Halil Rama: SALI DUKA, SIMBOL I QËNDRESËS, I BURRËRISË DHE URTËSISË DIBRANE
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 15 minutes ago
- 5 min read

PERSONAZH
Kalvari i burgjeve të diktaturës i ish - partizanit trim, Sekretar i Këshillit Nacionalçlirimtar të Qafë Murrës
SALI DUKA, SIMBOL I QËNDRESËS, I BURRËRISË DHE URTËSISË DIBRANE
Halil Rama – Mjeshtër i Madh
· Rasti i tij është krejt i veçantë në historinë e të burogusurve politike të regjimit diktatorial. Pas arrestimit nga ata që abuzonin se vepronin “Në emër të popullit” është bërë shtatë herë gjyq. Dhe me akuza të sajuara, nga seanca në senacë vijnë dënimet e ashpra: me pushkatim, me varje, me 100 vite burg, me burgim të përjetshëm, me 37 vite burg, me 25 vite dhe përfundimisht me me 15 vite heqje e të drejtave elektorare i shpallur armik i popullit (kulak)….
· Për emrin dhe kalvarin e këtij disidenti të regjimit komunist gjithkush mund të mësoj edhe nga vizita në skutat e errëta të famëkeqes Shtëpia e Gjetheve ose siç quhet zyrtarisht Muzeu i Mbikëqyrjes Sekrete, i njohur edhe sië një muze historik në Tiranë….
Në faqen e tij zyrtare në facebook, poeti, studiuesi dhe esseisti i njohur Isuf Miha ka një rubrikë interesante: “Personalitete që kanë bërë emër në krahinën e Katër Grykëve të Dibrës”, disa prej të cilëve kontributorë të çeshtjes kombëtare shqiptare. Dhe nuk është rastësi, që përveç klerikut të njohur Hoxhë Bodini (Sefer Bodini) që dha jetën për atdhe; Llan Destan Ndregjonit, burrit që ngriti flamurin shqiptar në Kuvendin e Arrasit ku u iniciua kryengritja dibrane për shporrjen përfundimtare të pushtuesve serbë nga trojet shqiptare; Tafë Kaziut; Hoxhë Bajram Bucit (Mullà Bajrami), teologu, ideologu, luftëtari dhe martiri i Rilindjes Kombëtare Shqiptare; Jashar Lelës etj, rendit edhe Sali Demir Dukën, dibranin që s’u tremb nga e vërteta, duke qëndruar stoik ndaj gjyqeve speciale dhe dënimeve të njëpasnjështe në gjyqet e montuara politike.
Ai ka hyrë në analet e historisë sonë kombëtare si burri trim e i mençur, që ashtu siç luftoi trimërisht me armë në dorë kundër pushtuesve nazifashistë, po me stoicizëm i rezistoi edhe diktaturës komuniste të pasçlirimit të atdheut, që i trembej personaliteteve si ai. Madje, për emrin dhe kalvarin e këtij disidenti të regjimit komunist gjithkush mund të mësoj edhe nga vizita në skutat e errëta të famëkeqes “Shtëpia e Gjetheve” ose siç quhet zyrtarisht Muzeu i Mbikëqyrjes Sekrete, i njohur edhe si një muze historik në Tiranë.
Saliu lindi në Qafë Murrën e Katër Grykët e Dibrës, aty ku gurët flasin për trimëri dhe era pëshpërit për nder. Këtu jetoi Sali Duka dhe mbeti një ndër burrat më të ditur dhe më të ndershëm të asaj treve legjendare.
Bashkohësit e kujtojnë si burrë me zemër prej drite, që jetoi me parime e me karakter të fortë.
ISHTE NDËR PJESËMARRËSIT AKTIV
NË ÇETËN PARTIZANE TË DIBRËS
Sali Demir Duka u lind në Qafëmurrë, më 27.06.1926, në një familje të thjeshtë fshatare. Ai ishte djali i fundit i familjes të madhe me 5 vëllezër dhe 4 motra. Që në fëmiri u shqua për një inteligjencë natyrale.
Në vitin 1934 fillon shkollën që u hap për herë të parë në Murrë.
Duke e vlersuar si djalë të shkathët dhe inteligjent, komandanti i Çetës Antifashiste të Dibrës Haxhi Lleshi e fton të bëhet pjesëmarrës në të, me një letër dërguar me korier ku i shkruan:
“Miku im Sali Duka, të pres në çetën time. Të dua në krahun tim. Nuk besoj se nuk do duash të jesh në krahun tim. Mirse të vish. Ne jemi shpëtimtarët e Shqipërisë. Vdekje fashizmit, liri e popullit”.
Saliu, i rritur dhe edukuar me ndjenja atdhetare, asokohe i bindur se çlirimi i vendit nga okupatori fashist ishte detyrë atdhetare, i beson Haxhi Lleshit duke u angazhuar në Çetën e Dibrës, ku mori pjesë aktive dhe luftoi me trimëri të rrallë në të gjitha aksinet e kësaj çete partiazne, nga viti 1942 deri në korrik 1944.
U Largua nga radhët e saj, menjëherë pas vrasjes të vëllait Rustemit.
Në vitin 1945 u zgjodh sekretar i Këshillit Nacionalçlirimtar të fshatit. E kreu këtë detyrë me drejtësi e përkushtim ndaj bashkëfshatarëve, në bashkëpunim me kryetarin e këshillit Selman Shehu, edhe ky një personalitet emërndritur nga një familje po e tillë e Qafë Murrës së katër Grykëve të Dibrës.
I BESOI HAXHI LLESHIT, POR DIKTATURA JA MOHOI
KONTRIBUTIN NË LANÇ DHE E DËNOI ME AKUZA ABSURDE
Nëse i besojnë postulatit se “Diktatura ha bijtë e vetë”, shembullin më sinjifiktaiv e gjejmë edhe në personalitetin e Sali Demir Dukës të Qafë Murrës. Kur ende nuk ishin tharë plagët e luftës çlirimtare në të cilën ai dha kontribut evident, në vitin 1946 e arrestojnë me akuzën absurde për “agjitacion e propogandë kundër pushtetit popullor” dhe për “bashkëpunim me bandën e armikut të popullit, kriminelit Gjon Markagjonit duke kryer krime kundër partisë e shtetit”.
Rasti i tij është krejt i veçantë në historinë e të burogusurve politike të regjimit diktatorial. Pas arrestimit nga ata që abuzonin se vepronin “Në emër të popullit” është bërë shtatë herë gjyq. Dhe me akuza të sajuara, nga seanca në seancë vijnë dënimet e ashpra: me pushkatim, me varje, me 100 vite burg, me burgim të përjetshëm, me 37 vite burg, me 25 vite dhe përfundimisht me me 15 vite heqje e të drejtave elektorare e shpallur armik i popullit (kulak).
Vendimi përfundimtar është marrë nga Gjykata Ushtarake e Elbasanit pa asnjë dëshmitar konkret por vetëm me opinionin e seksionit, pra pa asnjë provë. Ky Dënim ishte thjeshtë për inteligjencën e tij brilante. Kreu 9 vite dhe u lirua.
Kështu e pësoi Sali Duka, ish partizani trim i çlirimit, njeri i fjalës së drejtë dhe i besës shqiptare. Ndonëse në rininë e tij i besoi Haxhi Lleshit dhe u rreshtua me çetën e tij antifashiste, provoi kalvarin e rëndë në hetuesitë specialiale të diktaturës. Dhe për mendimin e lirë e për guximin për të thënë të vërtetën, nuk e kurseu as koha e pasluftës, me padrejtësitë e saj. Por gjithsesi, as burgjet, as presioni nuk arritën ta përkulnin. Ai qëndroi si lis në furtunë, krenar, i heshtur, por i pathyeshëm.
PERSONALITET I RRALLË QË MERITON RESPEKTIN E ÇDO BREZI
Sali Duka ndërroi jetë para 30 vitesh, por emri i tij nuk u harrua. Ai mbetet simbol i qëndresës, i burrërisë dhe i urtësisë dibrane. Djali i tij, Rustemi që ka sdudjuar për pikturë dhe muzikë, tashmë në emigracion në Francë, me krenari legjitime thotë se “Në çdo kujtim për babain, ndjejmë aromën e nderit dhe frymën e Atdheut”. Ndërkohë një falenderim i veçantë shkon për poetin, esseistin dhe studiuesin skurpuloz Isuf Miha, që mundësoi këtë fotografi të rrallë, duke risjellë në kujtesë figurën e këtij burri të rrallë, që meriton respektin e çdo brezi.
Lavdi kujtimit të Sali Dukës, burrit që e nderoi Dibrën me veprën, fjalën dhe qëndresën e tij.















Comments