top of page

Hakmarrje Primitive


Fatmir Terziu


Aty ishte një godinë. Në godinë ishte një sallë. Në atë sallë ishte një zyrë, pos disa zyrave të tjera në krah dhe aty pranë. Ishte dhe një e (A)tillë…, që e quanin Kthejanë. Në Kthejanë, thuhej se bëheshin të gjitha planet, para se të dilnin në shesh e në mejdan. Emrin askush ende sot nuk e di, pse e quanin Kthejanë. Por atë ditë aty u panë dhe u shanë të dy ata, fare pranë e pranë.

Atë ditë në Kthejanë u ul Arkitekti i saj, me të Birin e tij në anën e tij të djathtë. Në anën e majtë ishte i ngjashëm, tipik, i sojshëm si Luciferi i blinduar plotësisht me një Brirë Qiellor të Artë, i cili pritej tërë frikë se do të fryhej, sapo të fillonte shpagimi i vendimit të marë. Drejtpërsëdrejti para tyre ishin ulur 56 Zgjedhurnakë të veshur me një tunikë të artë me Kurora të Verdha, që picëllonin tutje si një vegim që të shpinte në dhomën e Fronit Masiv. Kjo shihej mbi kokat e tyre. Në dhomën e Fronit Masiv, ishin disa qindra të përzgjedhur, të mbledhur për të dëgjuar këtë vendim të rëndësishëm. Ishte si në një lojë të kohëve moderne. Një lojë e kushtueshme dixhitale, në formate të mirë-adresuara elektronike. Lojë?! Jashtë asaj loje bëhej turfullimë, ndjehej turmë. Brenda turmës, pati njëfarë entuziazmi dhe ndiheshin disa trazira që thuhej se dhe ato hynin në lojë, si zhurmë. Struktura e ndjeshme ishte aktualisht e përbërë nga vetëm një dyzinë ulërritësish. Ata ishin nën komandën e drejtpërdrejtë të Arkitektit dhe ata ishin zërat më të fuqishëm, më të disponueshëm, që Arkitekti kishte lënë mënjanë për detyrat më të rrezikshme dhe më të vështira që mund të imagjinoheshin ndonjëherë. Ajo që Arkitekti nuk e priste do të ndodhte. Ai ishte gati të tradhtohej nga një prej Engjëjve të tij kryesorë dhe ai vetë duhej të sprovohej me sprovën më të madhe me të cilën do të përballej ndonjëherë. Papritur, Luciferi i ra borisë. Vendimi ishte gati të shpallej ...

I Biri e mori fjalën. Toni ishte drithanak, por i zhurmshëm. Zëri dhe një gatishmëri më elegante u vesh me vetinë që kishte ta bënte të tillë, vetëm Luciferi. Ai zverdhej teksa mbante fjalimin e tij. E folur në një dialekt diabolik, shpalosja u ndje në formën më të paparë, edhe i Biri ishte madje gati duke qarë. Zëri u zhuzhit. Zëri mbeti i trazuar, i përzier në turmë. Diku afër dhe pranë ishte vetë Ai, i maskuar si një Engjëll lajmëtar. Ai për habi heshti. Nuk u besonte as syve dhe as veshëve të tij. Pastaj bëri një përçapje duke lejuar disa ndryshime brenda Qeverisjes së tij, që e gjitha të zhvendosej në pika të rastësishme rreth perimetrit të Dhomës së Fronit. Katundari dhe Plangritësi u futën në dhomën e Fronit vetëm për ta gjetur veten të pozicionuar. Luciferi kishte dhënë urdhër për të hequr qafe gjithkënd, pra nëse ndonjë, që e kundërshtonte atë, ose mbretërinë e tij. Sidoqoftë, demonët që e dinin praninë e Luciferit menjëherë hapën një portal të quajtur „Hija e Errësirës“, i cili krijoi disa mundësi, që ata të mbroheshin nga Drita Qiellore e shpalosur me një Dron dhe kështu u fokusuan në përdorimin e aftësive dhe fuqisë tërheqëse të demonëve.

Kjo ishte si fillesë, Aftësia e parë, Aftësia e dytë ishte një errësirë ​​e bardhë, që ngadalë nisi të bëhet një vrimë transparente, e cila sipas Luciferit do të shërbente që të shkatërronte demonët në çdo gradë të tyre, nëse prekej prej asaj që në gjuhën e padukshme, quhej Hakmarrja Primitive.

Sa e shpallën të gjithë i drejtuan sytë nga e Majta. Askush nuk guxoi ndryshe. Askush nuk mund të shihte më Lart. Vetëm lexonin gazetat. Dhe leximet, ato pra gazetat bëheshin vetëm nga poshtë. Gazetat ndryshe prej asaj dite, shkruanin vetëm për moskuptimin e Hakmarrjes Primitive.

 
 
 

1 Comment


Nexhi Baushi

Shkrim i paimagjinueshëm për mua, i lexueshëm dhe i kuptueshëm, epokat përsëriten, paçka se në dukje duken si përralla nga epoka greko-romake, por në thelb janë të egra, të frikëshme dhe të paskrupullta. Ledi Makbeth po përsëritet. O Zot, nuk din çka bajnë! Përgëzime sepse ke kapur thelbin e çështjes.

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page