Kadri Tarelli: VILHELME VRANA HAXHIRAJ, PYETET, PYET....... RRËFEN...!
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 8 hours ago
- 11 min read

VILHELME VRANA HAXHIRAJ, PYETET, PYET....... RRËFEN...!
“Kush jam unë.......!?”
Kam në dorë librin “Kush jam unë!?”, të autores vlonjate Vilhelme Vrana Haxhiraj, ose Vivra, siç i thërrasim shkurt në pseudonim. Lindur më, 08. 12. 1944, në Kaninën e lashtë, me prejardhje nga familja princërore e Gjergj Arianitit. Ndaj unë e thërras “Princesha e Kaninës”. Shkolluar e diplomuar në shkencat sociale, Histori-gjeografi. Një monografi interesante në ndërthurje, po ashtu edhe në shtrydhje e shtrirje të kujtesës, që ngjan si rrjedha e një burimi plot ujë, pa zhurmë e bujë.
Që në fillim, titulli tërheq si magnet çdo këndonjës, që do të mësojë: “Kush jam unë.....!?”. Ndërkohë Vivra shprehet në mënyrë dëftore: - Po ju rrëfej se kush jam unë......! Në vazhdim të mendimit, po i rendis disa nën-ndarje të përmbajtjes, sipas analizës dhe gjykimit tim:
- Rrënjët e fisnikërisë së lashtë, si medaljon i artë, për ta pasur dhe mbajtur në qafë dhe për t’u mburrur çdo njëri nga ne që e quajmë veten Shqiptar.
- Fëmijëria, dhe rinia, si mallkim për ta mallkuar: Kush e solli dhe kush e mbolli farën e komunizmit në truallin shqiptar.....!? Mjerë ata që u futën në nofullat e luftës së klasave.
– Ringritja, si feniksi nga hiri. Mitologji e kohëve moderne, për t’i rrëfyer botës atë të vërtetë të hidhur, që për gjysmë shekulli u fsheh, me qëllim të harrohet, të mbulohet, të shuhet, mos kujtohet.
Kjo është liria e arsyes e cila qëndron në pavarësinë e të menduarit nga kufizimet që vendosen nga autoritetet. Kjo liri është një dhunti e rrallë e natyrës dhe njëkohësisht është edhe një dëshirë shumë e kërkuar nga çdo individ". Ajnshtajn. (Albert Einstein)
– Analiza historike dhe filozofike e sundimit komunist, 1945 – 1990. Pasojat......
– Veprimtaria shoqërore dhe krijimtaria letrare, historike e filozofike, përshkruar në mbi 65 libra, të gjinive të ndryshme, poezi, romane, novela, studime me vlera shkencore, shoqërore, me frymë tejet kombëtare dhe atdhetare. Kjo është vlera e vërtetë e njeriut, është vepra për të cilën e vlen të jetohet.
– Në fund vlerësimet, me të cilat mbushen disa faqe libri. Pa lënë pas dore diku-diku edhe zhgënjimet të vjetra dhe të reja, të cilat hapin plagë që dhembin më shumë se të parat, pasi nuk i mbulon dot dhe nuk mbyllen lehtë. Plagët e vjetra deri diku edhe përligjen, ftohen, veniten por nuk roniten, duke akuzuar kohë e mbrapsht. Ndërsa plagët e rejat godasin në shpirt, të cilat nuk i zbut as koha dhe as pluhuri i saj.
Duke u marrë me shkrime dhe lexime, në përgjithësi, jam ndeshur me autorë të ndryshëm, të cilët, vjen një kohë që duan të lenë kujtime, thjesht si dëshmi e kohës së jetuar dhe më tej, të rrëfejnë veprimtarinë, krijimtarinë, sukseset, pengesat, mundimet, gëzimet, ngritjet dhe rrëzimet, pse jo edhe dështimet si pjesë të jetës së jetuar. I admiroj për kujdesin që tregojnë, duke i lënë brezave përvojën e një jete të shpenzuar në të mirë të vetes dhe shoqërisë.
Ndërkohë Vivra ndjek një udhë tjetër, ndoshta të pa shkelur më parë. Është Gëzim Marku, drejtuesi i portalit “Zemra Shqiptare, që ideon dhe kërkon të bëjë një intervistë ekskluzive, lidhur me jetën dhe veprimtarinë e kësaj zonje të nderuar. Me një fjalë, harton rreth 44 pyetje, të menduara mirë, të nisura e të ujdisura për bukuri, ku dashje pa dashje të thuhen të gjitha, duke iu përshtatur kohës, vendit dhe rrethanave. Thuhet nga të diturit, se pyetjet e mira nxisin përgjigje të mira.

Duke kënduar librin, kam përshtypjen se krijohet një lloj bashkëbisedimi dhe ndarje punësh, pse jo, edhe përgjegjësie: gazetari pyet duke qenë brenda në livadhet e veta, ndërsa Vivra duke rrëfyer në vetën e parë, ka mundësi të përgjigjet lirshëm brenda bindjeve dhe ndjesive të saj. Ndërkohë që këndonjësi (lexuesi), është i bindur se rrëfyesi ka një udhërrëfyes mbi krye që e mirëkupton, ndaj edhe hapat i hedh pa u penguar.
Të them të drejtën, është e para herë që ndeshem me një formë të tillë “Monografie”. Uroj mos jetë kështu.....! Gjatë leximit, duke u bërë pjesë e librit, unë e vlerësoj si një “testament” i firmosur nga koha dhe ligjet e saj të egra. Një formë tejet e veçantë, besoj shumë e pëlqyer nga autorja, sepse shoh se si Vivra shtyhet të shtrydhë të gjithë kujtesën e saj, të grisë koren e plagëve të vjetra, të rindjejë dhimbje dhe forcë, duke qenë e sinqertë me veten, se e vërteta duhet thënë. Koha nuk të përkëdhel, nuk të fton, por të ndëshkon, nëse nuk e përfill vrapin e saj.
Pak më lart rendita një lloj ndarje për të ndihmuar veten, ndaj po flas më gjatë.
Znj. Vilheme Vrana Haxhiraj.......! - Çuditërisht, si vjen koha, kur i përputh datat dhe ngjarjet, disa i bën të shenjta. “8 dhjetori”, “Dita e Rinisë” dhe ditëlindja juaj....!!!!. Kështu festa dhe ditëlindja do festohen në përjetësi, sepse shpirti juaj si mësuese mbetet përherë i ri.
Nuk di sa i saktë jam, por nuk kam parë ndonjë libër apo studim mbi familjet e mëdha, familjet të hershme fisnike që i mbijetuan kohëve të historisë së trazuar shqiptare, duke lënë edhe trashëgimtarë deri në ditët tona. Uroj që mos të jetë kështu, por Vivra është trashëgimtare dhe dëshmitare e rrënjëve të saj fisnike, prej disa shekujsh. Dhe, jo një emër dokudo, por një shkrimtare dhe studiuese që i kalon kufijtë e vendit tonë, duk u bërë e njohur në mbarë botën me veprat e saj, të denja për t’u futur në enciklopedi. Ndaj ajo me krenari shkruan dhe firmos Vilhelme Vrana Haxhiraj. Dhe ka të drejtë.....!
Pyetja dhe përgjigja mblidhen lak në fyt, kur mendon se si është e mundur, të heshtet.....!? Në vend që të lartohet emri dhe prejardhja e saj që nderon historinë tonë të hershme dhe të tashmen.....!? Ndërkohë ne heshtim, si murgu në qeli.... Pse.......? Kush nga ne nuk do të lëvdohej e mburrej me një prejardhje të tillë fisnikësh, që i mbijetuan shekujve? Ndërkohë, kush nuk do të lëndohej me atë që pësuan familjet fisnike gjatë regjimit komunist, që u ndëshkuan pa asnjë faj, vetëm se ishin të fisme....., siç ndodhi me familjen Vrana, në zemër të Kaninës!? Vështirë të gjesh një shembull të dytë......! Këndojeni me kujdes këtë histori të shkurtër, kushtuar Kaninës, kështjellës dhe banorëve të saj të hershëm. Do më jepni të drejtë, duke falënderuar dhe përshëndetur autoren.

Këndonjësi do të ndjejë trishtim, kur të lëçisë kujtimet e vegjëlisë, aq sa mund të ndjejë dridhje trupi e shpirti, për ato ç’ka hequr autore Vivra. Ajo, në udhën e mundimeve, si pasojë e luftës së klasave, nuk është e vetme. Janë me mijëra familje të internuara në mbarë vendin, kanë mbijetuar me mundim skëterre, kur i mohohej shkolla, arsimimi, buka, ushqimi dhe liria. Shumica u tretën pa ju dëgjuar zëri në 23 burgje dhe 48 kampe përqendrimi. Pak prej tyre po na rrëfejnë atë çka jetuan dhe përjetuan në ato vite të mallkuara. Sepse e vetmja gjë që nuk e thyen, nuk e gërryen, nuk e fshinë, ishte mendimi i lirë, i gatshëm të shpërthejë. Mes tyre është edhe Vivra jonë, që u ngrit mbi kohën, duke na sjellë një dokumentar të jetuar plot dhimbje. Besoj mjaftojnë vetëm këto fjalë për të thënë gjithçka: “Trastat në shpinë të nënave dhe grave që shkonin nëpër rrugët e përbaltura të atdheut “BURG”, ishin më të rënda se prangat në duart dhe këmbët e burrave apo djemve të tyre”. Faqe 38.
Vetë Vivra pohon se u ngrit si heronjtë e mitologjisë. – “Më pëlqen ta zhbiroj deri në embrion jetën time të mohuar, e cila rilindi nga hiri i saj si Feniksi. Këtë kam bërë dhe do ta bëja për cilindo që ngjall interes në një vepër letrare, studimore apo analitike. Qoftë kjo edhe një jetëshkrim. - Eh, sikur jeta të rilindte përsëri nga zanafilla......!” - Shkruan që në faqet e para të këtij libri, me peshë të rëndë. Shpalosja e mendimit të lirë, bëri që Vivra të gjejë vetveten. Ëndrra e hershme për të botuar, u rizgjua. Libri “Loti nuk ka faj”, ishte prova e parë. – “Kjo ka qenë kënaqësia ime, sepse gjeta vetveten në brazdat e kohës së egër”, - shkruan autorja. Faqe 42.
Vivra shpërtheu që në ditët e para të ndryshimeve, në përmbysje të sistemit, në vitet 1990 - 1992. Filloi të merret me publicistikë, mënyra më e bukur për të thënë të vërtetën, për të çliruar shpirtin e rënduar nga koha dhe mundimi, nga vuajtjet dhe trishtimi. Kohë e pazakontë për të gjithë të dënuarit dhe të shtypurit politik, pse jo edhe për të gjithë shqiptarët, të etur për liri fjale, liri mendimi, liri ndërgjegje, liri veprimi. Viyra u vu në ballë të lëvizjes me të gjitha forcat e shpirtit, ku kërkohej guxim, durim dhe dije. Etja për liri dhe drejtësi nuk ishte zbehur. Është një histori e gjallë, që meriton të kujtohet, pse jo edhe të nderohet. Heronjtë e atyre ditëve nuk duhet të lihen në heshtje. Ata bënë aq sa mundën. Vivra ca më shumë.
Në thesin e pyetjeve, gazetari Gëzim Marku nuk kursehet të bëjë pyetje që kërkojnë mendim të pjekur dhe shkallë të lartë njohurish mbi historinë dhe politikën. Po jap një prej tyre:
- Si e perceptoni realitetin e Shqipërisë gjatë periudhës 1944 – 1990? Cilat përvoja apo ndikime kanë formësuar këndvështrimin tuaj për atë epokë?
– Përgjigja: Unë e kam përshkruar deri diku tmerrin e jetës në diktaturë. Ishte një sistem politik-ekonomik i zymtë, vrastar, përgjues, që krijon ankth tek të gjithë qytetarët pa përjashtim. Pse? – Edhe gjysma tjetër e përkrahur nga pushteti dhe Partia, ndëshkohej ashtu si ne, nëse kalonte kufirin tokësor apo detar. Kushtet ekonomike ishin njësoj si për ata pro Parti dhe për ne antiparti.........
Mjaftojnë vetëm këto pak fjalë për të kuptuar vazhdimin. Një analizë sa historike aq edhe filozofike që e vlen të këndohet më nge. Na pëlqen apo s’na pëlqen, mos nguroni kur e vlen.....! Nuk e teproj të shkruaj një pyetje që vet znj. Vivra i bën lexuesit: - “E kupton dot ti, se ç’do të thotë - “Luftë klasash”.....!? Dhe unë si këndonjës i zellshëm, përgjigjem për vete dhe edhe për të tjerët: - “Lufta e klasave është sëmundja më vrastare e kombit Shqiptar, që po vazhdon edhe pas rrëzimit të komunizmit”.
Të gjitha këto të vërteta, në vetvete përbëjnë vlerë, për të njohur sado pak origjinën, karakterin dhe vetëdijen e Vivras, për jetën e jetuar dhe përballuar aq trimërisht. Por a mjafton vetëm kaq që të shkëlqejë në majë të piramidës së vlerave..!?
Ashtu si ju edhe unë jam në një mendje. – Lindim dhe jetojmë në një vend, një atdhe, një shoqëri, me të mirat dhe mangësitë e saj, por kur rritemi ndjejmë dallime. Janë veprat që na veçojnë dhe na vendosin në krye, në mes apo në fund të odës së burrave. Në krye sigurisht, te oxhaku, këtu bën pjesë edhe Vivra. Diku kam shkruar dy vargje, kur bëhet fjalë për krijuesit: - “Mos u mburr me vitet që ke ngrënë...! Tek yjet merr dritë, me veprat që ke lënë”. Dhe Vivra ndriçon në hapësirë, në qiellin e mbushur me yje. Do mjaftojnë vetë këto pak fjalë: - “Kombi më dhuroi vendlindjen, racën, gjuhën dhe emrin e madh shqiptar, po unë ç’bëra për të....?
Nuk dua të përsëris fjalët, aq më tepër çka është shkruar dhe shkruhet në fund të çdo libri: “Vlerësimet”. Një përmbledhje me disa faqe. Secila vepër, një vlerë e shtuar. Veç dua të shtoj: - znj. Vivra, “Princeshën e Kaninës” e nderoj dy fish: Së pari, si mësuese e “Misionare e dijes”, pavarësisht se punoi vetëm pak vite. Së dyti, si “Misionare e kombit”, pasi në të gjitha veprat buron veç “Atdhetari e shqiptari”.
Po nuk më rrihet pa bërë pyetje: - Cila grua u ngrit mbi heshtjen....? Cila tjetër grua, ka një prodhimtari kaq të gjerë letrare? Cila do të mund t’i afrohet për stilin, cilësinë e mendimit dhe artin e shkrimit? Cila shkrimtare përmbysi hierarkinë e shkrimtarëve të Realizmit Socialist, duke i thënë botës: - Jam edhe unë....!.
Jo më kot Dr. Mujë Buçpapaj, drejtuesi i gazetës “Nacional”, shkruan: - Asnjë shkrimtar i ndaluar nga regjimi komunist, nuk ka mundur të imponohet me kaq dinjitet njerëzor dhe letrar sa Vilhelme Vrana Haxhiraj.
Në këtë udhë mendimi, krahas shumë autorëve, - “Janë, “100 personalitete të kualifikuar”, që më kanë vlerësuar me mbi 370 shkrime dhe analiza”. (shprehet autorja). Ata janë shkrimtarë dhe kritikë të njohur, të gjithë të futur në tre volumet e librit “Mirënjohja virtyt i kujtesës”.
Unë që prej vitesh e ndjek nga afër krijimtarinë e znj. Vivra. më duhet të shkëpus vetëm disa emra dhe pena të ndritura, që kanë vlerësuar krijimtarinë e “heroinës” sonë: - Prof. dr. Eshref Ymeri. Akademik. ShBA, Prof. Dr. Fatmir Terziu. “Mjeshtër i madh”, Londër, i cili i ka kushtuar librin: “Liria në optikën letrare të Vilhelme Vrana Haxhiraj”. Prof. dr. Murat Gecaj. Më tej, Odhise Grillo, Prof. dr. Adriatik Kallulli, poeti Xhevahir Spahiu, redaktorja Lejla Gorishti, shkrimtari bashkim Saliasi. Etj, etj.
Njëkohësisht si dëshmitar i kohës, kam ndjekur nga afër të gjitha takimet letrare për znj. Vivra, takim që janë organizuar në Durrës, shpesh edhe në Vlorë. Veçoj rastin, kur kryetarja e Bashkisë së Durrësit, znj. Valbona Sako e nderon znj. Vivra, me çmim të veçantë: “Emblema diplomatike e Durrësit”, më, 24, të vjeshtës së dytë, 2018. Besoj, këtu më takon të shtoj edhe shkrimtarë nga Durrësi, që kanë njohur krijimtarinë e saj, duke shkruar e botuar artikuj, poezi dhe vlerësime: Shpendi Topollaj, Agim Bajrami, Vladimir Muça, Merita Kuçi Thartori, Skënder Kapiti, Xhevahir Cirongu. Mes tyre edhe unë, me disa shkrime dhe analiza për një sërë veprash letrare, kryesisht me karakter historik dhe filozofik.
Një vend të rëndësishëm në këtë libër zënë vlerësimet. Nuk janë pak:, rreth 33 çmime kombëtare dhe nd/kombëtare, të ardhura nga katër anët e botës. Faqe 126-127-128. Po shkëpus vetëm disa:
. “Urdhri. Mjeshtre e madhe” dhe “Medalje ari”, - nga Presidenti i Republikës
. Anëtare e “Akademisë Shqiptaro-Amerikane”, me seli në New York.
. “Ikonë e letërsisë botërore të avancuar”, - nga akademia e shkencave letërsisë dhe arteve Indiane.
. “Pena e kristaltë”, - në Suedi.
. “Nder i kombit” - nga Unioni i shqiptarëve të Bukureshtit. Rumani.
. Me dhjetëra çmime dhe certifikata, në konkurse dhe takime brenda vendit dhe nëpër botë.
Në fund dua të shtoj pak fjalë për z. Fitim Haxhiraj, bashkëshorti i saj, i cili njihet mirë në mjedisin vlonjat, pasi ka qenë artist me aftësi të rralla si koreograf, artist i skenës dhe i artit gojor. Ai po ashtu, e ishte goditur prej luftës së klasave, po për shkak të prejardhjes së tij nga një derë fisnike, duke e rënduar veten ca më shumë, si bashkëshort i znj. Vilhelme Vrana.
Thonë, dhe unë e besoj se: “Prapa një burri të suksesshëm qëndron një grua e fortë”. Por në rastin tonë më duhet ta përmbys këtë raport:- “Prapa një gruaje të suksesshme, qëndron një burrë i fortë”, - siç është z. Fitim Haxhiraj. Njeri me prejardhje fisnike, me karakter të fortë, të pathyeshëm. Mbështetja e tij e palëkundur, ka qenë vendimtare për punën dhe krijimtarinë e Zonjës Vilhelme. Qëndrueshmëria dhe guximi për të mbrojtur të vërtetën, bëri që, si moderator i krijimtarisë së saj artistike ta vendosë në qendër të veprimtarive që organizoheshin në Shqipëri, në trevat Arbnore, njëkohësisht edhe në takimet ndërkombëtare. Është e lehtë të thuhet e të shkruhet, por e vështirë të realizohet. Publicistika që ai bën për veprat e znj. Vivra, janë të paimagjinueshme. Vetëm një talent si ai, ka bërë që Vivra të jetë ajo që është: shkrimtare e njohur ndërkombëtarisht. Mund të them me bindje, se Fitimi është i papërballueshëm në fjalë, në kujtesë, në fantazi e oratori, mjeshtër në organizim takimesh. Jeta dhe veprimtaria e tij meriton të shkruhet, si model për ata që duan të çajnë në jetë dhe t’u dëgjohet zëri. Jam i bindur se e vlen dhe e meriton.
Çuditërisht si i bashkon jeta, dy jetë që udhëtojnë së bashku, që gjejnë gjuhën e mirëkuptimit dhe bashkëveprimit. Ata së bashku, përballuan tallazet e jetës dhe të luftës për mbijetesë, Ata përballuan varfërinë dhe trysninë politike, që nuk i linte të ngrinin kokë. Shqiptarisht ngritën një familje të shëndoshë, model, për kohën e shkuar, ca më shumë model edhe për kohën që po jetojmë. Rritën dhe edukuan dy fëmijë me formim të shkëlqyer arsimor, qytetar e atdhetar, - Ermelindën dhe Vladimirin, të cilët ndjekin udhën e familjes fisnike, të atit dhe nënës së tyre të dashur.
Urime znj. Vivra, për këtë libër me vlera të veçanta!
Përshëndetje i nderuar Gëzim Marku, për nismën që ke ndërmarrë, në përzgjedhjen e personaliteteve si Vivra jonë, ku lirisht shpaloset jeta dhe veprimtaria e gjithsecilit. Të admiroj për guximin, sepse vlerat kanë një emër dhe i duhen kombit. Ju uroj suksese dhe mbarësi.









Përshëndetje dhe urime. janë fjalë që mund të përsëriten sa herë shikojmë shkrimet tona në dritaren e "Fjala e lir", me drejtues Prof. dr. Fatmir Terziu. Janë ndjesi që shprehin mirënjohje, sepse në shumicën e krijimtarisë së znj. Vilhelme Vrana Haxhiraj rreh pulsi atdhetar, mbase si askush tjetër nuk ngulmon kaq fort në këtë ide, aq sa unë e quaj "Misionare e atdhetarizmit dhe shqiptarizmit"
Një urim meriton edhe gazetari Gëzim Marku, që në udhën e intervistave, përzgjodhi zj. Vivra. "Princesha e Kaninës".
Faleminderit!
Miqësisht!
Kadri Tarelli.
Durrës