Ditë e poezisë së të gjithë poetëve
Nga Hamdi Hysuka*
Më 6 shtator 2024, për të tetin vit me radhë, Klubi Letrar "Pjetër Budi" Mat organizoi Festivalin Kombëtar të Poezisë “Muza Poetike Budiane”. Morën pjesë dashamirë të fjalës poetike, shkrimtarë, poetë, artistë nga trojet shqiptare, brenda e jashtë kufinjve të Shqipërisë. Nderuan me praninë e tyre prof. dr. Shyqri Galica, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës; Myrteza Mara, kryetar i Klubit të Shkrimtarëve “Petro Marko” Vlorë; Zija Vukaj, drejtues i Shkrimtarëve dhe Artistëve Shkodër, Agim bajrami, kryetar i Shtëpisë së Shkrimtarëve, Durrës; Trandafile Molla (Baja), kryetare e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Zëri i Mërgimtarit” në Novara, Itali; familjarë të poetit të shquar Hamit Aliaj, “Mjeshtër i Madh”, autor i 7 librave poetikë të vlerësuara me çmime kombëtare dhe i mbi 200 tekste këngësh, i ndarë nga jeta në moshën 69-vjeçare, më 7 mars 2023; përfaqësues të Sponsorit general UNFPA (Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë), me kordinator z. Faik Xhani, “Mjeshtër i Madh”. Nga Tetova na nderoi me pjesëmarrjen e tij valltari dhe rapsodi i njohur Hajri Ismani, një emër i respektuar në fushën e kulturës muzikore popullore shqiptare, shoqëruar nga valltari dhe instrumentisti Qerim Bislimi. Gjithashtu morën pjesë studiues, përfaqësues të qeverisjes vendore, të medias së shkruar e vizive, dashamirës të poezisë etj. Himni kombëtar ishte mirëseardhje për të gjithë pjesëmarrësit.
Festivali poetik filloi me promovimin e dy librave të rinj të autorëve Faik Xhani: “Pesha e fjalës”, libër publicistik studimor dhe i Trëndafile Mollës: ”Shqipëri, zemra jonë” me poezi të zgjedhura nga ShShA “Zëri i Mërgimtarit”.
Më pas u zhvillua festivali i poezisë, në të cilin me poezitë e tyre u paraqitën autorët Kastriot Çupi, Londër; Mimoza Zejnullahu, Vitì; Liljana Ceni, Bajram Canameti, Mevlud Buci, Xhavit Gasa, Londër; Rozina Sterkaj, Qamil Hoxha, Rubjana Nika, Fatbardha Kaçi, Dan Uka, Violeta Lika, Lindita Doda, Xhemkadri Kastrati, Podujevë; Njazi Kastrati, Gjilan; Kadri Tarelli, Elona Basha, Arbnesha Kelmendi (Draga), Pejë; Trandafile Molla (Baja), Novara; Basir Bushkashi, Skënder Milaqi, Valbona Xhepi, Faik Xhani, Setki Q. Jashari, Naim Aliaj, Shaqir Koliqi, Fitim Sula, Qazim Shehu, Adile Baleta, Ymer Hysa, Miranda Troci (Derti), Agim Bajrami, Fadil Curri, Mazgit ; Berham Hoti, Skënderaj; Rustem Beshku.
Pas konkurimit të poetëve, juria e festivalit me kryetar poetin Myrteza Mara, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve "Petro Marko", Vlorë; dhe anëtarë Flora Brovinën, poete, aktiviste e të drejtave të njeriut dhe e të drejtave të grave, gazetare dhe poete, figurë politike në Kosovë; bashkë me Fatmir Nelin, sekretar i Klubit Poetik “Pjetër Budi”, vlerësoi dhe ndau çmimet për fituesit. Çmimi i tretë iu dha poetëve Qazim Shehu, Xhavit Gaza dhe Ymer Hysa. Çmimi i dytë shkoi për poetin Xhemkadri Kastrati dhe poeten Vilma Nika. Me Çmim të Parë u vlerësua poetja Fatbardha Kaçi. Ndërsa poetja Mimoza Zenullahu fitoi çmimin "Zëri i Ri Poetik". Poeti Basir Bushkashi fitoi çmimin "Pjetër Budi", ndërsa çmimin "Hamit Aliaj" e fitoi poetja Lindita Doda. Çmimi i Karrierës iu dha poetit Fak Xhani dhe poetes Miranda Troci (Derti). Çmimi "Anëtar Nderi" i Klubit Letrar Mat ishte për dr. Sali Kurtin.
*
Pjesëmarrja e gjerë e poetëve ishte në funksion të drejtë me misionin e festivalit, dëshmi e integrimit kombëtar e kulturor dhe e angazhimit vetëmohues të Klubit Letrar "Pjetër Budi". Pozitive ishte përfaqësimi gjeografik nga gjithë trojet shqiptare, me autorë që janë aktivë në botën letrare, poetë nga diaspora, nga emigracioni shqiptar, nga trojet shqiptare amtare dhe nga hapsirat administrative shqiptare.
Punimet që u paraqitën në skenën e këtij festivali dhe poetët që erdhën gjithandej, janë dëshmi e një përkushtimi dhe dashurie për letërsinë, sidomos për poezinë, gjini kjo që kërkon qasje e prirje të veçantë, të cilën pjesëmarrësit e këtij manifestimi e sollën me origjinalitet e frymëzim. Vargjet dëshmuan jetën tonë, synimet e përhershme për integrimin tonë kombëtar dhe probleme e çështje aktuale që kanë të bëjnë me historinë dhe aktualitetin.
Pra, Mati, vendlindja e poetit të parë të letërsisë shqipe, pararendës i Rilindjes sonë Kombëtare, është kthyer në një ditë të poezisë së të gjithë poetëve, festë e vërtetë poetike. “Muza Poetike Budiane” afirmoi vlerat krijuese, i shndërroi ato në veprimtari të mirëfilltë letrare kombëtare, mblodhi pena të krijuesve nga të gjitha viset tona, duke dhënë ndihmesë në kultivimin e krijimtarisë poetike, të letërsisë e të artit në përgjithësi.
Për poetët dhe të ftuarit u organizua drekë në Bar Restorant përballë Pallatit të Sportit “Ferit Hysa”.
*kryetar i Klubit Letrar “Pjetër Budi”
Urime dhe suksese! E shndërruat "Muzën Budiane" në festival poetik mbarë kombëtar. Ju lumtë! Kini mirënjohje nga të gjithë poetët.
Miqësisht!
Nga Kadri Tarelli