top of page

Ironia e thekur e kolegut Sefulla Kata


Ironia e thekur e kolegut Sefulla Kata


Prof Dr Fatmir Terziu


Unë e kuptoj drejtëpërdrejt të shkruarën e Sefulla Kata-s. Dhe kjo nuk është hera e parë që e lexoj në këtë mënyrë. E lexoj kështu, edhe pse shkrimet e tij “krijuese’ në jo pak herë janë plotë ironi. Vetë Fjalori i Oksfordit më shpie ta lexoj ndryshe, por unë nuk e di pse kërkoj ta lexoj me themelinë time. I trashi i Institucionit Botëror më thotë se "Ironia" përshkruhet si "shprehja e kuptimit të dikujt duke përdorur gjuhë që normalisht nënkupton të kundërtën, zakonisht për efekt humoristik ose emfatik". E unë ngul këmbë në timen. Si të mushkës më thotë truri. Por, mushkë nuk kam pasur ndonjëherë unë, jo e jo unë, se unë u rrita në kushte të tjera, as trungu im, pasi mushkat I kanë urryer, dhe me sa di unë Terzinjtë e hershëm kanë pasur kuaj. Kuaj madje disa… Një karvan të madh që ushqehej dhe mbahej mirë se u furnizonte Dyqanin e tyre të hershëm, atë Dyqan të madh, që kishte shitur edhe “minere” (mindere) të mëdha ku ulej men(d)erja e atyre që frynin mustaqet dhe mjekrrat e kohërave. Eh, 'mineret' e asaj kohe, eh. Eh, men(d)erja e asaj kohe… Por të paktën me-nderja kishte një kuptim… Sot?!

Duke lexuar ironinë e thukët të Sefullait, ajo është e prekshme që në meneren e vogël të nipit që me sa duket do vite e vite të gatitet të ulet, pra derisa ai të ketë këshillat e duhura kur “të kesh mbaruar shkollën e lartë, masterin dhe doktoraturën”, se sikurse i thotë autori i kësaj këshille ironike, “ Për kopshtin, kolegjin dhe gjimnazin nuk kam ç’të të them sepse për këtë periudhë do kujdesen mami dhe babi dhe ata dinë ta bëjnë më mirë se unë këtë punë.“ (Po aty: lexoje tek: https://www.fjalaelire.com/post/porosi-p%C3%ABr-nipin-tim-t%C3%AB-shtrenjt%C3%AB) Dhe më tutje më duhet të shkund përsëri të Trashin, pra kapakëmadhin e Oksfordit të rikujtoj se „Për shembull, kur ngjarjet në një histori duket se janë rregulluar nga një qenie djallëzore ose dashakeqe, dhe ngjarjet përfundojnë në një mënyrë që dëmton individin keqdashës, historia ka ironi. Këto ngjarje ironike kanë një tërheqje të fuqishme për lexuesit.“

E kështu shkund kokën. Fajin ma ka koka i them syve që ngulen si të shastisur. E aty e gjej se një kokë plotë është fare kot?! Pse?

Sepse sikurse lexohet dhe këshillohet nipi nga Sefulllai „Para se të kërkosh punë në profesionin për të cilin do të kesh shtrydhur trutë për vite me radhë, trokit tek zyra më e afërt e partisë në pushtet dhe mos dil prej andej pa teserën e antarësimit në parti. Personave që do të kenë nderin të të presin, premtoju se do të jesh gjithmonë i gatshëm dhe shërbëtor i përulur i partisë. Thuaju që 24 orë në ditë do t’i shërbesh partisë, kurse pjesën që të mbetet do ta vësh në shërbim të vetes dhe familjes. Pasi t’ua kesh thënë të gjitha këto, si me marifet, hidhua fjalën tek puna që kërkon. Mos u thuaj që ke dalë me rezultate të shkëlqyera se ata vetë nuk kanë pasur kohë të shkollohen dhe bëhen xhelozë për rezultatet e tua e të përzënë pa një pa dy. Pastaj prit! Prit gomar të mbijë bar.“ E prapë tek gomari? Po a nuk është ky dreq babai i mushkës? E ku e gjeta unë këtë?! Ah, more Sefulla intelektuali, shkrimtar i thukët, dhe spe nuk ke vepra të trasha, kjo e holla e shkrimit tënd do kujdes në këtë mes.

Ti thua se „Që t’ia vësh majën mullarit, shtëpinë merre ngjitur me atë të kryetarit të partisë.“. Këtu të kundërshtoj. Sinqerisht jam kundra. Unë me sa e di këta sekretarët e sotëm e kanë atë që quhet Vilë diku në Surrel, Gjirin e Lazit e jo në Rilë? Në Rilë janë ata që ende e kanë kohën diku pas dhe kur u vjen 'kaka' si e nipit janë të lirë të shkojnë në natyrë. Ndaj më shkunde… Më shkrive duke qeshur dhe pse dukem në këtë shkrim i heshtur. Ja që dhe nipi, sikurse dhe shkrimi, bëri të njëjtën gjë, sikur paskeni qenë nga Derë Rrënje e të Fisme? Me siguri kështu jeni. Ndryshe nuk do të ishte një Ironi kaq e bukur: „Hë more çamarroku i gjyshit, si thua? A do të bësh siç të tha gjyshi kur të rritesh? Se shoqëria që kemi sot, e tillë është. Po nuk ia zure, ta zuri. ( Doja të përdorja një folje tjetër por kisha frikë se e mësoja nipin me fjalë të pista).“ Ndoshta më e bukur se kaq ku mund të ishte: „-Gjyshi!- u përmend nipi. Kaka. Dhe uli përsëri sytë.“

Dhe këtu m'u kujtua diçka tjetër…sigurisht nga Ironia… “Kur dikush që synon të bëjë diçka të mirë për dikë përfundon duke e dëmtuar atë në një farë mënyre.“ Po sikur të ndodhte ndryshe me nipin kur të kërkoi fjalën e fundit? Ore, koleg i nderuar, ore Sefulla Kata, si t'ia bëj këtij Fjalorit të këtij vendi kur më thotë „Kur dikush që dëshiron të bëjë diçka të mirë për veten e tij, bën diçka të mirë për një tjetër, veçanërisht nëse përfituesi është një armik.“ U mundova të gjeja ndonjë armik, por nuk munda. Edhe në kohën e minerëve, (mindereve) hyra thellë në memorje, edhe në këtë kohë të Kolltuqeve dhe Kolltukofagëve por e kisha të vështirë. E po, thashë me këtë punë shkoj më tej se një të shtunë, më shumë se një mesele me mushkë e më shumë se një të mbarë në një kohë që kërkon të të bëjë gomar, sepse gjithnjë sipas këtij të Trashit të Mençur, Fjalorit të Oksfordit „Kur një person që dëshiron të dëmtojë një tjetër dëmton veten.“ Mos vallë i nderuar mik ke dashur ta dëmtosh atë nip, duke e bërë një herë 'armik' të partive, dhe një herë …“ Ore, mos po e dëmton veten kur zbulon sheshit këto marifete që vetëm nën dhé... treten?!

43 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page