HAJRI SHEHU: SHOQËRIA JONË KA NEVOJË PËR INTELEKTUALË SI ...

HAJRI SHEHU: SHOQËRIA JONË KA NEVOJË PËR INTELEKTUALË SI ARIF MATA
PROF. DR. HAJRI SHEHU
Katundi i Ri është ai fshati i bukur pranë Drinit të Zi. Është i bukur si i tërë pellgu i Drinit në Dibër. Aty ka lindur e është rritur Arif Mata. Shkollën fillore e mbaroi në fshatin e lindjes. Shkollën 7-vjeçare e kreu në Muhurr. Gjimnazin – në Peshkopi. Studimet e larta – në Tiranë për agronomi. Gjatë gjithë viteve të shkollimit ka qenë nxënës dhe student model. Arifi është ish-nxënësi im në gjimnazin “Demir Gashi” në Peshkopi. Arifi është një ndër ata nxënës që e ka tejkaluar mësuesin. Dhe kjo më gëzon fort.
Pasi mbaroi studimet e larta, Arifi ka punuar për pak kohë në kooperativat bujqësore Brezhdan, Qendër dhe Luzni. Për 10 vjet ka qenë kryetar i degës së prodhimit në kooperativat bujqësore Kala e Dodës dhe Zogjej. Puna dhe rezultatet e tij qenë rritja e prodhimit. U shqua për eksperimentimin shkencor në fushën e grunjërave të butë, të patates etj. Kryeagronomi ynë është shquar edhe për trajtimin shkencor të tokave dhe të farërave. Toka dhe fara janë dy domosdoshmëri bujqësore për prodhimin. Rezultatet e kërkimit shkencor dhe të prodhimit i ka paraqitur në forumet e rrethit të Dibrës, në gazetën vendore “Ushtima e Maleve”, në revistën “Bujqësia Socialiste” dhe “Buletin i Shkencave Bujqësore”. Ato janë vlerësuar denjësisht. Meqë nuk jam specialist bujqësie, nuk më takon të bëj vlerësime agronomike. Por një thënie e kam. Thënia ime është: Unë mrekullohem me punën e agronom Arifit. Një shembull: Kalaja e Dodës është fqinje me fshatin tim. Është më së shumti zonë bjeshkore. Kam lexuar diku që në Kala mbarështoheshin 744 hektarë tokë bujqësore me misër, grurë, thekër, patate, tagjira, perime, jonxhë, thekër foragjer etj. Kryeagronom Arifi e kishte si në pëllëmbë të dorës gjithë këtë sipërfaqe e gjithë prodhimin e saj. Tek dy librat e tij të vitit 2000, lexuesi mund të shohë në detaje punën e Arifit, përkushtimin e Arifit, sedrën e Arifit e rezultatet e Arifit. Punën në sistemin kooperativist e mbylli faqebardhë në Luzni, si agronom i tokave dhe si kryeagronom. Në vitet ’90, Arifi është drejtor i Seksionit të Bujqësisë dhe të Ushqimit në rrethin e Dibrës.

Dija, po nuk u shtua, pakësohet. Dhe, agronom Arifi e ka shtuar gjithnjë dijen. Në vitin akademik 1988-1989 kreu specializimin pasuniversitar në Institutin e Lartë Bujqësor (sot – Universiteti Bujqësor) e në Institutin e Tokave, në Tiranë. Dha tri provime pasuniversitare dhe u regjistrua për të mbrojtur gradën shkencore “kandidat i shkencave” me temën: “Studimi, rehabilitimi dhe shfrytëzimi i tokave acide në rrethin e Dibrës”. Në vitet ’90 është kualifikuar në Izrael për metodat e ujitjes moderne. Ka marrë pjesë në disa ture për shkëmbim përvoje në Maqedoninë e Veriut, Greqi, Norvegji etj.
Në vitet 2000 ka botuar dy libra me kujtime e reflektime nga puna – mbi 900 faqe. Janë kujtime, shënime dhe reflektime të gjalla. Janë ditar autentik i jetës dhe i punës kooperativiste e paskooperativiste. Janë ditar i paparë, i pashoq. Janë si një enciklopedi e një lloji të veçantë – me qindra shënime e reflektime, meditime e propozime, punë e punime, zgjedhje e zgjidhje. Aty lëviz jeta si në një film dokumentar. Aty ka qindra emra – personazhe e kryepersonazhe - të krahinës e më tej se krahina, që na vijnë si në një revistë, si në një rreshtim para të tjerëve. Me bëmat e tyre.
Që nga fillimi i vitit 1998, Arifi jeton e punon në SHBA, por pa u ndarë asnjëherë nga jeta dhe zhvillimet në Shqipëri. Sepse Arifi është aty ku ka zemrën, jo ku ka trupin. Isha fëmijë, - thotë Arifi, - më i rrituri mes vëllezërve në familjen tonë të madhe. Familjen e doja kaq shumë, kur thonë - me shpirt e zemër, nga e cila s’ka humbur asgjë deri më sot. Jeta e qëndrimi jashtë saj, këtu në Amerikën e largët i ka shtuar dashurisë sime, si mërzitjen, edhe mallin. Malli për familjen tanimë është shtuar e zgjeruar me mallin për gjithë vendlindjen e për gjithë Atdheun. E kush nuk ka mall për vendlindjen, për grunajtë e theknajtë, për arat e livadhet, për pemëtoret e kullotat, për ujërat e visoret (peizazhet) e këtushme!
Katundi i Ri, te Luznia e tek Dibra, është si pjesa tek e tëra. Luznia dhe e tërë Dibra, përveç urtësisë së njeriut, ka edhe urtësinë e fjalës. Për këtë urtësinë e fjalës në Katundin e Ri, në Luzni e në Dibër, Arifi ka botuar një libër në vitin 2023, me mbi 300 faqe. Libri titullohet: Aksiomat gjuhësore dhe alegoria e gjuhës në Dibër. Libri është i denjë për lexues akademikë.
Të gjitha punët i bëja me qejf në këmbim të lejes për të ndenjur me burra në odën e madhe të burrave, - shkruan Arifi, - gjithnjë veshhapur për gjithë sa flitej e dialogohej – me ose pa prani miqsh. Miqtë ishin të shpeshtë sepse ishim familje e madhe, me pesë kurorë e me disa bija të martuara. Pastaj, me shumë nipër e mbesa, disa palë daja, shumë kushërinj, fis e gjak, nuna, kumbarë e të tjerë. Jo të rrallë, miq ishin edhe bujtës të panjohur, udhëtarë, që zakonshëm i drejtoheshin shtëpisë si mysafirë. Thirrej “O, zoti i shtëpisë!” dhe kaq. Konsiderohej e pamoralshme, e papranueshme të pyetej se kush ishte. Ishte e zakonshme që gati pas çdo trokitjeje a thirrjeje, të vinte ftesa “Hajde, bujrëm e mirë se të ka pru Zoti!”. Ata, të cilëve u kishte mbetur lezet, e përsërisnin ardhjen. Më dhanë arsim të lartë në fushën e bujqësisë, - shkruan më tej Arifi. Gjatë ushtrimit të profesionit, pata fatin të njihja mirë jetën e thjeshtë të fshatit në disa krahina të Dibrës e zakonet e jetën e përditshme fshatare. Fitova njohje edhe për festat familjare, si fejesa, martesa etj. Kam parë edhe morta, ku fjala peshon rëndë. Më vonë, mjaft herë u bëra pjesë e takimeve për zgjidhje problemesh të jetës në komunitete të ndryshme të fshatrave. Dëgjoja e vlerësoja si mendonin e si vepronin më të urtët. Thjesht, mësoja e kisha filluar kështu “kualifikimin” në punë të bashkëbisedimit, në themel të të cilit duhet të qëndronte arsyeja e thellësia e mendimit, për të thënë ç’duhet. Mësova për vendin e rolin e secilit në odë e kuvend e mbajtjen e radhës për të folur. Kisha mbetur i mahnitur qysh në adoleshencën time të hershme, madje, edhe më herët, kur isha pranuar në odën e burrave. Dhe kërkoja të përpija gjithçka thuhej, - ashtu, me atë të folurën e ngadaltë, veçmas nga më pleqtë: dëgjo – prit – mendo - analizo - përtyp mirë e kthe njëri-tjetrit. Unë veçse mësoja e “arkivoja” në mendjen time ato më interesantet. Skedimi filloi më vonë. Pyesja veten: Po nga i dinë gjithë sa thonë?! Këta nuk kanë as shkollë tamam, - i kthehesha vetes. Shpesh dëgjoja thënie a shprehje, që peshonin shumë më rëndë se ato të mësuesve të shkollës. U desh pak kohë të kuptoja mirë se ata kishin bërë shkollën e jetës, për të arritur deri këtu. Thesaret meritojnë përkujdesje si për thesaret. Dhe gjuha popullore është thesar i vërtetë. Meraku se ky thesar i gjuhës sonë të bukur e të shtrenjtë mund të humbasë, më dhemb shumë. Dhe i vura qëllim e detyrim vetes të jap kontribut modest që ky thesar të njihet e të mos humbë. Fillova t’i skedoj këto thënie, kurdo e kudo që i dëgjoja e i hasja. Fillova në Luzninë tonë, të shquar për të folurin, alegorinë e lodrimin me gjuhën e tyre; por, edhe në krahina të tjera, po kaq të njohura, siç janë të gjitha Malet e Dibrës dhe më gjerë.

Kisha fituar tanimë edhe njohuritë bazë në matematikë e gjykova se një emërtim i përgjithshëm, që do të ngjiste mirë për emërtimin e shumëhershëm – fjalë të urta, të ishte aksioma gjuhësore të vendlindjes. Kisha punuar me një manual gjuhësor me idioma angleze, por këto tonat ishin disi ndryshe. Te këto tonat gjallon ai shpirti i përbashkët. Sigurisht, Arifit i duken më të epra fjalët tona të urta sepse ia thotë patriotizmi i tij për gjuhën amtare. Për këtë që thotë Arifi, do të jap vetëm një shembull. E keni në f. 196. Ka edhe një gojëdhënë për të. Është fjala e urtë: Që në gusht nga një grusht. Anglezët e kanë me mollë. An apple a day keeps the doctor away. Shumë nga fjalët e urta e të folurit alegorik janë vjelë në Luzni dhe mjaft syresh, – thotë Arifi, – nga “profesorë” të fjalës së Maleve të Dibrës; por, edhe nga njerëz të thjeshtë. Dikush i ka quajtur: një gjuhë si e zogjve. Edhe unë, - thotë Arifi, - ashtu i quaj. Janë hidh e prit. E folura alegorike e fjalët e urta janë të pranishme edhe në ditët e sotme, veçmas në Malet e Dibrës e nga mosha e tretë. Ato janë pjesa më e klorofiltë e gjuhës së folur popullore. Agronom Arifi ka folur e ka shkruar si gjuhëtar. Fjalët e urta janë sentenca që thonë të vërtetat jetësore. Gjykimi ynë është: Kështu është, siç thotë fjala e urtë popullore. Nuk mund të jetë ndryshe. Prandaj janë aksioma. Prandaj ne nuk kërkojmë t’i vërtetësojmë, por, thjesht, gjejmë kontekstin social e gjuhësor për t’i përdorur. Në odat e Dibrës, fjalët e urta janë kulturë e lartë të foluri. Kuvendi me to ka shije të këndshme. Jo rrallë, ato vijnë edhe si replikë e hollë, për ta çuar a ndezur kuvendin më tej.
Libri “Aksiomat gjuhësore dhe alegoria e gjuhës në Dibër” i Arif Matës është mirëfilli botim i këndshëm filologjik. Është ndër më të mirët në llojin e tij; më i mirë se shumë të tjerë. Shumica e librave me fjalë të urta pasqyrojnë vetëm lëndën e përzgjedhur e nuk japin shpjegime. Libri i Arifit i shpjegon e i komenton fjalët e urta. Për lexuesin shpjegimi është si barasvlerësi, si baraspalësi në një fjalor gjuhësor. Shpjegimi a komentimi vjen si kontekst social i përdorimit të tyre. Shumë i nevojshëm për një lexues më pak të ditur. Bashkë me fjalën e urtë, ai është edhe si një lloj letërsie e veçantë. Shih, p.sh., te:
Ma mirë vdis me nder sesa të rrojsh me marre.
Mikut shtroju; anmikut mbuloju.
Vendo ditën, të gjejsh natën.
Hambari, kur nuk i shtohet, soset.
Llamba ban dritë ku ta vesh.
Mbaj përherë me vete metre, kandar e gërshanë.
I ngjaftë kohës.
Shamatën e ndal e pazanmja fill.
Livadhi i huej ta then kosën.
Kali i huej t’le n’udhë.
Prueju (= ruhu) nga e keqja e vogël se e vogla bie t’madhen.
Parja të ban të pasun; dituria – zotni.
Shpjegimi ose komentimi është shumë komod për lexuesin edhe sepse i ka renditur fjalët e urta sipas tematikës së tyre (p.sh., për mendjen dhe mendimin: Shif odën e fol; shif sofrën e ha; Kusinë e mbush, tamblin e derdh; Kupa si t’mbushet, derdhet // për shoqërinë e miqësinë: Miku asht shishe llambe // për gruan e burrin: Burri asht perdja e grues e Grueja asht teska (= sqepari) e burrit // për drejtësinë: Dy qe në nji grazhd; njani bar e tjetri kashtë; etj.). Komentimi është i saktë e mbushamendës. Ai vjen nga dija e tij e saktë gjuhësore e intelektuale dhe, më së pari, nga dija e hollë e mendjes popullore në Luzni e në krejt Dibrën. “Gjenia, mendja dhe shpirti i një kombi, - thotë Francis Bacon, - zbulohet te proverbat e te fjalët e tij të urta.” Këtë na thotë edhe libri i Arifit.








Comments