top of page

Jeta dhe krijimtaria letrare e Vilhelme Vrana Haxhirajt


Natasha Fejzaj Limaj



Zakonishtë ligjëruesit mundohen e gërmojnë në thesarin gjuhësor që të gjejnë frazat apo figurat letrare më të goditura , për të sjellë sa më qartë vlerat e autorit për të cilin flitet. Në pamundësi e fillojnë ligjërimin duke cituar thënie apo fraza të figurave të shquara të njerëzimit .

Natasha Fejzaj Limaj Vlorë, (10 gusht, 2019)në përurimin e librit” Elitat e Mohuara..., Krenari Kombëtare”

Unë në këtë ligjërim modest për  Shkrimtaren  Vilhelme Vrana Haxhiraj, e cila na nderoi, duke ndarë me ne gëzimin madhor të promovimit të krijimit të saj të radhës me titull, “Elitat e Mohuara…, Krenari Kombëtare ” do ta anashkaloj dhe ligjërimin tim do ta filloj me disa vargje të miat ,  për Kaninën , ku tek leksema(fjala) “motër” përfshihet edhe Shkrimtarja jonë Vivra  , me titullin “ Mjeshtre e Madhe e Penës “…

 “Unë fola Kanina, m’u përgjigj i biri…

Fort Kaninjoti, më fort’ argëlidhi…

Unë fola kalaja, m’u përgjigj e bija ,

Donika me motra, shën Parashqevia…

Po e lë me kaq , mos t’u bezdis shumë ,

Po hyra ndër shekuj, hajde të dal unë!...”

Të flasësh për arealin(hapsirën) kaninjote  dihet që është i përmendur  për lashtësi, fisnikëri , mençuri, trimëri, besnikëri,  bujari  e shumë virtyte të tjera njerëzore . Qyteza e Kaninës ndër shekuj është dalluar  për figura të shquara që kanë qënë busull orientimi jo vetëm për Kaninën por për gjithë kombin. Truolli kaninjot ishte djepi, ku përzihet lashtësia e lavdishme e qytetit të Kaninës me besnikërinë e dhemshurinë e princeshës Rugjina Balsha, e cila luftoi me trimëri kundër osmanëve dhe u mbulua me dheun shpirtëror të Himarës në ujëdhesën e Korfuzit, ku prehet me dëshirën në palcë të kthehet në gjirin e dheut amë Kaninë.

Po në Kaninë Princi Gjergj Araniti, organizoi dhe udhëhoqi me trimëri  kryengritjet legjendare antiosmane të viteve 1431 e 1435 në mbrojtje të trojeve arbërore.

Në këtë djep arbëror lindi, u përkund dhe u mëkua me zgjuarësi e qëndrueshmëri të palëkundur Donika Arianit Kastrioti, princesha , dhe më vonë mbretëreshë  e Shqipërisë, eshtrat e së cilës ende prehen në Valencie të Spanjës.

Po këtu u lind, u rrit Shenjtorja e Arbërisë ose më saktë e Kaninës, Angjelina Aranit Komneni (1440-1520), vajza e gjashtë e Gjergj Aranitit të madhërishëm dhe e princeshës, Maria Muzaka.

Po në këtë vend është lindur, rritur , arsimuar, qysh në hershmëri edhe Shkrimtarja jonë Vivra. Dhe unë duke qënë simotër gjaku me autporen e kam obligim të them dy fjalë për të:

  Vilhelme Vrana Haxhiraj u lind në qytezën e Kaninës  më 08 / 12 / 1944, pinjolle e familjes së Princit Gjergj Arianiti. Është bijë e njërës prej pesë familjeve më të vjetra dhe themeluese të Kaninës, me të cilat nisi jeta në këtë qytezë magjike dhe të plotpushtetshme si në tokë dhe në det. Duke qënë një nga shënjestrat e sistemit absurd të komunizmit  që kaloi Shqipëria, arsimohet me mundim “sizifian”. Në vitin 1966 i ndalohet diplomimi. Nën vazhdën e persekutimeve, babai dhe  xhaxhai i saj humbasin lirinë për vite me radhë, kurse Vilhelmes iu mohua e drejta e ushtrimit të profesionit. Me shumë peripeci dhe flakadanin në shpirt për arsimim, në 1970-1975 ëndërra ju realizua, duke rifituar të drejtën  e studimeve në degën  Histori-Gjeografi. Gëzim i madh, por gëzim gjysmak,pasi  ju dha e drejta për diplomim, por pa të drejtë të ushtrimit të profesionit.  Absurditet , njësojë si t’i thuash  kursantit , merre patentën, por makinë s’ke !..Megjithatë durimi dhe vullneti i hekurt që reflektonte shkrimtarja jonë i dha frytet e veta. Edhe, pse punoi 25 vjet  punëtore  ajo, duke e thadruar( gdhendur apo latuar) dëshirën , për të qënë një mësimdhënëse shembëllore e arriti nga vitet 1990 , kur ndodhën ndryshimet e mëdha në Shqipërinë tonë të shumëvuajtur.  Vilhelmja bëhet një  mësuese dhe drejtuese arsimi me standarte bashkëkohore, madje e vlerësuar nga arsimi. Punoi deri në vitin 1997 me përkushtim në përgatitjen e brezit të ri. Më pas ajo u muor me detyra shoqërore për demokratizimin e vendit duke mbajtur poste kyçe në organizatat për emancipimin e femrës Shqiptare . Ishte një nga femrat e para që luftoi me indinjatë kundër diktaturës dhe për të drejtat dhe liritë e gruas. Ka qënë  Themeluese dhe kryetare e L. D. së  Gruas-dega Vlorë.

Gjithë  kjo jetë aktive , stimuloi tek Vivra ngjizjen e artit të të shkruarit, të cilin ajo e kish ndrydhur brenda shpirtit për gjysmë shekulli, realizoi ëndrrën e rinisë. Llava krijuese shpërtheu, duke bërë që Shkrimtarja jonë t’i bieri kryq e tërthor habitatit ( mjedisit) letrar duke shkelur me penën e saj të artë shumë dimensionale në të gjitha gjinitë letrare të cilat i rendisim, si më poshtë:

·         Poezi

·         Prozë e shkurtër

·         Tregime

·         Novela

·         Skica

·         Studime

·         Ese

·         Publicistikë

·         Letërsi për fëmijë

·         Përralla

·         Fabula

·         Gjëegjëza

·         Romane

Pra siç shohim dhe nga renditja e gjinive, por edhe siç e ka përcaktuar Akademik, Prof. Dr. Eshref Ymeri“ Universi i fjalës artistike të Znj. Vrana operon me tërë regjistrat e gjuhës shqipe”. Akoma më bindës për vlerat e saj, Prof. Dr. Fatmir Tereziu “ Mjeshtër i Madh “, i cili shprehet:“Znj. Vilhelme është  një shkrimtare euridite, studiuese dhe publiciste  që renditet mes emrave të shquar të letërsisë kombëtare.”

Krijimtaria e saj përfshihet në 24 antologji, si brenda dhe jashtë vendit,është vlerësuar me 24 çmime kombëtare e ndërkombëtare , mban titullin “Mjeshtre e Madhe e Penës “ nga Presidenti i Republikës. Ju dha titulli “ Akademike, ‘më 30 tetor 2018 pranohet Anëtare e Akademisë Shqiptare-Amerikane të Shkencave dhe Arteve , me seli në New York, me të drejta të plota . S’më mbetet gjë tjetër të them  për shkrimtaren e afirmuar Vilhelme Vrana Haxhiraj, por vëllimi studimor  me titull ; “Elitat e Mohuara…,” është një vepër sa artistike e letrare dhe po aq historike e faktologjike  që do t’i duhej çdo familjeje ta mbajë në bibliotekë, pasi ka aq shumë material informativ , sa që është zor t’i gjesh pa iu futur studimeve. Mendoj se është  domosdoshmëri për ardhmërinë . 

Së fundmi uroj bijën e Kaninës: Mirë u takofshim në numrin 48 shkrimtarja jonë Vivra !...

Ju faleminderit!


11 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page