top of page

“Gri” romani i Andonit


Andon Andoni

“Gri” romani i Andonit


Dr Fatmir Terziu


Andon Andoni është i pranishëm në letrat shqipe prej kohësh dhe mbetet gazetari i mirënjohur, publicisti dhe shkrimtari që jeton në një linjë mes tregimit dhe prozës së gjatë. Në letrat shqipe ai është i pranishëm me “Tregime”, “Guri në mes të lumit”etj, dhe së fundi me romani e tij “Gri”.

Mediat shqiptare shkruan shkurt për këtë roman, që në fakt meriton më tepër vëmendje. Ai sapo më ka rënë në dorë dhe mendoj se duhet lexuar mirë e me durim. Sipas mediave shqiptare online, “Gri” titullohet romani i fundit i shkrimtarit Andon Andoni, njëkohësisht edhe kryeredaktori i gazetës “Mësuesi”. Po sipas medias “Andoni ka zgjedhur dje bibliotekën publike “Qemal Baholli” për të promovuar romanin e tij të radhës. Në këtë vepër të re, autori ka pasqyruar kthimin në kohë të njerëzve të ndryshëm, të cilët kërkojnë tjetër dinjitet dhe identitet. Gjithnjë në kërkim të vetvetes, ata nuk dinë se çfarë duan. Vetë autori, duke përshëndetur auditorin, ka deklaruar se në romanin “Gri” paraqiten ndryshimet në mendësi, rrëzimi i tabuve dhe tërë atyre vlerave, fjalëve që aq fort u kishin besuar. Shkrimtari është përshëndetur nga nxënësit e shkollës së mesme “Dhaskal Todri”, të cilët kanë organizuar edhe këtë takim në formën e promovimit të këtij libri. Andoni u është përgjigjur edhe një sërë pyetjeve lidhur me krijimtarinë e tij. Gjatë viteve të fundit, autori ka botuar një sërë veprash si “Tregime”, “Guri në mes të lumit”, “Nusja”, “Kohë e çmendur për dashuri” dhe së fundi romanin “Gri”, promovimin e të cilit e ka bërë në qytetin e Elbasanit.” (mediat online)

Në fakt nuk është "Gri", siç më ngushëllonte poeti Xhevahir Spahiu ato ditë ku lëvrinin ngjarjet e romanit më të ri të Andon Andonit, është një vërshim në një sezon shirash të fortë e shkrirje dëbore. Mbizotëron grija, por nuk mungon e gjelbra e freskët dhe në të gjitha nuancat e saj, siç nuk mungon e kuqja nga zjarri te gjaku. Ka arritur të plazmohet fuqishëm në të gjitha faqet e kursyera të këtij libri ky vërshim, falë talentit të pakursyer të autorit.

Si përherë, kur lexoj shkrimet letrare të Andonit, edhe në këtë rast kam ndjesinë se ai qëndron mbi supin tim dhe më pëshpërit me veçantinë e tij në të folur, që përputhet me frazëformimin dhe gjuhën e tij të të shkruarit mrekullisht, njëri pas tjetrit paragrafët që më thithin sytë kapitull pas kapitulli të këtij romani modern të letërsisë sonë aktuale. Ka më tepër se sa prisja, duke ndjekur dashamirësisht krijimtarinë e Andonit. Një konstruksion elegant dhe një arkitekturë fine është krijuar dhe ka dhënë një epokë që tradicionalisht po quhet gjithnjë e më tepër revolucion në jetën social-ekonomike të shqiptarëve. Në 160 faqe, të shkruara në formatin e poezisë, janë përzgjedhur me kujdes disa ngjarje sa tipike aq edhe specifike e të veçanta dhe janë ngritur në këmbë pamjet dramatike që japin grinë e epokës me ngjyra aq transparente e të plota sa fillimi i zhurmshëm i një pranvere. Banesa nuk është një haur ku përplasen disa ngjarje e disa karaktere. Banesa nuk është as ai qyteti provincial ku vendosen zhvillimet e reja të jetës paskolektive. Banesa në fakt është një qytezë shpirtrash që kërkojnë vetveten në një situatë dramatikisht të harruar. Situata të lehta komike ndërpriten tërthor nga tehu i shpatës që kullon gjak dhe nga grotesku magjik i një arkërkuesi. Andoni vizaton me një laps të mprehur mirë, me viza tepër të holla, që japin saktë përthyerjet e hijet e jetës njerëzore në tërësinë e vet dramatike dhe në sfondin lirik të natyrës që shoqëron kudo. Mjeshtër i gjuhës që flet, thyen shpesh frazën dhe vendos fjalën që duhet ku duhet. Aspak tradicional, aspak manierist i modernizmit, shpalos një stil vetjak të admirueshëm për një mjeshtër. Përgjithësisht përshkrimi i një epoke të re bëhet madhërisht me pamje të shtrira në gjerësi, me personalitete e beteja dhe një natyrë përtej malores në zhvillim. Andoni ka përzgjedhur e hedh në letër disa imtësira njerëzore që ishin karakteri i ndërrimit tonë të madh dhe, me ato që thotë direkt dhe me ato që le të dukshme midis rreshtash a ndërmjet tyre dhe me ato që të vijnë vetiu ndërmend, ta jep plotësisht tablonë epiko-dramatike të tranzicionit tonë komik.

Është një udhësi si tek "Odiseja". Autori dhe një arkërkues lëvizin bashkë nga një ngjarje te tjetra e nga një personazh te tjetri, në një kohë që shpesh vjen rrotull. Ndonjëherë të duket se është futur kot një frazë, një detaj a një ngjarje. Por ja ke futur ti kot, sepse menjëherë ndjen që asgjë nuk është e tepërt, çdo gjë është në vendin e vet. Dhe krijohet një tablo e plotë e realiste në thelb e asaj që ka ngjarë jo thjesht në një qytezë të largët buzë një lumi, por në çdo fshat e qytet të vendit. Lojtarët janë të shumtë e të papërsëritshëm: të vegjël, të mëdhenj, të varfër për t‘u pasuruar, nëpunës të thjeshtë, ish të burgosur që vijnë në karrige, prosto vendi a me eksperiencë nga jashtë, armë, gjak, gabelë, përdhunim, gomar, njerëz që veprojnë a që japin veprim, lule e ujëra dhe gjithçka midis tyre është hije e dritë. Duhet t‘i kesh të gjithë parasysh që ta ndjesh këtë roman në përplotmëri dhe nuk është vështirë, falë talentit të shfaqur të Andonit që të dominon t‘i kesh të gjitha parasysh e ta ndjesh këtë roman.

Retrospektivë e kursyer, aq sa duhet, por nuk mungon. Dhe e gjitha për detaje jetësore: gjethe të zverdhura të motit të kaluar që kanë mbetur mbi pemë e i japin gjelbërimit të ri një bukuri më vete, por edhe një kuptim, përtej asaj që shihet. Fjala ka jetë artistike letërsinë, siç ngjyra pikturën, tingulli muzikën, lëvizja baletin etj. Fjala artistike nuk shpjegon dhe as orienton jetën tonë a jetën e vet, ajo paraqet dhe paraqitet si e tillë. Është krijuar mendja dhe sistemi i ndjeshmërisë së njeriut që u jep kuptim atyre që shkruhen dhe orientohet nga ato. Gracka në të cilën ranë përgjithësisht artistët e fjalës së shekullit të shkuar, cenoi rëndë vlerat artistike të tyre dhe i hodhi ata në barrikada që s‘u përkasin. Andoni, i ndërgjegjshëm dhe instiktiv, i është shmangur grackës dhe jo vetëm, por është një shkëlqim për çvoshkjen e letërsisë nga moralizimet orientalizuese dhe ngre kulme të lirisë së lexuesit për të arritur më të mirën e ndjeshmërisë së vet artistike në dobi të progresit. Është pjekuri e letërsisë sonë të re avitja te realiteti i kohës. Arratisja në të shkuarën apo në të përjetshmen, natyrisht që nuk është e huaj dhe e dëmshme, por është e pamjaftueshme për një letërsi që pretendon të kompletohet. Andoni në katror i avitet suksesshëm të sotmes nëpërmjet artit të tij elegant, ku tragjikja dhe komikja janë një zë dhe pa cak midis tyre. Ky është në fakt realiteti ynë i ri: një aventurë uestern në një kullë siç e përshkruan Petraq Risto në romanin e tij më të fundit "Një grua me Urdhrin e Ujkut", apo një udhësi aventurash në ca shtigje habie të lirisë siç e plazmon Andoni.

Hartimi i listave me personalitete të shkuara a të tashme të letërsisë gjithashtu nuk është as e tepruar dhe as e dëmshme, por natyrisht duhet pasur në konsideratë se gjërat që s‘rrjedhin-qelben. Defekti qëndron se shumë pak flasim e dëgjojmë për letërsinë që krijohet, ndërkohë që për çfarë nuk flasim e çfarë nuk dëgjojmë. Letërsia ka hyrë në tregun e botimit, por jo në tregun real të lexuesit aktiv të shkallëshkallshëm, kjo siç duket nga një treg i atrofizuar shpërndarjeje, lekëzimi tërësor i tij përtej vlerave shpirtërore.

Ja pse unë guxoj të flas disa fjalë në një sferë që më prek e nuk më përket, por aty ku nuk flasin institucionet e krijuara për këto punë dhe ata që mbajnë tregun e shitjes së librit artistik, është më mirë kjo se heshtja. Dhe duhet folur që tregu të kompletohet në vlerën e vet dhe më përtej me vlerat e vërteta artistike të fjalës. Siç është rasti i romanit "Gri" të Andon Andonit.


10 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page