top of page

Fushëbeteja e fjalës artistike të Uran Butkës në penën e kritikut të shquar Terziu


Prof.dr. Eshref Ymeri

Fushëbeteja e fjalës artistike të Uran Butkës

në penën e kritikut të shquar


Vepra e prof.dr. Fatmir Terziut “Diskursi i bukurisë së dhimbjes në krijimtarinë e Uran Butkës”, shënon një tjetër sukses të madh të tij në artin e kritikës letrare. Kjo vepër e pasuron më tej korpusin e veprave të këtij kritiku të talentuar, e këtij “Mjeshtri të Madh”,i cili zë një vend nderi në aradhën e personaliteteve të shquara të kulturës kombëtare. Në të njëjtën kohë, prof.dr. Fatmir Terziu përfaqëson krenarinë tonë kombëtare në radhët e diasporës shqiptare në Britaninë e Madhe, në indin e jetës të së cilës ai ka hyrë me tërë shkëlqimin e vet, si përsonalitet i letrave dhe i artit kinematografik.

Jeta e Uran Butkës si shkrimtar ka qenë dhe vazhdon të jetë në vetvete si puna e një pëlhure të pastër në studion e një piktori. Në korpusin e veprave letrare që ka nxjerrë nga pena, të cilat prof. Terziu i analizon me nuhatjen e hollë të një kritiku të shquar, Urani, si me penelin e një mjeshtri të pikturës, ka vizatuar në të bukurinë e jetës së vetë përmes dhimbjes dhe vuajtjeve që i shkaktoi diktatura komuniste.

Rruga e jetës së Uran Butkës më kujton një aforizëm me vlera fort edukative të Bert Helingerit (Bert Hellinger - 1925), psikolog, psikoterapist dhe teolog gjerman.

“Të vuash është më lehtë, sesa të ndryshosh. Për të qenë i lumtur, duhet burrëri”.

Veprat letrare të një epoke të caktuar pasqyrojnë ngjarjet e kohës në përthyerjen e këndvështrimeve të autorit, si përfaqësues i një shtrese të shoqërisë. Prandaj vlerësimi kritik i këtyre veprave merr një rëndësi të dorës së parë. Pikërisht një gjë të tillë ka pasur parasysh prof.dr. Fatmir Terziu para se t’i hynte punës për analizën me vlera akademike që i ka bërë krejt korpusit të veprave artistike të Uran Butkës. Sepse ato mbështeten në studimin nga ana e autorit të burimeve historike, të kujtimeve, të monografive dhe të dokumenteve të tjera dhe përfaqësojnë në vetvete një nismë fort të goditur, me qëllim që, në përfytyrimin e lexuesit, të rikrijohet e kaluara përmes magjisë së fjalës artistike.



Dihet që lexuesve, duke filluar që nga mosha e pararinisë dhe e rinisë, interesi për historinë e vendit u zgjohet për herë të parë gjatë leximit të veprave artistike me tema historike. Nga vepra studimore e prof. Terziut rezulton se shrimtari Uran Butka ka pasur si qëllim të risjellë në kujtesën e lexuesve veçoritë e formimit psikologjik të njerëzve në një periudhë të caktuar, tablonë e mendimeve, e ndjenjave dhe të pikësynimeve të tyre. Veprat e tij artistike e lehtësojnë në një mënyrë të jashtëzakonshme ardhjen e informacionit të vërtetë në ndërgjegjen e lexuesve. Ky informacion i gjerë vjen nëpërmjet përsiatjeve personale dhe gojës së personazheve të veprave të tij dhe lexuesin e mrekullon edhe shumë më tepër pena e analizave kritike të prof. Terziut. Nëpërmjet këtij informacioni, autori vizaton skenat e jetës reale, të cilat janë larg pasqyrimit të tyre nga ana e historisë zyrtare.

Prof. Terziu i zbulon lexuesit shkrimtarinUran Butka, si një krijues me një aftësi fort unikale për të shkrirë në veprat e tij forcën tërheqëse të rrëfimtarisë plot emocion me njohjen në thellësi të formimit psikologjik të heronjve të vet. Fabula e thurur me merak, intriga plot befasi, dialogjet e latuara deri në përsosmëri, figurat plot afsh artistik të personazheve dhe përndezja emocionuese e ndjenjave, përbëjnë komponentët e stilit të tij të papërsëritshëm.

Rëndësia e letërsisë artistike në zgjidhjen e detyrave me vlera njohëse dhe edukative për masën e lexuesve, në varësi të sistemit shoqëror, ka nxitur përpjekjet për ta përvetësuar lëndën e historisë në bazë të përmbajtjes së romaneve historike dhe të monumenteve letrare. Një ide të tillë, në fillim të shek. XIX, e pati shprehur njëri nga përfaqësuesit përparimtarë gjermanë në fushën e edukimit, Zigfrid Kaveray, i cili ishte i mendimit se historia zyrtare në Gjermaninë kaizeriane (monarkike, perandorake) nuk e pasqyronte jetën e vërtetë, përditshmëria qe braktisur prej saj. Prandaj ai propozonte që historia të shkruhej mbi bazën e serisë së romaneve historike që pasqyronin me vërtetësi tablonë tipike të jetës së përditshme të shoqërisë gjermane, në mënyrë që të krijohej mundësia për një analizë objektive të marrëdhënieve shoqërore të kohës.

Në analizat e prof. Terziut ngjallet interesimi i lexuesit për të pasur parasysh se veprat artistike të Uran Butkës luajnë një rol shumë të rëndësishëm në formimin e personaliteti të brezit të ri, i cili nuk e ka përjetuar periudhën e diktaturës komuniste. Sepse përfshirja organike e figurave të letërsisë artistike në indin e historisë është njëra nga metodat më të rëndësishme në shërbim të edukimit të brezit të ri.

Është një mrekulli e vërtetë që shkrimtari Uran Butka ka hyrë në portat e letërsisë artistike, me botën e historisë përkrah. Sepse veprat e tij me tema historike i përshkon si një fill i kuq vërtetësia e padiskutueshme. Prandaj ai e ka shumë të lehtë t’i ndërtojë fabulat fillimisht në përfytyrimin artistik, para se të marrë penën në dorë. Për shkrimtarë të një formati të tillë, kritiku i shquar rus, Visarion Bjelinski (1811-1848),shkruan:

“Vepra artistike duhet të jetë plotësisht e gatshme në përfytyrimin e shkrimtarit, para se ai të ulet për ta shkruar. Sepse hedhja e saj në letër për të tashmë është një punë e dorës së dytë”.

Nga analizat e hollësishme të prof. Terziut kuptohet qartë që shkrimtari Uran Butka subjektin e veprave e përdor si mënyrë për të përcjellë idetë e veta. Prandaj në përmbajtjen e tyre bie në sy përgjigjësimi, anafola (thjetërthëna), herë e shprehur prapa një velloje domethënëse, herë e përcjellë shkoqur, gjë që sjell si pasojë bashkëpërsiatjet, bashkëpërjetimet e lexuesit, çka përbëjnë pikësynimin e tij kryesor.

Përveç përfytyrimit artistik dhe natyrës vëzhguese, njohjes së shkëlqyer të mjedisit dhe të leksemave të kulturës materiale, në tablonë kritike të prof. Terziut shihet më së miri se Uran Butka në tregimet e veta përdor mënyra tepër origjinale për krijimin e situatave problemore, pasqyrimin me vërtetësi të mjedisit të zhvillimit të veprimit, veçoritë individuale të pamjes së jashtme dhe të sjelljes së personazheve, respektimin e ritmit dhe të stilit të rrëfimtarisë, duke i përcjellë ato me me një gjuhë letrare të nivelit të lartë.

Në strukturimin e veprave të autorit, prof. Terziu vëren se gjithçka vërtitet rreth një pikësynimi kuptimplotë, çka përbën njërin nga kriteret e vlerave edukative të krijimtarisë së tij letrare: pasqyrimi mjeshtëror i realitetit me një vërtetësi befasuese. Në analizat e prof. Terziut bie në sy mjeshtëria e Butkës në skalitjen e skeletit të veprave të veta, duke nisur nga zanafilla, përmbajtja dhe deri te epilogu, nga i cili buron edhe ideja themelore e secilës prej tyre.

Shkrimtari Edgar Po (Edgar Allan Poe - 1809-1849),përfaqësues i romantizmit amerikan, shkruan:

“Është krejtësisht e qartë se çdo subjekt që e meriton të quhet i tillë, duhet të përpunohet me hollësi deri te epilogu, para se të marrim penën në dorë. Vetëm duke mos lënë pas dore për asnjë çast epilogun, ne do të mund t’i japim subjektit vijueshmërinë e domosdoshme ose vijën e arsyetimit dhe do të bëjmë që ngjarjet dhe sidomos intonacionet në çdo pikë të rrëfimtarisë, të ndihmojnë në zhvilimin e idesë”.

Nga vëzhgimet e prof. Terziut rezulton se në krijimtarinë e vet artistike, sidomos në gjininë e tregimit, Uran Butka dallohet për njohjen e gjithanshme të realitetit, duke shpërfaqur para lexuesit tablo me ngjyra të ndezura. Kritiku i shquar Terziu i kundron heronjtë e Butkës sikur i ka të gjallë para syve, me të gjitha veçoritë e tyre origjinale të të folurit, të gjesteve, të fytyrës, të buzëqeshjeve, të lëvizjes së syve etj. Në këtë mënyrë, prof. Terziu e ndihmon lexuesin ta perceptojë më mirë atë që shkrimtari Butka e ka të skalitur në përfytyrimin e vet.

Maksim Gorki thotë:

“Shkrimtari duhet ta njohë mirë gjithçka: gjithë rrjedhën e jetës, deri në kapilarët e saj, të gjitha kontradiktat e realitetit, dramat dhe komeditë e tij, heroizmin dhe poshtërsinë e tij, gënjeshtrën dhe të vërtetën”.

Veprat e Uran Butkës e karfosin në vend lexuesin që në rreshtat e para, prandaj ato lexohen me një frymë, sepse e tillë është dinamika e ngjarjeve që shtjellohen në to. Në citimet e kritikut Fatmir Terziu bien në sy ritmi i përshpejtuar i rrëfimtarisë së shkrimtarit, fjali të shkëputura me domethënie të thellë, dialogje plot ngarkesë psikologjike që ndërkëmbehen me përshkrime, përsiatje dhe kujtime që përcillen më shpesh me fjali të gjata dhe me një ritëm rrëfimtarie më të ngadalësuar.

Kritiku Terziu ndalet në të tilla fragmente të veprave të shkrimtarit, të cilat ndezin kërshërinë e lexuesit që në fjalitë e para. Ai zbulon mjeshtërisht konstruksionin e tregimeve të tij, në të cilat bien në sy herë dialogje fort tërheqëse, herë fjali të shkurtra që lexuesit i ndezin imagjinatën, herë paragrafë me refleksione psikologjike të heronjve të tyre, të përcjella me fjalë të kursyera, të cilat të kujtojnë një aforizëm të Shekspirit:

“Atje ku fjalët janë të pakta, ndihet pesha e tyre”.

Në penën e kritikut të talentuar Fatmir Terziu del në pah një fakt kuptimplotë në krijimtarinë letrare të Uran Butkës, çka e bën lexuesin të përsiatë gjatë: krijimi i një vepre letrare në aspektin artistik kërkon nga autori një punë serioze afatgjatë, kërkon limosjen e strukturës së subjektit, ravijëzimin mjeshtëror të mendimeve, të ideve dhe të formimit psikologjik të heronjve, duke respektuar vetëm të vërtetën.

“E vërteta, -thotëShopenhaueri ( Arthur Schopenhauer - 1780-1860), -kalon përmes tri fazash: në fillim tallen me të, mandej e kundërshtojnë me tërbim dhe, më në fund, e pranojnë ashtu siç është“.

Uran Butka nuk e pati fatin të shpaloste talentin e vet letrar që në moshë të re, sepse ai ishte objekt i mërisë së diktaturës për shkak të prejardhjes së familjes së tij me brumosje nacionaliste. Por edhe po ta kishte pasur atë fat, nisur nga karakteri i tij tepër i pavarur, si zor që krijimtaria e tij letrare të lejohej të zbriste deri ne truallin e lexuesit të thjeshtë. Sepse letërsia në kushtet e diktaturës që përjetuam për një gjysmë shekulli, perceptohej si një mjet universal i pushtetit politik, si një objekt i domosdoshëm planifikimi dhe koordinimi të centralizuar, si një mjet kundërvënieje ndaj kundërshtarëve politikë, si një domen, në të cilin nuk mund t’u lihej hapësirë edhe atyre që mendonin ndryshe, përderisa kultura vlerësohej si mënyrë e vetme e krijimit nga ana e shtetopartisë të figurës së vetvetes. Prandaj ajo duhej të ishte nën kontrollin dhe vëzhgimin e saj të rreptë dhe të përhershëm. Megjithatë, siç rezulton nga prerja mjeshtërore që prof. Terziu i bën veprës letrare të Uran Butkës, ky nuk ra pre e botës së dëshpërimit, ku e pati degdisur diktatura.

Psikologu austriak Karl Gustav Jung (Carl Gustav Jung - 1875-1861) thotë:

“E vërteta e trishtueshme lidhet me faktin që jeta e njeriut përbëhet prej një komleksi të pashmangshëm kundërtish,siç janë dita dhe nata, lindja dhe vdekja, lumturia dhe vuajtjet, e mira dhe e keqja. Ne madje nuk jemi të sigurt se cila prej tyre do të mbizotërojë mbi tjetrën, se e mira do ta mposht të keqen apo gëzimi do të fitojë mbi dhimbjen. Jeta është një fushëbetejë”.

Kjo ishte arsyeja që Uran Butka hyri në portat e krijimtarisë artistike pas odisesë së dhimbjeve dhe të vuajtjeve shpirtërore, kur në fillim të viteve ’90 u bë zëvendësimi i sistemit, i cili, siç thotë një poet i talentuar, “ndërroi kostumin, por jo stofin”. Me këtë rast, prof. Terziu i përcjell lexuesit disa rreshta që burojnë nga honet e shpirtit të shkrimtarit:

“Edhe vuajtja e dhimbja, më janë kthyer në një përvojë njerëzore të bukur, në një pasuri të madhe shpirtërore, por edhe në një qëndresë. Rrëfimet i kam nxjerrë nga shpirti dhe i kam hedhur në letër lirshëm, pa qortime, pa këqyrje mendjeje”.

Këto fjalë zemre të shkrimtarit të kujtojnë një thënie bukur të goditur të piktorit, grafistit dhe skulptorit francez Ogyst Renuar (Pierre-Auguste Renoir -1841-1919):

“Dhimbja kalon, kurse bukuria mbetet”.

Pa dyshim, dhimbjet dhe vuajtjet e njeriut janë një motiv nxitës për krijimtari.Prandaj edhe fjalët e aktores dhe të kantautores së njohur amerikane Demi Lovato (DemetriaDevonne“Demi” Lovato-1992), përcjellin, gjithashtu, filozofinë e jetës që duhet përballuar përmes dhimbjes. Ajo thotë:

“Jeta mund të jetë shumë e vështirë, po duhet luftuar dhe duhet kaluar përmes dhimbjes”.

Fjalët kaq prekëse, me të cilat shkrimtari i drejtohet lexuesit me zemrën në pëllëmbë të dorës dhe që prof. Terziu i ka qëmtuar me shumë kujdes, më sollën ndër mend edhe jetën e poetit rus Dmitri Merezhkovski (1865-1941),cili kishte filluar të shkruante poezi që në moshën 13-vjeçare. Ishte viti 1880. Një ditë ai pati vendosur t’i shkonte për vizitë Dostojevskit (1821-1881), i cili dergjej në shtrat i sëmurë. Me këtë rast, ai kishte marrë me vete disa poezi. Dostojevski, pasi i lexoi, i tha:

“Këto janë poezi shumë të dobëta, s’të hyjnë në punë absolutisht. Duhet të vuash, or djalosh, dhe pastaj të ulesh e të shkruash poezi”.

Në “skanerin” evlerësimitkritikqë prof.dr. FatmirTerziuibënkrijimtarisë letraretë UranButkës, bienë sytrilliartistikishkrimtarit, iciliështë frytinjë përndritjejehyjnore, injë gjetjejetë magjishmeqë kavazhduartë prehetgjatë në ëndrratetijpërtë hyrë më botëneletravepasritualittëheshtjessë detyruarparaviteve’90.

ProfesorTerziuebënlexuesintë përsiatë setrillinartistikshkrimtariUranButkaepërdorsigarancitë vërtetësisë së rrëfimtarisë, në të cilënanashkalohengjëratedorëssë dytë, gjëraterastësishmeapotë stisura. Përmestijzbulohetpsikologjiaeheronjvetë veprës, thelbiingjarjeve, ifaktevejetësore, gjithçkaeligjësishme, tipike, karakteristike, në lidhjetë ndërsjellë dialektike.

Shkrimtarja amerikane Xhesamin Uest (Jessamyn West- 1902-1984), autore e tregimeve dhe e romaneve të shkurtra, thotë:

“Trilli artistik zbulon të vërtetën që fsheh realiteti”.

Trilli artistik është komponent i rëndësishëm i mjeshtërisë së shkrimtarit Uran Butka. Kur prof. Terziu flet për natyrën dhe origjinalitetin e talentit artistik të Uran Butkës, lexuesi nënkupton karakterin e trillit të tij artistik dhe përmasat e përdorimit të tij në procesin krijues. Në analizën e prof. Terziut del në pah intuita e shkrimtarit, e cila mishërohet pikërisht në trillin artistik.

Në krijimtarinë artistike të Uran Butkës jeta është më shumë se jetë brenda qenies së heronjve të veprave të tij. Në gjë e tillë del më së miri në spikamë në vlerësimet kritike të prof. Terziut, ku shpalosen fantazia krijuese e shkrimtarit dhe pasuria emocionale që fshihet në indin e veprave të tij artistike.

Në vorbullën e mjeshtërisë së analizave kritike të prof. Terziut vihet re një dukuri interesante: lexuesi i veprës së Uran Butkës, në magjinë e fjalës së tij artistike, zbulon atë që duket si e mbajtur fshehtë nga shkrimtari. Dhe një gjë e tillë vjen si rezultat i intuitës. Pikërisht te intuita e shkrimtarit, në bashkëveprim me fantazinë krijuese, prof. Terziu zbulon bukur mirë caqet figurative dhe përmbajtësore të tregimeve të shkrimtarit, duke çelur shtigje interesante për zbërthimin e idesë së tyre.

Në librin e vet prof. Terziu i krijon hapësirë lexuesit për të përsiatur dhe për të arritur në përfundimin se në artin e letrave hasen dy të vërteta interesante: e vërteta jetësore dhe e vërteta artistike, të cilat nuk janë e njëjta gjë. Prof. Terziu lë të nënkuptohet se një dukuri që përcillet tërësisht nga jeta drejt e në veprën artistike, humbet vërtetësinë e realitetit dhe nuk shndërrohet në të vërtetë artistike. Kjo për arsye se mjeshtri i fjalës artistike Butka nuk bën fotografimin e realitetit, por krijon diçka të ngjashme me të. Sepse pikërisht këtu qëndron sekreti i krijimtarisë.

Disa shkrimtarë që fituan të drejtën për të shkruar pas ndërrimit të sistemit, janë përpjekur të zbulojnë mëkatet e rënda të diktaturës, për të kuptuar natyrën e bëmave kriminale të shërbëtorëve të saj. Dhe nga citimet e prof. Terziut kuptohet qartë se sa më shumë që shkrimtari Uran Butka hyn në bëmat mëkatare të diktaturës, aq me vërtetësi ai shkruan, duke hedhur dritë mbi krimet e saj të imagjinueshme dhe të paimagjinueshme.

Në penën e prof. Terziut zbulohet mrekullisht talenti i vetëshprehjes së shkrimtarit, përtejana (sfondi) historike e zhvillimit të ngjarjeve dhe përvoja personale, të cilat përbëjnë shtratin e veprave të tij. Falë analizave të thelluara të prof. Terziut, lexuesi e ka të lehtë ta kuptojë se në çdo faqe të librave të Uran Butkës ndihet një dridhërimë nervore e penës së tij. E vërteta jetësore në veprat e Uran Butkës zbulohet mrekullisht në panoramën kritike të prof. Terziut. Pena mjeshtërore e prof. Terziut bën që lexuesi, duke hyrë në indin e së vërtetës jetësore, të ngrihet në nivelin e së vërtetës artistike

E vërteta jetësore është e vërteta e autorit, i cili riprodhon me besnikëri karakterin, brendahapësirën (interierin), peizazhin, portretin dhe leksemat e tjera të kulturës materiale në një mjedis dhe në një kohë të caktuar.

Në pasqyrimin kritik të prof. Terziut të vlerave artistike të veprave të Uran Butkës, e vërteta artistike që buron nga e vërteta jetësore, është e vërteta e historisë, është e vërteta supreme që ngrihet mbi pasionet personale të kujtdo qoftë. Kjo është një e vërtetë që lexuesi i veprës së Uran Butkës e përjeton me emocion. Pikërisht në emocion e sipër, ai mahnitet me artin e fjalës së tij dhe nuk mund të mos i japë hakun talentit të tij për rikrijimin e realitetit përmes së vërtetës jetësore. Por, në të njëjtën kohë, shënimet kritike të prof. Terziut e bëjnë lexuesin që të ndiejë se vepra e shkrimtarit nuk shteron me të vërtetën jetësore. Intuita i dikton dhe duhet t’i diktojë se gjithçka që del nga pena e shkrimtarit Butka, ngërthen në vetvete edhe një tjetër ide, çka e bën t’i shtrojë vetes pyetjen: po cila është e vërteta artistike e veprës së këtij shkrimtari të talentuar? Dhe në përsiatje e sipër për veprën që ka nëpër duar, lexuesi vëren disa hollësi mjaft tërheqëse: para syve të tij zbulohet një sistem i tërë metaforash dhe simbolesh me domethënie të thellë.

Në shpalosjen kritike të prof. Terziut, ku e vërteta jetësore e veprës së Uran Butkës shfaqet përmes figurave konkrete, të prekshme, të cilat mishërohen kryesisht në fjalën e autorit, e vërteta artistike mund të mjaftohet me ndihmën e intuitës, e paformësuar në fjalë. Prof. Terziu i krijon hapësirë lexuesit që të jetë krejtësisht i lirë në përsiatjet dhe në përfytyrimet e veta, duke dalë përtej caqeve të veprës së shkrimtarit dhe duke e shtyrë më tej mendimin për tablotë dhe figurat e saj artistike, në varësi të nivelit të shijeve të tij estetike. Sepse rrallë qëllon që fjala artistike t’i përcjellë lexuesit një të vërtetë të gatshme. Ajo vetëm e ndihmon t’i hyjë kërkimit të saj, duke vënë në lëvizje intelektin e tij.

Le të ndalemi në disa shembuj nga veprat e Uran Butkës, të cilat prof. Terziu i citon për të vërtetën jetësore, përtej së cilës lexuesi, përmes intuitës së vet, zbulon të vërtetën artistike.

Në tregimin “Gjahtari i arinjve” pasqyrohet një e vërtetë jetësore me një nëntekst kuptimplotë: pasioni i heroit kryesor për të vrarë arinj, pasion që i kishte mbetur që nga koha e luftës. Nga ky tregim, prof. Terziu citon fjalitë e mëposhtme, ku gjahtari i drejtohet ariut:

“Dil, o bir bushtre, dil! … O të vras, o më vrit…”(Si në kohën e luftës vëllavrasëse: O me ne , o kundër nesh!).

Me këtë të vërtetë jetësore, Uran Butka, si bir i Safet Butkës, njërit prej krerëve të shquar nacionalist të Ballit Kombëtar, e bën lexuesin të zbulojë të vërtetën artistike:

Në filozofinë e formacionit politik “Balli Kombëtar”, në kundërshtim të hapur me filozofinë e partisë komuniste,ishte kryekëput e huaj psikologjia e vëllavrasjes, çka mishërohej në botëkuptimin e kreut të atij formacioni Mid’hat Frashëri. Në mbrojtje të kësaj filozofie u vetësakrikua edhe vetë Safet Butka, për të mos lejuar që shqiptari të derdhte gjak shqiptari. Ja dy citate për ilustrim:

“Ndërsa Enver Hoxha jepte direktivën: “Ballin duhet ta likujdojmë pa mëshirë nga çdo anë qoftë”, Mid’hat Frashëri u drejtohej kundërshtarëve politikë si vëllezër, si shqiptarë të gabuar që duhet të ndreqnin udhën e të bashkoheshin për të mirën e Shqipërisë” (Citohet sipas: Uran Butka. “Gjeniu i Kombit”, Tiranë 2006, f. 390).

”Disa analistë e kanë qortuar Mid’hat Frashërin për tolerancën e treguar... Por Mid’hat Frashëri, si shqiptar, nuk mund të vepronte ndryshe, nuk mund të pranonte që të derdhej gjak shqiptari, në një luftë të verbër civile, të nxitur nga të huajt, luftë që do ta shkatërronte Shqipërinë... Më mirë të humbiste ai dhe alternativa e tij se sa Shqipëria” (po aty, f. 391).

Në tregimi “Tri herë i varur në litar”, profesor Terziu citon një fragment për bëmat kriminale të prokurorit Nevzat Haznedari, i cili, për masakrimin e të burgosurve politikë, që përfaqësonin lulen e inteligjencies shqiptare, e cila kishte studiuar në universitetet më të mira evropiane, përdorte me dorën e vet metoda të kohës së mesjetës, kur viktimat u nënshtroheshin dhjetë mënyrave të torturimit. Përtej kësaj së vërtete jetësore fshihet e vërteta artistike: diktatura komuniste, në themel të filozofisë së saj kriminale, kishte dhunën dhe terrorin, deri në zhdukjen fizike të kundërshtarëve politikë, të pajisur me kulturë të gjerë evropiane.

Në tregimin “Dekorata”,heroi kryesor i saj, Miri, i cili kishte marrë pjesë në rrëzimin e shtatores së Enver Hoxhës, nuk e pranon dekoratën e Presidentit të vendit, me justifikimin se ai vërtet kishte qenë njëri nga pjesëmarrësit në rrëzimin e asaj shtatoreje, por fryma e shtatores nuk ishte rrëzuar. Dhe intuita e lexuesit vazhdon më tej për zbulimin e së vërtetës artistike:

Me sa duket, lëvizja studentore e dhjetorit të vitit 1990 paska qenë e orkestruar mirë nga një dorë e fshehtë. Sepse asokohe nuk u rrëzua sistemi komunist, ai thjesht u zëvendësua. Veteranokomunistët ua dorëzuan pushtetin bijve dhe nipave të tyre neokomunistë, por me mbulojën e pluralizmit dhe të ekonomisë së tregut. Prandaj edhe në Kuvendin e Shqipërisë nuk pati dhe vazhdon të mos ketë vend për një masë deputetësh nga radhët e trashëgimtarëve të nacionalizmit shqiptarë, të përndjekur politikë. Kjo është arsyeja që Uran Butka ishte deputet vetëm në periudhën 1992-1997 dhe mandej s’u kujtua më kush për vazhdimin e karrierës së tij politike, paçka se ai, si një përfaqësues i shquar i krahut nacionalist shqiptar, e meritonte plotësisht të ishte senator i përjetshëm në Kuvendin e Shqipërisë.

Nëfragmentin që citon prof. Terziu nga tregimi“Nuk ma tha Zoti”, pasqyrohet qëndrimi dashakeq i Janullatosit ndaj Atë Nikolla Markut, një qëndrim ky, i maskuar me referencën te Zoti. Vetvetiu, nga kjo e vërtetë jetësore, lexuesi del te e vërteta artistike: Janullatosi, në Tiranë, faktikisht, është guvernator i Greqisë, i cili, që prej gushtit të vitit 1992, mbron vetëm interesat e shovinizmit grek dhe të kishës shoviniste greke, sepse Shqipëria është vend pa zot

Leximi i veprave artistike të Uran Butkës, përmes tejqyrës kritike të prof. Terziut, bën që në secilën prej tyre të njihesh me të vërtetën jetësore dhe të nënkuptosh të vërtetën artistike, çka e pasuron perceptimin e lexuesit, duke i bërë të mundur që të kapë dhe të vlerësojë thellësinë, shumëkuptimshmërinë dhe shumëllojshmërinë e skenave të përshkruara me aq art. Kërkesa për të gjetur në veprën e shkrimtarit vërtetimin e pandehmave të veta, lexuesit ia nxit së tepërmi kërshërinë pas leximit të librit të prof. Terziut, i cili e ndihmon të përcaktojë dhe të nxjerrë kuptimin e lidhjeve domethënëse mes fjalës, figurës dhe intuitës.

Ideja e komunikimit me artin e fjalës së Uran Butkës përmes këndvështrimit kritik të prof. Terziut, qëndron në aftësinë e penës së tij për ta kulturuar lexuesin të ndiejë, të përjetojë dhe të kuptojë natyrën e papërsëritshme të universit të tij artistik, për ta kapur të vërtetën e tij për njeriun, për të ndjekur shtigjet e jetës së bashku me heronjtë e tij, duke përballuar zhgënjime të përbashkëta dhe revolta të përbashkëta, duke flakur tutje dhimbjet dhe vuajtjet dhe duke përqafuar të bukurën.

Libri i prof.dr. Fatmir Terziut, me përmasat e analizave gjithpërfshirëse të krijimtarisë artistike të shkrimtarit të talentuar Uran Butka, merr vlerat e një enciklopedie të vërtetë në lëmin e kritikës letrare mbarëkombëtare.

Santa Barbara, Kaliforni

11 korrik 2019

22 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page