top of page

“ISHULLI I VDEKJES”


Dr. Bardhyl Maliqi

“ISHULLI I VDEKJES”

Ose Tri rrëfime që (s')mund të lexohen edhe si një roman-trilogji e Mexhid Mehmetit.

Nuk ka asnjë vend në hartën e planetit Tokë që nuk është eksploruar nga njerëzit. Por ja që është një vend ku as aventurieri më guximtar nuk ka arritur të futet e të marrë informacion. Ishulli Sentinel i Veriut, në Gjirin e Bengalit, ka popullatën e fundit në tokë që nuk është kontaktuar nga qytetërimi modern prej të paktën 50 mijë vitesh.

Natyrisht në prezantimin tonë nuk bëhet fjalë për këtë. Për sa i përket titullit “Ishulli i vdekjes” autori Mexhid Mehmeti ka shkruar një parathënie të denjë për këtë libër, që një lexues i vëmendshëm të gjitha kuptimet dhe nënkuptimet e dukshme dhe të padukshme, idetë e hapura apo ato që duhen zbuluar, mesazhet që i përkasin brezit tonë, apo atyre që do të vijnë, i gjen në këto katër faqe.

"...vendasit autoktonë e kishin emërtuar me emrin aq bizar: Ishulli i Vdekjes...dhe ky nuk ishte emërtimi i vetëm i këtij lloji, sepse shumica e toponimeve të ishullit, ishin emra të tillë, siç ishin: Varret e Dëshmorëve, Varret e Krushqve, Varri i Nuses, Varri i Ushtarit të Panjohur etj."[1]

Pa harruar edhe emrat e vendeve anë e kënd Shqipërisë Etnike ku fjala vdekje mund të mos dilte drejtpërdrejt, por në mënyrë të nënkuptuar, si: Bjeshkët e Nëmura, Arra Shterpë, Mali i Askujt, Bunari i Thatë, Lëndina e Lotëve etj. Bile dhe emra që nuk duket se kanë lidhje me vdekjen, vdekja është e mundshme edhe në to. P.sh toponimi Mrizi i Zanave, që me fjalë të rëndomta mund të thuhet: një vendpushim për zanat diku në pyll, për njerëzit që shkelin rregullat e vendosura në këtë rast nga zanat mund të kthehet në një vendvarrim të mundshëm. Besoj e dini rastin e krushqve të bërë çakërr qejf që shkelën rregullin e si vepruan zanat me to: i ngrinë e i bënë gur, e ju desh Mujit t’i shpëtojë nga kthetrat e vdekjes. Pra titulli i romanit “Ishulli i Vdekjes”, që disa herë quhet Ishulli i Parajsës, i Ëndrrave apo i Dëshirave është pikërisht Shqipëria etnike, herë e bërë pjesë e perandorive romake, bizantine, sllave e turke, austro hungareze apo italiane, apo ashtu siç është një vend i të parëve tanë i ndarë në pesë shtete. Në këtë kuptim përbindëshat në këtë libër nuk janë vetëm politikanë, që hanë kokën e njeri-tjetrit, por dhe rrebeshe luftërash apo traktate djallëzore fuqish të mëdha, që gati na kanë shfarosur (një nga sinonimet e fjalës shfarosur është i vdekur apo i varrosur).

Të gjithë personazhet e të tre pjesëve apo rrëfimeve siç i quan autori në këtë rast, apo të novelave siç i quan tek Ferrparajsa II, pse jo dhe i romaneve siç i quan gjetiu, janë pjesë e integruar, pothuajse të gjithë simbolikë, siç është simbolik edhe emri i këtij libri. Ne e dimë nga leximi se cili është i Madhi me sjellje makabre dhe paraqitje babaxhani, por e dimë dhe nga historia, e dimë se kush është Kapiteni që drejton anijen, por në të vërtetë është një i verbër, ashtu siç i njohim dhe i dimë keqbërësit tanë nëpër shekuj, Kokë Tullacët, Mashkullorët, Tërpianët etj. E dimë cili është Plaku apo Lokja si tipizim i ndërgjegjes sonë kombëtare. Në Jug dhe më Veri, në Lindje dhe në Perëndim, i njohim edhe ata që janë flijuar për ne, djemtë e nënave, të pleqve apo të lokeve tona, i dimë dhe ata që kanë kaluar telat me gjemba për të fluturuar në perëndim, por kanë përfunduar si Ikari duke e ndërprerë fluturimin në mes. I dimë dhe skeletet e të vrarëve tanë, ashtu siç dimë dhe të pavendosurit apo ata që ia kanë shitur shpirtin shejtanit, apo t’u zgjohet vetëdija kombëtare me vonesë, vetëm kur i thërret turma, ashtu si thirri Uni Papunin, ku janë dhe pse shpesh këto skelete vërtiten në erë dhe na thërrasin për hakmarrje.


Në letërsinë shqipe, ashtu si dhe në letërsi të tjera, miqësitë me kafshët dhe me zogjtë, me pemët dhe toponimet janë në varësi të vendit, të florës apo të faunës së tij. Tek ne ka shfaqur marrëdhënie simbolike me bilbilin Naim Frashëri me poezinë adekuate apo Mjeda me Vajin e Bilbilit, Shiroka me dallëndyshen, apo Fishta me shqiponjën.

Zogu përgjithësisht simbolizon fluturimin si dëshirë, si ankth apo si realitet, pra zogu është ëndrra jonë për fluturim, veç kësaj, bilbili është edhe ligjërimi ynë i brendshëm i dëshiruar të dalë jashtë kafazit të doktrinave sllavo-komuniste, apo paradokseve të vetë ngujimit dhe vetë censurimit. Dallëndyshja nuk është thjesht ëndrra jonë për fluturim, ajo kthehet aty ku ka lenë folenë, ashtu si duhet të kthehen emigrantët tanë, kur marrin rrugën e emigrimit. Edhe pranvera dhe vjeshta e dallëndysheve tona apo e njerëzve tanë janë simbolike.

Pak më i ndërlikuar është problemi me shqiponjën, e cila nga njëra anë është një shpend perandorak, jo më kot perandoritë e mëdha si ajo ruse, bizantine apo prusiane kanë pasur në flamur shqiponjën, nga ana tjetër shqiponjën e kemi në flamur edhe ne, që jemi një shtet i përgjysmuar nga lakmia e fqinjëve dhe padrejtësia e fuqive të mëdha. Fishta ka zgjedhur shqiponjën sepse nga pikëpamja e vetë dijes ishte shqiptar me njohuri të thella dhe karakter të fortë, ashtu si kanë shprehur vetveten p.sh Mjeda, një nga njerëzit më të ditur të këtij vendi me katër universitete në vende të ndryshme të botës dhe me një dije për 12 gjuhë të huaja. Duke qëndruar brenda mureve të auditorëve, të konvikteve apo manastireve, të kishave apo të faltoreve, ai ndihej si bilbili i mbyllur në kafaz, që kënaqej me këngët e tij, por e shikonte edhe Shqipërinë si bilbili në kafazin e robërisë osmane: pra, një vend që aspironte lirinë.

Tri rrëfimet e "Ishullit të Vdekjes", që mund të lexohen apo mund të mos lexohen si një roman, pasi libri emërtimin zyrtar e ka trilogji janë : I. Në Ferrparajsë, II. Vrasja e Frikës, III. Fund Përbindëshash. Ja disa nga arsyet pse mund ta konsiderojmë si roman, megjithëse dihet që romani ka të njëjtët personazhe, bile mund të ndodhë që këta personazhe të shtegtojnë nga një vepër në tjetrën si tek Balzaku apo tek ndonjë epigon i tij i kohëve më të vona dhe shumë arsye të tjera, që krijojnë unitetin e brendshëm të një vepre artistike. Të dy emërtimet që përdorëm Ishulli i Vdekjes apo Ishulli i Ëndrrës në fillim të këtij shkrimi gjenden gjerësisht gjatë gjithë librit. Është e njëjta klimë terrori, frike, burgosjesh, apo vetë burgosjesh, izolimesh apo vetë izolimesh, vrasjesh dhe përgjakjesh të popullsisë të pafajshme vetëm e vetëm se janë të një etnie tjetër, pavarësisht se jetojnë në trojet e të parëve. Por edhe Ishulli i Ëndrrës del në të tre rrëfimet. Konkretisht në Ferrparajsë Plaku dhe Lokja ulen në dy anët e degëzimit të një druri të prerë, e pavarësisht tmerrit që kanë përjetuar gjatë gjithë kohës kundrojnë dhe u gëzohen këngëve dhe lodrimeve të fëmijëve të vegjël, që shkojnë e vijnë në shkollë, pra ata e kanë prekur Ishullin e Ëndrrës, i cili ka filluar të bëhet realitet, Ishulli i Jetës. Tek rrëfimi Vrasja e Frikës, protagonisti Uni Papuni, në fund të rrëfimit arrin ta thyej izolimin dhe frikën e lugetërve dhe të hijeve, që i vërtiten nëpër dhomë. Ai del në rrugë, përzihet me demonstruesit, e mposht frikën e policisë dhe të militarëve e thërret bashkë me të tjerët "Kosova Republikë", e pra dhe ai e kupton se Ishulli i vdekjes fillon të shndërrohet në Ishull të Jetës. Edhe tek rrëfimi i tretë, aty ku klima e vdekjes është edhe më e tmerrshme, kur përbindëshat ja hanë kokën njeri tjetrit, kur pasagjerët e anijes e kuptojnë se me kapiten të tillë të verbër nuk kanë për ta prekur bregun tjetër, pra duhet zëvendësuar. Është momenti që Ishulli i Vdekjes nga Ishull i Ëndrrës të shndërrohet në Ishull të jetës. Pra është e qartë që këto tre rrëfime mund të lexohen edhe si një roman-trilogji. Të tre ngjarjet ndodhin në ishullin e vdekjes.


Në faqe 12 paraqitet momenti ku ne mund të kuptojmë një nga idetë më të rëndësishme të rrëfimit të parë. Në Ferrparajsë është titulli, por këtu jemi vetëm në ferr, shpesh fetë janë njehsuar me pushtuesit dhe pushtuesit në mënyrë të programuar kanë tentuar ndërrimin e fesë të popujve të pushtuar, veçanërisht kur këta popuj kanë qenë fillikat. Ndryshe qëndron puna me popujt e familjeve të mëdha, si neolatinët apo sllavët p.sh. Pikërisht për këtë jepet një përshkrim i një akti ndërveprues, ku mbi sënduqet e drunjtë të mbushur me municione dhe armë kishte hipur dikush, që e kishte lidhur kokën me një fashë të bardhë, që e kish humbur shkëlqimin nga djersët dhe llumi, më pas .....

"ishte dëgjuar zëri i tij i thekshëm, ngjashëm me ulërimën e bishave anadollake...Ai zë, paksa i çuditshëm, i përzier me vaj e me trishtim, plakut i dukej si e pakuptimtë, e panevojshme....i po i vinte si nga përtej varret...." [2]

E më pas përshkruhet turma e njerëzve gjithfarësh, oficerë dhe ushtarë, robër, gra e fëmijë që njëzëri përsëritnin thirrjen e klerikut hipur mbi sënduqet e municionit duke përfunduar me një amin të përbashkët. Ndër ne në këto troje ku jetojmë me mijëvjeçar edhe pushtuesit, edhe fetë kanë ndërruar herë pas herë duke u shndërruar në instrument pushtimi..

Hershëm kemi qenë paganë, dhe emërtimet e vendeve tona kanë mbetur kryesisht pagane, bile edhe kur na kanë pushtuar, megjithëse kanë ndryshuar gjuhën, pushtuesi paganizmin e ka ruajtur, ç’domethënë p.sh. Kosovë, s'është gjë tjetër veçse emri i hershëm pagan Fusha e Mëllenjave. Edhe Shqipëria një emër pagan ka, pa numëruar me qindra e mijra raste anembanë trojeve tona. Ndër pushtuesit më radikalët në qëndrimin ndaj toponimeve tona kanë qenë sllavët dhe grekët, veçanërisht sllavët. Këtë e theksoj se emrat sllavë i gjejmë edhe në skajet më jugore të Shqipërisë, të vendosura me vulën e plumbit nga car Stefan Dush(m)ani. Ka ngjarë si shpesh në këto rrëfime,, që pushtuesi ka ikur e feja ka mbetur si një mallkim mbi ne, që na dëmton edhe pas theqafjes së pushtuesit. Evropianët nuk e thonë, por një nga shkaqet e mospranimit të Turqisë në BE me gjithë standartet e larta jetësore, apo të Kosovës Republikë nga disa shtete është pikërisht të qenët në shumicë myslimane. Ky faktor ka qenë pengues edhe në Maqedoninë e Veriut, edhe në Mal të Zi, apo në Luginën e Preshevës, apo në Bosnjë e Hercegovinë.. Duket e çuditshme, por fetë janë bërë palë edhe me pushtuesit e rinj, por me popujt e shtypur jo, ndryshe nuk ka se si shpjegohet pse klerikët myslimanë shpesh u kanë shërbyer sllavëve apo grekëve, natyrisht jo të gjithë dhe jo shumica, por dukuria nuk është për t’u shpërfillur, një nga faktorët ka qenë se ka rendur pas interesit, faktori tjetër se kanë qenë analfabetë.

Nga ana tjetër janë pushtuesit, që kanë sugjeruar edhe përçarjet fetare, në debatin mes ushtarakut me paleta të verdha dhe klerikut, është ushtaraku që sugjeron se jo të gjithë vendasit duhet të jenë të një feje "disa prej tyre duhet të kenë fe tjetër, kështu që të mos pajtohen mes vedi.... mandej le të vriten me njeri tjetrin"[3]

Që kleriku është i pashkolluar në krahasim me ushtarakun me paleta të verdha duket pasi nuk kupton shumë. Është ushtaraku që i tregon meselenë e miut, që i kishte shërbyer njeriut në vend të maces. Por autori këtu duke na lënë të nuhasim se edhe ushtaraku është një shpirtshitur prej këtij vendi, ne duhet të kuptojmë se ai është në rolin e miut të meselesë, që po vret e pret bashkëvendasit e tij.

Të gjithë pushtuesit dhe fatkeqësisht dhe të gjitha pushtimet fetare, paçka se ai vjen pas vringëllimit të armëve megjithëse ato mungojnë, të njëjtin qëllim kanë.

" Ngjyra e kuqe mbase i kishte bërë njësh të dy, shkaku i qëllimit të përbashkët, pavarësisht se mjetet nuk i kishin të përbashkëta, as mënyrat për arritjen e atij qëllimi....Tashmë as fashoja e bardhë nuk ishte e bardhë e as paletat e verdha nuk ishin më të verdha. E kuqja kishte shlyer gjithçka rreth tyre duke bërë që krejt ajo që shihej të shndërrohej në ngjyrë të trishtë gjaku..."[4]

Mjetet që përdorin pushtuesit e huaj, tradhtarët apo pushtetarët vendorë kundër popujve të pabindur shpesh mbështeten tek njeri-tjetri për të gjetur të keqen më të madhe e më të mundshme kundër qytetarëve, që nga kërcënimet e zakonshme me nxjerrje sysh, me shkulje thonjsh, me prerje kokash e deri tek veprimet konkrete, që arrijnë deri në skaje të lemerishme, si: sharrimi i njerëzve të gjallë si rasti i Mashkullorit, plakut të pashëm, truplidhur e sypatrembur, që shprehu dëshirën për të shpëtuar një fëmijë të rritur jetim, qoftë edhe duke sakrifikuar të birin apo veten.

Analogjia e popullit me skërrajat është një mënyrë për të kuptuar rrezikun që vjen kur torturat teprohen, pasi kështu kundërveprimi do të jetë më i fuqishëm. Le të krahasojmë dy thënie nga teksti, e para lidhet me faktin pse disa gjallesa ku përfshihen dhe skërrajat nuk ngordhin duke u prerë "sepse ashtu të grimcuara gjallojnë secila veç e veç ..." [5]

E dyta është momenti kur skeletet të radhitur njeri pas tjetrit janë të etur për gjak "Edhe mua, edhe mua më pihet gjak, nuk kam pirë një ditë të tërë, një shekull, hej! Gjak, gjak...më pihet gjak"[6], ishte shprehur i gjashti. Natyrisht në popujt primitivë ka pasur edhe kanibalizëm. Në botën e kafshëve ka edhe sot, mjafton të kujtojmë, që të gjitha qeniet detare ushqehen dhe rriten duke ngrënë njëra-tjetrën. E përdorin edhe Eskili edhe Dante Aligeri si shpagim të urrejtjes ose nga uria e skajshme. Por në këtë trilogji natyrisht ato kanë karakter simbolik, janë simbole, që lehtësisht deshifrohen e megjithatë vrasja e kundërshtarëve deri tek shfarosja e popujve kanë mbetur veprime reale johumane, që nuk i bëjnë nder qytetërimit të sotëm. Të gjithë popujve ju dhembin plagët dhe popullit tonë plaga e gjenocidit kundër popullsisë çame të Epirit pas vitit 1913 dhe gjenocidi serb në Kosovë në 1998-1999 mbeten plagë që do të na dhembin gjatë.

Një mënyrë barbare e përdorur kundër popujve, jo vetëm në Ishullin e vdekjes si epiqendër e kësaj trilogjie, pavarësisht sheqerosjeve apo pudrosjeve, mënyrave të stërholluara, apo thikave të mprehta është zhdukja graduale e ndërgjegjes kombëtare të individëve apo popujve. Kjo mund të ndodhë edhe prej dhimbjeve të mëdha, zhgënjimeve të brendshme, apo zhdukjes së fëmijëve, siç ndodh me babanë e Flijimit, që nuk mund ta shpëtonte të birin dhe humbi kujtesën, harroi edhe emrin, vendlindjen dhe të afërmit e tij dhe bredh si endacak nëpër botë, siç përshkruhet në faqen 54.


Veprimet e eksploruesve të kontinenteve të reja, që brohoriten për risitë që sollën bëjnë sikur nuk kujtojnë vrasjet barbare, plagosjet apo tjetërsimet që u kanë shkaktuar banorëve parakë të këtyre kontinenteve, si në perëndim ndaj popullsive indogjene ashtu dhe në lindje, në jug, pra në Australi apo në Polin e Veriut. Por ndodh që kjo të kryhet edhe me politikën e kulaçit jo vetëm me atë të kërbaçit, përmes joshjeve për emigrime, shkollime, ikjeve pa kthim etj. Mjafton të kujtojmë cila ka qenë harta e shtrirjes së gjuhës pellazge e cila është harta e saj sot tek bija e saj e vetme, tek gjuha shqipe. Mjafton të kujtojmë se ky gadishull ku jetojmë quhej më parë gadishulli Ilirik. Dyndjes sllave, pushtimet perandorake, copëtimi i kufijve, ndasitë fetare ndryshuan jo vetëm emrin e gadishullit, por kanë tentuar shumë herë të ndryshojnë emrin edhe Ishullit tonë të vdekjes, të ëndrrës apo të jetës. Dhe në këtë lukuni ujqish kundër nesh është vënë gjatë këtyre viteve të fundit edhe radha e gjatë e gazetarëve të papërgjegjshëm e mendjelehtë, që kanë qenë në shërbim të të tjerëve kundër popullit të vet. Me dhjetëra e dhjetëra herë këto vitet e fundit shpallen në gazeta si pa të keq kërkesat e vendeve të huaja kryesisht evropiane, por edhe ShBA, Kanadasë dhe Australisë dhe madje edhe Zelandës së Re për mjekë, infermierë, inxhinierë, ndërtues, vjelës prodhimesh bujqësore, kopshtarë, shegertë, në shtëpi apo lokale, që joshin dhe fatkeqësisht kanë pasur sukses në largimin e shqiptarëve nga të gjitha trojet tona kombëtare jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia Jugore dhe politikanët tanë janë bërë pjesë e kësaj çorbe, aq sa janë të gatshëm të pranojnë azilantë politikë dhe ekonomikë prej popujve të Afrikës mjafton që ata të ruajnë karriget.


Në kohë të vështira njeriu përveç se u trembet të tjerëve, që mund të jenë armiq të popullit të tij, konkurrentë apo kundërshtarë prej radhëve të popullit të vet, i trembet edhe vetvetes. Për ta vrarë këtë frikë, nuk është kaq e lehtë, veçanërisht, kur ti jeton vërtetë me bashkatdhetarët e tu, por nën pushtetin e një etnie tjetër që ka politikën, ushtrinë dhe policinë e saj dhe të detyron të jetosh me frikën e hijeve, lugetërve, apo kërkëllimat e skeleteve, me frikën e vetmisë, e braktisjes prej të tjerëve duke filluar nga braktisja e të dashurës, të dashurit, e gruas apo e burrit tënd. Këtu nuk e kemi fjalën vetëm për rrëfimin që lidhet me figurën e Uni Papunit, krijues ambicioz, intelektual egoist, i braktisur nga gruaja apo e dashura e vet. Gjithë struktura e shtetit që sundon, ty të shfaqet në ëndërr, të rrënqeth shtatin e të kall frikën me lugetërit dhe hijet, që duket se ta kanë pushtuar shtëpinë tënde. Duhen forca të shumëfishta, një kurajo rinore që t'ia dalësh, të vrasësh frikën, e kur këtë nuk e ke brenda vetes e kërkon dhe e gjen jashtë saj, burim i pashtershëm janë të tjerët, librat e tyre, bijtë e tyre, revolta e tyre dhe guximi për t’u ndeshur me përbindëshat e huaj. Dhe aftësia për t’ia dalë pavarësisht sakrificave, por kjo është një vepër që nuk të çon vetëm tek vrasja e frikës por madje dhe tek vdekja e saj, tek kurajoja për të jetuar me nder dhe dinjitet në vendin tënd.


Tek romani-trilogji “Ishulli i vdekjes” hasim edhe disa probleme që nuk i përkasin vetëm formës gjuhësore dhe artistike, por cënojnë deri diku vlerat e shumëfishta të kësaj vepre. Këto janë:

1. Probleme të shprehisë gjuhësore të përdorura pa kujdes apo nga mania për të qenë origjinal në gjithçka si p.sh: bisedonte me të si me ndonjë person të realtë- faqe 60, ndërkohë kur fare mirë mund të thuhej ndonjë person real ose ndonjë person konkret, pasi në gjuhën shqipe ky mbiemër nuk shpreh cilësi dhe nuk është i nyjshëm, ai shpreh veçori dhe është mbiemër i panyjshëm. Edhe fjala: "fotelja, në të cilën gjatë punës herë-herë pushonte më me ëndje se në shtrat”, faqe 61, pra kjo fjalë është jashtë fjalorit të gjuhës shqipe, pasi nuk ka rrënjë, është një krijim artificial, edhe tek shprehja "tashmë kujtoj se i kam të gjitha konturat e saj, që nga koka e gjer tek bishti.....", faqe 64, fjala konture , shumësin e bën konturet dhe jo konturat, ndërsa përdorimi i fjalës bishti këtu është pa vend, pasi femrat nuk janë dhi, dhe ky nuk është vetëm problem gjuhësor por edhe etik dhe estetik. Fare mirë mund të thuhej që nga koka e deri tek beli. Takatuken e mbushur përplot me fyshta, duhet me bishta, pasi nuk ka rrënjë në shqip në këtë trajtë etj.

2. Kemi bërë ndonjë vërejtje edhe gjetiu që fjalët keqësuese apo vulgare nuk i rritin vlerat artit e as nuk i shtojnë origjinalitetin. P.sh "Ti je ajo miza që nuk pate gjetur vend ku të shkërdhehesh...faqe 67. Ose "jo në majë të hundës, po në majë të k......!Ma rrofsh b....faqe 69.

3. Në përgjithësi me fjalët e përbëra prej dy apo tri rrënjësh që ndryshe quhen kompozita dhe në pak raste edhe në fjalët e prejardhura si rasti i Shuplakat që mbolla në kopësht/ Të përçudshme ma bënë lulishten.....fjala e përbërë në këtë rast që ka për rrënjë fjalën çudi, nuk qëndron si formim gjuhësor. Ajo duhet thënë të çuditshme ma bënë lulishten. Ndërsa fjalët e përbëra degëbishta, thonjëpiptha, kurtheshuplaka, fjalëkotat etj. kanë probleme fjalëformuese, ndërsa duarzezat u kalbën qëndron. faqe 66.


Në brendësi ka edhe probleme të pushtetit, të mbarëvajtjes së tij që do t’i klasifikoja si këshilla të mençura që shmangin kuvendet shterpe. Shpesh pushteti duhet modeluar, që forma e tij t’i përshtatet përmbajtjes së punëve dhe popullatave përbërëse. Po marr një shembull nga aktualiteti, tek ne Ministria e Arsimit dhe Bashkitë kanë ngritur organe të përshtatshme psikosociale për shkak të diferencimit social apo fëmijëve me veçori ndryshe në aspektin mendor dhe emocional, këto erdhën bashkë me kohën, por edhe format negative të modelimit të pushtetit veçanërisht kur kemi të bëjmë me pushtetet diktatoriale dhe sundimtarë të huaj apo pushtues, që në veprat e këtij autori në tërësi janë trajtuar mjaft mirë, pasi janë pjesë e përvojave të tij jetësore, krijuese dhe profesionale, gjejnë vend në gjithë veprën që po trajtojmë. Po të shikojmë kopertinën e librit para dhe mbrapa kemi dy portrete apo dy koka në basorelief dhe 6 forma të tjera pa një trajtë të përcaktuar. Të dyja kokat janë me sy të mbyllur, me ngjyrën e gjakut dhe të baltës ashtu siç i keqtrajton pushteti njerëzit në këto lloj sistemesh, por edhe 7 lugetërit, hijet, gjendja e tjetërsuar e ndërgjegjes, fobitë dhe tjetërsimet e personazhit kryesor tek Vrasja e frikës, e plakut dhe plakës në Ferrparajsë, apo pushtetarët që hanë kokat e njeri tjetrit tek Fund përbindëshash, të bindin se kjo temë është trajtuar mjaft mirë.


Në trilogjinë "Ishulli i Vdekjes" është e qartë për këdo që vdekja është kryefjala e gjithëçkaje, vdekja e shpallur apo e pashpallur, e parakohshme apo e lënë pas dore, e paralajmëruar apo e befasishme, me varr të panjohur apo e shoqëruar nga ceremonitë mortore ajo sërish mbetet vdekje. Kjo është dhe arsyeja pse kjo Ujanë emërtohet Ishulli i Vdekjes. Por ajo që tërheq vëmendjen është një problem ende i pazgjidhur ballkanik për të mos shkuar më tej dhe që lidhet me të vdekurit që nuk u dihet as varri. "Unë tashmë e kreva punën time me këtë person, tash e tutje me fytyrën e tij nuk do të kenë punë rrojtarët por krimbat.....". Dhe pak më poshtë në të njëjtën faqe është i vdekuri që flet:

"Askush nuk ma di varrin, askush....vdekja ime mbeti fshehtësi, bashkë me varrin tim mbi të cilin askush nuk vendosi lule të freskëta...mbi varrin tim vetëm qentë endacak pshurrin herë-herë..."[7]

Pa hyrë në shembuj dhe hollësi, në të gjitha trojet tona, kjo është një histori që përsëritet. Ka shumë arsye pse ndodh kështu, fshehja e vrasjeve ka disa “arsye” të paarsyeshme, edhe kur është fjala për palën kundërshtare, edhe kur është fjala për të vetët:

"E di se shpesh herë i kemi zhdukur pa gjurmë kufomat e palës kundërshtare me qëllim të fshehjes të krimeve dhe përgjegjësisë nga sytë e botës, por të fshehësh edhe viktimat vetjake, kjo disi ma turbullon mendjen...." "Për të mos humbur moralin para popullit vetjak, o torollak! Pastaj, a nuk janë krime edhe ato, a nuk janë krime edhe viktimat vetjake"[8]

Në se do të hynim tek shembujt, dyanshëm ato janë si drurët halorë të pyjeve pafund.


Në këtë vepër janë të kudondodhura edhe skenat e përgjimit, torturës, pushtimit, por dhe rezistencës

"gjenden kudo rreth meje djajtë, hijet, kuajt trojanë, skeletet, lugetërit...duan që ta pushtojnë përbrenda kalanë time, duan me çdo kusht ta pushtojnë para se të agojë mëngjesi,...... por jo nuk do t'ia arrijnë qëllimit, kështjella ime është e fortë, shpirti i saj me mijëra vjet u qëndron stoikisht sfidave të tilla misterioze me të cilat përballet pa rreshtur".[9]


Ajo që të tërheq vëmendjen këtu është historia e pushtimeve të kalave përbrenda. Kemi mijëra shembuj se si patrikanat kudo që ndodhen i kanë kthyer priftërinjtë dhe murgjërit në misionarë të djallit, i kanë joshur dhe blerë njerëzit pa karakter të fortë për të realizuar qëllimet e tyre përmes gjakut, shfarosjeve apo shpërnguljeve të popullatës duke u vënë tërësisht në shërbim të armiqve tanë. Kjo është e dhimbshme por e vërtetë. Po marr një shembull nga i ashtuquajturi Shën Kozmai, një shqiptar i krishterë nga krahina e Etolisë, afër Janinës, i përpunuar dhe shenjtëruar posaçërisht nga patrikana greke e Stambollit, i cili kudo që shkonte, kryesisht në fshatrat me banim shqiptar dhe arumun dhe synonte mbylljen e shkollave shqipe dhe hapjen e shkollave greke, se gjoja greqishtja ishte gjuha e shenjtë. Për këtë ai ishte i paguar dhe i gatshëm, që të kthente edhe kishat në shkolla. Të njëjtën rrugë kanë ndjekur edhe sllavët në veri. Ndryshe nuk mund të shpjegohet kthimi i shqiptarëve katolikë në maqedonas ortodoksë në serbë apo malazezë ortodoksë.


Nuk janë të rralla rastet kur puna e njerëzve përgojohet, qoftë edhe nga xhelozia, apo verbëria, nga të njohurit apo të afërmit. Si dukuri psikologjike, kjo është disi e errët. Pasi është luftë brenda llojit dhe krejt këto të ndodhin vetëm e vetëm se nuk deshe të bëheshe si ata... vetëm e vetëm se deshe të ecje vertikalisht, pa ju përkulur askujt, pa u shndërruar në zvarranik, në servil, pa u bërë sahanlëpirës e gishtalëpirës si shumë të tjerë të cilët, kohëve të fundit, madje edhe i prijnë popullit duke i ngritur vetes përmendore kartoni, siç shprehet autori në fund të kësaj rrëfenje.


Procesi i zgjimit të vetëdijes nuk është as i lehtë, as me një kah, nuk është çështje moshe, gjinie apo pozicioni social, është një proces i ndërlikuar, që ka varësi nga shumë faktorë, nuk mund të injektohet lehtë dhe nuk mund të zhbëhet kollaj. Ky zgjim mund të jetë edhe rastësor, edhe i befasishëm, siç ndodh rëndom me gjenitë, por nuk është i pamundur për njerëzit e zakonshëm, bile dhe për fëmijët me aftësi ndryshe. Protagonisti kryesor i rrëfimit Vrasja e Frikës zgjohet një prej ditëve, pas tmerreve me lugetër dhe hije me dëshirën për të dalë në qytet. Dhe dëgjon thirrjet e studentëve dhe qytetarëve: -Liri demokraci, Na lironi shokët nga burgu, Duam shtetin tonë, Duam bashkimin e trojeve tona etnike, Poshtë diktatura, Vdekje tradhtarëve etj., ndërkohë vlonin dhe këngët patriotike, por vjen një çast, që bashkë me zërin e të tjerëve, dëgjohet dhe zëri i tij.


"Nuk ishte e mundur të bindej, se krejt ajo që e kishte përjetuar për aq kohë, do të mund të ishte diçka, që do të mund të prekej me dorë e të përjetohej me shpirt.... Për herë të parë në jetën e tij po e përjetonte një gjë të tillë, të cilën deri para pak kohësh nuk kishte mundur madje as ta paramendonte".[10] Fq 114.


Ky është modeli i zgjimit të ndërgjegjes revolucionare, por fatkeqësisht edhe i së kundërtës, përndryshe nuk mund të fitonin regjimet fashiste apo komunizmi i tipit sllav, që u hap si farë e keqe në gjithë Evropën Lindore dhe në Indokinë. Për të mos folur për bëmat e ngjitjes në pushtet dhe masakrat e Milosheviçit ndaj popujve të pafajshëm në Bosnjë, Kroaci apo Kosovë. Apo degjenerimin e revoltave që nxiten prej bandave keqbërëse, partive politike apo keqpërdorimit të pushtetit si rasti i fundit në Kapitol në ShBA. Përbindësha nuk janë vetëm ata që vijnë si pushtues, por shpesh edhe vendorët që ngjiten në pushtet dhe shesin gjithçka për hir të këtij pushteti si njeri-tjetrin, familjen, vetveten po se po. Tek rrëfimi Fund Përbindëshash për të cilin kemi shkruar më parë në nivele të ndryshme, flitet edhe për disa dukuri që vijnë bashkë me ngjitjen në pushtet. P.sh. aftësia për të ligjëruar qoftë edhe fjalë boshe. Vini re p.sh. fjalimet e liderëve politik në fushata zgjedhjesh. Gjallërimi i instikteve shtazarake që kanë qenë si sytha të fjetur e tani bëhen gjemba, aftësia për ta vrarë tjetrin hapur, në mënyrë demonstrative e për ta shitur këtë vrasje si aftësi, si guxim e forcë karakteri. Nuk ka nevojë, që të thuhet apo të trajtohet gjithçka, pasi në vitet e fundit dhe në ditët tona përbindëshat dhe monstrat i kemi përditë në ekrane, shpesh pushteti shet edhe të vetët:


"Derisa t’i duhesh dikujt të ruan, kujdeset për ty, të jep premtime, qoftë edhe aso boshe, të gënjen, shtiret se të do, dhe në fund të ha edhe kokën..... Njësoj, si këtij demi që do t’ia hanë kokën për darkë!"[11]


Vetëm femrat me karakter të fortë mund tua dalin mbanë kurtheve të pushtetit. Të tjerat si rregull vetëm përdoren prej tij, për të shuar epshin, për t’i shtrydhur e mandej për t’i flakur dhe pastaj kanë kurajo, që këtë ta quajnë .. Shpirtushka p.sh, që është në pozicionin e shërbyeses të "tryezave qeveritare", ku krerët hanë kokat e njeri-tjetrit ndodhet atje vetëm të shuaj epshet e të gjithëve, por pa e marrë vesh për njeri-tjetrin e mandej t'ju bëj qefin se ndjehej e kënaqur, kur në të vërtet ndjente neveri.


Një problem tjetër madhor që shtrohet në këtë vepër është se cilët janë ata që ngjiten në pushtet. Në pushtetet qendrore ngjiten karakteret e forta, pavarësisht shkollimit, ata mund të jenë dhe analfabetë si Kapiten Anija apo Ali Pasha, mund të jenë dhe poetë si Karaxhiçi. Në pushtetet dytësore ngjiten matrapazët dhe servilët, ndryshe bimët kacavjerrëse si rrushkulli që u bëhet bela lisave në Syrin e Kaltër. Një zgjidhje ka, preje burimin ku pinë ujë, ose përmbys ata vetë. Nëse vepron kështu ky ishull vdekje fillon e bëhet Ishulli i Jetës!

Top of Form


Top of Form


Bottom of Form



[1] Mexhid Mehmeti, Ishulli i vdekjes, faqe.2 [2] Mexhid Mehmeti, Ishulli i vdekjes, faqe. 12-13 [3] Mexhid Mehmeti, Ishulli i vdekjes, faqe. 21 [4] Mexhid Mehmeti, Ishulli i vdekjes, faqe. 27 [5] Mexhid Mehmeti, Ishulli i vdekjes, faqe. 44 [6] Mexhid Mehmeti, Ishulli i vdekjes, faqe. 49 [7] Mexhid Mehmeti, Ishulli i vdekjes, faqe 91 [8] Mexhid Mehmeti, Ishulli i vdekjes, faqe 92 [9] Mexhid Mehmeti, Ishulli i vdekjes, faqe 105 [10] Mexhid Mehmeti, Ishulli i vdekjes, faqe 114 [11] Mexhid Mehmeti, Ishulli i vdekjes, faqe 125

80 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page