Gjon NEÇAJ: Historia e Kadë Ahmates
- 3 hours ago
- 4 min read

Sa shumë na mungojnë shkrime dhe njohuri e të dhëna të tilla. Në një kohë kur rrëfimi i shpejtë shpesh zëvendëson thellësinë, një tekst si ai i Gjon Neçajt mbi lahutën rikthen vëmendjen tek rrënjët, tek ajo trashëgimi e heshtur që ka mbijetuar më shumë përmes kujtesës sesa përmes dokumentimit të shkruar. Në pamje të parë, shkrimi ndërtohet mbi një bazë përshkruese: materiali, ndërtimi, përbërja e lahutës. Por kjo shtresë teknike është vetëm hyrja në një univers më të thellë ku çdo element, druri, lëkura, fijet e kalit, merr kuptim simbolik. Lahuta nuk është thjesht një objekt; ajo është një sintezë e natyrës dhe shpirtit njerëzor, një dëshmi se si kultura popullore di të krijojë art nga më elementaret e jetës.
Përkufizimi i saj si instrument “primitiv” nuk e zvogëlon vlerën, përkundrazi e thekson autenticitetin. Në këtë thjeshtësi qëndron madhështia e saj, një mjet i pakomplikuar që arrin të bartë epika të tëra, histori, ndjenja dhe kode morale. Kjo është një nga idetë më të fuqishme që buron nga shkrimi, se kultura nuk ka nevojë për sofistikim teknik për të qenë e thellë dhe e qëndrueshme. Kur autori kalon tek funksioni i lahutës si mbartëse e eposit të kreshnikëve dhe këngëve historike, analiza merr dimension tjetër. Lahuta shfaqet si një arkiv i gjallë, një formë e kujtesës kolektive që këndohet dhe përjetohet. Në mungesë të shkrimit, ajo ka qenë libri, kronika dhe zëri i historisë së një populli.
Kulmi emocional dhe narrativ i tekstit është historia e Kadë Ahmates. Kjo figurë, e dalë nga gojëdhëna, tejkalon kufijtë e një rrëfimi të zakonshëm dhe hyn në territorin e legjendës. Akti i saj, përdorimi i lahutës dhe imitimi i zërit të të vëllait për të shpëtuar familjen dhe kullat, është një shembull i jashtëzakonshëm i zgjuarsisë dhe guximit. Por mbi të gjitha, është një moment që sfidon rendin patriarkal, duke vendosur një grua në qendër të një akti heroik, në një kohë dhe hapësirë ku kjo ishte e pazakontë. Edhe më domethënës është fakti që ky veprim lidhet me faljen e gjaqeve. Këtu lahuta ngrihet mbi funksionin artistik dhe bëhet instrument pajtimi, një mjet që jo vetëm rrëfen historinë, por ndikon drejtpërdrejt në rrjedhën e saj. Kjo i jep asaj një dimension etik dhe shoqëror, duke e bërë pjesë aktive të jetës komunitare.
Përmendja e lahutarëve të shumtë nga Nikaj-Mërturi në fund të shkrimit krijon një ndjenjë vazhdimësie. Nuk kemi të bëjmë me figura të izoluara, por me një traditë të gjallë që ka kaluar brez pas brezi. Çdo emër është një hallkë në zinxhirin e kujtesës, një dëshmi se kjo kulturë nuk ka mbetur në të shkuarën, por vijon të jetojë. Në tërësi, shkrimi i mikut tim Gjon Neçaj, është një ndërthurje e bukur midis faktit dhe mitit, midis përshkrimit dhe rrëfimit. Ai na kujton se sa e rëndësishme është të dokumentohen dhe të analizohen këto pasuri, jo vetëm për t’i ruajtur, por për t’i kuptuar më thellë. Sepse në to nuk gjendet vetëm e shkuara, por edhe një pjesë e identitetit që ende na formëson. (F. Terziu)
Gjon NEÇAJ: Në djepin e patriarkalizmit lindi gruaja e parë që i këndon lahutës
Nga Gjon NEÇAJ
Lahuta është ndër instrumentet muzikorë më të hershëm, por edhe më primitivë në Europë, shprehen studiuesit. Trupi i lahutës punohet kryesisht prej drurit të panjës, por mund të punohet edhe nga druri i krekcit, manit, arrës e verrit. Pjesa e lugut të lahutës mbulohet me lëkurë të tërhequr, kryesisht e kecit, por është përdorur edhe plënci i lopës. Harku i lahutës kryesisht punohet nga degët e drurit të thanës dhe me qime të bishtit të kalit.Në vend të telave, te lahuta vendosen deri në dyzet fije të bishtit të kalit të tërhequra, të cilat lidhen te koka e lahutës, kalojnë në një vrimë mes përmes kalit që punohet prej druri dhe vendoset mbi zhark dhe tendosen te bishti i lahutës. Me lahutë janë kënduar eposi i kreshnikëve që i përket epikës legjendare, por edhe këngët epike historike, shprehet gjithashtu koreografi Deli

Metaliaj, Nderi i Kombit, studiues i folklorit dhe valles, si dhe interpretues i saj. Ka patur raste që edhe femrat e kësaj zone kanë qenë interpretuese të këngëve kreshnike. Këtu mund të përmendim Kade Ahmaten nga lagja Brashtë e fshatit Gjonpepaj, motra e lahutarit të njohur, Hajdar Ahmati, e cila i ka rënë dhe i ka kënduar lahutës që në shekullin e XVIII, mbase e para lahutare dhe këngëtare në veri, në djepin e patriarkalizmit shekullor, në Nikaj -Mërtur.
Për Kadën tregohet edhe kjo histori, e transmetuar gojë më gojë, si legjendat:Hajdar Ahmati ishte shumë i njohur si lahutar, me trup të madh lis bjeshke (ende sot në malësi, kur dikush e ka këmbën e madhe, përdoret shprehja “e paska këmbën sa të Hajdar Ahmatit”), trim i pashoq në luftë, por edhe me gjaqe.
Një natë gjaksit e kishin hetuar se kishte shkuar për festë në fisin e Shalë dhe sapo erret, ia rrethojnë shtëpinë për t’i vënë flakën. Kada i heton dhe menjëherë merr lahutën dhe fillon këngën, duke imituar zërin e vëllait, Hajdarit. Gjaksit sapo dëgjojnë këngën e lahutës, ikin me shpejtësi, nga frika se del Hajdari dhe i vret të gjithë.
Të nesërmen e shohin Hajdar Ahmatin duke zbritur Lugut të Ndërmanjës me pushkën në krah e duke kënduar gjatë kthimit nga Shala. Brenda asaj dite të gjitha fiset e malësisë morën lajmin se Kadë Ahmatja me këngë e lahutë shpëtoj kullat pa u djegë me njerëz e bagëti brenda. Thonë që ky veprim i guximshëm i saj është bërë shkak që të falen gjaqet.
Nikaj -Mërturi ka patur lahutë dhe lahutarë pothuaj në çdo shtëpi, Ukshin Brahimi, Mulaj, Mirash Gjoni, i cili njihet edhe si lahutari krijues i këngës “Ajkuna qan Omerin”, Mhill Preka, Sokol Martini, Pal Qerimi, Zef Avdia, Mark Mitri, Dedë Sokoli, etj.,apo më të rinjtë si Syk Paplekaj, Zef Markokaj, Zef Beka, Sokol Mulaj dhe Gofile Paplekaj.








Comments