top of page

  Hamdi Hysuka: Letërsia që bashkon mërgatën


ree

Takim historiko-letrar në Novara


“Fjala është rrënja e kombit. Kur ajo lulëzon në mërgim, Atdheu frymon sërish në shpirt.”

Në prag të Nëntorit të Madh, fjala dhe arti shqiptar bashkuan zemrat e mërgimtarëve.

Në qytetin e bukur të Novarës, ku çdo ngjarje shqiptare merr frymë shqiptarie e krenarie, u zhvillua Manifestimi i Pestë historiko-letrar dhe kulturor i organizuar nga Bashkimi i Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Zëri i mërgimtarit”.

Edhe pse vetëm tre vjet nga themelimi, kjo shoqatë është bërë një vatër e vërtetë krijimtarie dhe dashurie për gjuhën e kulturën amtare. Manifestimi u mbajt në Via Matteotti nr. 1, Piazza Novara, nën kujdesin e Komunës dhe Provincës së Novarës, duke bashkuar artin me kujtesën kombëtare në prag të festave të 28 dhe 29 Nëntorit, si dhe të 563-vjetorit të Dokumentit të Parë të Gjuhës Shqipe, “Formulës së pagëzimit” të Pal Engjëllit.


Fjala, kujtesa dhe përkushtimi


Në fjalën hapëse, Trandafile Molla (Baja), kryetare e BShASh “Zëri i Mërgimtarit”, evokoi me emocion rrugëtimin trevjeçar të shoqatës dhe veprimtaritë që kanë ndriçuar kulturën shqiptare në mërgim. Pas saj, shkrimtari për fëmijë Fatmir Gjestila prezantoi librin “Lulëkuqet e globit”, një udhëtim poetik në botën e fëmijëve, botim i vetë BShASh-së.

Me përshëndetje dhe reflektime u paraqit prof. dr. Shyqri Galica, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, ndërsa Hamdi Hysuka, përfaqësues i Klubit Letrar “Pjetër Budi” Mat, mbajti një fjalë përkujtimore për “Formulën e pagëzimit”, dokumentin që shënoi fillimet e gjuhës sonë të shkruar.


Letërsia që bashkon mërgatën



ree

Në vijim, Myftar Gjonbalaj, nënkryetar i shoqatës, prezantoi dy vëllimet e tij poetike “Me ty” dhe “Zëri yt”, të cilat u përcollën me fjalët e ngrohta të Trandafile Mollës dhe prof. dr. Shyqri Galicës. Po ashtu, prof. dr. Adem Zejnullahu prezantoi librin poetik të Afërdita Bashotës, ndërsa autorja përloti të pranishmit me fjalët dhe poezitë e saj plot ndjesi.

Poeti Agim Bajrami, kryetar i Shtëpisë së Shkrimtarëve të Durrësit, solli në qendër të vëmendjes librin poetik “Në rrugën e jetës” të autorit Fali Ndreka, një pasqyrë e ndjeshme e përvojës njerëzore e mërgimtare.

Ngjarja u pasurua me recitime nga nxënës të shkollës shqipe dhe intermezo muzikore nga Aksinje Gioja dhe vajzat, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë shpirtërore.


Mirënjohje dhe frymë bashkimi


Në mbyllje, u ndanë çmime, mirënjohje dhe tituj vlerësues për kontributin e krijuesve, bashkëpunëtorëve dhe pjesëmarrësve.

Takimi përfundoi me një drekë miqësore, ku fjala, poezia dhe muzika u shkrinë në një frymë të përbashkët dashurie për gjuhën dhe atdheun.

                                 

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page