GJETHE ULLIRI


    Nga Agim Mato

    "Mjeshtër i Madh"


    skicë

    Kujtimi, tani i shkuar në moshë, çdo javë më sjell gjethe nga ulliri i vjetër i tim ati, ngelur tek trualli i ish shtëpisë që e zuri projekti i rrugës si arterie e re e qytetit. Prekem nga gjesti i tij, kur m’i fut në xhepin e sipërm të këmishës, i shtron me pëllëmbë duke i rrahur te zemra dhe bën sikur nuk e sheh ngashërimin që ngjitet përpjetë gjoksit. Ai ulli, i mbjellë, i shartuar nga duart e tim ati në ish oborrin e vogël të shtëpisë, u rrit si kanakar pranë një fiku dhe një pjeshke, duke u bërë hije domateve dhe specave të kuqe që ai mbillte. Po ulliri pati historitë e veta kur filloi të prodhonte kokrrat e tij të shëndetshme. Vinte një brigadë frutikulture nga ferma pranë qytetit dhe fillonte ta shkundte me shufra. Tim ati i visheshin syzet me avull dhe u drejtohej sikur të rrihnin për vdekje një fëmijë. U hiqte nga duart shufrat ndërsa dikush prej tyre thoshte: - Mos na pengo ti, armiku i klasës, sikur nuk e di që ulliri është monopol shteti dhe të drejtën e kemi vetëm ne ta vjelim.


    Një vit tjetër, erdhi një grup që e voli me kujdes ullirin dhe dy thasët plot me kokrra i lanë në oborrin tonë dhe ikën. Babai më nisi mua t’i kujtoja për to që t’i merrnin. Njeriu që iu drejtova, më përkëdheli në faqe dhe më tha: - Merrini ju, prandaj i lamë. Unë u habita dhe ngela i hutuar. Ai më pa me mirësi dhe shtoi: - Ik dhe mos e bëj llaf. I thashë tim ati për çka ndodhi. Ai deshi ta takonte atë person për ta falënderuar por nuk e arriti. U kthye, pa gjitonin që rrinte te porta e tij, e thirri dhe i tha: - Shemo, ky ulli ju bën hije edhe juve, ju mbush oborrin edhe me gjethe, herë herë. Merr edhe ti atë që të takon – dhe i dha njërin prej thasëve. Kujtimi rron shumë me të shkuarën dhe sa herë më takon ose më sjell gjethet që këput nga ulliri i xha Remziut, kur kalon nga ajo rrugë, ose më kujton ndonjë ngjarje që unë e kam harruar. Babai i tij mbillte ashtu si im at domate në oborr dhe shpesh ato nuk prodhonin. E kishte merak të arrinte të skuqte oborrin me produktin e tyre. Një herë xha Shemua hipën mbi murin që na ndante dhe i flet tim ati: - Xha Remzi, shiko, u poqën edhe domatet e mia. Remziu i sheh mirë penjtë e zinj me të cilat kishte lidhur domatet e blera në treg dhe i përgjigjet: - Po, e shoh, kanë preferuar të prodhojnë varietet tjetër dhe janë zbukuruar me lastarë të zinj!

    3 views

    Shkrimet e fundit