JAM ULLIRI DYMIJËVJEÇAR


Vullnet Mato

Vullnet Mato


JAM ULLIRI DYMIJËVJEÇAR



Jam në Berat me trungun e zgavërt,

prej njëzet shekujsh të lashtësisë,          

në gjenezë, më mbollën pellazgët,

ruaj rrënjët shqiptare të historisë.

Në trungun tim u shkruan beteja,

nga epope të luftërave titanike, 

me vringëllima shpate si rrufeja,

dhe krisma me armë automatike.

Rreth meje gjëmuan egërsisht,       

bomba armiqsh, plumba vrastarë,

më plagosën, më shpuan mizorisht,   

në gjoks e në krahët shushurimtarë.

Degët e mia me vaj, kanë ushqyer,

rrota qerresh dhe tyta pushke,

misërniken, tek unë kanë ngjyer,

luftëtarët trima, të kësaj fushe.

Bashkë me qytetin, Antipatrea,

me Dasaretët dhe kalanë ilire,  

me Muzakajt dhe fiset e reja,

kam përjetuar kohërat martire.

Çdo kokërr e kam kokërdhok syri,

pikon lot për të rënët, anembanë,

çdo gjethe, është gjuha e një iliri,

ku jehon zëri i perandorit Justinian.

Me gjuhët e holla të gjetheve gri,

kam përcjellur, në vrapime ere,

thirrjet e partizanëve, për liri,

në çdo kalldrëm dhe prag dere.

Suferinat më kanë rrëzuar kokrrat,

por s’më shkulën dot prej dheut,

qëndresën kam dhënë për kohërat,

dorezën për shpatën e Skënderbeut.

Në trung gdhend epigrafe kujtimi,

që nuk i ruan as arkivi i shtetit:

si u shfrytëzuat nga kolektivizimi,

si u grabisin oligarkët e kiametit...

Kam frikë konçensionarët e huaj,

sëpata tyre, mos më shkul rrënjët,

të bëjnë kullotë për lopë e buaj,

shekujve të mi, t’u bëjnë gjëmën!...   

Si ulliri katragjysh, më i moçëm,

me gojën e guvës, ullishtave mbarë,

ju thërras: O njerëz të sotshëm,

më ruani, se ruaj identitetin shqiptar!


#vullnet #mato

12 views

Shkrimet e fundit