top of page

Halil RAMA: “Guri i shkulur", si reflektim i thellë i poetit Beshir Cala

  • 2 hours ago
  • 12 min read

PROMOVIMI

Dhjetra personalitete akademike dhe të letrave vlerësojnë librin e ish - drejtuesit të institucioneve kryesore kulturore të Ushtrisë Shqiptare

 

“Guri i shkulur", si reflektim i thellë i poetit Beshir Cala

 

Halil RAMA – Mjeshtër i Madh

 

Prof.dr. Bujar Kapexhiu - Nderi i Kombit, Prof. dr. Petrit Bara, Arben Mevlani e Sakip Cami, flasin në dokumentarin kushtuar Beshir Calës (pas vdekjes) …

Libri më i ri i autorit Beshir Cala, “Guri i shkulur”, ka bërë bashkë në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, akademikë dhe miq të letrave në një promovim të mbushur me emocione, të organizuar nga OBVLP dhe Shtëpia Botuese “Univers”.

Siç vlerësuan personalitete të letrave, “Guri i shkulur" vjen si një reflektim i thellë mbi rrënjët, identitetin dhe peshën e vendlindjes. Përmes një stili të spikatur shkrimor dhe dokumentar, autori Cala që ka drejtuar për 40 vjet me talent, kompetencë dhe profesionalizëm institucionet më të rëndësishme kulturore të Ushtrisë Shqiptare (ish - Estradën e Ushtarit dhe Shtëpitë e Kulturës së Ushtarakëve Tiranë, Durrës e Gjirokastër) - sjell para lexuesit një meditim të ndjerë mbi fatin e njeriut përballë largimit nga trungu i tij. Kësisoj, Cala ka gjetur një gjuhë mjaft universale për të prekur një plagë të hershme dhe aktuale. Me një mesazh të qartë dhe vlera të shtuara për poezinë shqiptare, “Guri i shkulur” tashmë ka nisur rrugëtimin e tij drejt lexuesit.


DOKUMENTARI….

             

Qindra pjesëmarrësit në promovimin e librit “GURI i SHKULUR” të Beshir Calës, ndoqën në fillim të këtij eventi dokumentarin kushtuar këtij personaliteti të shquar të artit, kulturës e letrave. Përveçse në fjalën artistike (sipas skenarit tim), profili jetësor dhe krijues i këtij shkrimtari dhe artisti, evidentohet në këtë dokumentar nga personalitete të njohura, si: Prof. dr. Bujar Kapexhiu - Nderi i Kombit, kompozitori i mirënjohur Edmond Zhulali – “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”, Prof. dr. Petrit Bara – Zv/rektor dhe Dekan i Universitëtit “Luarasi”, poeti dhe studiuesi Sakip Cami, aktori dhe gazetari Arben Mevlani dhe kryetari i Shoqatës së Pensionistëve të Shqipërisë Enver Hasa.

Kapexhiu, Zhulali dhe Mevlani, ndër të tjera flasin për kohën kur Beshir Cala drejtoi me kompetencë dhe profesionalizën institucione të rëndësishme kulturore - artistike të Ushtrisë Shqiptrare, Estarën e Ushtarit, si dhe Qendrat Kulturore të Ushtrisë Tiranë, Durrës e Gjirokastër, ku shërbeu me përkushtim e talent të rrallë në harkun kohor të katër dekadave (1968-1998).

Duke e vlerësuar Beshirin, një njeri të veçantë, të përkushtuar, të drejtë, të fortë, që i shkonte për shtat edhe uniforma e ushtarakut, kompozitori i mirënjohur Edmond Zhulali, edhe sot e kujton zërin e tij të thellë, të plotë, herë i butë e herë i fortë, të qartë e me shumë emocione.

“Ndonëse me Beshirin kishim njohje të hershme si shok fëminije i vëllait tim Safet Zhulalit, apo vëllai i kolegut tim Skënder Calës, në vitet 1993 -‘’94, komunikimi jonë njohu një stad tjetër. Së bashku, ai në rolin e drejtorit të SHQUP dhe unë të drejtimit artistik, morëm detyrën e krijimit të një grupi artistik në një koncept të ri dhe në frymën e shteteve perëndimore, anëtare të NATO-s. Ishte me të vërtetë një sfidë pasi dëshira jonë ishte të ngremë një grup cilësor, ndërkohë që vështirësitë e kohës ishin të shumta. Megjithatë arritëm të krijonim orkestrën me instrumentistët më të mirë të Shqipërisë, si Dashnor Hoxha - sax, Elton Deda - piano, Arjan Gjici - kitare, Hektor Duri - bass etj; këngëtarët Adriana Ceka, Redon Makashi si dhe aktorët Met Bega, Veli Rada, Behar Mera e një grup i vogël baleti... Natyrisht, të punoje me Beshirin ishte vërtet kënaqësi. Korrektesa, maturia, zgjuarsia, thjeshtësia që e karakterizonin e bënë atë të ishte shumë i lidhur me punonjësit e të gëzonte, jo vetëm autoritet por edhe respekt të thellë njerëzor.

Beshiri i takon një brezi intelektualësh idealistë që besonin në drejtësi e demokraci e që nuk bënë kurrë kompromis me këto vlera. Ishin vitet e vështira ‘’97, e një ditë i them Beshirit: kam frikë se ndoshta mund të të lëvizin nga detyra se shumë gjëra kanë ndryshuar... Jo, tha. Unë e kam mbrojtur në ditët më të veshtira me jetën time këtë institucion ... Buzëqeshja ime e bëri të ndryshojë, ndërsa iku pa folur... por më vonë më thonte: Mondi, kishe të drejtë. E kur takoheshim e pinim ndonjë kafe thonim, vërtet a ja vlen të jesh kaq i përkushtuar dhe i ndershëm në jetë?! ...Akoma nuk e kam marrë këtë përgjigje në fakt. Beshiri mbetet për mua një ndër miqtë e veçantë, një intelektual, zyrtar korrekt, shok i çmuar, prind i përkushtuar, e pse jo, edhe një njeri me vlera krijuese edhe në fushën e letërsisë e aktrimit, e mbi të gjitha, njeri”, shprehet Edmond Zhulali në dokumentarin që u shfaq në këtë event promovues mbresëlënës.

Aktori, regjisori e skenaristi i mirënjohur Bujar Kapexhiu, një nga bashkëpunëtorët, shokët e miqtë e tij më të afërt, e vlerëson Beshirin si më të diturin, më të pjekurin, më të përgjegjshmin, më të mirin si njeri e si artist, më të arsyeshmin, më të përkushtuarin dhe më të vendosurin në shërbim të ushtrisë, të shoqërisë, të atdheut..., devizë e tij kjo, paçka se pak e vlerësuar zyrtarisht...

Ndërsa Sakip Cami, duke u ndalur në vlerat ideoartistike të librit “Guri i shkulur”, ndër të tjera shprehet në këtë dokumentar: “Jo vetëm historia, por edhe bukuritë magjepse të natyrës, të Korabit e të Drinit, të Setës e të kreshtave përreth, magjia e këngëve e të valleve të Dardhës ku kanë dalë njerëz të shquar të artit si Muharrem Xhediku, Hazis Ndreu, Lirie Rasha, Skënder Cala, Xhelal Çerpja, Qerim Sula, Caje Poleshi, Sherif Dervishi, e shumë të tjerë që tundën skenat e festivaleve folklorike kombëtare e deri ato ndërkombëtare, janë të gdhendura artistikisht në këtë libër”.

Arben Mevlani pohon se Kolonel Beshir Cala, me funksionin e drejtorit të Estadës së Ushtarit dhe të Qëndrës Kulturore të Ushtrisë, kontribuonte me shumë përkushtim në organizimin në institucion e jashtë tij të shumë eventeve të kohës, - artistike, letrare, shkencore, shoqërore, ushtarake, atdhetare etj, – në ndihmë e shërbim të reformimit, riorganizimit, integrimit euroatlantik të ushtrisë në kushtet e rendit të ri politiko - shoqëror...

Në ato vite, siç shkruan kolonel Fuat CCeliku (në kapitullin “Beshir Cala në kujtimet e bashkëkohësve” të tëtij libri), ai dha kontribut të jashtëzakonshëm për lartësimin kulturor e mental të ushtrisë në nivelin euroatlantik, që ajo të bëhej sa më shpejt anëtare të NATO-s, organizoi e përgatiti disa aktivitete të mëdha në nivel ushtrie e shtetëror, dhe në përbërje e drejtim të grupeve të punës për probleme të ndryshme i ra Shqipërisë tej e mbanë.

Ndërsa Enver Hasa, ndër të tjera thekson se Beshir Cala ashtu siç ishte në jetë një intelektual erudit, ikonë e artit e kulturës kombëtare, krijoi dhe një familje solide. E mbi të gjitha ishte një atdhetar i flaktë, po pa rrahje gjoksi e protagonizëm; atdhetar në gen e konsekuent, si përfaqësues tipik i karakterit dibran. Veterani Enver Hasa, përfaqësues dinjtoz i Lumës në metropolin shqiptar, ndër të tjera pohon se ai, familja dhe fisi i tij emërndritur nga Vila e Kukësit, kanë qenë dhe janë në miqësi të pandarë me Beshirin dhe familjen Cala të Dardhës.

 

TATJANA PARLLAKU:  BESHIR CALA ISHTE I ORIENTUAR

DREJT VLERAVE EUROATLANTIKE

                                           

Kryetarja e Organizatës të Bashkuar të Veteranëve të LANÇ dhe pasardhësve Tatjana Parllaku Çarkaxhiu, shprehu kënaqësinë e veçantë që, në cilësinë e drejtueses së kësaj organizate ishte pjesë e përurimit të vëllimit poetik të autorit Beshir Cala, “Guri i Shkulur”. Duke folur për formimin e Beshirit si një atdhetar dhe intelektual i shquar ajo tha se “Patriotizmi dhe atdhedashuria u edukuan dhe u trashëguan nga familja e tij. Që në fëmijëri ai spikati për vlerat dhe formimin e tij, veçanërisht pas kthimit të familjes nga Tirana në Lugjej të Zall-Dardhës, Dibër, kur ai vazhdoi shkollën e mesme pedagogjike në Peshkopi dhe, pas përfundimit të saj me rezultate të shkëlqyera, punoi si mësues i gjuhës dhe leximit letrar, duke edukuar te nxënësit e Zall-Dardhës dashurinë për atdheun, lirinë dhe gjuhën e bukur shqipe. Në këto vite filluan të shfaqeshin vlerat e tij krijuese dhe artistike, të cilat e shoqëruan edhe gjatë shërbimit ushtarak, ku u dallua për vullnetin në kryerjen e detyrës dhe përkushtimin në organizimin e veprimtarive të rëndësishme kulturore e artistike të ushtrisë. Kjo bëri që atij t’i jepej grada e oficerit dhe të emërohej nga Komanda si Përgjegjës Kulture në Shtëpinë e Oficerëve të Durrësit, të cilën e transformoi brenda një periudhe të shkurtër në qendrën kulturore më të rëndësishme të ushtrisë shqiptare”.

Dashuria për arsimin dhe dijen triumfoi kur, në vitin 1971, Beshiri fitoi konkursin e Institutit të Lartë të Arteve, sot Universiteti i Arteve në Tiranë, të cilin e përfundoi me sukses në vitin 1975, duke u diplomuar si aktor.

Pas studimeve të larta, ai punoi si përgjegjës i Shtëpisë së Ushtarakëve në Gjirokastër, të cilën, përsëri, brenda një kohe të shkurtër, e shndërroi në një qendër të rëndësishme kulturore të ushtrisë shqiptare. Më pas, ai u transferua në Tiranë si shef i veprimtarive kulturore dhe artistike. Këtu u dallua veçanërisht pranë Estradës së Ushtarit, ku me karakterin e tij frymëzues dhe origjinal, si edhe me muzikalitetin e tij letrar, që buronte natyrshëm, i jepte vlerë e hijeshi çdo materiali artistik të përgatitur me shumë kujdes prej tij. Më vonë, ai shërbeu për shumë vite si drejtor i SHQUP-it, qendrës më të madhe kulturore dhe artistike të Ushtrisë Shqiptare.

Unë pata fatin ta njoh nga afër kur, në vitin 1994, ai u zgjodh Sekretar i Shoqatës Shqiptare të Atlantikut, me President zotin Alfred Moisiu, i cili më vonë do të bëhej President i Republikës së Shqipërisë. Në këtë detyrë, ai shpalosi vlerat e tij euroatlantike dhe perëndimore, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në veprimtari me karakter kombëtar në kuadër të NATO-s dhe më gjerë”, tha Znj. Parllaku. Ajo vlerësoi gjithashtu redaktorin e shquar, Mjeshtrin e Madh, Halil Rama, falë punës së palodhur të të cilit lexuesi ka mundësinë të njohë poezitë e Beshirit, ku vërshojnë mendimet dhe ndjenjat e tij, si dhe përpjekja e pandërprerë për të ruajtur të paprekura dashurinë për atdheun, gjuhën shqipe, familjen dhe vendlindjen.

Tatjana Parllaku që në vitet e rinisë së saj ka qenë një mësuese shembullore, vlerësoi veçanërisht peshën e mendimit filozofik në poezitë e këtij libri, i cili mbetet aktual edhe në ditët tona. Këtë, tha ajo e gjejmë, ndër të tjera, në poezinë Fati, ku shkruan:

Si nuk u bëra një ditë rehat,/ Kokën në jastëk kurrë s’e kam vënë./ Të rroj si qeni e pata fat,/ Më doli gjumi pa më zënë.” (fq.74).

Po aq domethënëse sipas znj. Parllaku është edhe poezia Jeta qenka një batak, ku autori shprehet: “Jeta qenka një batak/ Ku për të arritur te lumturia, /Duhet të shkelim njëri-tjetrin/ Vallë, përse lindim fëmijët tanë,/ Kur s’e dimë fundin e tyre?/ Ndoshta shpresat për një ndryshim tjetër/ E bëjnë jeten një refren të përjetshëm”. Fq. 131).

 

PESHA E MENDIMIT FILOZOFIK

NË LIBRIN “GURI I SHKULUR”

Kur Luan Cala, më besoi redaktimin e librit me poezi të babait të tij, Beshirit, nuk hezitova sepse me të kam patur njohje të herëshme. Në kontaktet me të, (sa qe gjallë Beshiri - një emër i njohur ndër miqtë e tij të shumtë artistë e shkrimtarë në Tiranë e në rrethe të ndryshme të vendit, si në Gjirokastër, Durrës, Peshkopi, etj), kam patur rastin të njihem edhe me disa poezi të tijat në dorëshkrim, të cilat i vlerësoja për mendimin e thellë dhe mjeshtrinë artistike befasuese. Të njejtën ndjesi provova edhe me kompjuterizimin dhe njëherësh redaktimin e vëllimit të tij poetik “GURI I SHKULUR”. Që në fillim dua të pohoj se si redaktor i tij, u ndjeva mirë, që në këtë sprovë isha në të njejtën linjë me miqtë e mi poetë: Shpendi Topollaj, Vasil Premçi e Sakip Cami, tre shkrimtarë të mirënjohur ish - ushtarakë, që e kanë njohur nga afër autorin e këtij libri, vlerësimet e të cilëve janë në kapitullin: “Kritika letrare për poezinë e Beshir Calës”. Kështu, Shpendi Topollaj, duke parë metaforat e figurat e zgjedhura letrare, konkludon se “ky autor e njeh mirë poezinë dhe rregullat e saj metrike, ndonëse shpesh përdor edhe vargun e çrregullt”…dhe se “Duke qenë spontan, pra duke i kushtuar më shumë vëmendje kumtit, ai na shfaqet krejt i natyrshëm, dhe pikërisht kjo natyrshmëri i shton hijeshinë vargjeve të tij”. Në promovimin e këtij libri, shkrimtari i mirënjohur Shpendi Topollaj (autor i mbi 70 librave të gjinive të ndryshme letrare), ndër të tjera tha: “Kur rasti e solli tani që Beshir Cala s`është më, që të ritakohesha me të, duke lexuar poezitë e tij të dikurshme, që m`i solli miku im Halil Rama, kuptova se intuita ime nuk kishte gabuar aspak.  Ai ndofta i kishte shkruar ato jo për t`i botuar ndonjëherë, por ashtu, sa për t`i dhënë shfrim ndjenjave, mbresave dhe emocioneve të tij, por ato tregonin më së miri se Beshiri ishte njeri me kulturë dhe sidomos me një zemër të pastër e të ndjeshme, me një zemër që i donte njerëzit dhe vetë jetën”.

Po ashtu, Vasil Premçi vlerëson se “Në poezinë e Beshir Calës, realiteti nuk zbukurohet — ai pranohet siç është: i ashpër, i thyer, shpesh i dhimbshëm, por gjithmonë i vërtetë. Që në kontaktin e parë me këto vargje, ndjehet një realizëm i hidhur, një ndjesi se jeta nuk filtrohet, por rrëfehet në gjendjen e saj më të zhveshur”. Kësisoj, më shumë se sa për titullin intrigues, ky libër të tërheq që në fillim dhe të mbërthen në leximin e të gjitha poezive, për vetë formën e veçantë kompozicionale me tre kapitujt e tij: “Poezi të zgjedhura”, “Poezi njëstrofëshe” dhe “Refleksionë në vargje”.

Në vëllimin “Guri i shkulur”, malli dhe dashuria për atdheun, prindërit dhe vendlindjen, shprehur me mjeshtëri artistike, me një gjuhë të pasur dhe figuracion të zgjedhur poetik, herë si një trishtim i lehtë, herë si një klithmë e thellë shpirtërore, përshkon si një fill i blertë dhjetra vjersha të librit. Në to vërshojnë mendimet dhe ndjenjat e gjalla të njeriut, përpjekjet për të ruajtur të paprekur dashuritë nga dora rrënimtare e së keqes. Më të dukshme këto në poezitë njëstrofëshe me titujt: “SOFRA VIRANE”, “SA PAK LUMTURI”, “LËMA”, “SI TURIST TË VIJA”, “SA SHUMË I PASKAM RËNDUAR KËSAJ TOKE”, etj. Mjaftojnë qoftë edhe vetëm këto poezi për të vlerësuar peshën e mendimit filozofik në poezinë e Beshir Calës.

Për vlerat ideoartistike të librit “Guri i shkulur” të Beshir Calës, foli edhe poetja, prozatorja dhe analistja e mirëfilltë e letërsisë EMRIE KROSI (e vlerësuar si një aset i çmuar i kritikës letrare”, e cila u ndal veçanërisht në kapitullin e dytë “Poezi njëstrofëshe”.

Parë nga një këndvështrim i përgjithshëm, ky libër bart vlera shumëdimensionale, jo vetëm për lëndën tejet të pasur e të larmishme, por parasëgjithash për stilistikën e veçantë të këtij autori, gjuhën e pasur dhe mjetet shprehëse domethënëse.

 

BESIM NDREGJONI: BESHIR CALA RRESHTOHET

ME ELITËN KRIJUESE KOMBËTARE

Presidenti i Unionit të të Përndjekurve Politikë Besim Ndregjoni, ndër të tjera tha se i ka lexuar me një frymë poezitë e librit “Guri i shkulur”. Ai e vlerësoi Beshir Calën një poet që i këndon natyrës, vendlindjes, dashurisë, familjes… “Mbi të gjitha poeti Cala e paraqet ‘gurin e shkulur’ jo si përdorim të metamorforzës që ‘shkulet’, por kudo që shkon ai ka peshën e tij kulturore - artistike, që shëtit por nuk shkulet për t’u harruar!”.

Duke veçuar poezinë “Sikur”, Ndregjoni thotë se poeti vërtetë i këndon Gjirokastrës, qytetit të kalldrëmeve, por i shton këtij qyteti edhe Korabin madhështor të Dibrës, vendlindjes nga vinte autori.

Beshir Cala nuk harron që t’iu thur poezi, artistëve me përmasa botërore që i dënoi diktatura komuniste, si artistit të madh, tenorit të përmasave artistike botërore Lluk Kaçaj. Po ashtu, mes poezive brilante që vërshojnë si valët e Drinit, ai thur elegjinë kushtuar djalit të tij që humbi jetën në vitin 2000.  Thjeshtësia dhe dashuria njerëzore e Beshir Calës tregohen dhe në poezitë e tij të botuara mbas kalimit në amshim! Poezia e tij do të krenojë jo vetëm Dibrën por mbarë kombin shqiptar! Një nderim kam dhe për redaktorin, studiuesin Halil Rama - Mjeshër i Madh, që i ka sistemuar dhe ndarë në disa kapituj këto poezi, duke i bërë për lexuesin të dashura dhe të kuptueshme. Beshir Cala rreshtohet në poezi me poetët tanë kombëtar. Poezinë e tij ai e shtron në sofrën dibrane dhe e lartëson në piedestalin kombëtar si një krijues i paarritshëm në letërsinë kombëtare”, tha ndër të tjera Besim Ndregjoni në fjalën e tij.

Prof. asoc. dr. HAJRI MANDRI, gjatë promovimit të librit, tha se nuk ka më bukur se ta kujtojmë Beshir Calën, këtë personalitet të shquar të kulturës tonë kombëtare, i cili në gjysëm shekulli kontribuoi në organizime kulturore si skenarist, libretist, aktor dhe regjisor profesionist. Duke folur për poezitë që ka lënë në dorëshkrim dhe që redaktori Halil Rama e djali i tij, Luan Cala na i sjellin të plota në këtë vëllim poetik, Mandri gjykon se ato janë  biografi estetike që pasqyrojnë botën e tij të ndjenjave dhe emocioneve, të bindjeve dhe qëndrimeve, të zgjidhjeve të mençura në situate të ndërlikuara e të vëshirta të jetës.

“Personaliteti dhe formimi i tij kulturor nuk erdhi nga hiçi, por nga konteksti kulturor familjar brenda familjes së Selman Calës nga Lugjej Dibër, një familje e rrallë dibrane që gjeneronte fuqishëm edukim estetik”, tha prof. Mandri.

 

MODERIMI MJESHTËROR DHE INTERPERETIMI

I POEZIVE TË BESHIRIT 

Aktori, regjisori e skenaristi Llesh Nikolla - Mjeshtër i Madh, jo vetëm në profesionin e tij por mbi të gjitha si njeri, edhe në moderimin e këtij eventi përcolli me mjeshtri të rrallë artistike emocione, duke ngritur peshë zemrat e qindra pjesëmarrësve nga kryeqyteti dhe jo vetëm, por edhe nga Dibra, Durrësi, Lezha e Shkodra. Dhe jo vetëm me moderimin, por edhe me interpretimin e poezive të librit “Guri i shkulur” të poetit Beshir Cala, si: “Unë dhe qyqja”, “Trishtim”, “Kanarina”, “Një jetë do pres”, “Në thellësi të tokës”, “Mysafiri” etj, duke përcjellë për qindra pjesëmarësit në promovim mesazhet e fuqishme të poezive të këtij autori.

Edhe aktori Arben Mevlani interpretoi me ndjenjë disa poezi të librit “Guri i shkulur”, por ajo që befasoi të pranishmit në këtë event qe mbesa e autorit të librit, Ola Cala, studente për informatikë, me recitimin me mjeshtri artistike të poezisë “Guri i shkulur”, nga ka marrë titullin ky libër.  

 “Të dashur pjesëmarrës! Më lejoni t’ju shpreh mirënjohjen time të sinqertë për praninë tuaj në promovimin e këtij libri, të shkruar nga gjyshi im, Beshiri. Përtej këtij statusi, ai ishte për mua një mendje e ndritur, pranë së cilës gjeja gjithmonë mbështetje dhe frymëzim. Ai ishte mësuesi im i parë, këshilltari im më i besuar dhe, mbi të gjitha, miku im më i mirë…Për mua, është një nder i veçantë të jem sot para jush për të recituar poezinë ‘Guri i Shkulur’, e cila mban titullin e vetë librit dhe përfaqëson frymën, mesazhin dhe thelbin e kësaj vepre”, u shpreh Ola, e impresionuar por me një zë brilant para se të fillonte recitimin e poezisë.

Të larmishëm e bënë këtë veprimtari promovuese, me performacën e tyre artistiuke, edhe këngëtarët e njohur Bledar Kaca e Xhevair Marku dhe Muharrem Elezi, me interpretimin e këngëve “Jam krenar që jam dibran” dhe “Bashkimi Kombëtar”. Ndërkohë edhe Radiotelevizioni Publik Shqiptar (RTSH) transmetoi një kronikë speciale nga kjo veprimtari promovuese.

 

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page