Halil Rama: DR. MEHDI CANI, MISIONAR I MJEKËSISË SHQIPTARE
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Mar 1, 2025
- 15 min read

Libri i ish - Ministres së Arsimit dhe Kulturës, monografi për bashkëshortin e saj
Halil RAMA – Mjeshtër i Madh
Përfaqësues të elitës mjekësore shqiptare, si: prof. Dr. Petrit Bara, prof. Nikolla Shurbani, Prof. dr. Gojart Cerga, Prof. Mynir Karagjozi, Prof. dr. Ahmet Kamberi, Prof. dr. Anesti Boçka, prof. dr. Ali Kuqo, Prof. Kolec Daja, Prof. Flamur Topi dhe Prof. Zamir Ndroqi e vlerësojnë Dr. Mehdi Canin si përfaqësuesin e përkryer të figurës së mjekut të vërtetë…
Mori pjesë në kongrese e simpoziume ndërkombëtare si në Austri, Kroaci, Hungari, Itali, etj., ku referoi e dha eksperiencën e tij. Bëri shumë studime dhe publikoi mbi 100 punime shkencore brenda e jashtë vendit, ku trajtoi kryesisht temën mbi neuroinfeksionet. Është autor i librit të sëmundjeve infektive që përdoret edhe sot në Fakultetin e Mjekësisë dhe atë të Infermierisë.
Në një nga anketat e përvitshme që botonte një e përditshme shqiptare në dhjetor 2006, (kur sapo kishte ndërruar jetë), Dr. Mehdi Cani do të vlerësohej ndër 100 mjekët e famshëm të shekullit, që “kanë shpëtuar jetë njerëzish dhe janë kthyer në heronj pa titull, që kanë themeluar e kanë promovuar pavijone e spitale anembanë vendit, për vite, dekada e deri një shekull”.
I njohur si neuroinfeksionist dhe klinicist i shquar i vendit, si dhe si humanist që u ka shërbyer falas pacientëve të fshatit dhe krahinës së tij të Dibrës si dhe njerëzve në nevojë të Shqipërisë, Ai është dekoruar me disa urdhra dhe medalje si mjek i shquar. Me Dekretin nr.7336, datë 13.11.1989 Presidiumi i Kuvendit Popullor i jep titullin "Punonjës i shquar i shkencës dhe i teknikës" me motivacionin "Për kontributin e dhënë në ngritjen e shërbimit të neuroinfeksionit në vend, për përcaktimin e kritereve të drejta shkencore në mjekimin e meningiteve e për ndihmesën e dhënë në kualifikimin e përgatitjen pasuniversitare të kuadrit në këtë shërbim". Ndërsa me Dekretin Nr.6872, datë 27.3.1984 të Kuvendit Popullor i është dhënë Urdhëri "Për shërbim të mirë popullit". Ndërkohë është vlerësuar me titujt “Qytetar Nderi” i Komunës të Zerqanit, “Qyetar Nderi” i rrethit të Bulqizës” dhe “Qyetar Nderi” i Qarkut të Dibrës.

Më të plotë, profilin e tij njerëzor, intelektual dhe profesional e gjejmë në librin “Doktor Mehdi Cani, misionar i mjekësisë shqiptare”, shkruar dhe botuar nga bashkëshortja e tij Tefta Cami (Cani) – ish ministre e Arsimit dhe kulturës.
DOKTORI ME DY DITËLINDJE
Në pasaportën e tij e kishte të shënuar ditëlindjen më 4 shkurt 1936, në fshatin Zerqan të rrethit të Dibrës. Por nëna e tij Mite, thoshte se Mehdiu ka lindur me 7 mars të vitit 1936. Këto dy data Mehdi Cani që do të bëhej misionar i mjekësisë shqiptare, i përdorte shpesh, për t’iu shmangur urimeve dhe dhuratave, apo organizimit të ceremonive të posaçme familjare.
Ndërsa ka rrëfyer këtë të vërtetë në librin e saj, bashkëshortja e tij Tefta Cami (Cani) shkruan: “Sa herë ishte 4 shkurti, ne i uronim ditëlindjen. Ai na thoshte: ‘Jo, e kam me 7 mars’. Kur vinte 7 marsi, e uronim përsëri. Por ai na përgjigjej: ‘Jo!’. Unë e kisha me 4 shkurt. Ne i përdorëm të dyja datat, për t’ia uruar e festuar edhe pa dëshirën e tij…”.
FËMIJËRIA
Për të shkruar këtë in memoriam nuk e pata të vështirë sepse më mjaftoi libri me 462 faqe, i shkruar me aq dashuri nga bashkëshortja e dr. Mehdiut, Tefta, e cila, përveç kujtimeve të saj të shkruara thjeshtë, e bukur, me një gjuhë të pasur e gramatikë perfekte, në 240 faqe (për t’u marrë si shembull si rrëfime me mjeshtri të rrallë artistike), ka përfshirë edhe vlerësime e kujtime të profesorëve e kolegëve, kujtime të të afërmëve dhe shokëve të tij, si dhe dokumente e foto.
Kështu, që në faqen 16 të librit mësojmë se Dr. Mehdi Cani ka lindur dhe është rritur në një familje të nderuar. I ati i tij, Mahmuti, kishte punuar si berber për t’i shtuar të ardhurat e familjes. Mahmuti, ashtu si dhe i ati, Asllani, i përkiste sektit fetar bektashian dhe ishte i njohur si myhib. Nëna e tij, Mite Sinan Vorfi ishte rritur jetime te xhaxhai i saj, Asllan Vorfi. Ajo ishte bija dhe trashëgimtarja e vetme e Sinan Vorfit.
Prindërit e Mehdiut kujtohen nga të afërmit e bashkëfshatarët si njerëz të ndershëm, të drejtë e punëtorë, si bujarë e patriotë, si njerëz që u dhuronin të tjerëve dashuri e mirësi, që ishin të përkushtuar dhe sakrifikonin për të tjerët. Ndonëse të varfër, ata e lindën, e rritën dhe e edukuan djalin e tyre të vetëm të asaj familje me një përkujdesje të veçantë. Ajo familje qe shumë e pasur me vlera humane e fisnikërie, që i trashëgoi e i pasuroi, si dhe i rrezatoi në të gjithë krahinën dhe vendin, djali i tyre, Mehdiu. Ai, shkollën 7-vjeçare e ka mbaruar në fshatin Zerqan me rezultate shumë të mira. Ashtu si të gjithë shokët e tij të shkollës, edhe Mehdiut i është dashur që, në vend të lodrave të moshës së tij të fëmijërisë, pas mësimit të merrej me punët e bujqësisë e blegtorisë.
Natyra e bukur e fshatit të lindjes i kishte formuar ndjenjat e shijet e së bukurës e të harmonisë së ngjyrave, të melodive e të qetësisë, të idileve përrallore.
Mehdi Canin, i cili pas mbarimit të 7 - vjeçares punoi si llogaritar në minierën e Bulqizës, ku merrej kryesisht me shpërndarjen e pagave të punëtorëve, do ta ndihmonte fati, duke e takuar me “Mësuesin e Popullit” Selim Alliu, i cili i çeli rrugën e diturisë për të vazhduar studimet në Shkollën e Mesme Mjekësore Tiranë. Me ato mundësi të pakta që kishin, prindërit e nisën Mehdiun për në Tiranë me një valixhe të vogël prej druri, por ai ua shpërbleu duke e mbaruar shkollën me rezultate të shkëlqyera. Ai e kujtonte dhe e vlerësonte me nderim e mirënjohje drejtorin e parë të asaj shkolle, kardiologun e shquar, prof. Nikolla Shurbanin, i cili u krijoi që ditën e parë një ambient të ngrohtë e miqësor. Po ashtu respektonte dhe nderonte shokë e miq të shkollës së mesme, veçanërisht ata të konviktit, me të cilët kishte fjetur në një dhomë, si Kristo Pandovskin, Naum Priftin, Dhimitër Xhuvanin, Tahir Cenkon, Xhuvi Pashkon, si dhe shokët e tjerë të klasës si Shpëtim Gjebren, Dhimo Roshin, Kanan Jakupin, Petro Shekën, Rexhep Klosin e dhjetra të tjerë.
PËRJASHTIMI NGA LISTA E ATYRE
QË DO TË SHKONIN PËR STUDIME NË BASHKIMIN SOVJETIK
Mehdi Cani e mbaron shkollën e mesme mjekësore me rezultate shumë të mira, duke plotësuar dëshirën e tij e të familjes. Gjatë viteve të shkollimit ai tërheq vëmendjen e personelit mësimor për inteligjencën e zellin e madh në mësime, për aftësinë, pasionin e talentin e shprehur në fushën e mjekësisë. Prandaj e kishin propozuar e miratuar që ai të vazhdonte studimet e larta jashtë shtetit, në Bashkimin Sovjetik. Ai dhe familja e mirëpresin këtë vendim dhe e përgatitën për ta nisur jashtë shtetit. Mehdiu shkon në Durrës dhe futet në anije, meqë udhëtimi do të bëhej me anije. Pasi u sistemua, vjen një person dhe e nxjerr nga anija, duke i thënë: “Ti nuk do shkosh me studime në BS, sepse nuk ke garanci”. Në fakt nuk ishte mungesa e garancisë politike, sepse ai vinte nga një shtresë e varfër. Por siç tregonte, në anije hyri një tjetër, që kishte lidhje me një funksionar të lartë të asaj kohe. Të nesërmen shkoi të ankohej në aparatin e KQ, por e priti personi për të cilin po ankohej. Mehdiu nuk e njihte. Kujtoi se ishte Enver Hoxha personi të cilit po i ankohej se në vendin e tij ishte nisur për studime në BS një person tjetër. Por sapo përmendi emrin e tij, e kapën për krahu dhe e pa vehten, sa hap e mbyll sytë jashtë selisë së KQ.
U ngushëllua me fjalët e prof. Nikolla Shurbani: “Mos u dëshpëro, biri im. S’kam ç’të bëj! Unë të kam propozuar që ti të studjoje në BS, sepse je një xhevahir dhe do të jesh e ardhmja e mjekësisë shqiptare. Ti do të vazhdosh studimet e larta këtu në Shqipëri dhe jam i bindur që ti do të studjosh mirë dhe do të bëhesh një mjek i shquar….”.
Dhe nuk qe gabuar në profecinë e tij prof. Shurbani, ndonëse e konsideroi të padrejtë këtë veprim, (pasi sipas tij, po qe se vazhdon, do të cënojë cilësinë e mjekësisë shqiptare, sepse do të përgatiten mjekë të paaftë). Mehdi Cani, do të kryente me rezultate të shkëlqyera studimet e larta në Fakultetin e Mjekësisë (1953-1958) duke u futur në Bllokun e Artë të niversitetit të Tiranës. (Emri i tij është shënuar në Librin e Nderit të Fakultetit të Mjekësisë). Gjatë periudhës së studimeve ka punuar në Klinikën Universitare të Tiranës.
Po ashtu, dr. Mehdi Cani ka mbrojtur disertacionin dhe ka fituar gradën shkencore “Doktor i Shkencave” në vitin 1985 me temë “Mbi meningjitet për periudhën 1976-1985 në Shqipëri.
KARRIERA E SHKËLQYER PROFESIONALE
Me një karriere 48 vjeçare si mjek dhe drejtues i disa institucioneve, ku ju shërbyer me përkushtim, profesionalizëm e humanizëm të pashoq qindra mijëra pacientëve nga e gjithë Shqipëria, Dr. Mehdi Cani, do të konsiderohej me të drejtë Misionar i Mjekësisë Shqiptare.
Ka filluar punën si mjek dhe Drejtor i Spitalit të Bulqizës, menjëherë pas mbarimit të studimeve, në vitin 1958, për të vijuar për gjashtë vite (1960-1976) si Shef i Klinikës së Infektivit dhe Drejtor i spitalit "Stefan Luarasi" Peshkopi.
Në një artikull të gazetës “Bashkimi” të datës 15 korrik 1960, me titull “Mjeku i Malësisë”, me autor Fane Boshnjaku, ndër të tjera shkruhet se si ka mbaruar Mehdi Cani si mjek dhe si po shërben me një gatishmëri e përkushtim të madh…
Në harkun kohor të 11 viteve 1965-1976, mjeku i nderuar Mehdi Cani do të ishte Shef i Seksionit të Shëndetësisë pranë Komitetit Ekzekutiv të rrethit Dibër, ku kreu me dinjitet edhe disa detyra shoqërore të ndërlikuara për kohën.
Gjatë drejtimit të shërbimit shëndetësor të rrethit të Dibrës nga Dr. Mehdi Cani, ky shërbim shënoi zhvillim e transformime të mëdha. U hapën specialitete e shërbime të reja, u shtua me ritme të shpejta personeli shëndetësor, sidomos numri i mjekëve. U bënë ndërtime të tilla si spitali i Peshkopisë, spitali i Bulqizës, hoteli i Llixhave dhe filloi ndërtimi i kompleksit modern balnear që kemi sot, u hapën spitale e maternitete në të gjithë rrethin.
Dr. Mehdi Cani, figurë e shquar e mjekësisë kombëtare, i ngjiti shkallët e karrierës me shpejtësi. Në vitin 1976 u transferua në Tiranë, ku punoi në Klinikën Universitare të sëmundjeve infektive. Për një periudhë 10 vjeçare, gjatë viteve 1982-1992, ai ishte drejtor i spitalit infektiv të Tiranës, ku mjekoheshin të gjithë rastet e rënda që grumbulloheshin nga e gjithë Republika për trajtim të specializuar në spitalin qendror. Kësisoj u rendit me elitën e mjekësisë shqiptare. Për 30 vjet me radhë ishte pedagog i Fakultetit të Mjekësisë dhe më pas edhe atij të Infermierisë. Ishte specializuar më parë (1967) për sëmundjet infektive, bëri dhe një specializim të dytë në neurologji. Specialist i klasit të parë, Ai u bë një autoritet i padiskutueshëm shkencor. Kur konsulta e spitalit kalonte për të parë të sëmurët rëndë, kishte raste që ata që referonin të shpreheshin: “Këtë rast e ka parë Mehdi Cani” dhe të gjithë profesorët me emër do të shpreheshin: “Le të vazhdojë mjekimin që ka thënë doktori, nuk ka nevojë për konsultë”.
Rasti më sinjfikativ është ai i Hilë Zefit, ish-Drejtor i Pallatit të Kulturës Lezhë që e nxorën nga neurologjia si të pashërueshëm. E mori Dr.Mehdiu në pavionin e Infektivit, e mbajti 6 muaj në spital duke e kuruar e ushqyer vetë dhe shpëtoi…
Në vitin 1985 mbrojti Disertacionin me temë: “Mbi meningitet për periudhën 1976-1985 në Shqipëri” me të cilin mori titullin “Doktor i Shkencave Mjekësore” dhe më pas titujt e tjerë akademikë që vijojnë. Tirana është një test për mjekët që vijnë nga rrethet. Askush më mirë e më shpejt se ai nuk e përballoi me sukses këtë test. Mori pjesë në kongrese e simpoziume ndërkombëtare si në Austri, Kroaci, Hungari, Itali, etj., ku referoi e dha eksperiencën e tij. Bëri shumë studime dhe publikoi mbi 100 punime shkencore brenda e jashtë vendit, ku trajtoi kryesisht temën mbi neuroinfeksionet. Është autor i librit të sëmundjeve infektive që përdoret edhe sot në Fakultetin e Mjekësisë dhe atë të Infermierisë.
Ai ishte një profesionist i zoti. Nga askush dhe asnjëherë nuk është vënë në diskutim një fakt i tillë edhe pse ka pasur rastin të punojë me figurat më të shquara të mjekësisë shqiptare të atij sektori si: Nikolla Dushniku, Kristo Pano, Elmaz Altari e shumë të tjerë.
VLERËSIME NGA PERSONALITETE
TË ELITËS MJEKËSORE SHQIPTARE
Për vetë vlerësimet e personaliteteve të elitës mjekësore shqiptare, karrierën e tij të shkëlqyer profesionale dhe akademike, si dhe për profilin e tij të lartë njerëzor e intelektual, Dr. Mehdi Cani padyshim që ishte dhe mbetet dinjitetshëm në pramidën e kësaj elite.
Të sinkronizuara në kapitullin e dytë të librit të Tefta Camit “Doktor Mehdi Cani, misionar i mjekësisë shqiptare”, kujtimet e profesorëve dhe kolegëve të punës e plotësojnë më së miri profilin e këtij dishepulli të dijes e kulturës në këtë fushë të rëndësishme.
Nëse Prof. dr. Gojart Cerga, e vlërëson Dr. Mehdiun si përfaqësuesin e përkryer të figurës së mjekut të vërtetë, prof. Dr. Petrit Bara evidenton kujdesin e veçantë që Ai tregonte për të sëmurët, jo vetëm duke i dërguar nëpër konsulta, por duke i shoqëruar personalisht dhe duke marrë pjesë vetë nëpër konsulta për zgjidhjen e problemeve të tyre shëndetësore.
Skënder Çiço, ish - pedagog dhe zëvendës dekan i Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës, ndër të tjera shkruan se Dr. Mehdiu, në mjediset shoqërore ka qenë i sjellshëm, i drejtë, i dashur dhe komunikues me shokët e tij dhe me pedagogët.
“I kalitur me cilësitë më të mira si studjues dhe virtytet më të larta si njeri, dr. Mehdiu mbeti i tillë gjithë jetës, veçanërisht gjatë periudhës pesëdhjetëvjeçare, e karakterizuar nga tranzicione të çfarëllojshme, me të mirat dhe të këqijat e tyre”, shkruan Prof. Mynir Karagjozi.
Si një nga përfaqësuesit më të denjë të elitës mjekësore shqiptare e vlerësojnë Dr. Mehdi Canin edhe dhjetra profesorë, pedagogë e mjekë që e kanë njohur nga afër, si: Prof. dr. Ahmet Kamberi, Prof. dr. Anesti Boçka, prof. dr. Ali Kuqo, Prof. Kolec Daja, Prof. Flamur Topi, Prof. Zamir Ndroqi e disa doktorë të tjerë me tituj e grada shkencore.
Po ashtu, Haxhi Dede Reshat Bardhi – ish Kryegjyshi Botëror i bektashinjve ndër të tjera shkruan në parathënien e librit se gjithmonë ka besuar që Dr. Mehdiu, i ka parë shkencën dhe fenë si dy rreze të së njejtës dritë…”.
BASHKËSHORT DHE PRIND SHEMBULLOR
Ish - ministrja e Arsimit Tefta Cami (Cani), në librin me kujtime përshkruan të detajuara njohjet e takimet me bashkëshortin e saj të ardhshëm Dr. Mehdi Canin (që në fillim ishin të rastësishme).
“Më la mbresa përshëndetja për herë të parë me të (në një nga ditët e para të shtatorit 1958). Më tërhoqi pamja e trupi i gjatë mbi 1.80 m, fytyra e tërhequr e pak e zbehtë, që i jepnin një paraqitje fisnike e të fisme. Kishte veshur një kostum shik e me ngjyrë ulliri të errët dhe të prerë dopiopet, sipas modës së atyre viteve. Flokët i kishte me ngjyrë gështenjë dhe kaçurrel. Në atë çast të shkurtër sytë e tij shprehën sa ëmbëlsi, aq qenë edhe depërtues tek unë. Portreti dhe fizionomia e tij shprehnin mirësi e humanizëm, që e rrezatoi gjatë gjithë jetës së tij”, shkruan Znj. Cami në librin e saj “Doktor Mehdi Cani, misionar i mjekësisë shqiptare” (fq.27).
Kjo vajzë e re dibrane, me bukuri të rrallë fizike e shpirtërore (ashtu si edhe sot në moshën mbi 80-vjeçare), do të dashurohej kësisoj e do të krijonin një familje solide me doktor Mehdi Canin, që edhe ai, përveçse shkollimit në të gjitha nivelet me rezultate të shkëlqyera, kishte kryer si i thonë edhe të ashtuquajturin “Universiteti i Dibrës”, nga ku kish përvetësuar urtësinë dhe mençurinë e spikatur dibrane. Dhe kështu, në 240 faqe të librit të saj, Tefta Cani (Cami) jep detaje të nderimit e respektit që dr. Mehdiu kishte për familjen e saj me një prejardhje atdhetare e sidomos për të vëllanë Mois Camin, ish - deputet dhe një nga personalitet e arsimit në Dibër; periudhën katër vjeçare të letrave e lajmëthirrjeve (Kur Tefta ishte studente në Tiranë ndërsa dr. Mehdiu mjek e drejtor në Bulqizë e Peshkopi).., për Vitin e Ri 1962 që e festuan bashkë (hëngrën darkë me Mehdiun e Enver Vorfin në restorant “Vollga”); për çastin kur dr. Mehdiun e emëruan drejtor të spitalit të Peshkopisë dhe Shef të Seksionit të Shëndetësië…, për kohën kur Tefta pasi mbaroi studimet në UShT u emërua mësuese në shkollën 12 – vjeçare Demir Gashi Peshkopi – periudhë kjo e artë për të dhe Mehdiun sepse derisa u martuan dilnin lirisht bashkë, megjithëse nuk kishin bërë asnjë ceremoni familjare.
MARTESA E BASHKËSHORTËVE TEFTA E MEHDI CANI,
DITËN E SHËN VALENTINIT
Ndoshta qe rastësi që Tefta e Mehdi Cami të kurorëzoheshin në martesë ditën e Shën Valentinit. Ja si e përshkruan Tefta këtë ditë të shënuar në jetën e tyre: “Nuk mund ta shpjegoj se si për koinçidencë, apo qe e përzgjeedhur, që ditën e martesës e kemi ditën e Shën Valentinit. Ne ishim të përgatitur që një ditë do të shkoja te shtëpia e re e saporregulluar. Mehdiu vinte çdo natë te shtëpia e Moisit dhe qëndronte deri vonë. Atë natë edhe unë me Mehdiun hëngrëm darkë te shtëpia e Moisit me nënën, Moisin e Semihanë, Fehmien, Majlindën e Agronin. Qe një darkë e pasur, e bukur dhe plot humor. Pas darke, kur Mehdiu u ngrit për të dalë si zakonisht, Moisi e ndali dhe i tha me të qeshur: ‘Meqë është dita e të dashuruarve, merre Teftën sonte me vete dhe shkoni në shtëpinë tuaj…”. (fq.64).
Aq u tha dhe ashtu u bë atë natë dimri të vitit 1964 kur bënte ftohtë e jashtë binte një vesë shi e përzier me dëborë. Në vend të pajës Tefta Cami mori shkollën dhe valigjen që e kishte pothuajse gati dhe dolën nga shtëpia e vëlla Moisit pasi u përqafuan me të gjithë të dashurit e saj. Jeta e mëvonshme bashkëshortore i mësoi më shumë se si të gatuajnë e si të ushqehen, duke praktikuar një të ushqyer sa më të balancuar.
Gjthësesi, pas disa ditësh shkuan në Zerqan se nënat e Mehdiut (nënë Mitja dhe nënë Zoja) donin t’u bënin dasëm. “E vendosëm dhe shkuam në fshat. Na rrethuan njerëz të thjeshtë dhe na shprehnin dashuri e respekt. Vesha një fustan prej taftaje me ngjyrë vishnje të çelët. Bëra pak tualet dhe vura një shall krahëve, sepse fustani qe dekolte dhe bënte ftohtë. Zbrita në katin e parë ku filluan të vijnë të ftuarit dhe qëndruam për pak kohë…”. E kësisoj, Tefta Cami e përshkruan ditën e dasmës së saj e të Mehdi Canit, me nënat që shprehnin gëzim sepse po martonin djalin e vetëm…Në dasmë ishin edhe dy familjet e tjera të Caneve, si Zeneli, xhaxhai i Mehdiut me të dy djemtë, Rifatin e Dilaverin; ishin edhe dy djemtë e Hysen Canit, Isaja me të shoqen, Piren, dhe Samiu me Ismeten, të sapomartuar, si dhe nëna e tyre, Hajria…Një dasëm, vertetë me rreth të ngushtë familjar e miqësor, kur dreka e darka u shtruan në dy dhomat e katit të parë të shtëpisë, me sofra të mëdha që paloseshin më dysh ku mund të hanin 15-20 vetë, që do të mbahej mend gjatë.
Tefta e Mehdi Cani patën mundësi ta njihnim më mirë njëri - tjetrin, të njihnin karakteret e tiparet, të njihnin interesat, si dhe dëshirat e aspiratat.
“Ashtu si ai, edhe unë pata mundësi të njihja vlerat e virtytet më të mira të tij, të cilat do t’i shpaloste akoma më tepër gjatë viteve që jetuam bashkë, siç qenë dashuria e kujdesi për familjen, dashuria e pasioni i madh për profesionin e dijet shkencore, dashuria e respekti për njerëzit dhe qëndrimi humanist ndaj njerëzve në nevojë pa dallim klasor e shoqëror, interesat e mëdha për jetën, ndjenjat e sakrificës e të përkushtimit për gjërat më të vlefshme familjare, krahinore e komëbatre. Unë qeshë e presdispozuar që ato virtyte të mira të tij t’ia mbështesja e të ndikoja për t’i zhvilluar e afirmuar më tej”, - shkruan ndër të tjera Znj. Tefta Cami (Cani) në kujtimet e saj.
Pikërisht me këto virtyte, ata lindën, rritën dhe mirëedukuan tri vajzat e tyre: Ildën, Almën dhe Brikenën, sot të mirëformuara si intelektuale me vlera, të afta në profesionet e tyre, bashkëshorte e familjare shembullore, të vlerësuara e të respektuara nga shoqëria.
DR. ALMA CANI TRASHËGOI DENJËSISHT
PROFESIONIN E BABAIT
Alma, një nga tri vajzat e Tefta e Mehdi Canit është aktulisht drejtore e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Terza”, Tiranë. Gjatë 34 viteve të karrierës së saj si mjeke ka ndjekur dhe ka ecur besnikërisht në gjurmët e babait të saj Dr. Mehdiut dhe po ashtu ka trashëguar dhe demostruar virtytet e tij.
Që prej një viti kur Prof. Asc. Dr Alma Cani u emërua në drejtimin e QSUNT, ndryshimet në institucionin më të rëndësishëm spitalor të vendit janë të dukshme. Këtë e shprehin pacientët e shumtë që marrin shërbimet e duhura dhe jo vetëm. Me një përvojë të gjatë si mjeke prej 34 vitesh dhe me 6 specializime të ndryshme në Gjermani, Kanada, Egjipt, Turqi, e një sërë trajnimesh e seminaresh, konferencash dhe kongresesh në vende të ndryshme të botës, si Stamboll Turqi, Essen Gjermani, Ontario Kanada, Berlin Gjermani, në Mansoura, Kajro Egjipt, në Vjenë Austri, Barcelonë Spanjë etj, ajo qëndron dinjitetshëm me elitën mjekësore shqiptare (Në vitet 2013-2016 ka qenë anëtare e Komisionit Epror Mjekësor për Sëmundjet e Traktit Respirator)..Dhe mbi të gjitha me profilin e saj të admiruar njerëzor, profesional dhe intelektual, ajo pa dyshim që ishte zgjedhja më e mirë për të drejtuar QSUNT.
Ashtu si babai i saj dr. Mehiu kur drejtonte institucione të rëndësishme shëndetësore lokale e kombëtare, edhe Prof. Dr. Alma Cani, në drejtinin e QSUT, në vend të bujës, protagonizmit personal e autoritarizmit, ajo i qaset përmbushjes së misionit të përbashkët shtetëror dhe jo si privilegj vetiak pushtetor. Kolegët, të cilët i konsideron si asetin më të çmuar në përmbushjen e misionit e vlerësojnë Prof. asc.dr. Alma Canin si Njeri, mjek, shkencëtare dhe intelektuale shembullore. Si e tillë ajo është nga vlerat e rralla që prodhon shoqëria dhe familja shqiptare për të cilat ka nevojë më shumë se kurrë. Pikërisht si e tillë ajo ka marrë vlerësime dhe dekorime që të impresionojnë dhe që konsistojnë në: diplomimin me medalje të artë (Shkolla e mesme e përgjithshme “P.N.Luarasi”, Tiranë 1982-1986); Nga Bashkia e Tiranës vendoset poster Heronjtë e Tiranës (Prill 2020 - Bluzat e bardha në vijën e parë të luftës kundër Covid19’; Nga Bashkia e Bulqizës i jepet titulli “QYTETARE NDERI” me motivacionin: “Për veprimtari të shquar në fushën e mjekësisë, veçanërisht në drejtimin e terapisë intensive e reanimacionit në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi” (Covid2) dhe për kontribut të çmuar profesional në përballimin e situatës të pandemisë të shkaktuar nga covid -19”.( Vendim nr. 5 i Këshillit Bashkiak Bulqizë, 08-09-2020); Në nëntor 2023 nga Federata Universale e Paqes vlerësohet si Ambasadore të Paqes me motivacionin: “Federata e Paqes Universale njeh si Ambasadorë për Paqen ata individë për hir të të tjerëve dhe që i përkushtohen praktikave që promovojnë më shumë vlera universale, jetë të shëndetshme familjare, ndërfetare, bashkëpunimi, harmonie ndërkombëtare, rinovimi i Kombeve të Bashkuara, i medias publike të përgjegjshme, dhe krijimi i një kulture paqeje.









Comments