top of page

Humor nga Bubulinoja


Viron KONA

Humor nga Bubulinoja

Gur shahu


Atë ditë, babai i Bubulinos ishte i nevrikosur me çapkënllëqet e të birit, ndaj e thirri pranë vogëlushin 9-vjeçar dhe i tha:

-Unë të dua si askush tjetër në botë, por ti nuk më dëgjon. Prandaj:

-E para: Do të rrish i mbyllur brenda në shtëpi!

-E dyta: Nuk do të bësh asnjë lëvizje,as andej-as këndej!

-E treta: Do të fillosh të lëvizësh vetëm kur të jap urdhër unë!

-E katërta: Do të shkosh vetëm atje ku të them unë!

-Të pestën e di vet, - i tha Bubulinoja dhe i ofroi babait kutinë me gurët e shahut që ishte aty pranë.

I ati i Bubulinos, qejfli i madh shahu, pa brenda kutisë dhe kushedi pse u vrenjt.

-Këtu mungon një gur shahu, një ushtar! Bubulino, shko ma gjej dhe ma sill shpejt!

-Ç`e do ushtarin, o ba?! Në vend të tij më ke mua! -i tha vogëlushi, duke qëndruar gatitu përpara të atit...


Torta me mjaltë

-Ku po shkojnë këta njerëz me torta me mjaltë në duar? - pyeti Bubulinoja shokun e tij suedez.

-Po shkojnë në kopshtin zoologjik. Nëna arushë feston ditëlindjen, sot ajo bëhet 10 vjeçe. Si thua Bubulino, marrim dhe ne një tortë dhe shkojmë ta urojmë nënën arushë?

-Shkojmë, - i tha Bubulinoja, - por e kam një pyetje: Kur të bëhem unë 10 vjeç, do të më vijë nëna arushë me tortë me mjaltë për të më uruar?

Dyzetë ujkonja

Babai i Bubulinos sapo kishte botuar librin “Ujkonja”. Ato ditë një shitës librash, mori në telefon në shtëpi. Telefonin e ngriti Bubulinoja.

-Urdhëroni! - tha ai.

-Dua dyzetë ujkonja,- tha shitësi, - ku mund t`i marrë?

-Mund të shkoni në pyll e t`i merrni, - iu përgjigj vogëlushi dhe mbylli telefonin.


Çmimet e larta


Bubulinoja, pa çmimet e ushqimeve në marketin e lagjes dhe i tha pronarit:

-Zotëri, shumë të larta i paskeni çmimet ?

-Bubulino, ti sikur s`jeton në botën tonë, por po më flet sikur vjen nga planeti Mars?!-iu përgjigj pronari.

-Ah, në Mars çmimet qenkan më të lira? Atëherë po sigurojmë biletat dhe po shkojmë familjarisht t`i bëjmë pazaret në planetin Mars, me siguri do të na dalë më lirë! - i tha Bubulinoja.


Hëna


Bubulinoja po i tregonte gjyshes 90-vjeçare madhësinë e anijes kozmike “Apollo 11”, që do të çonte njerëzit e parë në Hënë.

–Anija kozmike,- po thoshte gjithë pasion Bubulinoja,- është e lartë sa një pallatë me 36 kate...

Gjyshja po e dëgjonte e habitur dhe befas i tha:

-Ç`po më thua more Bubulino, Hëna sa një kungull është, qysh do ta mbajë gjithë atë anije kozmike...?!


......

Shënim për kujtesë:Për herë të parë njerëzit shkuan në Hënë më 21 korrik 1969 me anije kozmike amerikane “Apollo 11”.

30 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page