Idris Dermyshi: Kalërim vlerash
- Mar 30
- 5 min read

( Rreth romanit “Çili” të shkrimtarit Hasan M. Shahinaj )
Çili i Hasanit nuk është Pegasi grek, me krah që fluturon si era, nuk është Gjogu i kreshnikëve të Jutbinës, nuk është kali i zi i Aleksandrit të Madh, që nuk humbi asnjë betejë. As kali i Skënderbeut që vdiq i pangrënë ,si dëshmi besnikërie ndaj pronarit të vet.
Kali, kafsha fisnike, bashkudhëtare e njeriut qysh nga prehistoria 900 mijë – vjeçare, nuk ndahet nga njeriu edhe në kohët moderne. Në Luftën e Kosovës ‘89 – ’90, shkonin nga Shqipëria në zonat e minuara 60-70 kuaj me municione dhe asnjeri nuk ra në mina.
Kafshë e zgjuar kali !
Edhe lirija e popullit tonë, thonë, ka kaluar mbi kurrizin e kalit !
Më 03 qershor 2025 Asambleja e Përgjithshme e OKB-së votoi 11 Korrikun si Dita Botërore e kuajve. Viti 2026 është Viti i Kalit, sipas Kalendarit hënor kinez.
Sa shumë histori kuajsh apo kuaj historikë njeh njerëzimi!
Por Çili i Hasanit është histori më vete. Bota sot ka rreth 70 milionë kuaj, por Çili dibran s’ngjan me asnjerin prej tyre. Ai është personazh romani, është pjesëtar familjeje, është human e i ndjeshëm , si njeri. Kalit i ranë më qafë tek Kënga e Rexhës, duke e bërë vrasës të dhëndrrit. Ai nuk ka gojë të dëshmojë gënjeshtrën e mixhës ,që qe vrasësi i vërtetë i Rexhës.
Këto e të tjera histori janë ngarkuar mbi samarin e Çilit të Hasanit, që do kalërojë në mote duke rrëfyer histori nga fisi i Hasanajve, nga Trebishti 2500 frymësh, nga madhështia e Dibrës dhe Raduçit mbi 2000 metra mbi det. “ Çili” është roman rrëfimtar – psikologjik, një autobiogragfi e letrarizuar, një monografi për familjen numeroze Hasanaj në vitet 70-80 të shekullit të shkuar. Romani ka frymën dhe vulën e kohës. Dibranët shkonin në Elbasan me ziss, pedagogjikasit me trastë librash prej bezeje, në fshat mjekonte xherahu dikur, sistemi vlerësimit në shkolla me pesë nota, mjet transporti ishte kali….
Simbioza njeri – natyrë është mrekulli më vete. Hasani e Çili janë si dy shokë të ngushtë.Çili është azgan,trim, krenar, me veshë si antenna,me sy si lentet e laboratorit të fizikës… Ai jepet si dhëndërr i ri,nën gushë si gjerdan nusërie mbante zilen prej tunxhi me rrip meshini..Autori i flet në veshë kafshës, si të jetë njeri. Edhe misërniken me vezë e gjizë ia jepte kafshës,që të mos mërzitej… Këtë sjellje e krijon Hasani jetim nga babai qysh në klasën e tretë fillore, i rritur me gjysh Zeqirin, brigadier në hapjen e rrugës në Qafë Kërrabë. Hasani që ngrohej me dru ahu, si mbretërit tradicionalë të Francës, që shkeli me këmbë krahinën drinkolliane dhe malet rreth Raduçit: Torecin, Gjinovecin,Garin, Llazin, Veternikun…
Paradokse të këndshme sjell libri: Hasani faqekuq hahet me drurin e kalëron maleve, qulloset nga djersët e sikletit në vallëzimin me Ervehenë qytetare. Hasani me pesa në çdo lëndë dhe shkrimin shembullor në gjithë pedagogjiken, vendos çantën për të mos cikur me shoqen e bankës. Hasani që brente me dhëmbë vështirësitë e fshatit në male, i qepej goja kur i hidhte vështrime vajzërie Erveheja. Çudi për t’u çuditur me ty, o miku im Hasan! Të pashpjegueshme mbeten për mua paradokset edhe në jetë: Hasani me universitet qysh në vitet ’70 endet fshatrave si mësues i thjeshtë, kur të tjerë kapardiseshin zyrave e kafeneve me xhepat plot e kokën bosh! Hasani që bëri gjithmonë më shumë se një punë, pret pensionin qesharak për të marrë ilaçet për vete dhe gruan e sëmurë ! Hasani, autor i 21 librave, redaktor, korrektor e vlerësues i 45 librave të të tjerëve, s’i mjaftojnë të ardhurat për të botuar disa libra të tij , që i rrinë në dorëshkrim !
Sinqeriteti i thekur deri në naivitet, përulësia deri në inferioritet, mirësia deri në sacrificë, në një shoqëri që s’vlerëson vlerat, ta turbulluan orientimin, miku im, por edhe shkëlqimin që ta jepte dija e stërmadhe, puna e pandërprerë, fisnikëria e malësorit punëdashës.
Koha,si mushkë xanxare, e ka hedhur, shkelur e përplasur Hasanin , por ai gjendet përsëri në këmbë. Karakteri i rritur në vështirësi, nuk mposhtet prej tyre. Ja, ku e kemi sot mes nesh, të pashëm, të kthjellët, burrëror
Dritëro Agolli i madh pat thënë: “Mund ta nxjerrësh katundarin nga katundi, por kurrë nuk mund të nxjerrësh katundin nga katundari”. Me Hasanin ndodhi ndryshe. Ai e mishëroi deri në palcë katundin, por pa u bërë kurrë katundar. Bir mësuesi e mësues në profesion, u dritërua përherë nga librat dhe rrezatoi gjithmonë dritë, dije , mirësi.
Romani “ Çili” jep një shpirt të ndjeshëm e të madh, deri në madhështi, një marrëdhënie shoqërore e famijlare, gati parajsore…
Dashuria, humanizmi e mirënjohja janë fijet që endin këtë libër simpatik. Mirënjohja ndaj familjes, fisit, vendlindjes, shokëve e të njohurve,madje edhe ndaj kafshëve, përbëjnë frymën dhe aromën që libri përçon tek lexuesi. Respektues e mirënjohës shfaqet autori në libër e në jetë ndaj çdo mirësie. Mosmirënjohësit janë më të përbuzurit e Hasanit. Me ta ai s’pi kafe e nuk bën llafe.
Si shi metaforik, plot petale zbukuruese, derdh autori mbi portretin e Çilit. Çili është trëndafil, yll, azgan, vigjilent, inteligjent, famoz, besnik,paqësor,sedërli, fisnik, punëtor, i bindur, trimosh… Për autorin është zemër, vëlla, mik, mentar,,,
Një tipizim të tillë personazhi dhe Balzaku, po të ishte sot mes nesh, do e duartrokiste.
Hasani ndihet mirë që arriti të bëhet një druvar i zoti. I thur himn këtij profesioni të vështirë, por jo të lakmuar. Për druvarin ka shkruar me respekt edhe Plutarku, Virgjili, Tolstoi, Pablo Neruda…Hasani i thur kult punës dhe njeriut të punës. I nderuar është ai që punon si kalë: do me thënë punon shumë, pa hile e pa qibër.
Madhështia e Çilit rritet kur ai vihet në parmendë me mushkën xanxare, gënjeshtare, hileqare,skile e fodulle. Antitezat e kundërvëniet janë të gjetura , të bukura, bindëse e me bereqet.
Me shpirt të ndjeshëm e mjeshtëri të hollë Çili transformohet nga një kafshë ngarkese, në një hero të vërtetë, në një vepër arti.Çdo muze do ndihej i vlerësuar , po ta kishte në vitrinë portretin e Çilit. Çdo bibliotekë do kishte një vlerë të shtuar me librin për Çilin. Kjo është forca e artit të vërtetë, Ky është Hasani ynë !
Çili vdes, nuk ngordh ! Vdekja e tij jepet me nota epike e tragjike, plot madhështi, por pa kuje e lotë të dukshëm.
“ Ishte shuar shpirtmadhi Çil, porsi kandili që shuhet për vaj. Falë Perëndisë, që i shpëtova për mrekulli ndonjë ataku kardiak…
Vdes njeriu, lë kujtimet,
Vdes Çili, lë pajimet ! ” – përfundon librin Hasani.
Imagjinata më thotë se, pas shumë e shumë vitesh, në fshatrat përreth Raduçit dibran, gjyshërit do u tregojnë nipërve e mbesave, rrëfenja që nisin me fjalët :
“ Na ishte njëherë druvari Hasan, na kishte Çilin, një kalë azgan, që Trebishtit tonë i dhanë nam….”
Dhe të vegjëlit do i merrte gjumi pranë vatrës , ngrohur me dru ahu, duke parë ëndrra me pyje e livadhe, kuaj e libra…
Ndihem i lehtësuar për këto fjalë mirënjohjeje ndaj Jush, o Hasançe ! I lumturuar duhet të ndjeheni edhe Ju , miku im, që janë ofruar në këtë sofër letrare kaq pena të vlerta të këtij qyteti vlerëmadh.








Urime i nderuar Idriz. Ke nisur e kopshtit një shkrim të bukur dhe me vlera përgjithësuese. Mësuesi Hasan i meriton të gjitha lëvdatat në shkrimtari. Mirënjohje.
Miqësisht!
Kadri Tarelli.
Durrës.