HEBREU I FUNDIT.
- Prof Dr Fatmir Terziu
- May 26, 2022
- 5 min read

-Tregim-
Nga SHkëlqim HAJNO
Një ditë më pare, në qytetlimanin e vogël buzë detit ia behën autokolonat e para me gjermanet që vinin nga Greqia. Qyteti,atë vjeshtë të dytë, sikur ngriu prej një akulli siberian dhe varkat me kupi që niseshin çdo ditë për peshk deri tej në Kanal të Korfuzit, nuk u lëvizën prej peshkatarëve . Qetësia dhe zhurmat e zakonshme të ditënetëve u prishën nga tollovija e makinave dhe triçiklave të ushtarëve me helemta dhe armë në duar. Thirrjet ne gjuhën gjermane si komanda vjekje, gërvishnin si në metal veshët dhe zemrat e banorëve paqësor.
Një hije frike si një cohë e zezë u nder cep më cep në krejt rrugët dhe shkallaret, hyri në çdo skutë, dyqan me qepena mbyllur, uzeri dhe ato pak hotele në vijën buzë detit. Të nesërmen e pllakosjes së qytetit me gjermanë, përveç dy furrave të bukës askush nga banoret nuk shkoi ne punet e përditshme.
Një shi i ftohtë vjeshte nisi të rigonte në rrugën me shkallare që ende mbante pllakën “Via Konti Ciano” dhe niste vertikalisht nga Limani drejt qytetit.
Në uzerinë e Dhosit me tre tavolina jashtë dhe pak të tjera brenda, binin në sy vetëm dy klientë të moshuar. Ata dalloheshin prej së largu, pasi njeri ishte i veshur krejt në të zeza dhe me mjekër të bardhë, ndërsa tjetri, i moshuar gjithaq, kish veshur një palë qillota dhe një pallto me një cohë angleze. Të dyja të blera në dyqanin me emër të Qirkove në rrugën e kishës.
Tek flisnin nën zë me njeri-tjetrin me kafet e zakonshme përpara, siç bënin çdo ditë në të njejtën orë, dy të moshuarit vunë re se Pirro, korrieri i bashkisë u avit te oborri i uzërisë dhe u drejtua tek ata. Merrte frymë me zorr si pas një vrapi.
-Shyqur që iu gjeta zotni,-iu drejtua më parë ai Muftiut të qytetit, Tanush Omeri.
Pastaj, u kthye nga njeriu me të zeza dhe me mjekër, duke thënë pothuaj të njejtën fjali:
-Shyqyr që iu gjeta Papa Leksi…
-Qetësou o rob i perëndisë, -ia pat Tanush Omeri.-Qetësou njëherë!...
-Si është puna, more njeri?!-I tha Papai i kishës së Shën Gjergjit në qytet.
Tjetri, i tmerruar nisi të rrëfente me gulçima lajmporosinë.
-Vij nga ata…..nga gjermanët ….Nga vetë ai….komandanti i madh…majori …siç më tha terxhumëni*) i tyre…Po nuk i gjete,.më thanë, mos e sill kokën…!
-Cfarë porosie ke?
-Ju kërkon që të dyve komandanti gjerman….
-Ku? Ku??-pyeti Papa Leksi.
-Ku na kërkon, more njeri.-iu drejtua Myftiu, me filxhanin e kafes në dorë.
-Atje ku vendosën komandën e tyre sot ….në pallatin e beut, zotit Syrja në katin e dytë… te ballkoni Atje më priti më i madhi i tyre.…Më dha afat gjysëm ore…O perëndi e madhe! …Shyqyr që ju gjeta. Dje kishin vrarë shtatë njerëz në të hyrë të qytetit….
-Mirë ,mirë…u dëgjuan të thoshin dy klerikët që e pinn kafen gjthmonë në këtë orë te uzeria e Dhosit.
-Dhosi!....Bëji një kafe Pirros …edhe një uzo nga ne….
Pirroja shikonte si i ndërkryer. Si nga një botë tjetër.
***
Në javën e dytë të shtatorit 1943, në murin e fasadës së godinës së Syrja bej Zabërzanit ishte shkruar “BEFEHLE, komanda.
Dy flamujt e kuq me kryqin e zi të thyer të svestikas në fushë të bardhë ishin vendosur në shtiza të pjerrëta në dy cepat e ballkonit të katit të dytë.
Dy klerikët iu afruan godinës .
-Halt! Halt!-thirri roja me automatik në fund të shkallëve të jashtme. Dikush zbriti dhe komunikoi me rojen .
-Jeni klerikët? Kaloni sipër!Ju pret Komandanti,-tha njeriu që foli shqip.
Sapo shkelën edhe shkallën e fundit me pllaka të dekoruara të katit ë dytë, në krye te sheshqëndrimi i priste një ushtarak që dukej sheshit nga shenjat se ishte më i madhi i te ardhurve ne qytet. I gjatë, me kapelë me ballinë të kthyer përpjetë, komandanti iu drejtua të sapombërriturve:
-Gut.S ehr gut!
Përkthyesi në krah të tij bënte spjegimet:
-Mirë! Shumë mirë.Tani nga ju zotërinj të nderuara që jeni dy udhëheqësit e këtij qyteti të vogël, unë kërkoj të njoftoni menjehere çifutët që banojnë këtu .Të paraqiten para kësaj godine.Të gjithë pa përjashtim!Aq sa janë. Sot !...Menjëherë sot! Dhe jo nesër! Kuptuat?!
Ai e ndërpreu fjalën e tij si me thikë dhe u hodhi një vështrim të thukët nga sipër.
-Kuptuat?
-Kuptuam, zotëri-tha me zë të ulët Myftiu Tanush Omeri.
-Po ti me mjekër, kuptove?-iu drejtua gjermani Papa Leksi.
-Po zotni, kuptova mirë, shumë mirë-tha njeriu me raso të zezë.
-Tani duhet të kuptoni edhe një gjë tjetër, të dy. Keni vetëm dy orë kohë -the komandanti .Dy orë për t’i sjellë këtu para, me këmbët e tyre,- dhe bëri me kokë nga sheshi që ndodhej para godinës së komandës.
Të dy klerikët u larguan të heshtur.Vështrimi zhbirues i oficerit gjerman i shoqëroi nga ballkoni deri sa humbën në kthesën e parë të rrugës.
***
Kishin kaluar ndoshta dyqind metra nga godina me flamujt e kuq dhe kryqin e zi, kur mbajtën këmbët.
-Po tani ?!-foli i pari Papa Leksi, duke parë në panik nga miku i tij .
Muftiu pa nga deti sikur aty, të gjente formulën e kësaj koklavitje të madhe që u ra mbi krye dhe që kërkonte kokë njeriu.
-ç’do t’i themi, zoti Tanush ?E kupton ç’gur të madh kemi në kurriz tani?
Tjetri, nuk foli menjëhërë.
-E kuptoj,-tha trishtueshëm.-E kuptoj vëlla, e kuptoj…Po ato tre familje që kanë mbetur ende pa ikur , ne nuk do i japim!…Apo jo? Do flasim me besalitë tanë, do i veshim si gjyshet , si gratë e vashat tona, si ne…
-Dhe me ndihmën e Zotit të madh-tha Papai.
-Me ndihmën e Zotit të madh,-tha Myfti Tanushi.-Dhe shtoi: -Me Zotin e madh që është në qiell, besoj ta heqim këtë ndiliksje*) të madhe nga qafa jonë dhe e qytetit.
Pas këtij çasti, si me komandë vështruan secili orët me qostek dhe u dhanë këmbëve duke u tretur të dy nëpër oborret e shtëpive me frangofiq e borzilok mbi det.
***
Kishin mbetur vetëm pesë minuta nga skadimi i afati të kobshëm të caktuar nga oficeri gjerman.
Të dy klerikët, Myftiu dhe pas tij Papai, u dhanë para komandës. Që sipër, mbi ballkonin e katit të dytë, triumfues dhe më një kamzhik që rriftë hërë pas herë çizmet e zeza, komandanti i pa me një padurim që lexohej menjëhërë në fytyrën e tij eshtake.
-Më thoni menjëherë të rejat që dua, zotërinj klerikë,-tha komandanti.
-I nderuar Zotëri , Ju betohem për atë Zot,-- dhe pa nga qielli,- ne e dinim që kishin ikur pak ditë më parë. Por për siguri dhe respektin tuaj, u interesuam përsëri. Mësuam se të gjithë kanë ikur në Ishull, në Korfuz tri ditë më parë,…Me varka…
Heshti pak
-…Sepse e dinin siç mësuam sot, që do të vinit ju,-tha i pari me një gjendje hutimi Myftiu që e çau i pari akullin .
Oficeri e vëshroi ngultas me sy dyshues prej dhelpre .
-Ashtuuu?!...
-Po zotni oficer….I fundit hebre është largur një ditë më parë bashkë me familjen po në Korfuz…Me varkë…
-Komandanti u kthye befas nga kleriku tjetër.
-Po ti, njeriu i zotit me mjeker, këtë mendim ke?!....
-Si urdhëron zotni!….I fundit, ka ikur dy ditë më parë…gjithmonë me varkë…Me kupi….
Pas kësaj, Papa Leksi bëri kryqin dhe tha si me pëshpërimë: “O Zot, mos na tradhëto…!”
Oficeri iu kthye me zë të lartë përkthyesit:
-E dinë këta të rrjedhur se c’do të thotë kjo ?!
Tjetri ua përcolli të dyve pyetjen fatale.
-Si urdhëron zoni!-thanë pothuaj me një gojë duke e parë në sy njeriun me uniformë ushtarake i cili nisi t’i binte tani çizmes së djathtë më fortë me kamzhik.
-M’u hiqni sysh! Tani! Menjëherë…Dhe po doli ndryshe , e dini se ku do t’u var?,-
Klerikët nuk folën ndërsa tjteri shtoi:
-Që të dy, tek cepat e ketij ballkoni…Njerin majtas dhe tjetrin djathtas…
Papa Leksi si përgjigje bëri kryqin disa here duke nomatisur me vete.
Pas pak, të dy të thirrurit po zbrisnin shkallët e ndërtesës së komandës për te dalë në rrugë. Papai bënte kryqin në mënyrë të përsëritur dhe që të dy, pëshpërisnin si në një rrëfim me të Plotfuqishmin.: O Zot, ndihmoi robt e tu…mos na tradhëto!
_______oOo________
Comentários