top of page

Horror vacui


Nga Gladiola Jorbus


Kur bie nata


Kur bie nata, lulëkuqet çelin

mbi qerpikët e Budës së fjetur.

Gjethet e pemëve dridhen

si gishtërinj të ndrojtur,

nën sfondin e hënës që tretet në agim…

Ëndrrat e shtrijnë mantelin

mbi detin e bruztë të Venusit.

Dhe lotët derdhen si shi,

në tempullin e vetmisë.

Fryma ime këndell muret e shpirtit

si një puhizë që dhembjet flladit.

Dhe shpresat ringjallen

në ekuinoksin e jetës.

Aty më pret ti.





Në fund të fundit...


Muret i ngjyej me aromën tënde.

Gishtërinjtë luajnë me tisin e një ëndrre.

Qindra lutje jehojnë në zemrën time

si stasimat antike të një korifeu.

Trishtimi mjegullohet mbi nënkresat e ftohta,

kur hëna shndrin si një pikëz loti.

Malli derdhet si një shi meteorësh.

Dhe ringjall krateret e një vullkani të shuar.

Asnjë mister nën këtë diell.

Në fund të fundit...

Gjithçka është e shkruar.


Borås, 19/8 - 2022





Flutura origami


Në letrat e rrudhosura

formësohet uragani i zemrës.

Sa shumë dhembje të ëmbla!

Si refren melodioz

i dashurisë së munguar.

Lodrojmë në erërat e fatit

si flutura origami.

Përkulur dhe palosur

nga gishtërinj ëndërrimtarë.

Lotojmë për gjethet e vyshkura

dhe psherëtimat e humbura.

Jemi letra me vlerë

të përndezura me ngjyra akuareli.

S’ guxojmë të prekemi!

Nga frika se padashur

mund të zbehim

aureolën e ëndrrave.



Horror vacui


Si retë e plogështa

të një pasditeje të dhimbshme…

…zbrazëtia fluron në ajër.

Dhe universi i pafund

është përgjysmuar nga moti i akullemë.

Trishtimi ngjyrë indigo

shfaqet si preludi i një lamtumire të gjatë.

Ëndrrat u shembën si idhuj dështakë

në horizontet e zbrazura.

Boshësi... pa tinguj jete.

Në labirintin abstrakt të fatit

enden kurthe plot gjemba e hije,

sa vetë Dedalusi do të zihej në to.

Lëkurë e plagosur nga mijëra zhgënjime

që kafshojnë dhe fshihen.

Përtej udhëkryqit nuk shihet asgjë.

Horror vacui.


Borås, 28/07 - 2022







17 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page