top of page

HIRET...


KUR HIRET POETIKE VISHEN ME DRITË

(Vëzhgime rreth librit “Do t’i vesh hiret me dritë” të Nurie Badunit)

Kur krijuesi është i “pakënaqur” me krijimin e tij, dhe ngulmon me laps në dorë, të meditojë mbi të, ndodh që edhe në një vëllim të parë, të krijojë stilin e tij krijues, por edhe t’i japë lexuesit, hapësira të gjëra shoqërore, përmes një dramaciteti lirik, duke i “veshur hiret me dritë”.

Nurie Baduni vjen në botën e fjalës së bukur poetike, pas përjetimesh të gjata jetësore, me librin e saj të parë “Do t’i vesh hiret me dritë”. Produkti poetik, i paraqitet lexuesit, jo vetëm si një lirizëm personalizues, por me një diapazon të gjërë në valencat jetësore, ku meditimi pa ngutje i autores, si bijë, si femër, si nënë e gjyshe, përmes këtij triniteti, krijon , jo vetëm strukturën solide të poezisë, por dhe një estetikë, paksa rrebele, në përcjelljen e emocioneve. Nga strofa në strofë e poezia në poezi, autorja shpalos intensitete, kontraste të befta, me misteret e kësaj ndjesie tredimensionale. Me unin e saj poetik, ajo ka arritur të depërtojë në psikikën e njeriut, duke zbuluar refleksionet e ndjesive në realitetet e kumteve njerëzore te femra, duke i fokusuar në vargje të thjeshta, pa “shëtitje”, në “qiejt që pikojnë yje”, por në një areal, sa përjetues, aq edhe ekzistencial. Në këto kontekste, vetvetja poetike, vjen si rezultat i qëmtimit të hollësishëm të përjetimeve, që e kanë shoqëruar personazhin poetik në jetë. Kësisoji, kjo përmbledhje poetike, merr statusin dhe të një pasaporte poetike me konvencionet bio-metrike, paksa rrebele, të poetes Nurie Baduni.

Në letërsinë e poezive, në personifikimin e saj krijues, ajo dallohet për një sinqeritet ndjenjësorë, në konceptimin e ngjarjeve, ndodhive, fenomeneve që e kanë shoqëruar në jetë. Poetja, në këtë “lumë” psiqik, rrugëton përmes hireve të saja krijuese, të çiltërta, me përkushtimin e zbuluesit, ku përmes një ndjeshmërie të hollë të një triniteti, si bijë, si femër, si nënë e gjyshe, qëndis në gjergjefin e shpirtit, poezitë.

Larmia e toneve poetikë, furkëza e gjërë e mesazheve, që ajo hedh në skakierën e shahut poetik, vjen përmes shumë karaktereve e kumteve jetësorë, por që me kompleçitet, definojnë në një rrugëtim poetik, sa të përvetshëm, aq edhe gjithpërfshirës, me shumi ideshë e mendimesh.

Në këtë drejtim të inovacionit letrar, poezia e Nurie Badunit, nuk vjen e kufizuar në një hapësirë, ose e kufizuar në një kohë, por ajo vjen si një e tashme, mbi themelet e një përjetimi të kaluar, duke hedhur në projeksionin e viteve të ardhme, kapriatat e një substancialeje të dëshiruar, sa shpirtërore, aq edhe jetësore. Në amalgamën poetike, kjo është vetëm një aspekt (ndër kryesoret), ndërsa pjesa tjetër, ajo që aranzhon solfezhin poetik të Nuries, është shpirti i saj poetik vetanak. Kështu që në tërësinë e produktit të saj poetik, asgjë nuk vjen si e ndarë me thikë, por vjen si një tërësi unike e përjetimeve shqisore dhe ndjenjësore të poetes.

Ndonëse me vëllimin e parë, por me një pjekuri jetësore, plotësisht të arrirë në jetësimin e saj, për poeten, krijimi i këtij produkti poetik, vjen si një zbulim i vazhdueshëm, me risitë që i ka sjellë mosha, koha, zhvillimi shoqëror, ndaj ky vëllim dhe pse i parë, vjen si përcaktueshmëri artistike e një stadi krijues, i panjohur më parë.

Paksa rrebele në strukturën e stilit poetik, ku dominancë është një rimim i brendshëm, një muzikalitet që vjen nga shpirti krijues, duke rrebeluar format klasike të metrikës. Alternimi i vargjeve, që suportojnë me rimim të brendshëm njëri-tjetrin, është solfezhi e njëkohësisht çelësi i solit të saj poetik, që aranzhon poezinë nga strofa në strofë.

Natyra për poeten, vjen si distributore e elementeve artistikë të poezisë, si në poezitë:

“Me vjeshtën për dore”, “Lotët vesë lulesh”, ku natyra ngrihet në funksion të epërm artistik, duke përçuar tek lexuesi ndjesitë e arealit përjetues. Poezia “Kuarteti 2l”, një poezi e veçantë, gjetje e bukur poetike, ku përmes një simbolizmi të lakmuar, autorja na sjell një poezi tjetërlloj: moderne, përmes një hermetizmi e simbolizmi të natyralizuar shqiptar.

Dhe në konceptimin e baladës, ajo vjen disi e veçantë: Me poezinë “Ti ike”, poetja na sjellë një baladë për gjyshen tjetërlloj, në stil dhe estetikë, ku elementë të baladës, mbarshtrohen në strukturën e një vargu të lirë, duke i dhënë baladës, cilësitë e reja estetike, dlirësisht siç i vijnë ndjesitë, për gjyshen e saj të dashur. Dhe në konceptimin e ekzistencializmit, ajo vjen më njerëzore, më afër realiteteve. “Dua të lajthis”, një poezi ekzistenciale, ku dypersonaliteti:

“Troket e troket,

E brenda meje llavën e tret...

Unë hesht

Hesht, para jetës që vret”.

Një poezi që mbart mesazhe të qenësishme njerëzore, në substancialen e re kohore që po përjetojmë. Një botë që agravon vetveten, por edhe njeriun, si një antraks i zhvillimeve kohore, i një bote “Kont Ugolinësh”.

Në konceptimin e poezive, poetja nuk rend pas figuracionit, figurë për figurë gjer në kozmogoni, por ajo, me çiltërsi, ndjenjë, abstragon brenda realiteteve, në arealin përjetues, duke punuar shumë me fjalën, duke mos e huazuar figurën, por ajo (figura) i vjen nër strofa, si sintezë e shijeve të saja artistike.

Dhe bukuria qëndron tek simboli dhe metafora të cilat e kanë burimoren te natyrshmëria, e cila me daltën e mendimit estetik, vjen e gdhendur gjer në rifinitura. Në të tilla koncepte, poezia na sjell më shumë ndjesi, ku parësore nuk është “zonja” rimë, por mendimi, ndjesitë, me simbolin dhe metaforat e befasishme polivalente.

Në pjesën e dytë të librit, siç definon edhe redaktori Ismet Mehmeti, autorja vjen përmes “një autobiografie artistike”, me një mendim, sa melankolik, aq edhe ekzistencial, mes përvojave personale, por edhe universale. Bukurinë, vargut ja shtojnë fjalëbukurat e zgjedhura poetike, ku evidentohen dukshëm tipari thelbësor i qëmtimit me kulturë i fjalës, me tingëllime të veçanta, por dhe me përbashkësi fonetike të zanoreve e bashkëtingëlloreve.

Në këto kontekste estetike, tharmet poetike e filozofike të jetës, ndërveprojnë bukur në poezi, brenda një stili autentik, ku realiteti e subjektiviteti, shkrihen si një përbashkësi poetike. Qëmtimi artistik i fjalës dhe vargut, me fonema nga më të qenësishmet, zdrugimi i tyre, ka bërë që Nuria, të prezantohet tek lexuesi, me një vokapolar të lakmueshëm, ku arkeologjia e fjalës, vargut e strofës, nxjerr në pah një vezullim të ekstrateve poetike, të cilat përcjellin, jo vetëm emocion, por dhe një shumi mesazhesh.

Nga një qëmtim i tillë durimtar, kërkues ndaj lëvrimit të një fjale, vargu merr më shumë ngarkesa emocionale e mesazhiere.

Poetja, si një “pelivane poetike”, ka ecur në atë tel akrobatik, të një të mesme të artë, mes ndjesive dhe mesazheve, si në peshoren e farmacistit. Sidoqoftë, poetja duhet të ketë më shumë kujdes, me ruajtjen e këtyre ekuilibrave.

Në këto vështrime kritike, në këto koncepte estetike, poezia “Do ti vesh hiret me dritë”, ka marrë një protonizëm artistik, nga njohja e përkushtuar e folkut, duke i futur këto ekstrakte, në vendin e funksionin e duhur, duke i përzgjedhur me kujdesin e një bletareje dhe futjen mes vargjeve të strofave të elementeve folklorikë, si një domosdoshmëri artistike. Ndaj, në disa poezi, këto elementë, shndrisin si xinxife mes vargjeve, strofave, si një veçori e ndërlidhjes së artit poetik, me burimoret e folkut popullorë, të cilin, siç e përkufizon edhe redaktori Ismet Mehmeti “e kthen motivin popullor, në një mesazh të mirëfilltë poetik”.

Nga se përftova nga ky vëllim poetik, modest, por i përveçëm, në autentikën e tij, në përçimin e ndjesive poetike tek lexuesi, Nuria me laps në dorë e mendje të bindur, në atë çka shkruan, ka ecur në brazdat që ka lënë Ernesto Sabato, i cili në një sentencë estetike perifrazon: ...”ajo (poezia) është edhe një lojë ndjenjash, mjet njohjeje, zotërim apo kontroll i të shprehurit të ndjenjave”.

Nurie Baduni, në sajë të pjekurisë që ka dhe në këtë vëllim të parë, kam mendimin se ja ka arritur që të sintetizojë poetikisht bukur, atë çfarë na mëson Mjeshtri i madh i fjalës së bukur, Sabato.


Prill 2022 Vladimir Muça

Shkrimtar, kritik.

48 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page