top of page

Hekuran Halili: Internimi

ree

Miq të mi! Po postoj një tregim , pak i gjatë, por me vlera të mëdha njohëse. Nëse nuk shkëlqen artistiksht, ka brënda material jetësor nga jeta e popullatës çame në Shqipëri pas shpërnguljes me dhunë nga trojet tona. Askush nuk është i detyruar ta lexojë këtë tregim që është i vërtetë. Në qëndër të tij është vet babai im. Por, askush ju lutem të mos bëjë laike pa e lexuar. Gjej rastin të falënderoj atë familje borshiote që i shpëtoi jetën babait tim e mikut të tij në vitin 1950. Për shkaqe objektive babai nuk e mësoi dot emrin e krye familjarit, por sa rrojti nuk e hoqi nga goja,na e tregoi edhe neve. Unë bëra disa tentativa ta njihja, por nuk munda ta indentifikoja se kishin kaluar shumë vite. Por kjo ka edhe një të mirë. Unë u jam mirënjohës të gjithë borshiotëve , sikur secila nga familjet e këtij fshati fisnik, bujar, atdhetar, ma ka shpëtuar babanë. Lexim të këndshëm për ata që do dëshirojnë ta lexojnë e të mësojnë ato që historia komuniste na e ka fshehur.Faleminderit!

                                 Internimi

S`kishin kaluar as katër vjet nga shkulja e madhe nga trojet e tyre dhe sa kishin zënë rrënjë në Konispol, kur postieri u solli një lajmërim:

“Më 20 qershor ora 8.00 me plaçka, bukë për një javë me vete, të paraqiteni në shesh të rrapit”.

U shqetësuan të gjithë.

Pyesnin se kush e kish marrë tjetër këtë lajmërim. Pse i doni? Ku do t`i shpinin...?

Në zyrat e pushtetit nuk dinin gjë, ose bënin sikur nuk dinin.

Ajo që binte në sy në atë listë, ishte fakti që nga njëzet të lajmëruarit djem e burra , të gjithë ishin çam nga ata të përtej kufirit.

Safeti vinte vërdallë në shtëpinë gjysëm të djegur nga lufta, të cilën të zotët e kishin braktisur dhe kishin vajtur në Durrës.

Shtruar me pllaka guri, një derë me drrasa të rralla, dritaret të zëna me fier ,çatinë bërë me ca mahi lisi Saraqindi, mbuluar me tjegulla, llamarina, kashtë, pllaka guri, çdo gjë që shërben për mbulim.

Shtëpi i thënçin se mezi po e shtynin, po ku të venin?

Safeti jo vetëm që ishte i shqetësuar, por më shumë se kaq , ishte i alarmuar.

Vajza ,Remzua, sapo kish mbushur katër vjeç.

 E donte për vdekje.

Nazuja, e shoqja që akoma nuk i kish mbushur njëzet e dy vjeç, shtëpinë nga brenda e kish sajuar më së miri dhe e mbante dritë të pastër, nuk ndihej fare.

Kishin kaluar shumë dallgë ndonëse nuk kishin shumë vjet martuar, por asnjëherë nuk ishin ndarë nga njëri- tjetri.

Kjo ndarje i trembte.

-Do kthehesh prap te nëna, Ballkua, sa të kthehem U,- i tha ai.

Edhe atje ngushtë janë se Hamiti me Luden janë bërë me djalë, por s`ke ç`ti bësh.

Ajo s`fliste, po bënte gati plaçkat e ushqimet për të shoqin që e donte me jetë.

-Dy fanella leshi, dy këmishë të bardha mëngëgjëra, një bluzë , edhe ajo leshi, pallton kadife, dy palë pantallona,të brendshmet ,çorapet e leshit,këpucët me qafa,- i numëronte për të sajtën herë me zë , se mos harronte gjë pa vënë nga tronditja.

-Byrekun me lakër, një pllakë djath nape, ullinj, qepë, dy bukë të misërta, gjysmë brushtull, do të dalin për një javë?- e pyeste ajo me merak .

-Shumë janë, ku ngrihen dot ?-gegjej ai pa e patur mëndjen.

 Bashkë me plaçkat bëhen një barrë kali - ia kthente.

-Ku do na shpien vallë?- mërmëriste me vete për të qindën herë.

Dhe i numëronte duke ardhur vërdallë nëpër shtëpi me vajzën në dorë emrat e atyre që ishin lajmëruar.

Të gjithë të ardhur, asnjë vendalli.

Kushedi ku e kemi fundin tonë, tani që jemi shkulur e rrokullisemi si gur!

Mirë thoshte usta Brahimi, kryeustai i Oparit: “ Fati i njeriut ngjan me atë të gurit.” Edhe guri ka fatin e tij.

 Ka gur me rrënjë që se shkul dot me asgjë, ka gur mademi që i nxjerrin për të ndërtuar shtëpi.

 Fati i gurit të shtëpisë varet nga duart e ustait që bie dhe e skalit , nga vendi që i bie të ketë , në themel,në xokol, në mur apo në qoshe, ku i bën sevda shtëpisë.

Ka gur që rrinë të varur buzë rrokullimës dhe pak t`i lëvizësh,rrokullisen e rrokullisen e kushedi ku ndalen. E kur ndalen nuk i dihet sa do të qëndrojnë aty, se gurët që shkulen nga rrënjët asnjëherë me nuk zënë rrënjë të reja

-Ne ,që në trembëdhjetën mbemë gur në rrokullimë në shtetin grek.- shtonte ai...

Që në orën pesë të mëngjezit ishin çuar e ishin bërë gati .

   Rrinin ashtu pa folur me vajzën në krah që e kish zënë të atin për gryke e nuk i ndahej sikur ta ndjente se kjo ndarje nuk ishte si të tjerat kur ikte për një javë apo për një muaj pas dhenëve në Ersekë.

Safet!- i foli në emër Nazuja.

- Të të vë edhe gunën e dhirtë me vete? Behar është vërtet, por nuk i dihet ku u shpien.

 E ke edhe shtroje edhe mbuloje.Vërtet që do të rëndojë, por merre e do më kujtosh.

  -Vëre, vëre!- ia ktheu ai instiktivisht .

 I dukej se duke marrë me vete gunën e dhirtë që i kish qindisur për merak Nazuja , do ta merrte edhe atë me vete.

Tek dera i mori erë në kokë e gushë vajzës, lotoi pak si fshehtas që të mos e friksonte, u përqafua me Nazunë sikur nuk do të kthehej i gjallë dhe bëri nga pazari.

Kishin filluar një e nga një të mblidheshin të gjithë të lajmëruarit.

Tek rrapi, një makinë “Sat” italiane e mbetur që nga lufta, me stola druri anash e me një mushama të vjetër sipër i mori të njëzetët brenda “barkut” të saj.

Mbi makinë dy ushtarë të armatosur me automatik, para dy nënoficera e shoferi.

Në tetë e gjysmë u nisën nga rrapi i Konispolit .

 Të gjithë gojëmbyllur. Të gjithë të shqetësuar.

 Të gjithë me mendjen tek ata që lanë pas.

Në fund meraku e ankthi për të panjohurën që i priste.

-Ç`bëhej me ta? Ku i shpinin? Pse i merrnin ashtu me ushtarë?!

 Vërtet nuk ishin sjell keq me ta, por prap ushtarë ishin e kishin merën e tyre.

Në krah të tij ishte ulur gjitoni, Idrizi.

- Të kujtohet Idriz kur na muarrën ushtarët grek në dyzetën?! Edhe atëher qershor ishte.

Vërtet që këta janë vëllezërit tanë, por përsëri ushtarë janë.

-Na mblodhën grekët nga çdo shtëpi, lagje, fshat e qytet, të gjithë meshkujt që nga trembëdhjetë vjeç e deri në shtatëdhjetë.

Ne në këmbë, ata vet majë makinave e kuajve.

Në këmbë me ditë të tëra, pa na dhënë asgjë për të ngrënë.

Kush nuk kish fuqi e binte në shesh , hiqej mënjanë e pushkatohej.

- Egërsirat ,- shau me gjithë fuqinë e shpirtit të plagosur rëndë Idrizi.

 Ç`kemi hequr,o zot ç`kemi hequr, por nuk e dimë ç`do heqim.

U trazuan edhe të tjerët në muhabet.

Shumica e tyre e kishin vuajtur në kurriz atë gjëmë që u bëri qeveria greke në qershor të vitit dyzet gjithë shqiptarëve të Çamerisë në Greqi, ende pa filluar lufta italo-greke.

-Na trembej Greqia, ndonse ishim e jemi edhe tani shtetas të saj , se mos bëheshim me ushtrinë shqiptare.

Ushtri i thënçin, se ku kish ushtri shqiptare?!

Në luftë vetëm Italia ishte, se edhe ata pak ushtarë shqiptar që i kishin marrë me zor, dezertuan nga fronti që në ditët e para të luftës.

Na trembej, se që nga trembëdhjeta kur fuqitë e mëdha europiane na shkulën nga gjiri i Shqipërisë e na bashkuan me të , na mori pronat stërgjyshore, na dogji e na vrau, na shpërnguli me forcë, na mohoi gjuhën, fenë e atdhenë.

-Nuk besoj se do të vuajmë si në internimin e dyzetës,- e ngau bisedën Idrizi.

E mbani mend ç`na bënin turmat e verbuara greke nga propoganda që dilnin në rrugë e na shanin, na qëllonin me ç`t`u zinte dora, deri sa na çuan në ishullin e Mitilinit?

Po barakat ku na strehuan , që ishin shumë e shumë herë më të këqija se të Hitlerit në kampet e përqëndrimit?

-Kishin në plan të na shuanin të gjithëve,- foli një burrë i shkurtër , që për forcën e tij ishte bërë legjendë.

Veiz e kish emrin.

-Ju kujtohet ku flinim, ku hanim? - e ngau prap ai bisedën.

 Njëqind gramë bukë, një supë me patate e bathë me krimba e miza, një pagure ujë në ditë për t`u larë e për të pirë.

E ku, në Mitilin që në behar piqet buka në diell.

Tër ditën punë të rëndë me vare e qysqi në dore duke sheshuar vendin buzë detit e duke bërë taraca për pemë.

E qindisëm vendin, që kur vajtëm e gjetëm një copë shkëmb të pa banuar.

Druri nuk na ndahej nga kurrizi gjithë ditën.

Uria, lodhja, torturat,tifua e morrit, turbekulozi , e shumë sëmundje të tjera shuan shumë jetë djemsh, burrash, pleqësh.

- Po ditën që kërceu gjermani në ishull, e mbani mend o vëllezer ,- gati sa s`klithi këtë herë Veizi.

-E kush nuk e mban mend atë ditë , o Veiz,- i thanë me një gojë pothuaj të gjithë ata që kishin qënë në internim.

Ishte prilli i vitit dyzet e një. Greqia kish kapitulluar.

Ushtarët e oficerët grek që ruanin të internuarit çamë, i mblodhen ata që kishin mbetur gjallë si kufoma dhe i rreshtuan në shesh të kampit.

Edhe vet u rreshtuan për të pritur gjermanët.

Komandanti grek i u paraqit gjermanëve dhe filloi t`u raportonte se kush ishin ata njerëz që mbaheshin të internaur. Fliste gjermanisht.

I paraqiti të gjithë si vrasës, hajdut, kriminelë shqiptar që kishin bëre krime dhe qeveria greke i kish dënuar me ligj e i kish internuar në këtë ishull.

Dinakëri greke. Foli e foli sa i deshi qejfi.

Veç këtyre shpifjeve nuk harroi t`u raportonte edhe se këta njerëz i donin çifutët në fshatrat e tyre, i respektonin dhe shkonin me ta shume mirë.

Kjo ishte e vetmja e vërtetë në gjithë atë raportim.

Gjermanët kur dëgjuan gjithë këto ngritën mitrolozin shars për t`i kalur në plumb të gjithë të internuarit .

Të lodhur,të raskapitur,të drobitur deri në prag të vdekjes, të internuarit nuk kuptonin asgjë çfarë bisedonte komandanti grek i kampit me gjermanët, me përjashtim të Qemal Frashërit nga Paramithia.

-Ju kujtohet veteriner Qemali që kish mbaruar studimet në Gjermani?- pyeti dhe u përgjigj vetë Veizi.

Ju kujtohet kur mori leje nga komandanti gjerman e foli me të, i tregoi të vërtetën?!

Oficeri gjerman e dëgjoi me vemendje. U çudit dhe u revoltua shumë për shpifjet e grekut.

Krrisi mitralozi “Shars”, por në plumb nuk kaluan të internuarit, u vran; të gjithë ushtarët grekë bashkë me komandantin e tyre...

Makina tollovitej në rrugën tër gropa, tër kthesa, rrugë e hapur që në luftën e parë botërore. Ata që ishin mbi të tolloviteshin në kujtime që ishin të mbushura jo me gropa e kthesa si të rrugës, por me gropa shpirti të mbushura me vuajtje e gjakun e njerëzve të tyre.

 Dy ushtarët, djem të rinj që sapo u kish ndrisur pushi në fytyrë, me automatikët në mes të gjunjëve, dëgjonin pa folur bisedat dhe u vinte rëndë që ishin në rolin e shoqëruesve të këtyre njerëzve të gjakut të tyre të cilët kishin vuajtur aq shumë nga ushtarët grek.

Pa e kuptuar kishin filluar veten ta krahasonin me ta.

Ishte një ndjenjë vetpersekuptimi që kaplon çdo njeri kur ndodhet në këto rrethana.

-Por kur u kthyem në shtëpi pas internimit, ju kujtohet hataja që gjetëm pas,- e ngau përsëri bisedën Veizi.

Vërtet njëmbedhjetë muaj munguam, por disa grekë,çobenë, jevgj, edhe disa camë ortodoks që nuk i nganë e nuk i internuan, kishin bërë gjëmën nëpër shtëpitë e fshatrat tona të mbetura pa meshkuj.

Na kishin marrë gjënë e gjallë, na kishin marrë arat e kullotat , kishin vën dorë në gratë e vajzat tona , bile edhe kishin vrarë pleq e fëmijë të mbetur pas.

Qeveria greke i kish nxitur e garantuar se nga të internuarit nuk do te kthehej asnjë.

Kishim jetuar një jetë të tërë me ta, i kishim mbajtur edhe me bukë, edhe me kullota, se ishim zot të vatanit.

 U treguan shumë të pabesë. Një herë u erdhi rasti dhe e treguan se kush ishin, na bënë hatanë.

E si të mos e merrnim gjënë e gjallë e mallin tonë kur u kthyem?!

Po edhe ndonjë sherr edhe ne e bëmë ,se gjak e të drejtë kishim. Shtet nuk kishte ku të ankoheshim e të gjenim të drejtën.

Ndonjë që e kish tepruar me gjak e me përdhunime në gratë e vajzat tona e pagoi me jetë.

Jeta me jetë paguhet.

Punët do të kishin shkuar shume keq dhe Çamëria do të ishte pastruar nga Sajadha deri në Pargë nga ata që nuk ishin shqiptar, në qoftë se nuk do kishin dalë pleqtë e burrat me mend që e ndaluan atë rrëmujë dhe filluan pajtimin.

Edhe Komiteti Nacional Çam që mori në dorë qeverisjen për gjashte muaj, mirë bëri që vendosi paqe e qetësi, vazhdoi Veizi.

-Po,po, foli Ramadani, një luftëtar i madh i atyre viteve ,

duke tundur kokën me pishmanllëk.

 I falem ne dhe ata si shpërblim kur hyri Zerva e zervistët në dyzet e katrën na vranë, na përdhunuan ,na shkulën me rrënjë e degë.

 S’lanë këmbë çami mysliman në shtëpitë e pronat e tyre.

 Ishte përgjysmuar fisi i Ramadanit nga ajo gjëmë.

Të jëmën plakë në furrë ja kishin djegur.

 Tre fëmijët e tij, shtatë, nëntë e njëmbëdhjetë vjeç, një ushtar grek mbasi i reshtoi, vuri bast me shokun e tij a i vrit dot me një plumb. U ra me maliher .

Dy të parët vdiqën në vend, i treti nuk vdiqi.

 Me bajonetë e shpoi korofillaku fëmijën e mbetur gjallë nga inati që humbi bastin...

Herë herë makina mbushej me zëra njerzish , herë herë binte një heshtje që të kallte datën.

Kujtimet e zymta, shpirtrat e të vrarëve e të masakruarve të pa kallur, ishin bashkuar e udhëtonin me këta njerëz që jeta u ishte bërë barrë e rëndë.

Ishin dënuar të mos u qeshte buza. Edhe ky udhëtim drejt të panjohurës, gati- gati me një internim të ri u dukej.

I ishte hequr dregëza një plage, plagë që s’do shërohej kurrë.

Mirë tek greku, se te greku qenë , greku i cili që nga Troja edhe kur të vjen me peshqeshe duhet ti trembesh e të bësh kujdes, po mes të tyrve pse të trajtoheshin kështu?!..

Kishin tërë paraditen që udhëtonin .

 Kaluan Llogaranë dhe po zbrisnin në Vlorë.

 -Në Vlorë, në Vlorë po na shpien , folën me një gojë të gjithë.

Sikur u çelën e u erdhi gjaku në fytyrë.

Në Vlorë kishte shumë çamë jo vetëm nga prishja e dytë, por që nga prishja e parë , ajo e katërmbëdhjetës.

I kish dashur Labëria çamët e Çamërinë që në kohën e Ismail bej Qemalit kur bëri Shqipërinë. Dërgoi edhe forca të qeverisë së tijë në mbështetje të luftës që bënë çamët për të mos Janina, Çamëria rënë nën Greqinë , por ishin pakë dhe u mundën.

Këtu kishte qëndrën edhe Komiteti Antifashist Çam që kujdesej e administronte këta njerëz refugjat të cilët ende nuk kishin marrë shtetësinë shqiptare,por mbanin atë greke. Ndanin edhe ndonjë ndihmë që vinte nga organizmat ndërkombetare për refugjatët.

Në skele i zbritën para ca kazermave të mbetura që nga Italia e parë. U thanë të sistemoheshin si të mundënin.

Atje gjetën burra e djem si ata, të mbledhur nga çamët e Vlorës,Fierit,Durrësit,Tiranës, Cërrikut, Shijakut, Lushnjës, nga kudo ku ishin shpërndarë si zogjtë në furtunë e kishin filluar të hidhnin rrënjë.

Askush nuk dinte gjë pse i kishin mbledhur.

U takuan e tërë natën nuk mbyllën sy duke pyetur për njëri tjetrin , për të afërm e fshatarë , që si kishin parë e s’kishin dëgjuar gjë për ta ,që para tre katër vitesh.

Edhe brënda Shqipërisë kishin humbur e nuk kishin më lidhje. Ishin ditë të vështira edhe për vendalit e jo më për të ardhurit. Luftohej për bukën e fëmijeve, luftohej për bukën e gojës, luftohej për mbijetesë.

Por ata nuk i trembeshin jetës se nuk i trembeshin punës.

Do rronin, do mbijetonin , do shtoheshin e shumoheshin!

Këtë nuk ua kishte thënë askush, por e dinin të gjithë.

Ishte një mesazh gjenetik pellazgjik.

Mbi të dirë Safeti u shtri për një sy gjumë.

-Sa mirë bëre moj Nazu që më vure me vete këtë gunë , falnderoi nga shpirti Safeti dhe u përlot nga malli për të, për vajzën e për çdo gjë që kish lënë pas.

Brënda ditës dhe malli po e therte.

Të nesërmen i mblodhën të gjithë në sheshin para kazermave. Bëheshin jo më pak se tremijë burra.

Para tyre dolën disa njerëz.

 I pari e mori fjalën kryetari i Komitetit Antifashist Çam, Veipi. -Vëllezër, e filloi fjalën ai. E dini pse na kanë mbledhur këtu?

 -Duan të na çojn ushtarë në luftën që bëjnë grekët mes tyre, duan të na shpien ushtar në ushtrinë e shpartalluar të EAMIT, partisë kumuniste greke.

Ata luftojnë me njëri tjetrin në kufi me Shqiperinë që nga Përmeti, Leskoviku e deri në Gramoz e Korçë.

 Eshtë një marrëveshje që ka bërë Partia Komuniste e Shqipërise me Partinë Komuniste greke.

Na thirri vet komandanti i përgjithshëm në prani edhe të Zahariadhisit, kryetarit të partisë komuniste greke.

 Na kërkuan të luftojmë si shtetas grek që jemi dhe na premtojnë se po fituan amistat do na lën të kthehemi në shtëpitë tona, do na njohë të drejtat e do jetojmë mirë se do të kujdeset edhe qeveria shqiptare.

Ne me ushtrinë e EAMIT kemi qënë që kur u krijua ajo dhe kemi bërë edhe shumë luftra me gjermanë e italianë.

I njohim mirë .Na urrejnë si shqiptar dhe shumë nga djemtë tanë që u gjetën të vrarë në këto luftra i kish marrë plumbi nga pas.Ndaj nuk kemi besim, ndaj dhe u prishëm me ta që në Çamëri.

Ne i thamë komandantit tënë se pranojm të vemi të luftojmë po të na plotesohen tri kondita:

-Të jemi formacion me vete.

-Të kemi komandantët tanë që do të jen nga bijtë e Shqipërisë që kanë shkollë e përvojë në luftra.

-Të kemi frontin tonë dhe flamurin tonë shqiptar.

 As komandanti ynë, as Zahariadhis nuk i pranoi këto kondita. Si thoni ju vëllezër, bëmë mirë apo keq?

Fjalimi i tij u prit me durtrokitje nga të gjithë.

S’kish më vend për përgjigje tjetër e fjalime të tjera.

Tani kanë vendosur që si ndëshkim që nuk pranuam të luftojmë nëpërkëmbë të grekëve,të na çojn të punojmë në kënetën e Maliqit dhe në atë të Tërbufit.

Do na ndajnë në dy pjesë . Edhe ky është një lloj internimi si ai i Greqisë. Bëhuni të fort vëllezër , vazhdoi Veipi.

 Më mirë kështu. Në fund të fundit më mirë të punojmë për bonifikimin e vendit, se sa të na vrasin pas krahëve grekët siç na kanë vrarë në Greqi. Do të mbeteshim maleve të Gramozit ku te mos na dihej as varri , as nami , as nishani.

I hipën përsëri nëpër makina që kishin mbushur sheshin dhe u nisën. Gjysma në Lozhan të Maliqit, gjysma në Tërbuf të Myzeqesë.

Safetit dhe gjithë ata që morën nga Konispoli u ra fati në Tërbuf. Asnjë lajm në shtëpi ku i kishin çuar, asnjë lajm nga shtëpia si ishin .

 I kishin internuar përsëri si në Mitilin.

Barakat e punës gati si ato të Mitilinit.Ushqimi e uji gati- gati i njëjtë. Pa le më mushkonjat, që si re e zezë i kishin pickuar e buhavitur aq keq ,sa që mezi njihnin edhe njëri -tjetrin.

Bashkë me ta punonin edhe qindra të tjer, sidomos nga malësia.Ishin njerëz nga familjet me biografi të “keqe” , njerëz nga fisi i bajraktareve, njerëz që u ishin arratisur ,ose burgosur të afërmit e tyre.

Kushte të rënda , puna edhe më e rëndë.

Duhej të hiqje me krah i zhytur deri në brez në ujra të qelbura, një baltë të zezë në të kaltër të thellë, që ngjitej pas lopatës e kovave, sa që as me dorë nuk e shqitje dot.

Vdisnin shumë .I merrnin dhe i varrosnin në një kodër që ishte afer tyre. As emra ,as shenja ne kokë të varrit.

Asnjë njoftim në shtëpi.Kështu punuan tetë muaj .

Puna kish ecur goxha dhe këneta ishte gati në tharje.

U kishin vdekur tre vete nga njëzet që ishin nisur nga Konispoli.Të tjerët vërtet kockë e lëkurë, por kishin rrezistuar e kishin shpëtuar.

Lavdi zotit!Njerzit pjesë pjesë filluan t’i paksonin nga fronti i punës. Një pjesë, sidomos ata të malësisë i nisën në fronte të tjera. Safeti me shokë prisnin se çdo bëhej me ta.

Lufta e Gramozit mes forcave greke kish pushuar që në gusht. Ushtria komuniste greke ishte shpartalluar e kapitulluar.Ushtarët grekë me familjet e tyre u shpërndanë nëpër Shqipëri. Mbaheshin me bukë nga populli e qeveria shqiptare, deri sa i hipën në vapora e i nisën në Bashkimin Sovjetik ,tek Stalinit, mikut të Zahariadhisit, që donte ta bënte Greqinë komunizëm, ta komanduar vet siç bënte me Shqipërinë.

Në mez të janarit , mez një të ftohti të tëmerrshëm, Safetin me shokë i morën në ca makina prej Fierit dhe i çuan në Vlorë. I zbritën tek axhensia pa bukë, pa ujë, pa lekë në xhep. Të pa larë, të pa rruar prej kohësh, të mbushur me morra, të lodhur e të raskapitur, të sëmurë e të pamundur, s’dinin ku të futnin kokën.

Binte një shi i hollë që ta shpinte të ftohtin drejt e në mish.

Safeti u mbështoll me brrucën e llangosur saqë mezi njihej por që i kish shpëtuar jetën dhe u ndje mirë.

Në axhensi bëhej nami për një biletë.

 I gjithë bregu i detit, nga Vlora deri në Sarandë , mbulohej nga një makinë lufte e improvizuar si postë me ca stola druri.

Ju lutën biletashitësit që nga pamja ju duk një njeri i keq, farmak nga goja , për ndonjë vend në këmbë, se lekë nuk kishin , po ku dëgjonte ai nga ai vesh.

Pak nga pak me të pyetur ata që kishin ndonjë njeri në Vlorë u hapën për të kaluar natën.

 Safeti , Idrizi e Ramadani i sëmur nuk luajtën nga vendi.

 I vetmi nder që u bëri biletashitësi kur mbylli axhensinë dhe i pa atje mes të ftohtit, ishte se u hapi një podrum të vogël që shërbente si depo, për të kaluar natën.

Tër natën mëndjen në shtëpi. Ishin gati që edhe në atë orë të niseshin në këmbë.

E gdhinë atje, mbi ca arka druri e ca letra që i shtruan poshtë. Shyqyr edhe me aq.

Safetin e kish pikur malli për vajzën e Nazunë, me kujtimin e tyre errej, me to dihej.

Vetëm shpresa se një ditë do të kthehej e do t’i takonte e kish mbajtur gjallë.

Që në gjashtë të mëngjezit , gati me natë, erdhi biletashitësi dhe i ngriti , nga frika se mos i shikonte njeri që kishin fjetur aty e i prishnin punë.

Përballë axhensisë ishte një kafene e hapur. U mori nga një kafe të treve.Nuk ishte njeri i keq siç dukej nga pamja.

 U duk ashtu një ditë më parë nga pamundësia për tu sherbyer të gjithëve , gjë që e bënte përherë nervoz.

 Prapë e lutën për ndonjë vënd, por ai u tha se s,mundej .

E shumta e shumta që mund të bënte, ishte t’i siguronte një vend në këmbë Ramadanit, që veçse ishte i sëmur, ishte edhe i moshuar.

E lanë Ramadanin në duart e biletashitësit dhe me Idrizin u nisën në këmbë për në Sarandë.

Mbarohej ajo e shkrretë rrugë gati njëqind e tetëdhjetë kilometra në të ftohët, pa ngrën, të lodhur e të raskapitur, rrugë e pa shkelur ndonjëherë?!

-Do vdesim Safet , i tha Idrizi , sapo kaluan tunelin e ujit të ftohtë dhe në qafë të Llogarasë u duk bora.

 Ishte më i moshuar dhe më i lodhur.

Pa le , mund të na dalin edhe ujqit , vazhdoi ai të ankohej.

Safeti e dëgjonte dhe jo se nuk i mendonte edhe ai këto rreziqe , por bënte sikur nuk i dëgjonte dhe i dha zemër.

Do arrijmë , do arrijmë se s’bën në Konospol , me shpirt në dhëmb do vemi. Na presin njerzit tanë, na pret familja.

Në mez të rrugës për në qafë të Llogarasë u dolën qëntë e një stani dhish. U morën me ta sa doli i zoti i stanit e i mblodhi.

Ishte një dukatas me zemër te madhe. I mori në kasolle dhe pa i lënë hiç të flisnin e të tregonin kush ishin, u bëri nga një përshesh me qumësht të ngrohtë e misërnike të bardhë. Kur mbaruan së ngrëni i dëgjoi kush ishin e ku do venin. U vuri bukë e me djath dhe i nxorri në një shteg të shkurtër për në qafë të Llogarasë.

E puthën si vëllanë e tyre dukatasin dhe për një orë ishin në qafë të Logarasë. Çan borën që kish vajtur deri mbi gju dhe zbritën duke ecur gjithnjë sipas rrugës automobilistike.

Ecnin pa folur. Shpirti u kish ardhur në gojë e ish gati t’u kërcente jashtë. Zbritën në Palasë, hynë në Dhërmi . Ndaluan në hajat të një shtëpie gjysëm të djegur.

Hapën trastën që u kish vënë dukatasi dhe hëngrën.

U çlodhën pak e u nisën. Errësira i zuri në Himarë.

Dita thyen shpejt në janar.

Shiu i hollë gati borinë dhe i ftohti nuk u ishte ndar gjat gjith udhës.

Nuk dinin ku të futnin kokën.Panë një dritë të dobët e bënë drejt saj.

Ishte një qiri në kishën e varrezave. Shtynë derën e u futën brënda. Bënte ngrohtë .Nxorrën këpucët e çorapet e i vunë për t’u tharë.Në lasën e drunjtë ku vendosnin arkivolin para përcjelljes për në botën tjetër kishte vend ku mund të shtriheshin të dy.

Mbyllën derën nga brënda dhe atje e kaluan natën.

U ngritën me natë dhe u nisën.Zbardhja e ditës i zuri afër Porto Palermos.

-I bukur ky vënd , si tëni Idriz, i tha Safeti që nuk mund të mos fliste nga gjithë ajo bukuri.

-Shumë i bukur, ja ktheu ai , që me mënd shëtiste në viset e Çamërisë që ngjasonin kaq shumë me të bregut himariot.

Mezi ecnin.Këmbët kishin filluar t’u enjteshin. I ftohti e koha e keqe s’u ndahej. Uria po i torturonte. Hë të binin atje, hë të binin këtu, por shpirti s’del kollaj.

-Na morën pa na thënë gjë, na çfrytëzuan tetë muaj pa na dhënë asnjë lekë në xhep sikur të ishim kafshë.As robër lufte jemi ,as të burgosur, as fajtor e as të dënuar.

Por ç’jemi që u suallën kështu me ne?!

Jemi të prishur, jemi të shkulur nga vatani tënë dhe të shkulurin e shpie era e qeveria nga të dojë.Jo,jo, kjo nuk u falet vëllezërve tanë shqiptar. Ç’i duhej Enverit e komunistave shqiptar të mplekseshin me ata grek?!

Të na kishin pyetur ne njëherë që i njohim mirëata dhe pastaj të kishin vepruar.

Asnjë dallim s’kanë grekët nga njëri tjetri si zervistat edhe amistët kur vjen puna për shqiptarët.

Këto mendonin duke hedhur kuturu këmbët që mezi i mbanin. Ecnin e i jepnin gajret njëri tjetrit.

Safeti e pa që Idrizin po e lënin fuqitë.

I vuri krahun dhe i mori të gjitha rraqet.

E nxiste të rrezistonte, i kujtonte të shoqen, Fezanen , gruan që e priste bashkë me dy vajzat.

 I fliste atij dhe mëndjen e kish tek Nazuja dhe Remzua e tij.

Ishin lodhur aq shumë sa me shumë dëshirë ishin gati të binin e mos të ngriheshin më, ja atje në mes të udhës.

Atje në mes të udhës të binin e të vdisnin, se vdekja u dukej mjalt e ëmbël para këtij mundimi që u ishte bërë si gjymtyrë që sa kishin lindur.

Atje në mez të rrugës të mbeteshin të vdekur , atje t’u bënin një përmendore akuze për ata njerëz që i kishin munduar deri tej kufirit të vdekjes.

Por mendimi se nuk jetonin për vete por për familjen e tyre i mbante në këmbë e u a lëvizte ato.

Shiu i hollë e i ftohti i madh nuk kishin të sosur.

Safeti me gunën e tij mbështolli edhe Idrizin cili kish filluar të fliste përçart dhe të dridhej.

Në mbasdite kaluan Qeparon dhe pyetën sa u duhej për në Borsh. Edhe pak ju thanë

-Janë muhamedanë borshiotët dhe kam dëgjuar se i kanë pritur mirë çamët kur kaluan me këmbë në Vlorë.

Bile dy tre familje atje janë akoma, i th safety Idrizit për t’I dhënë kurajo.

 Do i kërkojmë e do i gjejmë, i tha Idrizit që më nuk dëgjonte asgjë.

Mbahu Idriz, mbahu, se më duket se shpëtuam.

Atij i fliste por më shumë i jepte gajret vetes.

Errësira i gjeti tek lumi i Borshit.

Në fshat aty këtu dukeshin dritat e llambave me vajguri . Zuri një furtune shi, erë, vetëtima,bubullima që aman aman.

Ku të trokisje në atë qamet?! Zunë një kufall ulliri.

Ulliri ishte shekullor e binaja e tij bosh nga brënda i nxëu lehtësisht të dy.

U ulën e morën frymë.- Si ulliri yt Safet në oborr, pati fuqi e i tha Idrizi.

Kaq mundi e tha e humbi ndjenjat.

 Safeti filloi t’i fliste për ta përmëndur më zë alarmues e të fortë. Befas dëgjoi një zë burri që i foli.

-Kush jeni ju more në këtë kohë e në këtë kiamet , futur në bina te ullirit? Nga çasti në çast rrufeja mund t’ju shkrrumboj.

-Njerëz jemi, hallexhinj jemi. Mos ki frikë . Njerëz të mirë jemi.Të lutem, po më vdes shoku, me ndihmo.

Njeriu me fener në dorë nuk priti më. Bashkë me Safetin rrëmbyen Idrizin dhe bënë nga shtëpia e borshiotit që nuk ish as tridhjetë metra larg nga kufalli i ullirit.

Shtëpia ishte dy katëshe, nga para kishte një ahur të vogël. Idrizi ishte përmëndur

-Na lë këtu tek ahauri ne , i tha Safeti, që gjat gjithë kohës nuk pushonte së falnderuari atë njeri që u kish shpëtuar jetën.

-Jemi pis, tër morra.Do të mbushim shtëpinë. Ti të rrofshin fëmijët e ç’të ka zemra! , s’pushonte së uruari ai.

Zoti ta shpërbleftë! Me gjysëm zëri e shpirti i tregoi kush ushin e nga vinin.

Borshioti nuk ndihej. Ishte burrë tek të gjashtëdhjet e përpjet.. I la në ahur e i bëri zë të shoqes.

Për gjysëm ore u kish ardhur gjymi me ujë të ngrohtë, dy palë ndrresa nga të zotit të shtëpisë, ishin larë e ishin ndrruar me ato ndrresa borë të bardha që mbanin erë limoni.

 Kjo erë e mirë u ra në kokë e i dehu. Kishin kohë që nuk ishin veshur me ndresa të pastra.

E zonja e shtëpisë ishte nikoqire e pa shoqe, i zoti i shtëpisë bujar që si gjendej shoku.

I mori lart në dhomën e oxhakut ku bubulonte një zjarr me dru ulliri që e bënte kongjillin naaa, sa një grusht .

S’vonoi dhe sofra u mbush me ullinj, djath, qepë, e nga një kupë raki rrushi që të dehte edhe pa e pirë. Si në përrallë.

Apo nuk ishin ata ullinjtë pis të zinj , kripur mrekullisht si të turet në Çamëri, bile edhe me limon të grirë, përzier me gjethe dafine.

Mbi pirosti ngrohej buka e misërt që lëshonte një aromë shtëpie e drithi bashkë.

-E bekoftë zoti këtë vatër, këtë shtëpi, tër njerzit e saj me rrënjë e me degë, e bekoftë zoti këtë fshat, këta njerëz -uronin me gojë , uronin me zemër, uronin me shpirt ,ata të dy. Na shpëtuat jetën .

 Jo vetëm Idrizi do kish vdekur por edhe unë zor se e gdhija s’pushonte së foluri Safeti.

Ashtu, në vatër ,pasi kishin pirë atë kupë raki e kishin ngrënë bukë i zuri gjumi nga tejlodhja e drobitja.

Atje, në çilte , me zjarrin që s’ua lanë t’u shuhej gjith natën të zotët e shtëpisë, të bërnjasur mbi një jastëk e mbuluar me një batanie u zgjuan nga ora dhjetë e mëngjezit.

Nuk u zgjuan, por i zgjuan . Po t’i linin, mund të flinin deri të nesërmen ose të pasnesërmen.

U kishin bërë gati mëngjezin. Hëngrën mirë se në darkë nga lodhja as fuqi të hanin nuk kishin.

Uruan përsëri me fjalë zemra ata njerëz të mirë që për fat të keq nuk kishin lindur fëmijë dhe duheshin me njeri tjetrin edhe me dashurinë për fëmijët që si kishin.

I zoti i shtëpisë i kënaqur që zoti kish dhënë mundësinë të ndihmonte ata njerëz , u tha ti mbanin rrobat e tij .

Dogjën në zjarr rrobat e tyre nga frika e morrave me përjashtim të gunës së dhirtë , morën torbat me ushqime që u vuri borshioti dhe u ndanë jo duke falnderuar e pëqafuar por edhe duke u puthur duart.

 E meritonin një nder të tillë. Në moshë ishin gati djemtë e tyre. Kishin shpëtur. Kur të do zoti, sado të heqësh, nuk shuhesh. Jetëgjati nuk bëhet jetëshkurtër.

Koha ishte përmirësuar.

Shiu kish pushuar, retë qenë përhapur, dielli kish nxjerrë një sy.Për tërë ditë kaluan Piqerasin,Lukovën, Shënvasilin, Nivicën e baraz me perëndimin e diellit ranë në Qafë të Gjashtës. Ishte fshat me çamër të ardhur që nga prishja e parë e tetëmbëdhjetës dhe nga këta të dytët, të dyzet e katrës.

Kur morën vesh kush ishnin e nga vinin filluan t’i pyesnin për njerzit e tyre, të marrë edhe ata nga qeveria.

Për ata që ishin në Tërbuf dinin, për të tjerët jo.

I mbajtën për darkë Manajt, ku ishin mbledhur gati gjithë burrat e fshatit.

E gdhinë me muhabet, hëngrën e pinë edhe nga një kup raki.

Manajt e kishin pjekur një milor me atë rast.

Të nesërmen u vunë bukë me vete , i përcuallën deri tek ura e Kranesë se Bistrica kish dale e kish përmbytur gjithë Vurgun. Nëpër vahe nuk kalohej.

-Nga ura e Kranesë deri në Konispol, po të ngisni mirë, baraz me darkë jeni në shtëpi, u thanë kur u ndanë.

Vërtet. Me të thyer dita ishin në Qafë të Hanit, nga dukej Konispoli.

Konispolatët që ktheheshin nga fusha e Rrahut me kuaj për dore se i kishin ngarkuar, i poqën në udhë, e në udhë i lanë ,se ata mezi iknin .

Këmbët u kullonin gjak.Njoftuan në shtëpitë e tyre dhe gratë me gjithë vajzat në dorë fluturuan poshtë në Llotrua për t’i pritur.Safeti me Idrizin që i njohën që nga Grava e Çaparos, një kilometër larg, u folën sa u hante koka e zëri. Me të dëgjuar zërin e tyre që u përgjigjën, këmba nuk u zuri dhe. U bënë me krah ata e ato deri sa u poqën.

Safeti mori Remzon që e kish zënë fort nga qafa e gati sa nuk po e mbyste duke qarë se mos i ikte prap babai , e hodhi dhe e priti sa u lodh.

Nazunë që i kish marrë plaçkat e futi ndën sqetull e bënë përpjetë fshatit.

Ajo qante e qeshte që ai ishte kthyer. Ai ishte bërë fëmijë nga lumturia.

Fezania me Idrizin e të dya vajzat u vinin nga pas edhe më të lumtur.

-Ku do vemi ,- i tha Safeti Nazusë kur u afruan shtëpive.

-Tek shtëpia jonë i tha ajo.Nuk kam luajtur nga vendi megjithëse nana me Hamitin e Luden na janë lutur.

Më dukej se duke mbyllur portën e shtëpisë , nuk do të kisha më shpresa se ti do të ktheheshe.

Bashkë me Fezanen i shkonim netët , herë tek njëra e herë tek tjetra, duke folur për ju.

Hyri në shtëpi.Ashtu siç e kish lënë.E varfër por borë e pastër.

I mori të dya në qafë , Remzon e Nazunë, e u rrokullisën në minderin me velënxa .

I puthte e nuk kish të ngopur. Qante si fëmijë nga gëzimi që i gjeti mirë dhe sikur zbrazi nga shpirti të gjitha ato që kish hequr ata muaj të zinj.

-Të gjitha, të gjitha harrohen e hidhen pas krahëve, kur ka kush të do e të pret, -mendonte Safeti në atë shtëpi të varfër e të vogël që mezi e nxënte atë lumturi të madhe...

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page