KARAKAFTJA
Tregim Nga Fatmir Terziu
E hidhura është shija e humbjes. Humbja villiset nën hijen e Tjetrit. Tjetri është edhe vetë villisja. Villisja e kapjes së shpirtit tënd. Si melhelm i timbrit të një përralle, ajo të tërheq për të fjetur. Të ngulfit ngadalë derisa të të gllabërojë të tërën. Ndërsa petalet thërrasin gjethet, koha është vetë koha që ju të largoheni. Thjesht të ringjallesh, sapo të jetë koha e duhur. Atje poshtë. Fare poshtë. Në rrënjët e tua, pranë rrënjëve të Tjetrit. Poshtë…
Poshtë në një lëndinë kanë ngritur kryet. Kryet e midisura mes luleve. Thua të harruara? Të harruara nga ujitja? Po. Edhe po aq, nga Natyra. nga shiu e lagështira. Disa trupshpërthyes. Trupndryshëm. Inatçorë. Mëkëmbës. Të patërheqshëm. Të pandreqshëm. Ferrorë dhe ferracakë. Një skenë filmi horror. Sytë depërtojnë. Mësyjnë, aq sa mund të bëjnë një detyrë kureshtare. Të tillë, thjesht si detyrim sysh në dritë të ëndrrës. Dhe sytë janë në dritën e errësirës. Në atë larushi drite të errësirës ndjejnë lëvizje. Ndjesia i shpërqëndron. Përhumben kaftinë. Kaftina të përqëndron dhe sheh se si një heroinë shpëton mes errësirës tipike. Dhe pastaj sytë, sikurse ndodh me sytë, ujësohen teksa hapen dhe dalin nga ëndrra në dritë. Lotojnë!
Lotojnë ... për atë Karakafte?!
Gjithçka është akoma atje. Është atje, përveç frymës së saj të përtëritjes. Përveç erës së largët, që e ndiqte. Përveç asaj që e quanin dhe quhej lëvizje. Nuk lëviznin më flokët. Nuk lëvizte më fundi i saj i lehtë me pala. Nuk lëviznin bluzat e saj të najlonta, që i ndërronte përditë. Por nuk e besonin më sytë. Sytë si sytë, nuk e besonin as atë ditë... Karakafte!
Asnjë zhurmë nuk dëgjohej. Shkopsitej ullinjsh vetëm dihatja mes rënies së lehonisë së Shkurtit shtatëmendësh. Kjo lehoni, herë derdhte ndonjë pikël të harruar dimrake, e herë zbrazej me simfoninë dështake. Tek-tuk sfilitej në ajër ndonjë flokëz e bardhë, si qasje imitimi të asaj që shkonte tutje në majat më të larta. Nuk ndihej asnjë frymë. Spontanisht edhe fryma e tjetrit i ngjizej shgulatjes së drithërimës frikanake të drurit të thuprës në dritë të hënës.
Trupi i saj depërtonte. Depërtonte dhe ftohej. E ftohta pastaj bëhej zjarr në atë depërtim në mbrojtjen e një derdhjeje të vetme që afshohej në aromën e barit të prerë. Nga balli i tensionuar, dukej se nga momenti në moment po lehtësoheshin vijëzat e bardhësisë. Oguret e tyre zbardheshin, aq sa sytë kalonin në ngjyrim tjetër. Enkas sytë e lodhur shkonin e pikëtakonin më afër qetësinë. Mbeteshin mirënjohëse të pashprehura, të gatshme për të marrë një moment paqeje.
Një goditje e pamenduar e theu paqen. Paqen aq e përkujdesshme në atë fund. Dhe fundi u shkund me kërcitjen e përthyer të degëzave, që yshtnin pyllin tashmë të pështjellur avull nën batanijen e tij të mbroltë. Shtresa e braktisur nisi të pranonte vetvetiu habinë. Sytë e përhumbur nisën të hidhen hamendësisht drejt një barrikade më të errët. E errët sikurse janë të gjitha pyjet e dendur. Edhe pse ai quhej me vite Kurorë e Gjelbër. Kurorë e Gjelbër me të gjitha arsyet si e tillë. Me lule. Me zogj. Me qenër e buba të vegjël, që shkundnin veglat e tyre herë pas here në ftesat e paftesat e natyrshme të privacisë. Aty ishin edhe pjesët e justifikuara të Kurorës së Gjelbër. Trupthat kishin mish të ftohtë. Natyrisht ishin midis të gjithave dhe atyre që fikeshin në mjegulli. Të tjerat pjesë, ishin të pajustifikuarat.
Pjesët e pajustifikuara të ndodhi-gjendjes, i përkisnin asaj që shkruante moralin në fletore gjashtëmbëdhjetëlekëshe. E që andej morali transferohej me laps në dosje. Dosjet pikërisht në atë rast, zinxhirën një xhaketë të turbullt, ndërsa ajo përpiqej të qëndronte e strukur në një kënd të vetin, në atë kënd që ndoshta e rrokte vetëm syri vëzhgues, ndjekës, shkrues.
U dëgjua një grindje, një trung i zhveshur. Pastaj trungje.., trungje... Trungje për të dëshmuar, trungje të dështuar. Për të dështuar. E gjitha ndodhte në një dru të brishtë. Menjëherë u vu në shërbim hapësira e syrit, teksa sfidonte trupthat, që në raste të tilla kërcejnë. Hoptha-hopthen trembë-trembë, ose skelet-dorë-këmbë me një piskamë që shpërthen nëpër muret e zhurmshme të derdhura me material të ftohtë, të vendosur për të deklaruar atë dihamë të përdalë, si një piskamë e përshpirtjes së fundit të një shpirti të lodhur. Të nëpërkëmbur në ato dosje, në një arsye të joarsyeshme, si të saj.
Era kapte dhe godiste çdo vrimë që mund të gjente ajo. Dhe syri në atë mori trungjesh mbetej tashmë vetëm një përcjellës i fërshëllimës. Ajo, si e tillë, filloi të fërshëllejë rreth pamjes së zbehtë. Zhurmonte si një tornadë e gëzuar, pasi tashmë kishte kryer detyrën. Kishte për të kërcënuar. Kishte për të shkruar edhe nga pas gurëve të asaj rruge, që vite e vite më parë kishte pritur e përcjellë kuajt e kalorësit e Egnatias. Në anë të përcjelljes ndodheshin pishat.
Lëkura e pishave, nisi të ulet. E ku kuptohej ulja e lëkurës së pishave? Vetëm një sy qorr me dritën e errësirrës kaftinë mund ta diktonte. Tani ishte koha që syri vigjilent të harpallej.
Lutjet kishin kampionatin e tyre të fshehtë. Ndjen se nuk ka pushim për një kampionat të tillë lutjesh. E ata shkojnë përtej kambanave të Kishës së Kristoforidhit. Kamera ngadalë tërhiqet nga vrima e copëtuar, dhe shtyhet të zëjë vend siluetë mbi pamjen që zbret masivisht si në një pyll për t’u përballur me hënën në rënie të qetë mbi Shkumbin.
Heroi hedh tutje bishtin e lopatës. Është i fundit. Dorëzohet mbi britmat e zhurmshme në një gropë. Dhe shkon shumë më poshtë. Dhe, akoma më poshtë, se ajo që ndodh nuk është tashmë thjesht nga jashtë kornizës.
Mbyllja e syrit është dhe s’është e vetme. Një ekran me grimim të zi shpërpërit miska pafund në hapësirë. Qaset me letra të bardha të ndritshme. Vjen ngadalë duke u ngjitur lart, ku shkruhen lutjet. Zgjimi është tashmë një përrallë. Një përrallë që pret të ritregohet më 14 shkurt të vitit ... Të vitit me dy buzë, me dy palë binjakërisht të përhumbur. Dhe pastaj, një shpërngulje e gjallë në të bardhë. Fund?! Në të anët e hapura krahësh buzët thithin melhemin e duhur. Është ndryshe. Është Karakaftja e Ullishtes.
Artan Shyti
Pershkrim i bukur...te lumte " pena" vlla....Suksese...