top of page

GJYSHJA


GJYSHJA


Në saj të prurjeve monetare dhe të kursimeve të vazhdueshme, u poqën kushtet që së fundi familja Vreto të interesohej për blerjen e apartamentit të shumë ëndërruar. Blerja bëhej nga dorë e dytë kështu që  apartamenti kërkonte kontroll të imët; p.sh, tarraca të mos kish lagështi, muret ndarës të mos ishin të plasaritur nga tërmetet, dritaret, dyert e ballkoneve, banja, instalimet elektrike, sistemi i ngrohjes të gjitha kërkonin vëmendje sidomos përpjekja për uljen e çmimit. Së fundi ranë dakord dhe pronari ndoshta për të  justifikuar  këmbënguljen u tha se apartamentin e kish kërkuar dhe fqinji i katit poshtë me një vleftë më të majme, por refuzoi vetëm e vetëm se nuk donte pasuria e tij  të binte në duart e  njerëzve me ngjyrë. Blerësit nuk u pajtuan me fyerjen, megjithatë,  heshtën. 

Nga sa mësuan më vonë, dy familjet nuk shkonin  mirë jo vetëm për shkak të racizmit, por dhe  se ata të katit poshtë si pronarë të dikurshëm të truallit, kërkonin privilegje. Në tarracë, kishin ndërtuar një dhomëz të vogël dhe furrë  ku çdo të diel piqnin. Për çdo ndreqje që bëhej në pallat, akoma dhe për marrëveshjet me kompanitë e administrimit, ata  thoshin fjalën e fundit. Për këto e shkaqe të tjera, shpotia për ngjyrën e lëkurës shkonte nga goja në gojë dhe shpesh, arrinte gjer në veshët e pronarëve të dikurshëm të truallit. Këta të fundit acaroheshin, por që shkaku i sherreve të mos dilte jashtë godinës bënin sikur nuk dëgjonin. Sa për familjen Vreto, të gjitha sa u dëgjuan më lartë mund të evitoheshin. Në fund të fundit tarraca ishte pronë e përbashkët, në mirëkuptim me fqinjin dhe ata mund të piqnin, për ndreqjet dhe marrëveshjet me kompanitë, e quajtën lehtësim se kohën e kishin të kursyer. Ndryshe nga familja e ikur, familja Vreto u përpoq të kish marrëdhënie të mira bile arritën gjer atje sa të merrnin pjesë në gostit e tarracës. Asnjëherë nuk i panë me syrin e familjes së ikur; në familjen Vreto, racizmi nuk kishte vend dhe u mërzitën kur vunë re se fqinjët  për t’ iu shmangur gishtit, ishin shkëputur nga të afërmit; shoqëria dhe krushqitë bëheshin vetëm me të bardhët. Në saj të përzierjes së ngjyrave, fëmijët rriteshin me lëkurë më të çelur; këta të fundit tregoheshin akoma më të kujdesshëm; në ambientin e jashtëm i shmangeshin akoma dhe takimit me gjyshen që kish ngjyrën e lëkurës më të theksuar se pjesëtarët e tjerë të familjes. Pas shumë përpjekjeve të tilla, kishin arritur që në një farë mënyre të bëheshin të pranueshëm në shoqërinë e shumëkërkuar. Edhe në pallat familja Vreto kish bërë punë të mirë; tani në tarracë piqnin të gjitha familjet, bile arritën gjer atje, sa të mblidheshin bashkë në një gosti të vetme. Të gjitha mirë e bukur, por jeta ka bërë programin e sajë; pas shumë gëzimeve na sjell dhe hidhërime. Atë fillim viti gjyshja u sëmurë rrënd; e ngarkuar me vite të shumta mbi supe, një natë u lagua nga jeta. Në varrimin e saj, pjesëmarrësit ishin të shumtë, kryesisht të bardhë. Dhe nga fqinjët e pallatit askush nuk mungoi; si gjithë pjesëmarrësit, dhe ata u sollën përreth arkivolit me përuljen e zakontë duke bërë kryqin; si pinë kafen e pikëllimit, ngushëlluan dhe në dalje sikur të kishin pickuar njëri-tjetrin, u panë sy më sy të “habitur”. Gjyshja e vdekur kish ndërruar ngjyrë; ishte e bardhë, e bardhë si asnjëherë.


16 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page