top of page

K O N I S P O L I


Vullnet Mato


Si bir i një mësuesi të talentuar, lab

dhe i një nëne me bukuri konispolate,

kam gjak të kryqëzuar, siç ka një rrap,

shartuar në trupin e butë të një lofate.

Në Konispol, verova viteve të fëmijërisë,

nga deti i Sarandës, në malësinë jugore.

Në atë fshat gjysmë qytet, pranë Çamërisë,

më priste varfëria e bujarisë madhështore.

Aty kisha gjyshen shekullore, nga nëna,

me një gojë të madhe, pa asnjë dhëmbë.

Goja e saj nuk nxirrte dot fjalë të rënda,

por buzëqeshje me tinguj, njësoj si këngë.

Ajo gjyshe kish magnet tërheqës, si askush,

në lëkurën e tejdukshme, ku shihja kokalle.

Kishte rrjetë rrudhash, në duar e në gushë,

dhe nga xhepi i tumaneve, nxirrte bajame.

Aty kam ngrenë, të ëmblat frongoshe,

fiq deti, mbi pllaka jeshile me gjemba.

Aty jam lëkundur në shilarësen pungale,

me litar varur në traun e konakut brenda.

Aty kam pirë ujë, nga currili si fije peri,

që pikonte kroi i mëhallës, pak më lart,

ku bucelat zinin radhën, pa dalë dielli

dhe mbusheshin për voni, në mesnatë.

Aty kam fjetur në çarçafë borë të bardhë,

të larë me ujë, të shtrydhur nga mjegulla,

mbledhur në dy voza të mëdha, me rrathë,

nga pikat e qiellit, që kullonin mbi tjegulla.

Aty shijova tasin e misërnikes, përshesh,

me qumësht mali, nga delet cangadhe,

që sillte mushka me kaçup lëkure të leshtë,

duke tundur rrugës, gjalpin në dy gajde.

Gratë tumanegjera e shamibardha në kokë,

shkulnin shkarpat Çukës së Ajtoit deri lartë,

gatuanin në furrë, në saç, e pirusti përtokë

dhe piqnin qumështorin, që erëmonte gjalpë.

Aty ruhej një gjuhë nga lashtësia historike,

toskërishtja e arvanitëve të Skënderbeut

dhe toka ishte shterpë, nuk pillte barishte,  

pasi kishte më tepër gurë, se thërrime dheu.

Aty muret e gurtë, të ngjitur me gëlqere,

binin erë manxuranë, borzilok e barut të djegur.

Aty dajkot, me shajakë dhe në ditë vere, 

ndonëse më donin, të merrnin gjak në vetull.

Aty kam dëgjuar ca histori me bëma llahtare,

me plumba dyfeku mbi vajzën e përdhunuar.

Aty mbusha thasët e kujtesës, me aq ngjarje,

sa nuk më mjafton gjithë jeta, për t’i shkruar...

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page