top of page

Fundja nuk ishim asimiluar


Fundja nuk ishim asimiluar


Fatmir Terziu


Flokët e dëborës u ulën që në ag mbi daulle. Enkas kishin vendosur për të komunikuar bardhësinë. Mbi daulle?! Disa ndiheshin të shushatur pandemikisht, ndaj e ndjenë që nga Lart të avokonin për daullet.

„Daullet janë simbolikë, jo vetëm simbole. Pse simbolet duhet të marrin meritat si simbolike?“

Si një gjest dëgjimi, pranimi dhe mirëkuptimi. Ah, u mirëkuptua. Fjalët e përhumbura nën maska të mjegullta u kthyen në flokëza të bardha. Flokëza të bardha me bardhësi Hyjnore. Pastërtia mori udhën me një tis mental, që askush nuk e dinte se flokëzat e dëborta e kishin në brendësinë e tyre.

Po atë ditë me zbritje të lehtë mbi afsh të shastisur u rishfaq institucioni i munguar i bardhësisë nëpër rrugë. Atë mëngjes të njëjtat perspektiva të identitetit tim ndryshuan dy herë. Në mëngjes institucioni i bardhësisë deklaroi një ndjenjë të rreme solidariteti me mënyrën se si unë i shikoja ata, në shkrirje. Atë mbrëmje ata më injoruan sikur nuk kishte ndodhur kurrë, në ngrirje. Ata po hidhnin sytë nga konfuzioni dhe po bënin me kokë njëri-tjetrin. Punë stalagmitesh dhe stalagtitesh të akullta!

Mes këtyre shenjave simbolike dominonte ekrani. Ekrani shkrepte shkrepëtima anembanë bardhësisë dhe po bënte një thurrje të re zakonore nga identiteti i ri me shokun, mikun apo Tjetrin në tejshfaqjen e mbyllur nën maskë. Zgjidhja me konceptin që të jesh i izoluar në shtëpinë tënde është të kesh shoqëri vetëm me akujt e vegjël që ngritën kryet në ballkonin tim të vogël dhe të ecësh i heshtur në rrugë, ose në sendiljet bosh të pasagjerëve kur merr ushqim dhe bukë. Ekrani po e bën zakon të reklamojë të qenit i përkujdesshëm në kohë pandemie. Dhe më tej vetëm me „Ça bone? Mirë jena? …Tung!“ Mjafton që vëzhgojmë lulet!

Një orkide bardhoshe hapi sytë më shpejt nga fryma jonë e tejstazhonuar në dhomën ku vetëm sytë dhe kompjuterat pikëtakohen me Botën reale. Lulëzoi pikërisht në atë moment. Në rrugën e bërë acarr, papritmas një kalimtar shpërndau kafenë e gotës karton, pasi këmbët nuk u pajtuan me trazimin e bardhë nën këmbë dhe pastaj vetëm duart u ngritën së bashku në mosbesim të ecjes mes kripës, që ishte vonuar të spërkaste trotuarin. Bukuroshja e dukshme e papritur u bë një presion i padurueshëm në zemrat e sytë tanë, ndërsa trishti i syve u nda me dhimbjen, që kushedi si e kishte përjetuar vetë ai që spërkati me kafe të bardhën e saporënë.

Zemra? Meqenëse kjo Orkide lulëzoi, forma e bardhësisë së vegimtë në sy nuk lejonte askënd përveç vetes të kishte një zemër të tillë më dysh, por për të mos u marrë më sysh, se një sy mbetej në të bardhën e rrugës dhe një tjetër në ekranin ku puna online është rituali i ditëve. Fundja kishim zemër. Fundja kishim gjuhë. Fundja kishim shpresa. Fundja nuk ishim asimiluar.

Mund të ketë qenë aroma e bardhë. Mund të ketë qenë çelja e luleve në dhomë, mendova dhe gati bërtita me zë të lartë. Por, ndoshta mendimet blozë…?! Sidoqoftë, përsëri bardhësia luajti një rol të madh në hapjen e rrugës për Orkidenë e lulëzuar. Të zbutur nga kjo bardhësi, mendimet e errëta filluan të mbulohen me një batanije, ku ato ndërthuren në hijen e diellit të verdhë e të ndritshëm, që pritet të dalë pas dëborës së parë të këtij viti në Londër. Fundja nuk ishim asimiluar!

84 views3 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page