top of page

Halil Rama: Në tre librat e Eda Mirit...


Në tre libat e Eda Mirit, një zë poetik jo i zakonshëm

 

Halil RAMA – Mjeshtër i Madh

Në kushtet e sotme kur oqeanopoezia sundon rrjetet sociale, dhe kur edhe njerëz pa formimin minimal letrar tentojnë të shkruajnë dhe botojnë në to vjersha pa bosht e ide, është tejet e vështirë të përzgjedhësh ndonjë prej tyre që të të mbetet në mendje. Dhe për më keq që të zërë vendin e duhur në fondin e letrave shqipe. Kësaj çoroditje letrare çdo ditë e më shumë i vijnë në ndihmë shoqata e klube të vetëquajtura kulturore – letrare që ngrenë juri dhe shpallin konkurse e fitues të tyre njerëz pa identitet krijues.

Këtë sfidë e ka kaluar me dinjtet Eda Miri, e cila në tre vëllimet e saja të promovuara kohët e fundit sjell poezi që i përngjajnë një orkestre, e cila përçon muzikën e shpirtit e të botës së saj të pasur. Dhe këtë e bën jo rastësisht, por duke i qëndruar besnikërisht traditës së krijuar nga të mëdhenjtë e letrave shqipe, në miqësi të sinqertë me ta. Ndaj dhe vargu i saj rrjedh natyrshëm në poezinë “Mik i Dritëroit”: “Të gjithë krenohen që të kishin/ Të gjithë thonë; "jo nuk ka ikur "/ çdo ditë flet, vargu që la/ Ai do flasë saherë gjatë e gjerë/ Se flet për të rruga e ndritur....”.  

Në këtë sfond ajo ka shkruar gjithashtu vargje ku lirika përbën shkallën më të lartë të ndjeshmërisë poetike, si tek poezia “KABINA E DASHURISË”: “Sot s’e di, pse mu kujtua/ Telefoni me kabinë/ merrnim lekët për cigare/ fshehurazi, flisnim për dashurinë….” .

Me pjekurinë e një krijuesje dinjtoze, Eda Miri tenton dhe ia del të krijojë poezi lirike në formën më të përshtatshme të shprehjes së botës së ndjenjave, të mendimeve dhe të përjetimeve të saj estetike estetike, si tek poezia “VALLËZO ME MUA” : “Ti sot për mua i ule yjet/ ndriçove rrugën, vetëm për mua/ ngadalë karriken, tërheq pa zhurmë/ ulur në gjunjë, më thua të dua…”. Por po në këtë linjë ajo nuk nguron të shfaqë edhe shpirtin e saj rebel ndaj përjetimeve të trishta, si tek poezia “MË MOS U KTHE ...” (që është edhe titulli i librit të saj të parë):

E more rrugën, të ikësh si hajduti,

Harrove dashurinë, që ke në shtëpi;

Nuk dua më, të dëgjoj gënjeshtra,

Nuk jam lypsare, të lyp pak dashuri…”.

Po. Qoftë edhe vetëm këto vargje janë sinetezë e asaj që shkruhet në përcjellje të këtij libri se “Eda Mira adhuron poezinë, ecjen, sportin, këngën dhe moderimin. Është grua e hekurt e bën gjithçka mos të lëndojë veten e të tjerët. Ajo është një grua, që ka thesar në shpirt dhe një buzëqeshje kaq të zjarrtë, saqë shkrin edhe dëborën. Por, nëse doni ta njihni këtë zonjë, rrini pranë saj, të njihni botën magjike të poetes së lotit dhe lirikës së bukur, poeten tashmë të afirmuar me tre vëllime poetike”.



Në tre librat e saj me mbi 200 poezi pasqyrohet bota shpirtërore në rrafshe të ndryshme tematike, por gjithsesi në to sundon lirizmi. Kjo ndjenjë e bukur dallohet qoftë dhe vetëm në poezinë “MOS HESHT” të librit të dytë të titulluar “ËNGJËLLI I ZEMRËS”, të cilit, si askush tjetër ajo i thur vargjet:

“Ne të mungoftë rrezja e diellit/ Unë diell për ty bëhem në mesnatë/ Në të mungoftë një yll në qiell,/ ditën e kthej për ty e bëj natë”. 

Në këtë libër përfshihen poezi me një tematikë të gjerë e të larmishme, të shkruara me ndjenjë, mall, nostalgji dhe shpresë. Ajo shkruan për dashuri të zjarrta, të humbura e të munguara, por mbi të gjitha në to spikat bukuria e fjalës dhe e ndjenjës. Kësisoj, nëse në poezinë “Mos më urre” ajo apelon në vargje kundër njenjës së urrejtjes:

“...valë, dallgë, shpirti përpëlitet/ fillon të thahet, pak nga pak/ pyes veten pse kjo jetë është bosh/ më bën të qaj, pa marrë hak/ …Një eksod lotësh, një eksod trishtimi/ më provon si një mjellmë në një liqen pa ujë/ vendosa të gjitha forcat duke ecur pa u ndalur/ unë bërtas, flas dhe sërish bërtas/ por nuk ia them askujt….”, në rastin e humbjes së babait (Poezia “Jetoj”) ajo del nga shpirti i rebel, duke shafqur mallin e pashuar në vargjet:

Unë jetoj o babë, se duhet jetuar,

unë jetoj që emrin, tënd mos ta harroj,

unë jetoj me dhimbjen, që le ti në zemër,

atë ditë Nëntori, kurrë s’do ta harroj….” 

Dashurinë e zjarrtë dhe kujtimet për babain ajo i përshfaq mjaftë bukur edhe në poezitë: “ Dy fjalë zemre për babin tim” e “Më fal baba”..

Për vlerat e veçanta ideoestetike, nga ky libër do të veçoja poezitë e titulluara: “ Ëndrra të thyera”, “Për vëllanë e humbur”, “Do më mungosh”, “Angjelina”, “ Për ty bir më flet buza dhe zemra”, “Zemra e nënës”, “ Revoltë shpirti”, “ Dallëndyshja” etj.

Me kompetencë dhe profesionalizëm Eda Miri shkruan edhe poezi me temë nga historia. E “pushtuar” nga ndjenja e zjarrtë e atdhedashurisë ajo shkruan për Heroin tonë Kombëtare Gjergj Kastrioti Skënderbeu: “E rritur jam në gurët ku ti shkele/ Tringëllimën e shpatës akoma e dëgjoj/ Në libra e nga gjyshërit mësova historinë tënde/ Dhese unë me zell, të tjerëve bukur ua tregoj…”

Libri i tretë i Eda Mirit mban titullin intrigues “Dashuria e një rebeleje”.  Gjithkush që lexon poezitë e këtij libri s’e ka të vështirë të dallojë se si nga shpirti i saj rebel përshkruhen ndjenja të pastra por dhe të trishta. Këtu, poezia ndodhet mes dy shqetësimeve që brejnë vetëdijen e saj që nuk mund të jetë indiferente ndaj përjetimeve. Dhe nëse për dashuritë e pastra shpreh në vargje ide fisnike, për të trishtat i adresohet fenomenit të ndërgjegjes morale. Kështu nëse tek poezia “Dasma ime” shpreh ngazëllimin në vargjet: “Pajtonin tim me lulebore/ mbushur me lule siç desha unë/ eh, vogelushet hedhin petale/ që të jemi të lumtur shumë”, në poezinë “Pa titull” ajo shfaq bukur shpirtin e saj rebel: “ ...atë natë, po atë natë heshtje/ atë çast dhimbjeje, nuk munda që të rri/ s’munda të hesht, përpara teje, besomë/ harresën e fjalës, do ta sjell tani/ mos guxo të më lësh tani që të njoha/ s’ka kuptim të ikësh, si hajduti në errësirë/ vazhdo të grindesh, me mua grindu prapë/,

vetëm jeto, se do grindem me dëshirë…”.

Në tre librat e saj, përveç stilit të veçantë, dallohet edhe ndikimi i frymës bashkëkohore të poezisë moderne. Poezia e saj është testamenti i jetës, i miqësisë, i dashurisë dhe atdhedashurisë. Në tre librat e Eda Mirit ka poezi të harmonizuara estetikisht në të gjitha nivelet e të shprehurit emocional, individual, stilit origjinal dhe figuracionit. Këto poezi janë shprehje e një personaliteti poetik jo të zakonshëm.

11 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page