top of page

Halil Rama: Promovohet “Dr. Sali Kurti, ikonë e stomatologjisë shqiptare”.

  • 3 hours ago
  • 11 min read

PROMOVIMI

 

Shkrimtarë matjanë, dibranë, kurbinas e lezhjane vlerësojnë librin e autorit Hamdi Hysuka

 

DR. SALI KURTI – PORTRETI I NJERIUT FISNIK

 

Elita krijuese: Rrugës për në fshatin Karicë të Matit t’i vihet emri i tij

  

 

 Dy vjet më parë, do t’i gëzoheshim vendimit të Klubit Letrar “Pjetër Budi” për t’i dhënë titullin “Anëtar Nderi i këtij Klubi”, Dr. Sali Kurtit, me motivacionin “Mjek stomatolog, autor i librit “Një jetë në shërbim të të tjerëve”, Mjeshtër i madh”, “Qytetar Nderi” i Bashkisë Mat, “Njeriu i Vitit 2023” i Federatës së Paqes Universale Shqipëri, themelues dhe drejtues i Klinikës “Mat Dental”.

Këtij gjerdani të artë dekoratash, medaljesh dhe titujsh, në gjoksin e  Dr. Sali Kurtit, ndër më të nderuarit e të vlerësuarit e rrethit të Matit e të metropolit shqiptar, gjatë dy viteve të fundit i janë shtuar tituj e medalje tjera, si “Mirënjohja” e Këshillit të Qarkut Dibër dhe titulli “Akademik” që ju dha fundvitin e kaluar, (me propozimin tim), nga Akademia Shqiptaro-amerikane e Shkencave dhe Arteve Nju Jork (ku sërish unë isha organizator i ceremonisë së dhënies së këtij titulli).

Dy vjet më pas, miku ynë Hamdi Hysuka, pikërisht bazuar në këto vlerësime nga institucione prestigjioze kombëtare, ndërkombëtare e lokale, vjen me librin “Dr. Sali Kurti, ikonë e stomatologjisë shqiptare”.

Në këndvështrimin tim analitik, ky libër përmbush mjeshtërisht standardet e një monografie të mirëfilltë letrare, e cila zë vend nderi në fondin e letërsisë sonë dokumentare.

Pikërisht si i tillë u vlerësua dhe në promovimin e të shtunës së 30 qershorit 2026 në Pallatin e Kulturës “Sh.Doda” Burrel, nga dhjetra shkrimtarë dhe artistë matjanë, dibranë, kurbinas e lezhjanë, të pranishëm në këtë event mbresëlënës.

Fillimisht u ndoq me vëmendje dhe interes dokumentari televiziv i realizuar me mjeshtri të rrallë artistike nga gazetari e montazhieri i talentuar Edmond Sufaj, në të cilin përcilleshin artistikisht detaje nga jeta dhe rrugëtimi i suksesshëm i Dr. Sali Kurtit.

Më pas përshëndetje të ngrohta e të sinqerta nga përfaqësues të pushtetit vendor: kryetarja e këshillit të Bashkisë Mat, Znj. Anila Stafhasani dhe zëvendësprefekti i Qarkur Dibër, gazetari e shkrimtari i mirënjohur Hasan Pasha. Përshëndetën gjithashtu përzëmrsisht  punonjës të Klinikës Dentare "Mat Dental", Sanie Meta, familjarë, si dhe titullari i monografisë, Dr. Sali Kurti.

Monografia e kreut të Klubit Letrar “Pjetër Budi”, shkrimtarit të mirënjohur matjan Hamdi Hysuka u vlerësua nga Prof. as. Jolanda Lila (njëherësh redaktore e librit); poetja, prozatorja dhe analistja e letërsisë Emrie Krosi, nga shkrimtarët e poetët:  Faik Xhani, Luftar Pepmarku, Ermal Lala, Imer Hysa, Vilma Nika, Elona Basha, Setki Q. Jashari, gazetarët Zef Shtjefni dhe Fatmir Neli.

 

MONOGRAFI ME DETAJE TË PREKSHME JETËSORE

 

Në të vërtetë, Hamdi Hysuka, ashtu si Jolanda  Lila, për librin e saj “DR.SALI KURTI, MJEKU QE JETËSOI ÇDO ËNDERR” dhe  unë që e kam personazh kryesor në tre librat e mi “Të fitosh titullin njeri”,  “Zëra bashkëkohore” e “Dibra dhe dibranët në panteonin e vlerave”, si dhe Hasan Pasha për librin “Fisnikët e Matit”, nuk e kemi patur të vështirë skalitjen e portretit të njeriut fisnik, Dr.Saliut, pasi mesazhet që përcjellin shembullin e tij kanë emrin KRENARI. Krenaria ka nevojë për një truall, për një shtrat që rritet…E pikërisht në këtë shtrat ka ecur dhe ecën prof. dr. Sali Kurti, i përshtatur mirë me kohën, bujar, fisnik, humanist i pashoq, intelektual i mirëformuar dhe i zoti, që ka çarë në jetë me mençuri e sakrifica.

I frymëzuar nga profesionalizmi i spikatur dhe humanizmi i pashoq, unë e kam patur Dr. Saliun personazh edhe në disa shkrime që kam botuar në të përditshmen më të madhe shqiptare “PANORAMA”, në të përjavshmen letrare e kulturore “NACIONAL”, në prestigjiozen fjalaelire.com&Albanian Post, etj, dhe sot ndjej kënaqësi të veçantë kur konstatoj se miku ynë Hamdiu, i ka bërë ato pjesë të librit “Dr. Sali Kurti, ikonë e stomatologjisë shqiptare”,  që u promovua të shtunën e  kaluar.

Sërish dua të them se nuk e kemi patur të vështirë edhe për faktin se shkrimin e këtyre librave na e ka bërë të lehtë vetë dr. Saliu. Mjafton ti referohesh librit të tij “Një jetë në shërbim të të tjerëve”, ku në 294 faqet e tij gjejmë detaje për vitet e vështira të fëmijërisë, pemën gjenealogjike, jetën konviktore dhe studentore në Politeknikumin Mjekësor e Universitetin e Mjekësisë të Tiranës, krijimin e strehëzës familjare, punën si drejtor i Shërbimit Stomatologjik të rrethit të Matit, pasionin për teatrin dhe të bukurën në përgjithësi, bekimin si “prind” , magjinë si “gjysh”, dhe në tërëssi rrugëtimin e tij të suksesshëm e fisnik në profesionin e stomatologut. Njëzetëetre artikujt e këtij libri që është modeli i shkrimit të një monografie, janë vërtetë një përmbajtje e pasur lëndore me një tematike mjaftë të larmishme.

Në të njejtën linjë, edhe Hamdi Hysuka, në këtë mongrafi, duke përshkruar mjeshtërisht rrugëtimin e dr. Sali Kurtit në shtatë dekada, nxjerr nga pluhuri i harresës, momente, histori jetësore, detaje, njerëz, ngjarje, vende e hapësira, të cilat së bashku shpalosin botën e brendshme dhe të jashtme të personazhit të librit të tij.

 

VLERËSIME NGA PERSONALITETE TË LETRAVE

       

Libri “Dr. Sali Kurti, ikonë e stomatologjisë shqiptare”, nuk është vetëm një përmbledhje faktesh dhe vlerësimesh, por është një dëshmi e gjallë e një jete të jetuar me përulësi, dashuri dhe devotshmëri të palodhur ndaj njerëzve. Kjo sipas redaktores Jolanda Lila për faktin se për prof. Sali Kurtin janë shkruar shumë artikuj dhe libra, por shumë e më shumë është folur dhe vijon të flitet për veprat e tij humane. Për ta rrokur një pjesë të asaj që thuhet për këtë figurë, vjen ky libër i shkruar nga autori Hamdi Hysuka. Ai ka pasur një qëllim: të mbledhë në një vend të vetëm, copëzat e shumta të vlerësimeve që e kanë shoqëruar ndër vite prof. Sali Kurtin.

Në nalizën e Prof. as. Jolanda Lilës libri është konceptuar dhe ndarë në tre pjesë kryesore. Në pjesën e parë bëhet një përmbledhje e jetës së prof. Sali Kurtit. Kjo përmbledhje është paraqitur në mënyrë kronologjike dhe pa u ndalur në detaje e hollësi. 

“Është parë e udhës paraqitja në mënyrë koncize, duke u udhëhequr nga arsyetimi se ekzistojnë dy libra që e paraqesin në formë të hollësishme gjithë rrugëtimin jetësor të deritanishëm të prof. Saliut, libri autobiografik ‘Një jetë në shërbim të njerëzve’, si dhe biografia e letrarizuar ‘Sali Kurti, mjeku që jetësoi çdo ëndërr’. Këto libra, së bashku me intervistën dhe bisedat me dr. Saliun, autori i ka përdorur si bazë dokumentare për hartimin e pjesës së parë të librit”, shkruan znj. Lila. Duke u ndalur në strukturën e librit ajo vlerëson se në pjesën e dytë, janë paraqitur të gjitha vlerësimet që ai ka marrë ndër vite për punën e tij të palodhur si mjek stomatolog dhe si kontribues i çmuar në jetën shoqërore. Renditja e këtyre titujve, duke nisur nga "Mjeshtër i Madh", "Qytetar Nderi" dhe "Njeriu i Vitit 2023", vijnë në libër si tregues i arritjeve të tij dhe i mirënjohjes së thellë që gëzon në komunitet, si profesionist dhe si njeri me vlera të larta njerëzore. 

Referuar analizës së redaktores Lila, në pjesën e tretë janë përfshirë një sërë shkrimesh dhe reflektimesh mbi veprimtarinë e tij. Këto shkrime janë hartuar nga gazetarë, miq, kolegë, dashamirës, ish-studentë dhe bashkëpunëtorë të panumërt të tij, të cilët paraqesin dëshmi interesante për anën e tij profesionale dhe humane. Pjesa më e madhe e shkrimeve janë marrë nga organe të ndryshme të shtypit të shkruar, por edhe nga kapituj apo sythe librash në trajtë bibliografish mbi njerëz të shquar të bashkëkohësisë, ku pa dyshim, emri i prof. Saliut renditet përherë, në mos i pari, patjetër si një ndër emrat më të rëndësishëm. Këto shkrime shtrihen në kohë prej vitit 1989 deri në ditët e sotme. 

“Përmbledhja e tyre, sidomos pas kaq shumë vitesh është një punë e mundimshme, e vështirë dhe e pamundur për t’u rrokur tërësisht. Autori Hamdi Hysuka ka përfshirë e përmbledhur pjesën më të rëndësishme të këtyre shkrimeve dhe më të spikaturat. Autorët e këtyre shkrimeve të sinqerta e mbresëlënëse kanë sjellë vlera të shumta nga veprimtaria e prof. Saliut, duke nxjerrë në pah punën e tij plot dashuri, përkushtim, por edhe vetëmohim në dobi të komunitetit, të mjekësisë e të kulturës shqiptare”.  Redaktorja Lila thekson gjithashtu se në këtë pjesë nuk do të mungojnë as intervistat që vetë dr. Saliu ka dhënë në media të ndryshme, të cilat pasqyrojnë mendimet, parimet dhe përkushtimin e tij në vite. “Përmes këtyre intervistave, lexuesi ka mundësinë të njohë më nga afër shpirtin e tij human, përvojat që e kanë formuar dhe idealet që e kanë udhëhequr në jetë”, tha ndër të tjera redaktorja Lila në fjalën e saj gjatë promovimit. Ajo konkludon se përmbledhja e të gjitha vlerësimeve dhe mendimeve që janë botuar ndër vite për prof. Saliun përbën një risi në këndvështrimin dhe në trajtimin nga ana e autorit Hysuka. Për këtë arsye, - tha ajo, ky libër u ofron lexuesve shqiptarë një mozaik të gjallë emocionesh, kujtimesh dhe vlerash. Ndërsa njohja e mëtejshme me figurën e prof. Saliut sjell një model të denjë referimi dhe të imponon nderim për një jetë të ndriçuar jo vetëm nga drita e dijes, por edhe nga drita e zemrës.

Kështu edhe për Emrie Krosin, një zë i veçantë i analizës së letërsisë, poete dhe prozatore e mirënjohur, promovimi i monografisë kushtuar Dr. Sali Kurtit ishte më shumë se një veprimtari letrare; ishte një festë e vlerave njerëzore, profesionale dhe qytetare.

Po ashtu, sipas gazetarit të Mat Tv Fatmir Neli, përmes një rrëfimi të ngrohtë, të mbështetur në dëshmi, kujtime dhe vlerësime autentike, autori Hysuka ka ngritur portretin e një mjeku që ndërtoi emrin e tij me punë, përkushtim dhe fisnikëri shpirtërore.

 

DR. SALI KURTI STOMATOLOG I SUKSESSHËM, MODEL QYTETARIE DHE FISNIKËRIE NJERËZORE

      

“Dr. Sali Kurti nuk është vetëm një stomatolog i suksesshëm, por një model qytetarie dhe fisnikërie njerëzore. Në çdo dëshmi, kujtim apo vlerësim që mblodha, gjeta respektin dhe mirënjohjen e njerëzve për një mjek që ka ditur të shërojë jo vetëm dhembjen fizike, por edhe plagët shpirtërore të shumë njerëzve”, tha ndër të tjera autori i librit Hamdi Hysuka, fjala e të cilit u mirëprit dhe u ndoq me interes të veçantë. Ai e konsideroi këtë botim si detyrim moral për të dokumentuar një jetë të ndritur, një histori suksesi të ndërtuar mbi sakrificë, punë të ndershme dhe dashuri për njeriun.


Me daljen në qarkullim të librit, autori Hysuka ka ndjerë dhe ndien emocion dhe përgjegjësi të veçantë shpirtërore. Sepse kjo vepër nuk është thjesht një biografi, por një përpjekje e sinqertë për të sjellë para lexuesit jetën dhe veprën e një njeriu që i ka shërbyer shoqërisë me dije, përkushtim dhe humanizëm të rrallë.

Teksa punoja mbi këtë libër, kuptova se ky botim ishte detyrim moral për të dokumentuar një jetë të ndritur, një histori suksesi të ndërtuar mbi sakrificë, punë të ndershme dhe dashuri për njeriun. Besoj se figura e Dr. Sali Kurtit meritonte të mbetej e shkruar në kujtesën tonë kolektive, si frymëzim për brezat e rinj dhe si dëshmi, se vlerat njerëzore janë pasuria më e madhe e një shoqërie”, tha Hysuka. Veçanërisht prekëse është mënyra se si libri e sjell Dr. Sali Kurtin jo thjesht si profesionist të talentuar, por si njeri që di të dëgjojë dhembjen njerëzore dhe të fitojë besimin e njerëzve me përulësi e dashuri. Nga Karica e Matit deri te titujt më të lartë kombëtarë e ndërkombëtarë, rrugëtimi i tij mbetet frymëzim për brezat.

 

PERSONALITETI I DR. SALI KURTIT SI SIMBOL I PËRKUSHTIMIT,  FISNIKËRISË DHE HUMANIZMIT

 

Si edhe në promovimin e librave tjerë kushtuar Dr.Sali Kurtit, salla komode e pallatit të kulturës të qytetit të Burrelit jehoi fuqishëm gjatë interpretimit mjeshtëror të këngës  "Ti i fale jetë çdo ëndrre", me tekst të Jorgo Papingjit, interpretuar nga Esat Ruka: këngëtar, instrumentist dhe krijues popullor, botues dhe studiues i etnokulturës, këngë kjo që i këndohet jo vetëm mjekut, por njeriut që le gjurmë në zemrat e njerëzve.

Ndaj dhe autori i librit H. Hysuka vlerëson se figura e Dr. Sali Kurtit del si simbol i përkushtimit, fisnikërisë dhe humanizmit matjan.

Veçanërisht të ndjeshme janë vargjet: “Çdo pacient që ti kuron/ pasanik a hallexhi/ ti buzëqeshjen i dhuron/ të buzëqesh ai përgjithnji.”. Këtu poeti dhe këngëtari e ngrejnë profesionin e mjekut në një mision njerëzor, ku dhembja shërohet me zemër po aq sa me dije. Edhe metafora:  “Zemër bardhë si mal me borë/ rrënjë e degë bleron si lis...” , sipas shkrimtarit majtjan Hamdi Hysuka e lidh figurën e doktorit me natyrën dhe karakterin e fortë të Matit, duke e bërë një portret të gjallë shqiptar. Mbyllja është urtësi që mbetet:

     “Njerëzit lindin edhe shuhen,

     vetëm veprat mbeten gjallë.”


Në këtë këngë dr. Sali Kurti nuk paraqitet thjesht si një mjek me bluzë të bardhë, por si një njeri që i jep dritë fytyrës së njerëzve dhe shpresë zemrave të tyre. Ai vjen si biri i sakrificës, që nga plagët e jetës ndërtoi urën e mirësisë për të tjerët. “Në vargjet e Jorgo Papingjit, doktori shndërrohet në një figurë pothuaj legjendare: një lis matjan me rrënjë të thella në humanizëm dhe me degë që mbulojnë çdo njeri pa dallim. Kjo këngë nuk i këndohet vetëm mjeshtrit të stomatologjisë shqiptare, por njeriut që buzëqeshjen e ka mision. Ai nuk shëron vetëm dhëmbët, por edhe drojën, dhembjen dhe heshtjen e njerëzve. Prandaj poeti e sheh me ‘diell në sy, sepse drita e njeriut të mirë nuk shuhet nga koha”, shprehet shkrimtari Hysuka. Për të, “Figura e Dr. Sali Kurtit mbetet si ato burimet malore që rrjedhin qetë e pastër: sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë njerëzit e kuptojnë vlerën e ujit të tyre. E tillë është edhe vepra e tij, e thjeshtë në pamje, por e madhe në shpirt. Ndaj kënga tingëllon si mirënjohje popullore, si një kurorë respekti që ia vendos zemra e njerëzve dhe jo vetëm profesioni. Sepse disa njerëz jetojnë gjatë në kujtesë jo nga fama, por nga mirësia që lanë pas. Dhe Dr. Sali Kurti është njëri prej tyre. Një figurë si Dr. Sali Kurti meriton fjalë që burojnë nga zemra, ashtu siç vetë ai ka lënë gjurmë në zemrat e njerëzve”.

Vilma Nika, një tjetër poete matjane erdhi në këtë promovim me këngën e saj Jam Matjan”. Tekstin e kësaj poeteje të talentuar, me muzikë të Misol Fasës, e orkestruar nga Alfred Qemalja e solli mjaftë këndshëm për pjesëmarrësit në këtë promovim këngëtari i ri Marius Saliaj. Performanca e tij artistike spikati dukshëm veçanërisht në refrenin e këngës: “Hejjj, hejjj/ Jam matjan/ Jam matjan njihem që moti/ gjak e besë, gjak e besë/ Gjak e besë prej kastrioti/ Babë e gjyshër ku m'jan rrit/ sofra mikun ku e ka prit...”

Të larmishëm e bënë këtë aktivitet promovues edhe grupi i valleve të Pallatit të Kulturës “Sh.Doda” Burrel, si dhe Behar Neli që në meloditë e këndshme që ai luajti me bilbil dukej sikur ka zbritur gjithë eposi dhe historia e jetës baritore dhe rustike e indentitetit tonë që nga paganizmi deri më sot… Ndaj dhe Emi Krosi, e emocionuar shprehet se në këtë promovim të moderuar me mjeshtri artistike e talent të rrallë, me një elegancë gjuhësore dhe komunikim elekuent nga Defrim Methasani, fjalët, muzika dhe kujtimet u bashkuan si rrjedha të një lumi që derdhet në detin e kujtesës.

 

MIRËNJOHJA E PERSONAZHIT TË LIBRIT

 

Titullari i librit, Dr. Sali Kurti, me përulësi, falenderoi përzemërsisht, të gjithë pjesëmarrësit pa përjashtim që ia bënë më të lumtur këtë ditë të shënuar të jetës së tij. Mirënjohje të veçantë ai shprehu për autorin Hamdi Hysuka që shkroi dhe botoi këtë libër duke skalitur mjeshtërisht biografinë e tij, që nga lindja e deri këtu ku ka arritur, si themelues dhe drejtues i klinikës “Mat Dental”.

Respekt dhe mirënjohe shprehu dr. Saliu për deputetin Agron Malaj, për mbështetjen dhe vlerësimin që i ka dhënë kur ishte kryetar i bashkisë Mat. Po ashtu edhe për kryebashkiakun aktual, Altin Bojni, i cili së bashku me Agronin e kanë shndërruar Bashkinë në shtëpinë identitare të të gjithë qytetarëve autoktonë matjanë, por edhe e të gjithë atyre që ndajnë denjësisht me ta vlerat dhe parimet e një shoqërie të zhvilluar e mikpritëse, tolerante e të virtytshme, të përparuar në ide e të qëndrueshme në cilësi.

Dhe s’kish si të mos falenderonte dr. Saliu mikun tone të përbashkët, Mjeshtrin e Madh Defrim Methasani – ikonë e gazetarisë sportive dhe e dokumentarit televiziv; - jo vetëm për moderimin me mjeshtri të rrallë artistike të këtij eventi, por për mbështetjen dhe promovimin që i ka bërë në vijimësi prej vitesh, në takime e salla moderne, në praninë e personaliteteve me rrezatim kombëtar. Ai sot, falë talentit të rrallë është bërë ndër moderatorët më të preferuar, jo vetëm në Shqipëi por kudo në hapësirën mbarëshqiptare në botë. Dhe me këtë rast Dr. Saliu përulet me respekt dhe mirënjohje të thellë edhe për babain e tij, Shuaip Methasani – mishërues dhe përçues i urtësisë dhe mençurisë dibrane.

Pikërisht nga podiumi i këtij eventi, në cilësinë edhe të kryetarit të Federatës së Paqes Shqipëri, z. Defrim Methasani i propozoi kryetares së këshillit të Bashkisë Mat, Znj. Anila Stafhasani (e pranishme në promovim), që ky këshill të vendos emërtimin e rrugës për në fshatin Karicë me emrin e Dr. Sali Kurtit që ka bërë e bën aq shumë për Matin e matjanët, propozim ky që u duartrokit dhe gjeti mbështetjen e miratimin e të gjithë shkrimtarëve dhe artistëve nga Mati, Dibra, Kurbini e Lezha, të pranishëm në këtë event promovues.

Së fundmi, nga radha por jo nga rëndësia, Dr. Sali Kurti falenderoi përzemërsisht familjen e tij, bashkëshorten Ikbalen me të cilën së bashku, për pesë dekada jetë intensive bashkëshortore ia dolën të sfidojnë vështirësi të shumta, sa në Mat edhe në Tiranë për të krijuar një familje solide, vajzën Greta e djalin Erti, nipërit e mbesat e mrekullueshme që i falin për çdo ditë gëzim dhe lumturi të shumëfishtë. Kjo sipas tij për faktin e thjeshtë se pa mbështetjen e tyre do ta kishte të pamundur këtë rrugëtim të suksesshën jetësor dhe profesional.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page