top of page

Imagjinoni këtë… Zëra nga të largët, zëra nga të afërm


Imagjinoni këtë… Zëra nga të largët, zëra nga të afërm

Dr Fatmir Terziu


Imagjinoni këtë. Jo më kot kjo pamje e errësirës me një skicim në të fjalët sjellin e qasin “dëgjo zërat që këndojnë këngën tuaj”. Pra duke e ndjerë atë jeni pjesë e një imagjinate, që riskon me jetën dhe vrullin e saj që nga fëmijëria. Më tutje, më herët, që nga dëgjesa zanafillëse e fjalës së urtë të gjyshes, që nga ninulla dhe dora e butë e shoqëruar me të “keqen nëna”! Imagjinoni! Ju ngriheni mëngjeseve, bini netëve dhe përsëri bëheni pjesë e monotonisë. Ripërsëritje. Rutinë. Agravim kohe. Agravim zërash. Shushatje. Imagjinoni! Ju ngriheni një mëngjes ndryshe. Dhe në atë mëngjes gjeni vetveten në një botë të madhe. Në një botë me llafe. Në një botë poterash. Në një botë pa ndalesë.

Thirrje!

Dhe vetëm thirrje!

Dhe në këtë rrandallje, arvallisje pafund, kuptoni se ka një zbrazëti gjithkund. Një zbrazëti dhe një joekzistencë. Ju nuk e ndjeni dhe nuk e njihni asnjërën. Madje dhe nuk pikëtakoheni. Hapësira ju prezanton ngadalë mes kësaj bote, shukama, shushatje, dhe mbi të gjitha zëra. Zëra nga të largët, zëra nga të afërm. Zëra nga të gjallë e zëra nga të ikur nga ajo botë. Dhe si shkundeni menjëherë diktoni se nuk njihni askënd. Nuk dini gjë për përmasat jonormale të asaj bote. Në atë botë ka njerëz, ka nga ata që keni njohur, që njihni përditë, ka anëtarë të familjes, miq të letrës dhe të penës, të dashur, kolegë, ka dhe të panjohur, të tjerë të pakualifikuar në ndonjë stendë të memorjes apo fjalorit.

Të tjerë! Imagjinoni. Dhe vjen një trokitje. Një trokitje me zëra në lexim e sipër. Në lexim nga “Poema e ikjes” e poetit Aqif Hysa, në lexim nga “Rapsodi të një poeme arbëreshe” me përshtatjen e Agim Matos, dhe më tej me një lexim të Nokes, Novruz Abilekaj, duke vizituar një “Tempull dashurie” ku natyrshëm “Pushteti i Mitit” me zërin shqip të Faruk Myrtaj kërkon të bëjë ndjesinë e rastit me botën e plotë dhe aktive të Izet Durakut në një qasje jo rastësore të tij me Xhevahir Spahiun, apo dhe me Noke AlibekajnRexhep Shahun, Vasil Vasilin, Pirro Lolin, Moikom Zeqon, Agron Tufajn, Preç Zogajn, e tutje me zërat kurativë të leximit. Këto janë zëra librash. Bota është e plotë. E plotë si një hapësirë aktivitetesh: konflikte dhe tërheqje mes zërave në qasje letrare, seduktivitete, festime me dashuri dhe urrejtje, ngritje dhe ulje mentale, zgjime. Dhe në një zgjim të tillë zërat vetëkuptojnë se këtu në këtë botë, nuk ka dalje, nuk ka rrugë, se të tillat janë shushatur, janë mbyllur, janë gardhuar.

Gardhe me zëra.

Gardhe me zëra të ardhur nga zërama kulturore e kohës. Këtë zëramë që e kemi pranuar me heshtjen tonë. Këtë zëramë që e kemi ligjëruar me tërheqjen tonë. Imagjinoni! Kjo botë nuk është ajo që keni zgjedhur. Që keni shkruar. Që keni premtuar. Ajo është në një konditë tjetër. Konditë të shthurrur. Hapësirat e saj janë mbushur me mjaft zhurma dhe sharrje, me mjaft ofendime, me mjaft teka dhe tekanosje. Me mjaft paaftësi. Se i paafti ngrihet në majë, se i tilli flet si akademik në konferenca studentësh, kur dihet se ai nuk ka asnjë lidhje me ta. Asnjë lidhje. Dhe hapësirat e asaj bote janë mbushura me plot mashtrime, ofendime, por që duhen në ndonjë rast. Duhen. Imagjinoni! Kjo botë e shthurrur pa një të sharrë të hapur. Pa një të sharrë nga rrënjët! Imagjinoni! Pa një Fishtë. Pa një të tillë të trishtë.

Imagjinoni. Një ditë ju hyni më tej në atë botë. Shkriheni vetvetiu për atë botë. Dhe i keni bërë të gjitha lavdet, e keni ngritur në qiell dhe vetëm një herë, vetëm atëherë që ju ndjeheni ndryshe, jeni harruar. Keni mëkatuar?! Dhe një ditë ju depërtoni më tej në hapësirën e panjohur të asaj bote. Dhe gjeni “Drita”, “Zëri i Rinisë”; e ndoshta dhe zëra të tjerë të flasin me zërama. Zërama që e bëjnë atë botë bosh. Hapësira është si dhe bota e saj boshe, por janë zërat që duket sikur fërshëllejnë vetëm në veshët tuaj. Janë zërat! Imagjinoni dot se ku ju shpien? Ju ndjeni vetëm disa, por jo rrugëtimin e tyre deri tek veshët tuaj. Nuk ua kuptoni destinacionin. Nuk ua kuptoni gjuhën. Ata flasin e flasin. Të panjohurit flasin për botën. Të njohurit për veten. Të gjithë flasin për hapësirën. Flasin për të gjithë aty, për të gjitha gjërat. Flasin mjaft pak për atë që ka ndodhur, mjaft pak për atë që po ndodh, aspak për atë që do të ndodhë. Imagjinoni. Përpara syve të del zëri i Faruk Myrtaj, dhe e kuptoni pse? Del “Ndershmëria vetëm” me kallëzimin së motrës se “Në të vërtetë nuk ishte lojë, ja, po ta them ty motër kësaj dite, pas më shumë se gjysëm shekulli, nuk ishte lojë, as nga ai as nga unë… së paku nga unë jo, nuk gënjen njeriu në ditët e fundit të jetës… Ishte një lloj shakaje, një grishje për të luajtur…”. Dhe përsëri zërat njësojnë Zija ÇelënTimo Mërkurin, Ardita Jatrun, Petrit Rukan, duke folur për gjëra të njohura e të panjohura për ju. Kur fap detyrimisht qaset Pëllumb Kulla, mes zërave të lënë atje tutje pas oqeanit. Zërat flasin me gjuhën e Kullës, për imoralitetin e botës. Zërat rigajasen me botën. Zëra. Imagjinoni atë botë pa zëra. Imagjinoni. Disa janë maliciozë. Disa të dashur. Disa plot humor. Disa janë mjaft të dhimbshëm. Por mjaft zëra janë zërat kur vijnë në turmë. Zëra që vijnë bashkë. Këto zëra të bëjnë të rishikosh distancën e asaj bote. Imagjinoni kur e rivizitoni atë botë.

Imagjinoni. Imagjinoni zërat e Arqile Gjatës “Në fushën e shahut”, zërat e Grigor Jovanit“kjo botë kështu” ku “Ç’është kjo botë kështu,/ku njerëzit për Perëndi njohin Gënjeshtrën,/ku vetëm kjo ka vlerë në këtë Fermë të pështirë”. Imagjinoni pastaj tutje Vaid Hyzotin, Roland Gjozën. Imagjinoni Ilirjan Zhupan, imagjinoni zërat që vijnë në disa kohë mëmëdheu nga Agim Shehu. E në këtë mjedis itinerari i zërave ka dhe një emër tjetër. Është zëri që ju fton të vizitoni botën e leximit herë pas here. Aty do të gjeni të kërrusur Iliriana Sulkuqin, që natyrshëm sjell mendimin se zërat kanë vetëm dashuri, pak dhimbje, pak urrejtje. Dhe ndjeni se në atë hapësirë shkojnë pak vetë. Mjaft të tjerë e sjellin atë botë mes lakuriqësive të rrjeteve sociale. Imagjinoni. Sa e ulët ajo botë. Ajo botë lakuriqe! Ajo botë zhgënjyese. Ajo botë pak e rrëndësishme. Tani imagjinoni veten se jeni përsëri atje. Atje tutje mes lakuriqësive të fjalës shqipe. Atje…Zërat dridhen. Gjuha shqipe lëkundet.. ju nuk zgjoheni dot. Ju në fakt jeni zgjuar me sytë ende të mbyllur. Jeni mes zërave si në mitet e Joseph Campbell, që i solli në shqip Myrtaj. Dhe aty zanafillja shkund vetë zërat. Zërat e literaturës. Zëra nga të largët, zëra nga të afërm.

Zërat e literaturës, ato pra zërat, janë gjëra, zëra të shoqërisë sonë, ku me shumë arsyetime sekrete në kryet tona, ne mund të dëgjojmë pështjella të folurash rreth të gjithave, rreth hapësirave, botërave, në rrugë të mundësuara. Kudo ku ka zëra të tillë, zëra, natyrisht sado të shuhen, ne ndjejmë se na lartësojnë, na bëjnë të dëgjojmë edhe atë që kemi memezëruar vetvetiu.


16 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page