top of page

Gladiola Jorbus: Kur pamja e gruas trajtohet si kapital

Nga Gladiola Jorbus


Në shoqërinë shqiptare, vajzat rriten duke e ndjerë se pamja nuk është thjesht diçka personale, por diçka që gjykohet, komentohet dhe mbahet mend. Që të vogla dëgjojmë vërejtje, kritika dhe sugjerime për trupin, fytyrën, flokët apo mënyrën si vishemi. Të gjitha këto nën përkufizimin “këshilla për të mirën tonë”. Kështu, ideja se si dukemi fillon të lidhet ngushtë me idenë se sa vlejmë.

Për fat të keq, patriarkalizmi e ka kthyer bukurinë në valutë për gratë. Në një shoqëri ku pushteti, paratë dhe vendimmarrja kanë qenë historikisht në duart e burrave, gratë kanë pasur më pak mënyra dhe mundësi për të aksesuar statusin dhe sigurinë. Bukuria është shndërruar në një lloj valute: diçka që mund të shkëmbehet me pranim, martesë të mirë, mbrojtje, punësim, respekt të kushtëzuar. Edhe sot, kur realiteti ka ndryshuar pjesërisht, kjo logjikë vazhdon të jetojë nën sipërfaqe.

Martesa dhe nderi e kanë forcuar lidhjen mes pamjes dhe vlerës, pasi fati i gruas shqiptare ka qenë i lidhur ngushtë me martesën. Pamja e mirë ka qenë “kapital” për të gjetur burrë, për të mos turpëruar familjen, për të ruajtur nderin. Trupi i gruas nuk i përkiste asaj, por komunitetit. Kjo peshë është përcjellë nga brezi në brez, edhe pa u thënë drejtpërdrejt.

Krahasimi mes grave është bërë pjesë e normalitetit dhe fatkeqësisht, shumë shpesh gratë e ushtrojnë këtë trysni mbi njëra-tjetrën. Komentet, vështrimet, krahasimet dhe gjykimet nuk vijnë vetëm nga burrat apo nga shoqëria në mënyrë abstrakte, por edhe nga gra të tjera që vetë janë rritur nën të njëjtat rregulla. Në vend që të mësojmë ta shohim njëra-tjetrën si aleate, na është mësuar të jemi rivale: kush është më e bukur, kush duket më “nuse”, kush plaket më bukur. Këto krahasime nuk lindin nga ligësia, por nga frika se po humbasim vlerën tonë në një sistem që na mat me sy.

Sot, rrjetet sociale e kanë përforcuar këtë plagë të vjetër. Presioni nuk vjen më vetëm nga familja apo rrethi i ngushtë, por edhe nga Instagrami, TikToku, ekranet. Standardet janë bërë më të ashpra, më të shpejta, më të pamëshirshme. Bukuria është uniformizuar dhe shkelja e normave përjetohet si sakrilegj. Ajo që dikur ishte gjykim lokal, tani është i përditshëm dhe global. Patriarkalizmi ka ndërruar formë, por jo thelb, si ujku që nuk e ndërron zakonin.

Gratë ndihen të frustruara dhe të detyruara të shpenzojnë shumë për të ruajtur një vlerë që u është imponuar. Paratë për estetikë, rroba, ndërhyrje estetike apo produkte nuk shpenzohen sepse gratë shqiptare janë sipërfaqësore, por sepse vlera e tyre është lidhur fort me pamjen. Kur bukuria është valutë, investimi në të shihet si domosdoshmëri, jo si zgjedhje.

Lodhja, xhelozia dhe vetëkritika që ndiejmë janë pasoja, jo dobësi. Gjykimi ndaj vetes dhe, ndonjëherë, ndaj njëra-tjetrës, janë rezultat i një sistemi që na ka mësuar të mbijetojmë kështu. Nuk është dështim personal, por një barrë kolektive që e mbahet nga shumë gra njëkohësisht.

Problemi nuk janë gratë shqiptare, as dëshira për t’u dukur bukur. Problemi është një shoqëri që ende e sheh pamjen e gruas dhe trupin e saj si kapital. Ndryshimi fillon kur e kuptojmë se vlera jonë nuk duhet të varet nga një valutë që nuk e kemi zgjedhur vetë. Ndryshimi fillon kur tregojmë më shumë mirëkuptim e solidaritet mes nesh, në vend të gjykimit.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page