top of page

Jo! Jo, kolegu im nuk të lejoj të më tjetërsosh Shqipërinë time të dashur!



Dr Fatmir Terziu

Jo! Jo, kolegu im nuk të lejoj të më tjetërsosh Shqipërinë time të dashur!


Dr Fatmir Terziu


Kam disa miq të botës Hebre. Hebrenj që kanë sensin e ndjesisë dhe përkushtimit ndaj punës, biznesit, kulturës, edukimit, disiplinës, respektit, trashëgimit dhe mbrojtjes së vlerave e traditave. Prej ish Drejtoreshës së Departamentit të Universitetit tim, (tashmë Ndjesë Pastë, pasi ka ndërruar jetë) kam mësuar më shumë, madje thelbin e fjalës “Zgjim”. “Zgjimi” ishte pikërisht filozofia e dritës, e jetës, e hapjes me botën ku njeriu pikëtakohet me Tjetrin. “Zgjimi” ishte kuptimi që urrejtja nuk është abstrakte. “Zgjimi” ishte thelbi i abstraktes në mendjen time, se urrejtja dhe cmira janë thjesht vetëm dukuri, dhe bashkëjetesa e tyre me Njeriun e mirë ishte kotësi. Por urrejtja, ashtu sikurse dhe cmira u shfaqën para syve të mi, në jo pak raste, në mënyra fizike dhe të prekshme, përtej fjalëve dhe dukjes, përtej mediave dhe debateve, dhe vërtetoi se mund të arrijë edhe në komunitetin tim të afërt. Kjo menjëhershmëri, që urrejtja mund të shfaqej nga afër, ose që një komunitet mund të përdhosej, ishte ajo që më mundonte. “Zgjimi” im zbuloi një botë të zymtë. “Zgjimi” im më solli dritë në errësirën e heshtjes, mospajtimit me gjërat dhe frikën, në emër të respektit dhe kulturës.

Është interesante që unë u mësova ta parashikoja këtë errësirë ​​në një moshë shumë të ndjeshme. Kam shkruar më parë për këto dy fenomene, para se të kuptoja kuptimin e tyre. Urrejtja ishte ajo që unë e kisha dëgjuar të përmendet si “urë e ngushtë” në “Kol Ha’Olam Kulo”, një këngë të cilën e kisha kënduar pa e kuptuar me miqtë e mi hebrenj në disa nga takimet festive dhe miqësore me ta. Vonë teksa e rikëndoja me disa prej tyre, mësova se teksti i këngës pohon, “E gjithë bota është një urë shumë e ngushtë dhe gjëja më e rëndësishme është të mos kesh frikë kurrë.” Dhe kjo ishte e habitshme, miqtë e mi hebrenj më tregonin se madje ishte: “një nga këngët e parashkollave të hebrenjve që mësojnë fëmijë gjashtë vjeçar, e cila parashikon një botë të frikshme, ku frika është e paracaktuar, dhe mos-frika është një vendim aktiv”.

Para disa kohësh këtë këngë m’u desh ta dëgjoja me disa miq të mi të komunitetit shqiptar, drejtues dhe aktivistë në Britani të Madhe, ku ishte i pranishëm dhe ish-Ambasadori Zef Mazi, në mjediset e Parlamentit të Britanisë së madhe, ndërsa po shfaqej një dokumentar i inicuar për shpëtimin e Hebrenjve në Shqipëri. Dhe aty ish-Drejtoresha e Departamentit tim, do të më sqaronte se ta këndosh këtë këngë (dhe në vendet më të pazakonta) duhet natyrshëm që të rishikosh edhe tekstin e këngës. “Unë isha duke qëndruar në oborrin e një shtëpie private në Tiranë, Shqipëri, nën një tendë të ulët të endur nga degët e pemëve mandarinë të oborrit. Shtëpia i përkiste një burri shqiptar, i cili kishte shpëtuar një hebre gjatë Holokaustit dhe ishte nderuar nga Yad Vashem vite më vonë si një xhentëlmen i drejtë. Për të nderuar kujtesën e tij, grupi im vizitues me këngën në fjalë konfirmoi se bota ishte një urë shumë e ngushtë.”

“Si mund të këndonim që bota ishte e ngushtë dhe e frikshme përballë njerëzve, që kishin rikthyer pak shpresë, të cilët e bënë botën të duket pak më e frikshme?’, E pyeta veten time. Ajo që më goditi atë ditë ishte se ishte botëkuptimi im, jo vetë bota, që ishte në këtë qesëndosje dhe shtrirje të ngushtë.”, ishin fjalët e saj që më kumbojnë ende si të freskëta, fjalët që ia tha dhe ish-Ambasadorit të Shqipërisë në bisedë e sipër.

Tani, disa vite më vonë, këtë këngë e ridëgjova nga larg dhe pashë vërtet se ura që lidh këtë shpresë me vargje të kohëve të fundit të krimeve të urrejtjes që ka pushtuar disa media britanike për shkak të disa “keqbërësve” dhe që bëhen si shembull për të sharë vendlindjen time është ngushtuar, dhe kam vërtet shumë frikë, se brezat që rriten larg vendlindjes, ose që vijnë nga rrënjët e vendlindjes sime të dashur, Shqipërisë, vendit që me shembullin dhe guximin e të parëve të mi, vrau frikën dhe shpëtoi Hebrenjtë nga Holokausti, do të humbasin ndjenjën e dashurisë, dhe do të kenë frikë të ndjehen anëtarë të denjë të kodit më krenar të shqiptarit “Besa”. Pse duhet të heshtim, për “keqbërësit”? Por pse duhet të shajmë një Komb të tërë për hir të atyre tek të cilët vepron ligji? Pse duhet sharë shqiptari i mbarë dhe i mirëintegruar, shqiptari model?!

Jo, kolegë të nderuar. Jo! Ne nuk mund të pajtohemi me këtë. Populli im që shquhet për proverba, Fjalë të Urta, ka dhe një të tillë: “Për një dru të shtrembër nuk mallkohet një pyll i tërë!” edhe pse e dimë fort mirë që një “shkop i shtrembër e prish stivën”. Kjo e fundit është edhe tek “Zgjimi” ynë kolektiv i komunitetit, që duhet të shembullohet nga hebrenjtë dhe ndjesia e përkushtimi i tyre, sikurse është fjala e tyre “mitvah”, një fjalë që në kuptimin e saj parësor, i referohet parimeve dhe urdhërimeve të urdhëruara nga Zoti, me kuptimin shtesë të detyrës morale dhe njerëzore të një personi.


120 views12 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page