top of page

Heshtja ...


Heshtja na asht' deri në brinjëtherrje

Fatmir Terziu


Qëndrimi në heshtje. Është një heshtje që vjen nga memorja, përkujtimi. Respekti. Të përvuajturin e kohës së diktaturës, Njeriun fisnik, shkrimtarin e vëmendshëm të rrethanave dhe situatave njerëzore, Reshat Kripa, kemi kohë që nuk e kemi fizikisht mesh nesh. Por atë e kemi në kujtime. E kemi në shënime. E kemi në mesazhe. E kemi në librat që ai shkruajti me zemër të përkushtuar e me shumë dashuri për të gjithë. Ndaj në këtë mes nuk ka asnjë keqkuptim, nëse thuhet se fjala heshtje nuk përshtatet. Është një pikë ku heshtja mëkatet. Se heshtja nuk ka të njëjtin kuptim…

Në atë pikë heshtja duket absurditet, por memorja për një takim të qetë, ku më së shumti heshtja shënon respekt shkon në të tjera rrjeshta. Heshtja!? Heshtja, sepse të flasësh me zë të ulët është kulturë, është respekt. Aty fillon pikërisht dhe më saktë memorja e një takimi të thjeshtë …

Respekt për Njeriun..., që kishte kohën, minutat, ... orën për gëlltitjen e kafesë “ekspres” në heshtjen e zhurmshme të brendësisë së tij. Dhe në këtë heshtje të habitshme, që dukej disi e shtirur (hutaqe nga prania zhurmuese e heshtjes së brendshme), teksa pritja të sjell në sy atë që ti ndoshta e kërkon ende në numrin e celularit, pas të cilit shprishet heshtja e përkorë. Dhe sytë në atë heshtje gërmojnë përtej kohës së momentit, përtej filxhanit të kafesë në kryeqytetin shqiptar, Tiranë...

Sytë ... sytë tanë?! Vërtiten si globe të vegjël, mëkatore të kohës që e mban dhe hesht Globi në zhurmim të pandalshëm tej e matanë.

Ndonjëherë sytë tanë nuk shohin edhe pse janë të hapur. Me ta bëhet gabim. Me sytë zmadhohen dhe zvogëlohen gabime. Gabimet janë shumë, por për përuljen tonë, më saktë për të pranuar gabimet me sy, ajo që lidhet me gabimet e tyre dukej se ishte pak dhe larg në atë pikëtakim me një mik dhe Njeri të lidhur me shkrimet dhe krijimtarinë, me një Njeri që heshtjen e ka diku larg.

Kjo është thjesht një heshtje mes heshtjes. Heshtjes së kuptueshme e të pakuptueshme që vjen nga pauza e syve, nëse ndodh të shihet në moment flashtja e hutuar e tyre.

Dhe sytë shkojnë përtej xhamave të ndukur me frymëra të panjohura, të një geni të lashtë Ilir, ku menjëherë sytë e dirigjuar nga mendja e mbushur plotë në vite rifillojnë profesionin e tyre të piktorit të gjinisë kundërshtare që lëviz e shkopsitur, e lirshme në kahjen nga dhe pas pemëve me shtat të hedhur gjatë heshtjes së gjatë kohore. Dhe shtriqja e trupit kapërcen dimensionin e tjetrit që bën revoltën e rastit. Si zakonisht në heshtjen e mistershme. Dhe aty absurdi i heshtjes lexon kalimtarin tjetër...

Mbijetesë. E ngarkuar me molën e dhimbjes, që gërryen pensionin e shukatur lehtë në xhepa të lodhur prej arsyeve.

A mund të mbijetojmë vetëm për nevojat tona në vend të dëshirave tona?

A e di më së shumti këtë heshtje vetë dallimi i heshtjes?

Pra, shumë gjëra në jetë i marrim edhe nga një kënd-heshtje të rastit si të mirëqena.

Pse është kaq e vështirë për të komplimentuar gjërat e bëra ende aq lehtë për të treguar të gjitha që ju i besoni se janë të gabuara?

Jën dhjetëra pyetje. Pyetje gjatë një bisede. Pyetje që mbesin e tresin mjaft gjëra në memorje. Pse heshtej për Reshat Kripën? Pse heshtet ende?

Bota siç e përdorim në raste të tilla, është bota për të ditur, është e tillë se ishte ajo botë që na hutoi dhe huton ende heshtjen plot morale, sjellje dhe respekt. Nëse kemi qëndruar të gjithë njësoj në këtë aspekt!

Bota siç e njohim sot është e mbushur me vrazhdësi, urrejtje dhe dhunë. Bota na gëlon me të kaluarën, na prezanton të sotmen dhe na asht' deri në brinjëtherrje. Diku mbetet të lexohet nga Njeriu, ... se Njeriu përdoret, keqpërdoret, keq... Po vetë një Njeri?

Një njeri përdoret për të qëndruar për atë që ai besonte dhe fjalën e tij, për nderin e tij.

Tani ai qëndron prapa asgjësë dhe nuk flet asnjë fjalë të asaj që ai beson, apo edhe nuk ....nuk e thua dot se nuk e beson.

„Kush e bëri botën siç është sot,“- unë e pyeta atë ditë, ashtu siç e di tashmë përgjigja e Njeriut të shumëvuajtur, të urtë e të zgjuar, të durueshëm e të respektuar, shkoi në një shtrat, që heshtja e zgjon... dhe heshtja pos tij flet.

„Është e lehtë të fajësojmë “udhëheqësit” tanë, fqinjët tanë ose gjeneratat para ose pas tyre, por miqtë e mi, vëllezërit dhe motrat e mia, nëse të gjithë e flasim të vërtetën, ashtu siç e njohim, ju dhe unë natyrisht nuk kemi heshtur, natyrisht sot, nesër e gjithmonë do të themi duke e kuptuar heshtjen tonë intelektuale, akademike, thjeshtësore, njerëzore,“ – foli Reshat Kripa dhe shtoi duke buzë qeshur lehtësisht “e ndryshuam këtë botë kur qëndruam të heshtur”.

I dhashë një paradë sforcuese syve dhe pashë që heshtja kishte zbritur thjesht në celularë... udhëtohej masivisht nga tre breza të heshtur në Tiranë, në Facebook, SnapChat, Instagram... Sytë i fshija sa hërë më sillnin librat që prisnin të dhuroheshin ndanë... Librat kishin heshtjen e tyre të largët, të afërt, të ngarë, të mbanë dhe e struknin aty në gjirin e tyre pranë.

A kishte vërtet heshtje në atë kënd, në atë anë? Ishte thjesht qëndrimi në heshtje. Në heshtje... për çfarë? Fundja të gjithë e dimë mirë dhe qartë në mendje: Heshtja na asht' deri në brinjëtherrje!


26 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page