top of page

GJARPRINJTË E ILIRISË



Tregim nga Kozma Gjergji


Ardhjen e profesor Shulcit për të parë dhe eksploruar qytetin antik të Apolonisë, e presim me kureshtje e interes të vaçantë, sepse është një nga mendjet e ndritura në fushën e arkeologjisë, historisë e linguistikës.

Ia njohim veprat tejet të vlerësuara, madje i kemi studiuar me vëmendje, edhe ngaqë shumica fokusohen guximshëm në problematikat më të nxehta ballkanike, e sidomos për etnogjenezën e formimin e kombit e shtetit shqiptar dhe qëndrimet e fqinjëve dhe fuqive të mëdha.

Me trajtimin e mbrojtjen mahnitëse të mjaft të vërtetave, deformuar e tjetërsuar qëllimisht me lloj-lloj gënjeshtra, natyrshëm u bë mik shumë i nderuar i shqiptarëve.

E shoqëron një akademik yni. Takohemi me respekt e i urojmë mirëseardhjen. Përzemërsia e thjeshtësia e tij na e largon druajtjen. I ftojmë për në bar, por profesori preferon të fillojmë menjëherë nga puna. Ashtu bëjmë. E nisim me shëtitoren që të nxjerrë tek partenoni, agora, nekropoli, amfiteatri, odeoni, banjat, ujësjellësi, punishtja e verës, mozaikët…

Unë e kolegu i tregojmë edhe zbulimet më të fundit të ekspeditës që drejtojmë. Dialogojmë rreth gjithçkaje. Për t'i dhënë bisedës një ton më gazmorë e u bërë i afrueshëm, profesor Shulci ndalet enkas tek një nga objektet dhe pyet:

-Ç'është kjo përmendore gjigande a kolonë e skalitur me aq mjeshtri?!

-Është slmbol i pjellshmërisë, penisi, - i përgjigjemi në çast.

-Ah!… - bën të habiturin e i entuziazmuar pohon: -Ja dhe një tjetër vlerë e çmuar që ndjellë turistë… Të moçmit kishin nderim tepër të lartë për jetën, e prandaj i ngrinin kulte…

Itinerarin e vizitës e përfundojmë duke përshkuar pavionin e mjediset e manastirit të Shën Mërisë të shekullit XIII dhe muzeut të atyshëm, ku janë të ekspozuar statujat e gjithë thesari i gjetjeve.

Profesori duket fortë i kënaqur nga njohja me tërë këtë pasuri arkeologjike, që e shpreh me përkufizimin e Ciceronit për Apoloninë: "Një qytet i madh e hijerëndë!"

-Këtu, - vijon mendimin ai, -ashtu si dhe në Butrint, Dyrrah, Antigonea, Bylis, Amantia e qytetet e tjera antike gjen të shkrirë me njëra-tjetrën hijeshinë dhe madhështinë e kulturës vendase e qytetrimit greko-romak. Siç dihet, gadishulli i Ilirisë dhe ai Apenin kanë qënë qendra e civilizimit europian, që pastaj, shekuj më vonë u çvendos gradualisht drejt Perëndimit të sotshëm. Në atë kohë edhe ne gjermanët ishim ende barbar…

Gjejmë momentin dhe e pyesim me kërshëri se ç'shtysë e kish nxitur t'i vihej me aq dashuri e përkushtim hulumtimit të prejardhjes, historisë dhe gjuhës së shqiptarëve. E mirëpret pyetjen e nis të tregojë:

-Ka ndodhur fare rastësisht. Në vitin e fundit të studimeve universitare më bie në dorë një libër, në të cilin përmblidhej shkurtimisht historia e gadishullit të Ilirisë. Plotësohej e ilustrohej dhe me skica, piktura, foto, kujtime e shënime të atyre që e kishin vizituar apo patën punuar e jetuar atje, me fragmente studimesh, kronikash, dokumente e deri krijime folklorike. Një mozaik interesant e tërheqës plot të dhëna, dëshmi e vlera njohëse. M'u duk një zbulim dhe u ndjeva si ai kërkuesi që krejt papritur gjen një minierë të re ari. Më frymëzoi, orientoi e tregoi piketat për studimet e ardhshme.

Më intriguan pa masë rrëfimet për dyndjet e popullsive sllave në gadishull, ngjajshëm me hordhitë barbare rrënuese të perandorisë romake. Një invazion i stuhishëm tribush gjysmë të egra e uritura me nisje nga stepat ruse. Midis tyre dominonin ato që identifikoheshin me emrin e përbashkët të gjarprit.

Vendasit iliro-arbëror me standarte të larta zhvillimi, ndonse u shqetësuan, nuk i larguan nga kishin ardhur apo t'i bënin skllevër. Iu ofruan përgjithsisht mikpritje e i pranuan të bashkëjetonin si të barabartë. Gjithashtu i ndihmuan bujarisht, duke iu dhuruar bagëti, toka, kafshë e mjete pune. Edhe banorët që nuk i dëshironin u solidarizuan në shumicë të shtyrë nga shpresa, se po e ushqeve krokodilin kurrë nuk do të të hajë.

Koha e paqes dhe bashkëjetesës, veçanërisht me gjerpërorët, zgjati deri kur u mëkëmbën dhe u shndërruan në fuqi e konsiderueshme ekonomike e njerëzore. Pastaj befas i kthyen vendbanimet në çerdhe rreziqesh. Instiktet e tyre grabitqare e lakmonjëse iu prin luftrave për territore. Rrebeshet e pareshtura të tmerreve shfarosëse, megjithë rezistencën, bënë që Iliria të binte pjesë-pjesë dhe t'i kërcënohej ekzistenca.

Kjo qe dhe arsyeja kryesore që qytete e krahina të saj e pritën krahëhapur pushtuesin e ri osman si një e keqe shpëtimtare, krahas atyre që e kundërshtuan me luftë.

Siç thashë, në atë libër, mbase për të thyer monotoninë apo treguar konstelacionin shkëlqimtar të shpirtit arbëror, qenë përfshirë edhe krijime popullore të mrekullueshme. Më tërhoqi sidomos fabula e njohur "Fshatari dhe gjarpri ", ku me pak fjalë tregohej për një fshatar, i cili gjeti në pyllë një gjarpër të ngrirë duke ngordhur nga të ftohtit e madh. I erdhi keq e menjëherë e mori dhe e futi në gji për ta ngrohur.

Gjarpri nisi të gjallërohej e shpejt erdhi në formë të mirë. Veprimi i parë që bëri ishte kafshimi vdekjeprurës i shpëtimtarit të tij.

-Ç'bëre kështu?! -i tha fshatari.

-Derisa më shpëtove dua të të ha, -la ktheu gjarpri.

Më pas këtë fabul e kam ndeshur në disa variante, por që në thelb janë e njëjta gjë.

Asokohe, për koeçidencë, u shpall një konkurs ndërkombëtar në gjininë e esesë me temë: "Mosmirënjohja". Paraqita një krijim me përsiatje pikërisht rreth kësaj fabule, e cila e shprehte bukur mirë mosmirënjohjen dhe pabesinë e poshtër të gjarpërorve. Vlerësimi me çmimin e parë më gëzoj fortë e mbushi me kurajo.

Ja kështu e nisa dhe vijova me studimin e gjithçkaje për Ilirinë. I kërkova të vërtetat e saj edhe nën tokë, nëpër arkiva e në gjuhën e folur. Jam entuziazmuar sa e sa herë kur i kam gjetur ashtu të pastra, dhe jam mërzitur kur i kam ndeshur tmerrësisht të manipuluara si tek gjarpërorët. Kuptohet, që ua ka dashur interesi të vepronin ashtu, se ndryshe si do e mbanin një popull gjithnjë të ndërsyer, në revansh, ekspansion. Veç zotërimit të mbi gjysmës së kombit tuaj synojnë të gllabërojnë akoma.

Kam qenë në ato treva dhe kam vërejtur me trishtim qytete e fshatra të tërë që nuk flisnin më shqip dhe ua kishin zhdukur çdo gjurmë identiteti. Historia e shqiptarëve të atjeshëm është shami lotësh e gjaku dhe përpjekjesh sizifiane për mbijetesë, të drejta, liri… Duhet trimëri të jesh shqiptar e rezistosh në ato hapësira të sunduar nga monumentet e bronxta e të gjalla-shëmbëlltyra të mizorive e dëbimeve biblike, që brezave iu mësohen si heroizma për t'u "çliruar" nga "zaptuesit", siç i quajnë autoktonët.

Ato monumente, ngrefosur triumfuese si bisha mbi prenë, survejojnë ditë-natë dhe regjistrojnë cilindo që guxon për të vërtetën. Hakmarrja e tyre është e tmerrshme. Ajo ekzekutoi çmendurisht edhe arqidukën princ Ferdinantin me bashkëshorten, edhe albanologun e famshëm Milan Shuflaj, edhe ministren e jashtme të Suedisë, edhe… Edhe atë djaloshin, i cili i ngazëllyer nga liria pas rënies së Murit të Berlinit shkoi të çmallej me bashkëkombasit, duke afishuar me krenari hartën etnike të Shqipërisë dhe flamurin kombëtar të tatuazhuar në gjoks, ku shqiponja dykrenore shpaloste krahët në përqafim të përbashkuar të të gjitha viseve shqiptare ndarë tragjikisht në pesë shtete.

Të tilla vrasje gjithnjë e më të shumta, kulmuan në luftërat më gjakatare genocidale në Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë. Si askund e mbollën tokën me eshtra të mijëra e mijëra të pafajshmëve, nga të cilat mbijnë veç gjëmba të urrejtjes.

Falë ndërhyrjes së komunitetit ndërkombëtar që ato mënxyra e gjëma u ndërprenë. Në këtë erë të re të lirisë e demokracisë po punojmë (jam përfshirë dhe unë) të realizojmë një projekt të pajtimit e integrimit europian dhe kthyer gadishullin në vend të paqes, harmonisë e të ardhmes së përbashkët.

Pikën më kryesore kemi largimin nga piedestalet e sheshet dhe pastaj edhe nga shpirtrat të të gjitha monumenteve të llahtarive. Kjo e shoqëruar dhe me deheroizimin e çlirimin prej tyre do shënojë agimin e një epoke të re të bashkëjetesës së vërtetë vëllazërore të ballkanasve.

Është urdhër i kohës dhe historisë ndjesa e përulur nga gjarpërorët dhe ndreqja e të gjitha padrejtësive që ata kanë shkaktuar.

203 views4 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page