top of page

Hamit Gurguri: Kisha e Kirunës, e cila “udhëtoi” 5 kilometra





    

      Në veri të Suedisë ka pasuri të mëdha minerare. Qyteti Kiruna u ngrit si vendbanim i ri për minatorët që vinin nga shumë vende të Suedisë. Në atë vendbanim ishte një kishë e vogël, e cila shërbente edhe si shkollë deri në fillim të shekullit XX.

     Kompania gjigante e minierave LKAB, duke parë nevojat në rritje, shpalli konkurs për ngritjen e kishës në qytetin Kiruna. Projekti iu besua arkitektit Gustav Vikman, i cili i inspiruar nga kisha me trarë në Norvegji dhe kasollet e samëve, bëri projektin dhe atij iu besua mbikëqyrja deri në përfundim.

  

Pamje e kishës së Kirunës gjatë dimrit
Pamje e kishës së Kirunës gjatë dimrit

   Kjo kishë u dha në përdorim me 8.12.1912.

     Është e ndërtuar tërësisht nga druri, disa nga të cilët u blenë edhe nga Rusia Cariste.

     Në ndërkohë qyteti u rritë, u zgjerua dhe kisha mbeti në qendër të qytetit duke u shndërruar në zemër dhe simbol të qytetit të minatorëve. Në vitin 2001 kjo kishë u shpall objekti më i bukur arkitektonik, i ndërtuar para vitit 1950 në Suedi. Të paktë janë suedezë, që nuk e njohin këtë foto.

     Me eksploatimin e xehes së hekurit, miniera iu afrua qytetit dhe në fillim të këtij shekulli u paraqit dëmtimi i objekteve të banimit, plasaritjet e mureve dhe zhurma e pëlcitjeve të minave nën tokë. U angazhuan studiues, ekspert të lëmive të ndryshme dhe zgjidhja ishte që qyteti të zhvendosej gjetiu.

     U rrënuan godina banimi, objekte afariste, shkolla e ente tjera, por kur erdhi radha tek kisha, thua se ai shpirti kryengritës i minatorëve u zgjua, qoftë si banorë, qoftë si besimtarë, apo dashamirë për të ruajtur objektet e kulturës, të arkitekturës dhe të historisë kombëtare më se njëqindvjeçare.

      U propozua që kisha të bartej, por në tërësi. Jo të demontohej, jo të copëtohej, apo të ngjashme. Pesha e tërë objektit ishte 672 tonë. Gjerësia e gjatësia e saj dyzetë (40) metra, lartësia nga themeli deri në maje të saj, ku qëndron gjeli i praruar ishte tridhjetepesë (35) metra.

      Kompania LKAB u pajtua të paguante shpenzimet e përgjithshme të bartjes së kësaj kishe.

  

Kisha e Kirunës në vendin e ri, pasi “udhëtoi” pesë (5) kilometra
Kisha e Kirunës në vendin e ri, pasi “udhëtoi” pesë (5) kilometra

    Përgatitjet zgjatën plotë tetë (8) vjet. Këtu u morën të gjitha masat teknike, ligjore, mbrojtëse, higjienike, atmosferike, religjioze dhe publike. Për çdo hap e vendim, njoftoheshin qytetarët dhe mund të propozonin, të kritikonin, apo të sugjeronin për masat deri sa të merrej vendimi.

      Me 19. Gusht 2025, pas bekimit nga kryepeshkopi i veriut të Suedisë, në ora 08,00, pasi ishin vu përfundi shtrojsat e çelikut, bartëset, kisha u ngrit mbi 224 rrota, të porositura e të punuara vetëm për këtë rast. “Rrugëtimi” i kishës ishte i gjatë mbi pesë kilometra. Ekipet e ekspertëve, përcjellësve, sigurimit, policisë dhe grupeve tjera teknike iu printe Jakob Pansel, nga qyteti jugor Halmstad.  

      Lëvizjen e parë e bëri: Sebastian Dryker, teknik me prejardhje nga Argjentina.

      Brenga më e madhe ishte si të mbrohej piktura e altarit të kishës, e punuar nga princi Eugjen dhe orgulet e mëdha me 2800 fyej gjatë këtij “udhëtimi” të kujdesshëm të kishës së Kirunës.

     Ishte ditë me mot të vranët, temperatura 8 gradë celsius mbi zero. Shpejtësia e lëvizjes ishte e caktuar pesëqind metra (0,5 km) në orë. Pengesat gjatë rrugëtimit ishin eliminuar. Rruga tani ishte e zgjeruar e forcuar dhe vetëm në një vend ishte ngushtë dhe objekti i kishte nga 10 cm hapësirë në të dy anët. “Udhëtimi” zgjati dy ditë. Me datën 20.08.2025. para orës 16,00 Kisha e Kirunës arriti në destinacion të ri. Vetëm një dron u duk në afërsi (pa leje), por u largua së shpejti dhe operacioni u krye pa më të voglin incident, pengesë apo dëmtim.

     Edhe më parë janë bërë bartje të objekteve industriale në afërsi më të vogël brenda fabrikave, në disa nga portet detare të Suedisë, por një objekt i tillë, delikat dhe i mbrojtur si kisha e Kirunës, jo.

     Ishte një ndërmarrje e veçantë, që zgjoi interesimin e mbarë Evropës dhe tërë botës.

     Ishin më se tridhjetë agjenci botërore të lajmeve që përcollën këtë ngjarje në veri të Suedisë, që çmohet si kujdes ndaj një objekti historik, arkitektonik, kulturor dhe fetar. Ndër ta kishte edhe shumë mysafirë nga viset e ndryshme të botës. U përgatitën mbi 3.000 filxhanë kafe. Filxhani i parë, i takoi shefit të shtetit të Suedisë, Mbretit Karl Gustav XVI, i cili e madhështoi këtë ditë të veçantë. Këngën e parë, pasi kisha e kreu “udhëtimin” dhe u vendos mbi themelin e ri, e këndoi këngëtarja e mirënjohur Karola Hegkvist. Ndër deklaratat e shumë personave, t’i ndajmë fjalët e një vajze angleze:

     “Më ngjan si një transplantacion i zemrës!”

Të cekim se kambanari, si objekt i ndarë, por i përket kishës, do të bartet me 26.08.2025.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page