Intersektime filozofike me ngjarje reale
( Shënime kritike mbi librin “Saranda - në ditë përjetësie”, të shkrimtarit Robert Martiko)
Vuajtja dhe dhimbja janë gjithmonë të
detyrueshme për një ndërgjegje të gjerë
dhe me zemër të thellë. Kam përshtypjen
se njerëzit me të vërtetë të mëdhenj duhet
të ndiejnë trishtim të madh në botë.
Fjodor Dostojevskij
Libri ese i Robert Martikos, i botuar në Durrës, pasi kaloi një itinerar të çuditshëm, më erdhi në duart e mia nga Saranda, me anë të shkrimtarit, piktorit, mikut tim të hershëm Kostandin Vogli, e më pastaj ai i dha Pol Milos dhe ai ma dha mua.
Jam me librin ese “Saranda - në ditë përjetësie”, një libër i veçantë në mënyrën e të shkruarit ku narracioni njeh shtigje të reja. Këto shtigje do t’i kishte zili kushdo shkrimtar i ditëve tona, ndoshta dhe të mëpastajme. Por unë jam befasuar nga mënyra se si Robert Martiko sjell para lexuesit një Sarandë të ditëve të shtatorit të vitit 1943, ku në qendër të ideve janë veprimet e partizanëve me forcat italiane që ishin në kapitullim, por që nuk e dorëzonin qytetin. Ishin Dino Martiko, dhe Avdul Hakiu që ditën të arrijnë marveshjen e vetme të atyre kohëve, që ta marrin qytetin pa gjakderdhje. Kjo është dhe ideja themel që Robert Martiko e ka ngritur në artin e tij narrativ.
Më duhet që të ritheksoj fjalët që vetë Robert Martiko ka shkruar për këtë libër në një artikull te gazeta “Rrënjët” që botohet në Itali:
“Si autor i kësaj eseje dalloj dy gjera mjaft themelore në një histori të mbushur me ngjarje dramatike të cilat tashmë i përkasin të kaluarës. E para është shpirti që mund të fitojë një qytet, qoftë edhe përkohësisht, kur bëhet fjalë për mbrojtjen dhe dashurinë që mund t’u ofrojë njerëzve në nevojë. E dyta është se nën një drejtim individësh të rrallë me mendje të hapur e konstitucion të fortë shpirtëror, gjërat marrin tjetër drejtim.”
Dhe vërtetë themelet e kësaj eseje janë gurë të lidhur me tharmin e stilit të Robert Martikos, i cili ka ditur që pas çdo ngjarjeje të atyre pak ditëve në Sarandë e në Shënvasil, të sjellë idetë filozofike herë nëpërmjet alteregos së tij, Grigorit dhe herë nga personazhet e paktë të këtij libri të veçantë. Në libër del figura e Dino Martikos, ku skanimin e plotë të shpirtit të këtij heroi të vërtetë e bën Thanas Gjika në fund të librit.
I gjithë libri “Saranda - në ditë përjetësie” përshkohet nga laitmotivi i forcës së shpirtit absolut në jetën tonë. Dhe gjithçka rrotullohet në jetën e përditshme - ashtu siç tregon personazhi Grigor - në realitetin qiellor, në arsyen Heterogone, Misterin e të papriturës, të padukshmes dhe përfundimisht në shpirtin absolut.
Po të mos ishte ky shpirt nuk do të ndodhnin ngjarjet e atyre ditëve tronditëse në Sarandë, e ky shpirt ndodhej edhe nën petkun ushtarak të Elio Betinit, komandantit të garnizonit ushtarak të qytetit, i cili pranoi që në Sarandë të mos derdhej gjak.
Robert Martiko, me këtë libër arrin të hedhë të qarta si drita e diellit, idetë e tij mbi filozofinë si udhërrëfyese në zhvillimin e shoqërisë, një filozofi që është me këmbë në tokë, e kuptueshme jo vetëm nga të bëmat e të thënat e Grigorit, por dhe nga fshatarët shëvasjotë që e dëgjojnë dhe që e kuptojnë.
Ky libër ese, më kujton pak a shumë librin e Viktor Hygoit, “ Shën Maria e Parisit”, që ai bën personazh katedralen dhe gjej një paralele ku Robert Martiko, personazh kryesor sjell botën e domosdoshme shpirtërore të njeriut, e për këtë dëshmojnë shembujt me ngjarjet e veçanta të atyre ditëve të shtatorit të vitit 1943 në Sarandën e vogël që u bë aq e madhe shpirtërisht.
Dikush mund ta quaj këtë libër të ri të Robert Martikos si libër historik, si libër publicistik etj..., por ai është një roman ese ku ndrijnë njerëz me shpirt të madh, me shpirt që rrezaton mirësi e zhvillim pozitiv, jo vetëm në ngjarjet e çastit por në vazhdimësi jetësore.
Të shkruash për partizanët e Sarandës nuk është fort e kollajshme në tërësi, por për penën e Martikos ka lehtësi tek portretizon dy prej tyre, e më kryesorët mes tyre, Jaho Gjolikun dhe Avdul Hakiun. Por autori shkruan edhe për fshatarët e tij si Vangjel Vogli, Sokrat Jakubini e të tjerë dhe mund të them se këto ngjarje të Sarandës në ato ditë shtatori pak janë trajtuar nga publicistika e ethshme shqiptare e pas ’90- ës.
Robert Martiko me një kujtesë të admirueshme për jetën në fshatin e tij e në Sarandë, sjell njerëz dhe ngjarje të kohës të treguara nga i ati, por edhe të mirë jetuara nga vetë Roberti.
Këta njerëz, shqiptarë e italianë jane ne nje peshore te shpirtit, ku nuk mund të rri pa përmendur dhe italianin Xhiankarlo Pireda, drejtor i bankës së Sarandës, shpirti i të cilit rezononte me atë të shqiptarëve. Kështu, i parë në vështrimin struktural të këtij romani - ese, ngjarjet e asaj Sarande janë shkak që Robert Martiko të shpërndajë idetë filozofike aq ai mbart në shpirtin e në mendjen e tij.
Jo më kot autori në këto përsiatje sjell aspekte apo ngjarje të cilat marrin rolin e artificës narrative për të katalizuar idenë bazë. Janë bisedat filozofike dhe përsiatjet që sjellin kulturën egjiptiane apo pjesë të mitologjisë greke që hyne paralel me mendimet e personazheve të librit. Janë ngjarjet dhe eksperiencat historike të francezëve dhe rusëve në përplasjet e tyre të mëdha që mbajnë lart emocionet te libri “Saranda - në ditë përjetësie”. Dhe si për t'i dhënë më shumë ajër të freskët ideve të tij, Robert Martiko sjell si diell ndriçues kulturën e sotme perëndimore europiane.
Në komentet e veçanta që Robert Martiko hedh ne faqet e facebook-ut shkruan dhe këto pasazhe kuptimplotë:
“Më parë duhet njohur se çfarë është Rilindja Shpirtërore, e cila fillon të lejojë rigjenerimin e vijueshëm të Kohës, Shoqërisë, dhe pastaj të zhvillohen të gjitha llojet e Arteve. Për këtë, në Shqipëri, historikisht nuk ekziston as ideja. Diku e përmend si koncept vetëm Dora D'Istria. Ky fakt vlen jo vetëm për Shqipërinë por për të gjitha vendet e botës. Kur i bëj pyetje konkretisht ndonjë profesori, regjisori apo muzikanti me famë në Shqipëri, nuk mund të përgjigjen. Fshihen!”
Autor i pesë romaneve dhe një novele e një monografie për Lasgush Poradecin, ai është pikërisht romancieri që reflekton ide, ku ngjarjet dhe personazhet jane në funksion të zgjidhjes së ekuacionit mbi kuptimin e botës dhe kohës që jetojmë.
Ja një koment nga analiza që kritiku, poeti dhe shkrimtari Shpend Topollaj ka bërë për romanin e Robert Martikos “ Përjetësi pa kohë”:
“Lexon aty dhe dashje pa dashje të parakalon në sheshin “Dëshmorët e Kombit” rradha e Politbyroistëve tanë, me kriminelin “legjendar” E. Hoxha në krye. Dikur si derra të kënaqur përshëndesnin turmat me kapelet e tyre republike e lule ndër duar, pa e shkuar kurrë ndër mend se do të përfundonin pas intrigash, që i kishin përdorur vetë me të tjerët, me ndonjë plumb pas koke dhe pa varr. Askush nuk ka pse të çuditet as me triumfin e komunizmit, i cili gjen shtrat, atje ku ka varfëri e injorancë, atje ku as që kishin dëgjuar ndonjëherë për zengjinët e pamoraltë Marks e Engels, dhe as me mizoritë e atij sistemi.”
Fakti që Robert Martiko ka zgjedhur gjininë e romanit ese është më se e drejtë. Vetë kjo gjini lindi si nevojë e revoltës të disa shkrimtarëve europianë që u tronditën nga shkatërrimet e luftës së parë dhe të dytë botërore. Edhe Roberti është për një botkuptim të ri të botës shoqërore të shqiptarëve pas komunizmit; ai është për një botë të njerëzve me botë të madhe dhe të kultivuar, në mos me dije, të paktën me ekspriencën e shoqërisë europiane ku shkojnë e vinë përditë.
Prandaj ai i trembet shkatërrimit të shpirtit, shkatërrim më i fuqishëm se ai që sjellin luftrat. Ai përmes romanit-ese “Saranda - në ditë përjetësie” kërkon heqjen e drejtëzave paralele duke shpresuar në takimin e tyre drejt një kulmi të kulturës së vërtetë shpirtërore mesh shqiptarëve!
Lum kush e kupton idenë e Robert Martikos!
Durrës gusht 2023
Comments