën e njohim nga kornizat e saj krijuese, jo vetëm nga ligjësitë letrare, ndryshon në thelb jo vetëm sipas modulit të letërsisë, nga një gjini në një tjetër, por nga mesazhi, emocioni dhe vetë fabula që e rrethon dhe e shoqëron deri në fund. Teorikisht, Alma Fishta, është një lidhje e detajuar e pjesëve të veçanta të romanit, duke kryer edhe fuqizimin e motiveve dhe njësive të tjera të fabulës që ka prurë fuqimisht në mesin e letërsisë shqiptare një autore si Klara Buda, me formim perëndimor.

Fuqizimi i njësive të tjera të fabulës

Ky roman ka një linjë të prekshme në fuqizimin e njësive të tjera të fabulës. Kryhen në mënyrë të strukturuar grupimi i ngjarjeve, raporti dhe lidhjet e tyre në mënyrë që të qartësohet natyra e veprimit të Alma Fishtës, e cila na jepet e goditur në këtë mes dhe një pjesë e motiveve e shquajnë atë nga grumbulli i personazheve të tjera që theksojnë rolin e saj në zhvillimin e ngjarjeve. Po të kemi parasysh novelën “Natë me hënë” të shkrimtarit Ismail Kadare, ku personazhit të kësaj novele, Marisë, i kërkohet çertifikata e virgjërisë për ta shkatërruar atë moralisht, edhe pse që në fillim të leximit na shfaqet e qartë figura virgjërore e saj, natyrshëm kuptojmë më qartë edhe misionin e autores. Por në romanin e Budës, ky element vjen i ndërthurur me jetën që prodhon femra si nënë. Pra disi më ndryshe, më afër psikoanalizës.

Çështja e fatit të femrës ka qenë vendimtare në historinë e psikoanalizës, edhe pse fati i saj ka qenë i trazuar. Steven Marchus tek hyrja e përshkrimit për librin e Frojdit, e quan diskutimin e tillë për elementin femër pas cilësimit të Frojdit një "tragjikomedi" në fjalë (1975:XXXVIII). Ndërsa, qëndrimi dhe mendimi i Kate Millett, tek “Politika seksuale” botim i Ballantine në Nju Jork, ka qenë si një pyetje e “futbollit shkencor apo një moçal i dezinformimit paragjykues" (1969:164). Por në fakt askush nuk del se ishte më i përkushtuar rreth subjektit në fjalë se sa Frojdi. Disa gjejnë shprehjen e pasigurisë së tij nga shkrimi i tij i parë me temë rreth femrës dhe seksualitetit, më qartë nga deklarata e tij tek statementi i “Tre eseve për teorinë e seksualitetit” (1995). Ata gjykojnë dhe argumentojnë në mënyrë akademike rreth këtij fati të çliruar kohë më parë teorikisht nga teoria e psikanalizës së Frojdit. Ndërsa në letërsinë shqiptare këtë e ndeshim në forma të ndrydhura, elementi prozaik bashkëkohor i Budës, bën që ky ridimensionim psikoanalitik të depërtojë rishtaz si një koherencë kohore. Kështu çështja e fatit të femrës, edhe pse e vëzhguar artistikisht në diktaturën komuniste vjen si në një pasqyrë normative për të parë e analizuar qartë.

Lidhja me jetën: një jetë brenda jetës së nënës

Nuk është thjesht një bisedë e protagonistes, Alma me karakterin Maksi, që rrjedh mes çajit të trëndafilit të egër me doza ideale thartie, që mikset me ‘infuzionin’ Rosa Canina që pritet me konjak Skënderbeu, dhe kur mungon me fërnet, por një bisedë që zbulon një pjesë të fabulës për ‘moralin komunist’, në lidhje me mbajtjen e një fëmijë nga një marëdhënie me një të zhdukur nga azili psikiatrik. Është fjala e zgjimit të fabulës në një shtrat ku synon të flejë një jetë brenda jetës së nënës, një dualitet që riskon këtë jetë për shumë arsye të asaj kohe. Dhe në këtë dialog rishfaqet situata që sqaron botën studentore të studentëve të degës së Veterinarisë, që janë në thelb protagonistë dhe dëshmitarë të mjaft situatave tërheqëse dhe rrënqethëse në roman, sidomos me lidhjet që vijnë nga praktika e farmologjisë. Një lidhje paralele udhëton në kohë dhe hapësirë për të ndërtuar mesazhin. Herë në këtë lidhje gjen hapësirën studentore, herë intelektin e ndrydhur të kohës, herë artin e diktuar e të transformuar, herë diktatin e një shoqërie që më së shumti rrënkon mbi plagë femërore të pafajshme, herë bojën dhe lojën e së vjetrës me të renë, që nxjerr inatin duke zarfuar edhe ‘një palë mbathje vishnje të errët’ të përfunduara deri në sektorin e Kulturës në Kryeministri. Një lidhje kjo që sa inatçore, hakmarrëse dhe poshtërruese për vajzën e titullarit të lartë zyrtar, shton edhe kërshërinë për të lexuar me nge faqet e romanit. Më pas klinika e kafshëve të vogla të fakultetit të Veterinarisë ngrihet në roman si një paralele me morgun që Marenglen (shkurtimi i emrave Marks, Engels dhe Lenin) Qani Qeni kishte në patronazh. Është kjo lidhje morg-përgjegjës që del me nuanca të errëta në “Kloroform”. Është pikërisht ajo që Charles J. Stivate e quan “vrimat e zeza” (“black holes”) duke analizuar mendimin filozofik rreth zbrazëtisë dhe errësirës së prodhuar nga filozofët Deleuze dhe Guattari.

Një nyje morali në këto dialogje është edhe fati i Ariana Gurit, studentes që u soll ‘kartë postale’ me një fëmijë me ngjyrë në çantë, duke murrosur dhe fundosur fatin dhe lirinë e nënës beqare. Dhe Ariana si mjaft karaktere të tjera s’kishte gjetur melhem tjetër përveç morfinës. Por, një lloj ‘morfine’ tjetër shfaqet në roman me prezencën e artit të dyzuar, muzikës, Lidhjes së Shkrimtarëve që kërkonin të krijohej për Partinë, dhe identitetit që kishin dashur t’i impononin Alma Fishtës: “Luiza Kodra, datëlindja 31 Janar 1959, Vendlindja Kir, Mirditë, Ndërprerja e barrës, motiv psikologjik”.

Duke përfunduar

Udhëtimi në “Kloroform” mbetet një arsye. Një arsye që prodhon të fshehtën. Të fshehtën e mohuar. Të mohuarën e harruar. Tërë këtë udhëtesë drithëruese që mbetet mes fletësh të kësaj vepre letrare. Tërë këtë art që na mbetet në memorje. Një mbetje që lë gjurmë për të djeshmen, për të fotografuar të tashmen e për të kompozuar të ardhmen. Një imagjinatë që në këtë udhëtim trefish kërkon detajin e fatit të jetës. Të jetës femërore që prodhon jetën. Jetën që dikur vritej në identitet të remë. Identitete kartelash…në këtë jetë plot fakte që freskohen nga një stil i qëlluar letrar e që na rishtjellojnë kompleksin e fabulës. Diku shohim dhe ndjejmë para syve edhe jashtë gërmave, jashtë gjuhës së bukur e intelektuale të autores tërë këtë angazhim letrar. Një angazhim që mjafton të thuhet edhe kaq: Kartela vrastare, që kundërshtohet nga Alma, robdëshambri i klinikës, Zoti si një arsye që shton më tej dualizmin e shtetit laik dhe njerëzve të privuar nga e drejta e besimit, barra, gruaja që shpurri ‘brekët deri në Qeveri’, rishfaqja e Qanos, kloroformi me erën e fortë të tij, kirurgu dhe loja e ndyrë e tij me gishtat, mesnata e tmershme, dhe … “Në emër të Popullit jeni e arrestuar!”. Lehja e qenve, më pas dhe goditja e çiftes si një refren i përnatshëm, zbulon atë krahasim të bukur e tronditës që lidh turmat e qenve, që turen mbi trupa të pavarrosur, me fatin e përcjellë nga gratë rome që diktojnë vëmendje tjetër në pak fraza domethëse për fatin e keqtrajtuar të lirisë së femrës. Duke u shfaqur me postulatin e mirëgjetur “mëmësia, realiteti i vetëm që i shpëton diktaturës” ajo provon ikjen nga ajo klinikë tronditëse dhe me fjalinë shumë domethënëse: “[qentë] ato qenie të mjera të lëna në mëshirën e fatit nuk mund të depërtonin me dhëmbët e tyre aq thellë sa bisturitë e krimit…”, ajo transformon krimin e penetruar në dikasteret ministrore që puqen në perspektivë. Kësisoj, forma narrative ose ajo që quhet “stream of consciousness” ndërhyn jo vetëm, siç përdoret tradicionalisht për të shprehur monologun e brendshëm, por edhe për të shprehur atë pjesë që i mungon dialogut e që ngelet ne stadin e të menduarit. Nuk arrin të materializohet në fjalë, pasi autoçensurohet. Autorja nuk merr përsipër të konsiderojë një prozë për të shfaqur tiparet e karakteret e feminizmit, as edhe të asfiksojë fatin e femrës në komunizëm, por në mënyrë artistike na sjell një roman që qartëson faktin se komunizmi ishte një përgjigje e humbjes së moralit të humbur të tij. Ajo na përcjell mesazhin e qartë përmes një fabule prekëse duke bërë detyrën e shkrimtares, dhe proza e saj e rrjedhshme vjen duke udhërrëfyer qetësisht dhe me mirësjedhje lexuesin të bëjë detyrën e tij imediate.


18 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page