Halil Rama: Kombi shqiptar me imazh të unifikuar në një festival vlerash
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Dec 18, 2025
- 3 min read

Festivali i XXII i Forumit “Imazh & Media” – Akt kujtese, vetëdijeje dhe qëndrese kombëtare
Nga Halil Rama
„Mjeshtër i Madh“
Në një kohë kur globalizimi dhe politika e mbrapshtë shpesh e kanë cenuar rëndë imazhin e shqiptarëve, Forumi “Imazh & Media”, në jubileun e tij 30-vjeçar, solli një ngjarje që tejkalon kufijtë e një aktiviteti kulturor ceremonial. Festivali i XXII Ndërkombëtar, i zhvilluar në prag të festave të fundvitit, u shndërrua në një akt të fuqishëm kujtese, vetëdijeje dhe qëndrese kombëtare.
Me mbi 200 personalitete nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora, festivali ishte një hapësirë e rrallë bashkimi për intelektualë, artistë, studiues, veprimtarë dhe figura të shquara të jetës publike shqiptare. Ishte një ngjarje kulmore e vitit 2025, ku imazhi shqiptar u shfaq i unifikuar, dinjitoz dhe krenar.
Një vizion me emër: Prof. Dr. Astrit Memia

Organizatori dhe frymëzuesi i këtij festivali është Prof. dr. Astrit Memia, nip i Haxhi Xekës, një nga figurat themelore të Rilindjes Kombëtare. Me vizion të qartë dhe përkushtim të palëkundur, ai ka ditur ta shndërrojë trashëgiminë historike në një mision kulturor të gjallë, duke i dhënë zë dhe dinjitet figurës shqiptare në arenën ndërkombëtare.
Programi i festivalit përfshiu: çeljen e ekspozitës “Fotoimazhi Shqiptar”, promovimin e veprës enciklopedike “Ambasador i Imazhit Shqiptar në Botë”, shfaqjen e dokumentarit “Lufta e Kosovës në median perëndimore”, si dhe ceremoninë e dekorimit të Ambasadorëve të rinj të Imazhit Shqiptar.
Ekspozita “Fotoimazhi Shqiptar” – kujtesë që flet

Ekspozita fotografike ishte një leksikon vizual i kujtesës kombëtare, një histori e treguar përmes qindra imazheve që përmbledhin 30 vite punë të pandërprerë për promovimin e imazhit të Shqipërisë në botë. Historia nuk rrinte e heshtur: ajo fliste me fytyra, emra dhe momente që kanë lënë gjurmë drite.
Siç u shpreh Kozeta Zavalani, festivali u shndërrua në një “dritare drite dhe dinjiteti”, ku fjala, fotografia dhe kujtesa u bënë një frymëmarrje e vetme kombëtare, nën moderimin elegant të Defrim Methasanit, ikonë e gazetarisë sportive dhe dokumentarit televiziv.
“Ambasador i Imazhit Shqiptar në Botë” – një testament identiteti

Promovimi i veprës enciklopedike prej mbi 600 faqesh, e hartuar nga Prof. dr. Astrit Memia dhe botuar nga shtëpia botuese Fast Print, u vlerësua si një pasqyrë dinjiteti kombëtar. Në këtë monografi, personalitetet shqiptare nuk paraqiten thjesht si emra, por si ura që lidhin Shqipërinë me botën, ambasadorë shpirti që mbajnë gjallë imazhin shqiptar.
Akademikë dhe studiues si Prof. dr. Vullnet Ameti, Prof. dr. Jusuf Bajraktari dhe Dr. Arian Starova e cilësuan veprën një dëshmi të rrallë të përpjekjeve për ndërtimin e imazhit kombëtar në përputhje me vlerat universale të paqes, demokracisë dhe identitetit.
Dokumentari për Luftën e Kosovës – imazh që trondit dhe ndërgjegjëson

Shfaqja e dokumentarit “Lufta e Kosovës në median perëndimore” solli emocione të forta dhe solemnitet. Pamjet autentike dëshmonin heroizmin e UÇK-së dhe sakrificën për lirinë e Kosovës, të pasqyruara me objektivitet nga media perëndimore.
Salla “Alfred Moisiu” e Federatës Universale të Paqes u shndërrua në një shtëpi të identitetit, ku himni, fjala dhe imazhi u bashkuan në një ndjenjë të përbashkët krenarie kombëtare.
Dekorime dhe mirënjohje – nderim për vlerat

Gjatë festivalit u ndanë titujt “Ambasador i Imazhit Shqiptar në Botë” dhe Çertifikata Mirënjohjeje për dhjetëra personalitete dhe institucione. U vlerësuan figura historike si Dr. Ibrahim Rugova dhe Adem Jashari, si dhe intelektualë, diplomatë, veteranë të UÇK-së dhe organizata humanitare nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora.
Në përmbyllje, drejtuesit e Forumit falënderuan qindra pjesëmarrësit dhe lanë takim për festivalin e ardhshëm, duke e cilësuar Forumin “Imazh & Media” si një vatër të shenjtë shqiptarie – një odeon të diplomacisë publike ku fjala ka peshë, besa ka ligj dhe nderi është vula më e fortë.









Comments